SHOQËRISË I DUHET MENDIM KRITIK DHE JO OPINION DESTRUKTIV
Nga Xhelal Zejneli
Gjika i kishte thënë Dulit: “Ti shpesh i kritikon të tjerët. U thua se s’kanë bërë sa duhet për këtë popull. Në raste të caktuara, thua se s’kanë bërë asgjë. Por, ndonjëherë njeriu duhet të jetë edhe autokritik. Duhet të shohë në ka bërë vetë ai diçka për bashkësinë ku jeton. Pikëpamjet tua nuk përbëjnë mendim kritik. Ato që publikon ti nuk janë veçse opinione të pabazuara”.
Ka edhe të tillë që e konsiderojnë veten atdhetarë, patriotë. Ka që e marrin veten për intelektualë. Me fjalë të tjera, e konsiderojnë veten intelektualë! Intelektual, i cili librin e fundit e ka lexuar para tridhjetë e pesë vjetësh. Intelektual, i cili s’di të shkruajë shqip, s’di ta shkruajë pra, gjuhën amtare, domethënë gjuhën e nënës! Gojën plot atdhetarizëm, gojën plot intelektualizëm.
Ç’atdhetar je ti or i mjerë – kishte pyetur Gjika.
Në burg për kauzën, nuk ke qenë. Mirë që s’ke qenë. Me milicë apo me milici, punë s’ke pasur. Me policë dhe polici punë s’ke pasur. Me hetues dhe prokurorë, punë s’ke pasur. Me gardianë punë s’ke pasur. në qeli apo në birucë s’ke ndenjur. Mos harro se dikush ka kaluar nëpër këtë ferr, e ka përjetuar këtë ferr. Shyqyr që nuk bën pjesë në grupin e atyre që janë torturuar prej xhandarëve, që janë rrahur prej tyre, janë shkelmuar, janë fyer, janë ofenduar, kanë ndenjur pa bukë dhe kanë mërdhirë në birucë.
Ti nuk je përjashtuar prej pune prej partisë komuniste sllavo-maqedonase apo serbosllave. Në institucionin ku ke punuar, nuk je dënuar prej pushtetarëve sllavë me parapërjashtim nga puna. Nuk i je nënshtruar të ashtuquajturit “diferencim ideopolitik”.
Shënim: Nacionalistët shqiptarë konsideroheshin se janë kundër “vetëqeverisjes socialiste” të Titos. Rrjedhimisht, ata akuzoheshin se e duan Shqipërinë.
* * *
Pasaportën nuk ta ka marrë UDB-ja. Ka pasur mësues, arsimtarë dhe profesorë që janë larguar nga puna prej pushtetarëve sllavo-maqedonas dhe serbë. Për të mbijetuar, këta kanë qenë të detyruar të shkojnë në Zvicër apo në Gjermani. Disa nuk kanë mundur të shkojnë ngase UDB-ja ua kishte sekuestruar dokumentet e udhëtimit.
A ke vepruar ndonjëherë gjatë jetës tënde në ilegalitet. A ke vepruar fshehurazi brenda trojeve shqiptare në Jugosllavi, a ke shpërndarë afishe, a ke krijuar grup politik sekret që do vepronte për Kosovë, për shqiptari? A ke qenë pjesë e diasporës shqiptare në Gjermani, në Zvicër apo në Danimarkë që ka vepruar fshehurazi për çështjen shqiptare? A e ke pasur të ndaluar ardhjen në shtëpi, prej atje ku shumë shqiptarë kanë zhvilluar veprimtari atdhetare ilegale? A ka ndodhur të të vdesë ndonjë anëtar i familjes, e ti të mos jesh i pranishëm në ceremoninë varrimit për arsye se ke qenë i përndjekur nga UDB-ja dhe policia sllave? A e di ti se një i burgosur, pasi e vuan dënimin në burgjet sllave, kthehet në shtëpi. Te pragu i derës, nëna e kërrusur, me sy të tharë dhe shikim të humbur, e pyet: “Mos di gjë për tim bir?” Nëna e rrëgjuar nga malli për të birin, nuk e njeh djalin e vet.
A ta kanë konfiskuar ndonjëherë, pa kundër-shpërblim, shtëpinë, arën, vreshtin, zabelin, tregtizën? A t’i kanë konfiskuar kafshët, bagëtinë e trashë dhe bagëtinë e imët? Shyqyr që jo. Ty nuk të është dënuar asnjë anëtar i familjes – babai, xhaxhai, vëllai etj. dhe shyqyr që jo. Asnjë therë në këmbë s’të ka hyrë dhe shyqyr që jo. Kur s’ke qenë në politikë, ke kontribuar për këtë popull në kuadër të profesionit tënd. dhe ke bërë mirë.
Ti s’ke përjetuar asnjë prej masave apo dënimeve të lartpërmendura dhe shyqyr që jo. Ç’do të kishte ndodhur sikur çdo shqiptar të kishte qenë në burg. Atëherë kush do t’i kishte ushtruar punët ekonomike sociale në shoqëri. Burgun për shqiptarët e kanë kryer shumë shqiptarë, e sidomos Mendela i Evropës, autor i romanit “Gjarpinjtë e gjakut” (1958),Adem Demaçi (Prishtinë, 1936 – Prishtinë, 2018). Në mënyrë të tërthortë, tre milionë shqiptarë në Jugosllavi kanë qenë të persekutuar. Dënimi me burg nga pushtetarët sllavë dhe “diferencimi ideopolitik” nga komunistët sllavë nuk mund të jetë kriter i atdhetarizmit apo i pastërtisë morale të individit. Atdhetarë të mëdhenj kanë qenë edhe ata të cilët nuk kanë qenë në burgjet sllave, por që kanë punuar për këtë popull, duke i ushtruar profesionet dhe zanatet e tyre.
Çdokush nuk mund të jetë Demaç. Një të tillë s’ka asnjë popull në Evropë apo në Ballkan. Adem Demaç lind njëherë në një shekull.
* * *
Çdo lider ka bërë për popullin aq sa ka mundur. Secili prej tyre duhej të kishte bërë më shumë se aq. Disa prej liderëve aq i kanë pasur mundësitë, aq kanë mundur, aq kanë lejuar rrethanat. Lehtë është të rish jashtë loje dhe të bësh sehir, të shikosh se ç’bëjnë e ç’nuk bëjnë të tjerët. Pyete veten se ç’ke bërë ti për këtë popull.
Në kohën e pluralizmit, d.m.th. prej vitit 1991 e më pas, në saje të partisë tënde ke qenë në pushtet. Ke qenë deputet, ministër, ambasador, e ç’nuk ke qenë? I privilegjuar me dekada. I privilegjuar, edhe pasi ke dalë në pension. Dhe ndalesh e pyet se çka bërë tjetri, në vend që të pyesësh veten se ç’ke bërë ti.
T’i thuash dikujt se s’ke bërë asgjë për këtë popull, përkundër mandatit që ke pasur, ti që tridhjetë e pesë vjet të periudhës së pluralizmit ke qenë i privilegjuar dhe kurrë s’të ka hyrë therë në këmbë, kjo është absurde. Pikëpamjet tua nuk paraqesin mendim kritik. Ato s’janë veçse opinione të njëanshme, të pabazuara, destruktive dhe tendencioze.
Të drejtë kritike kanë pasur heronjtë e kombit, si: Sadudin Gjura (f. Shipkovicë, Tetovë, 15.03.1926 – f. Shipkovicë, Tetovo, 25.02.1960), autori i dramës me gjashtë akte “Lalë Bajrami” (1951), e para dramë shqipe në Maqedoni; mësuesi Mehmet Gega (Tetovë, 1921 – Tetovë, 2006), Rahim Neziri (f. Shipkovicë, Tetovë, 01.04.1936 – f. Shipkovicë, Tetovë, 18.11.2023); Rafi Halili (f. Gajre, Tetovë, 12.10.1950 – Tetovë, 28.01.2022), Zaim Beqiri (f. Shipkovicë, Tetovë, 1947 – Tetovë, 2013), Shpëtim Pollozhani (Strugë, 27.04.1949; data e lindjes është regjistruar më 12.02.1950- ) dhe qindra të tjerë, që nga Struga deri në Likovë.
Këta heronj të kombit u përplasën për Shqipëri dhe për shqiptari me xhandarët dhe milicinë e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), ndërkaq ti i kritikon njerëzit të cilët nuk morën pjesë në varrimin e nënave të tyre ngase i ndiqte hap pas hapi UDB-ja jugosllave.