SKËNDER MUÇAJ – MALLAKASTRA: SHQIPTARIZMI, KOSOVA DHE FAMILJA KAPITI NGA DURRËSI

Durrës, 12 mars 2019: Ajo që më shtyu për ta shkruar këtë shkrim dhe për t’ia drejtuar gazetës suaj për botim është libri i shkrimtarit nga Kosova z. Bedri Tahiri me titull “Patriotizmi jeton në përjetësi”, i cili i kushtohet familjes patriotike nga Durrësi me origjinë nga Kosova të patriotit, nacionalistit dhe të shqiptarit të madh Sadri Kapiti, për të cilin Qemal Mançe me të drejtë shprehet se:”Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burrat. Fakt është që edhe bijtë e tij ndoqën besnikërisht rrugën e tij”.
Se cila është biografia e familjes Kapiti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i kësaj familjeje, i djemve të Sadri Kapitit, e ka treguar dhe trajtuar mjaft mirë autori i librit, Bedri Tahiri: si një familje të cilën unë kam pasur fatin ta njoh vetë nga afër; si një kundërshtare e luftëtare kundër kolonizatorit 100 vjeçar serb që ka ushtruar genocid një shekullor mbi popullin martir shqiptar të Kosovës. Familja Kapiti në Shqipëri është dalluar si një kundërshtare e regjimit komunist në Shqipëri e cila ka kundërshtuar me guxim politikisht atë regjim dhe reformat anticivile të koperativizmit dhe të shtetëzimeve ekstreme si dhe orientimin politik lindor herë nga Beogradi, pastaj nga Moska dhe nga Kina; familje e cila ka kundërshtuar regjimin komunist antiamerikano-perëndimor të regjimit enverist dhe për këto arësye ajo u përndoq dhe u privua për gjysmë shekulli nga të drejtat elementare qytetare, juridike, të punësimit dhe të arsimimit në Shqipëri dhe që as nuk mund të bëhet fjalë për të drejta politike, po që kurrë nuk ju bind dhe as nuk ju nënshtrua atij regjimi.

 – Sadri Kapiti –

Me rënien e komunizmit në Shqipëri, nuk duhet mohuar dhe as nuk duhet harruar kontributi i madh i familjes Kapiti i vëllezërve Sylejman, Fatmir, Skënder, Naim dhe Gani për vendosjen e demokracisë në Shqipëri pasi ata e shikonin se vetëm demokracia dhe perëndimi me SHBA në krye mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga sketerra komuniste e Tiranës, dhe prej tyre e kam dëgjuar që herët, shumë vite më parë se të fillonte lufta në Kosovë, atë që ua kishte thënë babai i tyre, Sadriu, se pa ndihmën dhe pa ndërhyrjen amerikane Kosova nuk mund të çlirohet kurrë nga kthetrat sllavo-serbo që i mbështet Rusia. Prej tyre herët edhe para demokracisë e pata dëgjuar se politika izoluese e regjimit në Shqipëri i ka shkuar për shtati politikës serbe të mohimit të lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës; politika ideologjike vetëm për pushtet e komunistëve të Tiranës i shkonte për shtati politikës sllave në Jugosllavi për deshqiptarizimin e Kosovës, pasi ajo ishte një politikë antiamerikane e antidemokratike, ishte një politikë marksist-leniniste dhe për perëndimin lëvizja marksist-leniniste e marrjes së pushtetit me dhunë dhe ajo e luftës së klasave si forcë lëvizëse e shoqërisë ishin ideologji dhe praktika terroriste, po që fatkeqësisht kjo ideologji ishte bërë e tyre edhe e shumë shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni që i kishte helmatisur propaganda zyrtare e Tiranës komuniste.
***
Po ajo që më së shumti vlen të përmënd në këtë shkrim është kontributi i veçantë unikal mund ta themi në Shqipëri i familjes Kapiti, i ndihmës së saj gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 në pritjen dhe përcjelljen e mijëra vullnetarëve të luftës për çlirimin e Kosovës në qëndrën “Drenica” në Durrës që vinin nga diaspora dhe perëndimi; në pritjen dhe akomodimin e mijëra e mijëra të të dëbuarve shqiptarë nga Kosova të detyruar që të shpënguleshin për t’i shpëtuar genocidit serb, gjë për të cilën ka shkruar dhe paraqitur shumë dhe shtypi e televizioni ndërkombëtar i kohës dhe në vazhdimësi dhe sidomos ai në Shqipëri.

Ka mbi dhjetra shoqata në Shqipëri që kanë kërkuar që qendra Drenica të shpallet shtëpi muze dhe që vëllezërit Kapiti të dekorohen qoftë nga Kosova po dhe nga Shqipëria për kontributin e dhënë prej tyre në çështjen kombëtare, propozime këto të paraqitura edhe në librin e Bedri Tahirit të sipërcituar, ku vlen të përmënd këtu edhe fjalët e arta të akademik Xhevahir Spahiu që “Drenica e Durrësit… kjo shtëpi lirie dhe tempulli i atdhetarisë, pikërisht u pagëzua nga poetët dhe artistët. Ajo e ndërshqiptarizoi këtë vënd, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar”.
Dhe këtu desha të ndalesha e t’u drejtohesha politikës së Tiranës dhe asaj të Kosovës dhe sidomos atyre politikanëve të cilët dolën nga lufta dhe që e kishin dhe e kanë pushtetin në Kosovë se a e dinë apo e kanë harruar apo qëllimisht bëjnë sikur e kanë harruar këtë fakt të madh e të papërsëritshëm historik të kontributit të kësaj familje për çështjen kombëtare, dhe përsëri më çudit kjo sjellja e tyre si një neglizhencë djallëzore, po që ata kurrë nuk mund ta mbulojnë me petkun e errët të harresës pasi sa më shumë do të kalojë koha aq më shumë do ta nxjerrë në dritë të vërtetën dhe kontributin real e shumë të madh të kësaj familje në çështjen kombëtare.
Së dyti: veçanërisht këta polikanët e dalë nga lufta a e dinë se në oborrin e lokal “Drenica” qytetaria dhe pushteti vendor lokal ka ngritur memorialin e ”Luftëtarit të Lirisë” dhe a u ka rënë në mend ndonjërit prej tyre në këto 16 vite çlirimi të Kosovës të paktën ta vizitojnë këtë vënd pasi mediatikisht të paktën asnjë prej tyre nuk i kemi parë aty, por i kemi parë plazheve të Shqipërisë si dhe vrapimin e tyre për të marrë për vete ndonjë medalje nga presidenti i Shqipërisë si dhe mirënjohje të tjera nga pushtetet vendore në Shqipëri. Dua t’ju them politikanëve shqiptarë si të Shqipërisë dhe të Kosovës po sidomos atyre që i përmënda më sipër se a e dinë tashmë ata se është e vërtetë dhe kuptim plotë thënia e publiçistit dhe gazetarit të njohur Thanas Mustaqi se” Populli e ka shpallur tashmë me zemër “Drenicën” e Durrësit një “Mekë“ atdhedashurie”. Kjo, pra zotërinj politikanë do të thotë se populli shqiptar është gjithnjë shumë më përpara patriotikisht dhe politikisht se sa ju, sepse i tillë ka qenë gjithnjë populli shqiptar po që gjithnjë politika e politikanëve të tij e ka braktisur dhe harruar interesin publik e kombëtar dhe ka rendur pas pushtetit dhe interesit personal, sepse po të kishte qenë ndryshe, ndryshe dhe shumë e shumë herë më mirë do t’ i kishim pasur punët.
Përsëri dua të theksoj se unë i njoh nga afër Familjen Kapiti që janë shumë po edhe çuditem se si edhe sot nga politika në Shqipëri vazhdon ndaj tyre një lloj cinizmni për të mos thënë një farë urrejtje nga politika ashtu si dhe në komunizëm. Këtu e kam fjalën se si është e mundur që pas Luftës së Kosovës strukturat shtetërore në Shqipëri të kamufluar pas gjoja ligjit në mënyrë hipokrite dhe djallëzore e kanë goditur dhe rrëzuar tre herë muzeun “Drenica” dhe “Memorialin e Lirisë “ ngritur në truallin e tyre, dhe pothuajse u godit jo vetëm ai po dhe pronat, lokalet dhe shtëpitë e vëllezërve Kapiti ashtu siç dhe u godit lapidari i UÒªPMB-së në Preshevë , dhe madje herën e fundit Drenica u godit me 31 Tetor 2014. Kjo nuk është diçka rastësore dhe bie ndesh flagrant me faktin se në Shqipëri po legalizohen rreth 300 mijë ndërtime pa leje dhe se Shteti shqiptar në 16 vite u muar vetëm me pronat e familjes Kapiti dhe sidomos me objektin historik “Drenica” për ta zhdukur atë me qëllim tinëzar pse jo, edhe të vënies së tyre nën presion që ata të largohen fare nga Shqipëria si një shenjë kjo edhe e një politike vazhdimësie 100 vjeçare antikosovarizmi e kultivuar nga politika e Shtetit shqiptar si në monarki, në komunizëm po edhe nga kjo politika e kësaj pseudodemokracie. Kjo përbën dhe absurditetin tjetër të madh se flitet e flitet për gjoja kthimin në identitet dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë historike dhe kulturore sot më shumë se kurrë dhe goditet për ta zhdukur trashëgiminë më të re dhe ndoshta pse jo dhe atë më të lavdishëme që ndodhi në fundmijëvjeçarin e dytë, atë të luftës së UÒªK-së dhe të NATO-s me në krye aleatin tonë të madh SHBA-në që çliruan Kosovën.
Dhe si ka mundësi mirë që politika si ajo e pushtetit po dhe ajo e opozitës në Shqipëri heshtën duke jo vetëm që kanë nxitur po dhe duke miratuar veprime të tilla, por dhe më çudit pse dhe ata politikanë të Kosovës të paktën mesa di unë nuk kanë reaguar fare, apo ndoshta atyre nuk ju pëlqen kontributi i të tjerëve, apo lakmia për pushtet e për pasuri i ka larguar dhe nuk duan më t’ja dinë për sakrificat dhe për gjakun e dëshmorëve dhe të bashkëluftëtarëve të tyre, apo tani në paqë duan vetëm edhe të spekullojnë politikisht në emër të Luftës; gjëra këto që i kam dëgjuar në biseda nga goja edhe e ishluftëtarëve të UÒªK-së si dhe nga shokë e miq të mi nga Kosova.
Po e mbyll këtë shkrim të shkurtër kushtuar vëllezërve Kapiti me fjalët e ish-diplomatit dhe ish-ambambasador i Shqipërisë në Kosovë, Bujar Muharremi se:’’Emri i nderuar ”Drenica” do të kujtohet gjithashtu edhe si kontribut atdhetar e patriotik i djemve të familjes së respektuar Kapiti. Ajo meriton që të bëhet një qëndër e edukimit atdhetar dhe patriotik të brezit të ri”.

Dhe unë autori i këtij shkrimi, Skënder Muçaj- Mallakastra, them se kjo tashmë është bërë dhe më fort do të bëhet akoma në të ardhmen, duan apo nuk politikanët e sotëm të cilët kanë dëshirë që t’i përvetësojnë përveç politikës, pushtetit, autoritetit dhe të pasururive, ata kërkojnë të përvetësojnë për vete madje edhe prerogativat e patriotizmit. Përveç kontrbutit aktiv e veprues direkt për çështjen kombëtare të familjes së Sadri Kapitit vlen të theksoj këtu dhe për një vepër të madhe të shkruar, një libër me titull “Triumfi i Kombit” me autor të njërit prej vëllezërve Kapiti, të Skënder Kapitit, libër të cilin është mirë ta ketë çdo familje shqiptare pasi shërben si një plan perspspektivë e si vizion i bërjes dhe i prosperiritetit dhe si projekt për Bashkimin Kombëtar. Është pak, shumë pak ky shkrim i imi për familjen Kapiti po unë kam konstatuar se kjo familje është parë si më herët ashtu edhe vazhdon të shikohet edhe tani nga politika e çdo partiedhe e pushtetit në Shqipëri, shikohet prej tyre me syrin e njerkës për faktin e trashëgimisë dhe të genit të nacionalizmit, të ndershmërisë dhe përkushtimit të kësaj familje në interes të të mirës kombëtare; është parë po me syrin e njerkës për faktin edhe të origjinës së tyre si një familje patriotike nga Kosova; pasi politika shqiptare në Shqipëri gjithnjë Kosovën e ka trajtuar thjesht si çështje kombëtare sipërfaqësore dhe pothuajse tërësisht vetëm për përfitim politik, ideologjik e për përfitim për interesa personale dhe të pushtetit, pasi edhe vetë Shqipërinë e kanë trajtuar kështu. Ndërsa komunizmi në Shqipëri me reformat radikale bëri ateizmin dhe depatriotizimin e shoqërisë, paskomunizmi në Shqipëri në emër të demokracisë bëri hatanë me paligjshmërinë dhe me korrupsionin, që në të dy rastet rezultati është në drejtim të prishjes e të keqfunksionimit të shoqërisë e të shtetit e ku qytetarët shqiptare vetëm shpresojnë të largohen nga vëndi i tyre drejt perëndimit si nga Shqipëria po dhe nga Kosova e Maqedonia.
Duke mos u larguar nga ideja e këtij shkrimi them se po vjen koha që historia do e paraqesë të vërtetën e familjes Kapiti do t’i jipet asaj vendi i merituar, pasi nuk mund të fshihet dhe as të harrohet kontributi i saj.
Dhe falenderoj për këtë shkrimtarin Bedri Tahiri, i cili tashmë e ka përjetësuar në veprën e tij këtë fakt, ashtu siç dhe ka shkruar dhe shumë libra të tjerë kushtuar luftëtarëve, dëshmorëve dhe figurave historike me peshë të madhe kombëtare, të të gjitha kohërave e që gjenden në të gjitha libraritë në Shqipëri.
_______________
SHPENDI TOPOLLAJ: Bedri Tahiri, shkrimtari që mban ndezur zjarrin e lirisë
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8559

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura