SHPALIME BAZIKE PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI!

Sot në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi!

Një mësim që nuk duhet të përsëritet!

Si ka avansuar dialogu “teknik” në negociata politike me Serbinë pas Shpalljes së Pavarësisë?

Nga arkivi i pashtrikut, 25. 02. 2013

SHPALIME BAZIKE PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI!

Nga Sheradin Berisha, 25 shkurt 2022

Pashtriku,org, 25. 02. 2013: “Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës në dy etnitete (shqiptare dhe atë serbe) nuk është risi. Ky plan i projektuar nga akademiku shovinist Dobrica Qosiç, ndonëse gjatë periudhave të caktuara është përdorur si planë rezervë për realizimin e synimeve serbe, po të lexosh me vëmendje pakon e Ahtisaarit do të spikasësh me lehtësi shumë elemente të kamufluara apo thënë më qartë të modifikuara, të cilat reflektojnë qartë këtë ndarje.

Dihet mirëfilli se substrati i ndarjes së Kosovës ngjashëm me Bosnjen, është hedhur përmes krijimit të enklavave serbe, dhe shkëputjes së plotë të pjesës veriore të Kosovës (Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit) duke përfshirë këtu edhe Mitrovicën verore deri në urë të lumit Ibër, nga tërësia e ushtrimit të pushtetit prej institucioneve (të 1244-shit) të Kosovës.

Dhe, kjo ndarje e vijëzuar tashmë në pakon e Ahtisaarit, po legalizohet edhe me miratimin dhe zemërgjerësinë e Grupit negociatorë gjegjësisht Grupit të Unitetit, si rezultat i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që u zhvilluan gjatë vitit 2006 e që po vazhdojnë edhe këtë vit, (nga 21 shkurti 2007) si raund “konsultimesh” ne mes të dyja palëve në Vjenë.” – kështu kam thënë në shkrimin tim: “OFERTA “HISTORIKE” E GRUPIT TË UNITETIT – PËR FORMIMIN E KOMUNAVE TË REJA ETNIKE SERBE!, të botuar më 25 shkurt 2007, derisa po vazhdonin bisedimet Prishtinë – Beograd (në Vjenë), me ndërmjetësimin e Martti Ahtisaarit.

Lexoni të plotë shkrimin:

OFERTA “HISTORIKE” E GRUPIT TË UNITETIT – PËR FORMIMIN E KOMUNAVE TË REJA ETNIKE SERBE!

Klikoni këtu 👇👇👇

http://pashtriku.beepworld.de/akishatharta.htm

*   *   *

PAKOJA E AHTISARIT DERIVAT I MARRËVESHJEVE NDËRKOMBËTARE!

Për të freskuar kujtesën tonë: Pakoja e Ahtisaarit është derivat i shumë dokumenteve-marrëveshjeve ndërkombëtare për Kosovën, të arritura gjatë viteve 1999- 2008.

Cilat janë ato dokumente-marrëveshje?!

1) Marrëveshja e Rambujesë (Shkurt/Mars1999)

2) Marrëveshja Ushtarake -Teknike e Kumanovës (NATO/Serbi, 9 qershor 1999)

3) Rezoluta 1244 e KS të OKB-së ( Nju Jork, 10 qershor 1999)

4) Korniza kushtetuese e Kosovës (Prishtinë, 15 maj 2001)

5) Marrëveshja Hakerup – Çoviç për Kosovën (Beograd, 5 nëntor 201)

6) Plani i implementimit të standardeve para statusit për Kosovën (Nju Jork, dhjetor 2003)

7) Raporti i Kai Aides për Kosovën (Nju Jork, 13 qershor 2005)

8 ) Gjashtë Parimet e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës (Nju Jork, 9 nëntor 2005)

9) Pakoja e Ahtisaarit (Nju Jork, Vjenë, 2 shkurt 2007)

10) Traktati i miqësisë Kosovë – Serbi (Nju Jork, Vjenë, 30 gusht 2007)

11) Raporti i Treshes së Grupit të Kontaktit (Ishinger, Uizner, Kharcenko, BE-SHBA-RUSI) për Kosovën (Nju Jork, Vjenë, 4 dhjetor 2007)

12) Deklarata e Pavarësisë (Nju Jork, Bruksel, Prishtinë, 17 shkurt 2008)

13) Kushtetuta e Republikës së Kosovës (Nju Jork, Bruksel, Prishtinë, 15 qershor 2008)

14) Gjashtë pikat e Ban Ki Moon’it! (OKB – Nju Jork, 2008)

Të gjitha këto marrëveshje të përgatitura nga qendrat politike ndërkombëtare, që kulmuan me “Pavarësinë e Kosovës” dhe “Kushtetutën e Kosovës” (Lexo – Ahtisaarit, 15 qershor 2008), lideshipi politik e institucional i Kosovës e kanë artikulluar si „vullnet“ të popullit (!!!)

Dhe, kjo lojë – kundër vullnetit dhe të drejtës së popullit për vetëvendosje (sipas konventave ndërkombëtare) do të intensifikohet me dialogun e ri Beograd – Prishtinë (2010 – 2012) për çështje të ashtuquajtura pragmatike’teknike (bisedimet Edita Tahiri – Borko Stefanoviq), a në të vërtetë ato ishin politike dhe këtë gjë e dëshmojnë tashmë bisedimet Thaçi – Daçiq, që po zhvillohen në Bruksel.

Në fakt, me këtë dialog politik po negocohet Pakoja e Ahtisaarit për t’u implementuar gjashtëpikëshi i Ban ki mun’it, i cili do të rezultoj me krijimin e një etniteti serb në Kosovë, i modeluar tashmë për veshin tonë, si: “ASOCIACION I KOMUNAVE SERBE NË KOSOVË”!

“ZOTIMET” E HARRUARA TË HASHIM THAҪIT!

Më 15 shkurt 2012 – Kryeministri Hashim Thaçi para Kabinetit të tij Qeveritar kishte deklaruar se kurrë nuk do të flitet me Beogradin për veriun e Kosovës. “Nuk ka bisedime me askënd për veriun e Kosovës, apo për çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullin e brendshëm” – kështu ishte zotuar Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi, në javën e parë të shkurtit 2012 (pas një takimi që pati me përfaqësuesin e ri të posaçëm të Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar) ka deklaruar se, veriu i vendit, i banuar me shumicë serbe, nuk do të ketë asnjë trajtim të veçantë dhe se zgjidhja e problemeve në atë zonë do të jetë në pajtim me kushtetutën dhe planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.

HASHIM THAҪI: “DO TA KRIJOJMË ASOCIACIONIN E KOMUNAVE MË SHUMICË SERBE NË KOSOVË”!

Një vit më vonë, po ky Hashim Thaçi duket se e ka harruar këtë “zotim”, dhe më 19/20 shkurt 2013 në tryezën e dialogut në Bruksel, me kryeministrin serb Ivica Daçiq, ka biseduar pikërisht për çështjen e veriut të Kosovës!

Lidhur me këtë takim, në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton (si ndërmjetësuese e këtij dialogu), thuhet se të dy kryeministrat (Thaçi – Daçiq) kanë zhvilluar takime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe se “kanë zhvilluar diskutime të thella”.

“Ata janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se “kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë”.

*   *   *

Ҫfarë përparimi thelbësor është arritur në takimin Thaçi – Daçiq, më 19/20 shkurt 2013?!

Këtë “përparim” e sqaron Hashim Thaçi në një intervistë dhënë RTK-së nga kryeqyteti i Koresë së Jugut! Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nga Seuli i Koresë së Jugut ka bërë të ditur se do të krijohet “Asociacioni i komunave me shumicë serbe” në Kosovë, e që sipas tij ky “asociacion” do të jetë në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtisarit, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës (!!!)

Sa për kthjellim të kujtesës sonë!

SI KA AVANSUAR DIALOGU “TEKNIK” NË ATË POLITIKË – ME SERBINË?!

Në tetor 2011, Kryeministri Hashim Thaçi, Presidentja Atifete Jahjaga dhe nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, patën dalë publikisht në favor të nisjes së diskutimeve me Serbinë për çështje politike, të cilët vazhdimisht kishin përsëritur qëndrimin se me Serbinë do të bisedohet vetëm për çështje “teknike” e jo politike, për të mos i shkelur “vijat e kuqe” të limituar nga institucionet e Kosovës. Këto bisedime me Serbinë i ka kundërshtuar ashpër vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

“THAÇI: AUTONOMIA PËR VERIUN, ËNDËRR E SERBISË”

Më 03 Nëntor 2012, kryeministri Hashim Thaçi, pas inspektimit që i ka bërë punimeve përfundimtare në seksionin 5 të Autostradës Vërmicë-Merdarë, duke iu përgjigjur zërave se ekipi serb ka ndërmend që të kërkoj një autonomi substanciale për veriun e Kosovës, para gazetarëve ka thënë se “kjo është një ëndërr e kahmotshme e Serbisë por që nuk do të realizohet kurrë.” Ai ka shtuar se bisedimet politiket me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve do të përfundojnë me njohje reciproke të të dyja vendeve.

THAҪI: “PLATFORMA SERBE PËR KOSOVËN ËSHTË E PAREALIZUESHME”!

Në dhjetor 2012, mediat serbe raportonin se presidenti Nikoliç ka përgatitur një Platformë për statusin e veçantë të serbëve në Kosovë, dhe me këtë rast i menjëhershëm ka qenë reagimi i Qeverisë së Kosovës. Më 19 dhjetor 2012, Kryeministri, Hashim Thaçi, ka deklaruar, se platforma serbe që parasheh një status të veçantë për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe është e papranueshme dhe e parealizueshme, dhe se ky plan paraqet vazhdimësi të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës….

CILAT JANË PESË PIKAT E PLATFORMËS SERBE PËR KOSOVËN?

Në një edicion të TV – Vizion Plus, prezentohet ky material: “Në javën e parë të janarit 2013, Qeveria e Serbisë dhe Presidenti Nikoliç kanë mbajtur një takim të përbashkët për miratimin e platformës së re për Kosovën. Ky dokument përmban pesë pika, në të cilat e para është që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Vijimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, është një tjetër pikë e kësaj platforme.

Një nga çështjet më të debatueshme të saj, është statusi i serbëve të veriut të Kosovës. Në tekst propozohet krijimi i një entiteti të veçantë për këta banorë, i ngjashëm me modelin boshnjak. Më 11 janar, dokumenti do t’i kalojë për miratim Parlamentit. Kryeministri Daçiq do ta prezantojë atë gjatë raundit të radhës së bisedimeve me Thaçin në Bruksel, më 17 janar 2013.

Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, mediat kosovare ngulmojnë se edhe qeveria e Prishtinës ka një plan të ri për veriun. Sipas tyre, kryeministri Thaçi do të paraqesë në tryezën e Brukselit një ofertë ekonomike për qytetarët e veriut të Kosovës. Oferta, që përfshin krijimin e fondit për veriun në këmbim të ndalimit të financimit nga Serbia të strukturave të saj në veri, thuhet se është prezantuar muaj më parë te shtetet perëndimore.

ZOTIMI I HASHIMIT: “S’KA BISEDIME PËR STATUSIN DHE TËRËSINË TERRITORIALE TË KOSOVËS”!

Më 14 janar 2013, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi përfaqësuesit e partive politike: Isa Mustafa, Blerim Shala, Mimoza Kusari-Lila, Mahir Yagxhillar, si dhe Sllobodan Petroviq, para shkuarjes në takimin e radhës në Bruksel më 17 janar 2013. Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra për Komunikim Publik të kryeministrit, Qeveria e Republikës së Kosovës, në këto bisedime respekton këto qëndrime:

– Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Martti Ahtisaari;

– Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjet në fuqi;

– Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës;

– Marrëveshjet e arritura në Bruksel, në dialogun teknik, me lehtësimin e Robert

Cooper-it, përfaqësuesit të Përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Në komunikatë Qeveria e Kosovës, ka theksuar, se në këtë dialog, në asnjë mënyrë, nuk do të bisedojë për:

1. Statusin e Kosovës, apo, Pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008.

2. Tërësinë territoriale të Kosovës, me kufijtë e njohur nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari (Mars 2007) dhe të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

3. Organizimin e brendshëm të Kosovës, që është kodifikuar me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Qershor 2008) dhe me Ligjet në fuqi.

4. Implementimin e të gjitha Marrëveshjeve të arritura në Dialogun Teknik të organizuar në Bruksel, prej 8 marsit 2011.” (…)

*  *  *

HASHIM THAҪI:”PËR RREGULLIMIN E BRENDSHËM TË KOSOVËS NUK DO TË BISEDOJ ME SERBINË”

Më 19 Janar 2013, në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me Serbinë nuk do të bisedohet kurrë për çështje të brendshme të Kosovës. “Për rregullimin e brendshëm të Kosovës nuk do të bisedoj me Serbinë. Unë do të respektoj Kushtetutën e vendit tim… Po bisdeojmë për normalizimin e raporteve ndërmjet vendeve tona dhe duhet të arrijmë në atë situatë ku të dyja palët të jenë fituese”, ka thënë Hashim Thaçi.

(…)

Më 4 mars 2013 e tutje, në Bruksel, vazhdon telenovela e radhës Thaçi-Daçiq, për finalizimin e formës dhe përmbajtes së njësisë autonome të sebëve në Kosovë, e cila në këtë fazë embrionale po quhet me një emërtim simbolik “ASOCIACIONI I KOMUNAVE SERBE NË KOSOVË”

***

SHERADIN BERISHA: HARRIMI DHE MODELIMI I ZOTIMEVE TË KRYEMINISTRIT HASHIM THAҪI!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura