SI U VRA LUIGJ GURAKUQI NË BARI TË ITALISË, MË 2 MARS 1925

Pashtriku, 2 mars 2021: Delegat, firmëtar dhe shkruesi i teksti të proklamatës së Pavarësisë. I mjaftonin vetëm këto 3 “punë” që Luigj Gurakuqi bëri në jetë, për të thënë se atë të hënë të 2 marsit 1925 ishte vrarë një nga shqiptarët më të mëdhenj që ka nxjerrë kjo tokë.
Kur akrepi madh me të voglin ishin puthitur në 21.00, tre plumba të dalë nga revolveri i Baltjon Stambollës e lanë të vdekur në vend duke i ndërprerë jetën atij që jo vetëm i kishte dhënë Shqipërisë, por që mund t’i jepte akoma më shumë asaj. Edhe sot në Bari të Italisë, në vendin ku u vra Luigj Gurakuqi ndodhet një pllakatë që shënon këtë krim të kryer nga një shqiptar pa asnjë vlerë ndaj një shqiptari tjetër që e ka shënuar emrin mes korifejve të kombit.
Sikur ta ndiente vrasjen Luigj Gurakuqi ka lënë pas një amanet me këshilla për jetën e që më shumë duken si për vete sesa për të tjerët.
E shkruar më 20 nëntor 1919 vargjet e saj janë monumentale:
Armët e mbushme mos me i dhanë, Me shokë t’uej kurrë mos me u xanë.
Kurr uj’t turbull mos me i ra,
Mos me dalun n’ba t’pa ba.
Vendin t’uej me e dashtë për ore.
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore
T’huejnë me fjalë most a poshtoni.
Bukën para po t’i a shtroni
Në Shqipnië si asht ken zakoni
Me i besue, mos i besoni.
Skena e vrasjes

Pak minuta se ora të shkonte 21.00 e 2 marsit 1925, Luigj Gurakuqi u kërkoi leje të largohej miqve të tij me të cilët ishte duke darkuar në hotel “Cavour” në Bari. Dan Hasani dhe Riza Dani me bashkëshorten e tij Makbule nuk u habitën shumë për largimin e beftë, teksa dëgjuan sqarimin se do shkonte në shtëpinë e mikut të tij, Sotirit, që sipas Gurakuqit i kishte premtuar të bijës t’i jepte dhuratë një kukull. Por teksa vuri këmbën në pragun e portës së hotelit, Baltjon Stambolla, djali i tezes së tij, i doli papritur përpara dhe pa i folur e qëlloi me revolver disa herë në trup duke i shkaktuar plagë të rënda.

Luigj Gurakuqi (19 shkurt 1879 Shkoder – 2 Mars 1925 Bari)

Mbërritja e miqve me të cilët kishte darkuar ose edhe e personave të tjerë aty pranë e bëri të panevojshme ndihmën që donin të jepnin.
Luigj Gurakuqi ndërroi jetë vetëm disa minuta pas atentatit. Skenën e vrasjes e sjellë në kujtimet e veta Sejfi Vllamasi:
“Nuk qëndroi gjatë aty, nga ora 21.00 doli nga kafeneja, kur papritmas ndjeu krismat e një revolverI. Gjithçka ndodhi kaq shpejt e pakuptuar, sa ai as nuk pati kohë të thoshte asgjë. Ra përmbys si një lis i këputur në mes, i mbytur në një pellg gjaku. Një nga tre plumbat e kishte përshkuar në zemër e porsa e hipën në karrocë që ta çonin në spital ajo zemër e madhe pushoi së rrahuri.”
Si u organizua vrasja
Që Baltjon Stambolla ishte nxitur dhe paguar për të vrarë Luigj Gurakuqin kundrejt shpërblimit këtë e vërteton një letër e tij, e dërguar nga burgu ku ndodhej. Gjysmë analfabet, me një shkrim plot gabime ortografike, pa pikë e pa presje dhe me mendim tejet konfuz deri në çoroditje, plot ankth dhe pa pikën e inteligjencës, Stambolla lë një provë të pakundërshtueshme se jo vetëm ai ishte autori, por se prapa kësaj vrasjeje të madhe qëndronin tre pushtetarë të mëdhenj: kryeministri Ahmet Zogu, kunati i tij Ceno bej Kryeziu, dhe konsulli i Shqipërisë në Bari, Çatin Saraçi.
“Kërkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeverisë Italjane.
Pyetni Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!… Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari. Shkëlqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania). Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë) Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”
Zogu në vrasjen e Gurakuqit
Me vrasjen e Luigj Gurakuqit, Ahmet Zogu tashmë kryeministër për herë të dytë, nuk kishte frikë më askënd. Vetëm 3 muaj pas triumfit të tij mbi Tiranë dhe dëbimit të qeverisë së Fan Nolit, më 24 dhjetor 1924, vrasja e Luigj Gurakuqit ishte eliminimi i një kundërshtari shumë herë më të rrezikshëm në planin politik, aq sa teksa mori vesh lajmin për varsjen e tij, gostiti disa miq të huaj dhe u thotë:
“Tash nuk drue ma kënd”
Por intrigat dhe dora e Ahmet Zogut dhe e miqve të tij mbështetet në prova të tjera. Studiuesi Piro Tako ka zbuluar një dëshmi tejet interesante të dhëndrit të tij për median jugosllave.
A ka qenë nën efektet e alkoolit apo të një vetëkënaqësie deri në dehje, kjo nuk dihet, por Ceno bej Kryeziu e ka pranuar publikisht vrasjen e Gurakuqit dhe të dy politikanëve të tjerë shumë të njohur.
“Nuk do të kalonin vetëm disa muaj, kur ish-ministri i tij Ceno Bej Kryeziu, do t’i deklaronte me mburrje e me një cinizëm të jashtëzakonshem korrespondentit të gazettes jugosllave “Novosti”: Unë e kam xanë, dhe kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviçin…
Unë kam vra Zia Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, – për paqen tuaj e tonën”.
Diplomati dhe njeriu i besuar i Ahmet Zogut, Çatin Saraçi, i vë vulën intrigës dhe implikimit të vetes së vet të komanduar nga Ahmet Zogu në komplotin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në kujtimet e lëna prej tij Saraçi konfirmon çdo dyshim se cilët ishin ideatorët dhe organizatorët e kësaj vrasjeje.
“Mbas këtij episodi tragjik ia dola t’i fitoja zemrën Zogut dhe të bëhesha njeriu i tij më i besuar… Sa i takon krimit të mësipërm ishte më se e natyrshme që emri im të përlyhej e të lidhej me atë të Zogut… U nisa për në Tiranë dhe kur mbërrita e gjeta Zogun dhe kunatin e tij, Ceno Kryeziun, shend e verë dhe krenarë për atë çfarë kishte ngjarë në Bari…”
Por ndërsa zyrat e politikës kishte dyshime për implikimin ose jot ë Ahmet Zogut, media shkruante hapur se ai ishte vrasësi, ndërsa Stambolla kishte tërhequr këmbëzën e pistoletës.
Gazeta “Liria Kombëtare” shkruante në faqe të parë: “Të gjithë e dimë se Gurakuqin e vrau regjimi feudal i Shqipërisë. Gurakuqin, pra e vrau ay regjim që kryesohet sot prej Ahmet Zogut.”
Armiqtë e Gurakuqit
Me shumë miq por edhe me shumë armiq, Luigj Gurakuqi i kishte publikë kundërshtarët politikë që në gjuhën shqipe do të thoshte armiq për vdekje. Ahmet Zogu nuk ishte as i vetmi e as armiku kryesor i tij. Mjafton të sjellim se si e kanë komentuar dy personazhe të iluminuar të kohës vrasjen e Luigj Gurakuqit. Nuk ka asnjë arsyetim cinizmi ekstrem i Faik Konicës që duket se e ka ngjyer në acid penën teksa për Gurakuqin dhe Ismail Qemalin shkroi:
“…Vdekja nuk i çliron këta aktorë politikë nga gjyqi i historisë”.
Në këtë linjë por me mendime më të rrumbullakosura është Eqrem bej Vlora që në kujtimet e tij shkruan:
“Po të ishte nevoja, qoftë edhe kundër pikëpamjeve të veta, ai do të bashkohej edhe me djallin, mjaft që të na kundërvihej neve.”
Arsyet e mëdha të vrasjes
Kryeminstri Ahmet Zogu i kishte kërkuar qeverisë italiane kthimin në Shqipëri të 10 emigrantëve më të rrezikshëm politikë. I dyti në listë, pas Fan Nolit, ishte Luigj Gurakuqi. E gjitha kjo në këmbim të plotësimit të kërkesave të Italisë, por duke përjashtuar kërkesën për koncesion për shfrytëzimine zonave me naftë dhe gaz. Këtë të drejtë Zogu ia kishte dhënë kompanisë britanike “Anglo-Persian Oil Company”, kundrejt një ryshfeti të mirë.
Por homologu i Zogut, kryeministri Benito Musolini, reagoi ashpër duke e kërcënuar Zogun me një letër nëpërmjet së cilës i kujtonte se pikërisht me këta emigrantë ai do të nxiste rrëzimin e tij nga pushteti. Kjo ishte një kambanë alarmi për Zogun, i cili vuri në jetë planin për eliminimin e këtij grupi emigrantësh.
Si punë të parë emëroi bashkëpunëtorin e tij, Çatin Saraçi, si konsull në Bari. Së dyti, nëpërmjet shërbimit sekret, infiltroi në radhët e emigrantëve Baltjon Stambollën, një personazh me shumë probleme kriminale dhe disa herë i burgosur dhe së treti u bë përzgjedhja e personit më të rrezikshëm që do eliminohej. Për Zogun frika më e madhe vinte vetëm nga një emër, Luigj Gurakuqi. Dhe ashtu ndodhi.
Hetimi dhe gjykimi
Ka një përplasje juridike në hetimin dhe gjykimin e vrasjes së Luigj Gurakuqit që të lë pafjalë sot, pas afro 100-vjetësh. Në pretencën e prokurorit pranë gjykatës së Apelit të Puglia-s thuhet qartë se cili ishte autori dhe cili ishte motivi i krimit:
“Baltjon Stambolla e kishte përgatitur krimin për një kohë të gjatë, i shtyrë prej një motivi të përbuzshëm, krim të cilin e kishin vendosur të tjerët, për të zhdukur Luigj Gurakuqin, i cili konsiderohej Kampioni i Partisë Nacionaliste Shqiptare dhe si kërcënim i vazhdueshëm për partinë që sundon në Shqipëri; parti e cila në personin e Gurakuqit shikonte njeriun e aftë për të organizuar dhe për të kryer një revolucion të ri kundër Ahmet Zogut.”
Por procesi merr një kthesë të fortë pas një telegrami që ministri i Italisë në Tiranë, markezi Durrazzo, i dërgon Benito Musolinit, më 13 mars 1925, në të cilin e njofton se nga armiq me Ahmet Zogun po ktheheshin në miq.
“Gjykuar nga pikëpamja e interesit tonë politik, s’ka asnjë dyshim se pa penguar ecurinë e drejtësisë, duhet shmangur që procesi gjyqësor ndaj vrasësit të kthehet në një proces politik kundër regjimit shqiptar në fuqi dhe njerëzve që janë në krye, me të cilët jemi duke lidhur marrëveshje kaq të dobishme.”
Tirana zyrtare i ishte dorëzuar Italisë me disa marrëveshje ekonomike, saqë vihej në dyshim pavarësia ekonomike e Shqipërisë. Traktati i tregtisë dhe lundrimit, transporti detar i mallarve dhe udhëtarëve, shfrytëzimi për 60 vjet i bitumit në një sipërfaqe 50 mijë hektarësh, krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare me kapital italian kishin më shumë vlerë sesa dënimi i një vrasësi pa vlerë. Në këto rrethana, procesi gjyqësor merr rrjedhë tjetër. Gjykata vendos që Baltjon Stambolla të lirohej me arsyetimin se Luigj Gurakuqi kishte pasur rrezikshmëri politike15, duke mbyllur me turp një proces gjyqësor, por edhe një histori po aq të turpshme krimi të realizuar në tokën italiane.
Deklarata të bujshme për vrasjen
Hasan Prishtina, ish-kryeministër, në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit:
“Lamtumirë o mik i madh, o ndera e kombit tonë. Fli i qetë Gurakuq se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin dhe përparimin e Shqipërisë do ta realizojmë.
Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufinit të Shqipnisë së sotme dhe që sado tue vuejtë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj sa edhe ata që janë nën hijen e flamurit kombëtar”.
Stavro Vinjau, deputet:
“Gurakuqi mund të quhet Plutarku i Shqipërisë, u dinte dhëmbë e dhëmballë të gjithë shqiptarëve që kishin luajtur ndonjë rol në lëvizjen kombëtare .”
10 fakte
Luigj Gurakuqi ishte shkruesi dhe një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ministër i Arsimit dhe deputet.
Në momentin kur u ekzekutua, Luigj Gurakuqi ndodhej në Bari të Italisë si emigrant politik, pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut më 24 dhjetor 1924.
Luigj Gurakuqi ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit e Fan Nolit, si dhe një nga kundërshtarët më të ashpër të Ahmet Zogut.
Luigj Gurakuqi njihej publikisht për pikëpamjet e tij pro Italisë
Ahmet Zogu i kishte kërkuar Italisë kthimin në Shqipëri të 10 emigrantëve politikë më të rrezikshëm që ndodheshin atje. I pari në listë ishte Fan Noli dhe i dyti Luigj Gurakuqi
Autori i vrasjes, Baltjon Stambolla, ishte djali i tezes së Luigj Gurakuqit.
Në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit, pranë arkivolit dhe më pas në varrin e tij ishin vendosur kurora të veçanta me emrat e këtyre personave: Kel Marubi, Bajram Curri, Ndre Mjeda, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Lazar Fundo, Angjelin Suma, vëllezërit Kondi, Gjergj Gurakuqi, Dervish Mitrovica, Cin Shiroka dhe vëllezërit Dani.
Në momentin kur gjykata vendosi lirimin e autorit Baltjon Stambolla, ai u ul në gjunjë dhe tha: Pas Shqipërisë në zemrën time do të ketë gjithnjë vend për Italinë.
Më 17 korrik 1947 regjimi komunist i shtetëzoi të gjitha pronat e Luigj Gurakuqit në Shkodër
Në nëntor të vitit 1957, eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën nga Italia në Shqipëri dhe u varrosën në një ceremoni madhështore në varrezat e dëshmorëve në Shkodër.
10 mistere
Përse konsulli shqiptar në Bari, Çatin Saraçi, u largua në Shqipëri pikërisht ditën që do niste procesi gjyqësor ndaj Baltjon Stamobllës si i akuzuar për vrasjen e Luigj Gurakuqit?
Si ka mundësi që Çatin Saraçi, pikërisht njëri prej të dyshuarëve në vrasjen e Gurakuqit, befas emërohet në një detyrë tjetër nga shefat e tij në Tiranë?
Si ka mundësi që emërimi i beftë i Çatin Saraçit u bë edhe pas kërkesës që emigrantët shqiptarë në Bari u bënë autoriteteve italiane për arrestimin e tij si të dyshuar në krim?
Si ka mundësi që Baltjon Stambolla shkruan me dorën e tij një letër në të cilën i kërkon të holla si dëmshpërblim Ahmet Zogut, Çatin Saraçit dhe Ceno bej Kryeziut, dhe për asnjë prej këtyre treve nuk u krye ndonjë hetim?
Si ka mundësi që autori i vrasjes Baltjon Stambolla, edhe pse kishte prova të forta ndaj tij, dhe u cilësua autor, u lirua si i pafajshëm?
Përse Benito Musolini e rezuzoi Ahmet Zogun e nuk pranoi të kthente nga Italia në Shqipëri 10 emigrantët politikë shqiptarë që ndodheshin në Itali, mes të cilëve edhe Luigj Gurakuqin?
A ishte vrasja e Luigj Gurakuqit hakmarrja e parë e Ahmet Zogut pas kërcënimit të Benito Musolinit se me emigrantët shqiptarë që ndodheshin në Itali do ta rrëzonte atë nga pushteti?
Përse mori rrjedhë tjetër procesi gjyqësor pas letrës që ministri italian në Tiranë, Marchese Durrazo, i dërgoi kryeministrit Benito Musolini?
Si ka mundësi që trupi gjykues italian arsyetoi për Stambollën se kishte kryer një akt politik?
Përse Ministria e Brendshme refuzoi kërkesën e familjarëve që Luigj Gurakuqi të varrosej në Shkodër?
***
– Pjesë e shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2018” i gazetarit Roland Qafoku.

____________________

FJALIMI I HASAN PRISHTINËS NË CEREMONINË E VARRIMIT TË PATRIOTIT, INTELEKTUALIT DHE RILINDASIT TË MADH, LUIGJ GURAKUQIT
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10955

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura