Durrës, 8 dhjetor 2019: Politika shqiptare e tranzicionit: armike e vlerave njerzore, armike e shtetit dhe e drejtësisë, armike e natyrës, armike e intelektualizmit dhe patriotizmit, egoiste dhe shpirtligë, zullumqare dhe rrënimtare, e kriminalizuar dhe e korruptuar, e pabesë dhe e paturp.
Tërmeti në Shqipëri i 26 Nëntorit 2019 zbuloi dhe nxori në dritë apokalipsin e politikës shqiptare të tranzicionit,që është: krimi urbanistik, mjedisor, ai i lejeve të ndërtimit dhe i betonit, ashtu sikurse edhe më parë me apokalipsin e përmbytjeve ujore të përvitshme, rrëshqitjet e tokës dhe të barbarive me pyjet dhe me shtretërit e lumenjve.
Pra politika e tranzicionit në Shqipëri është apokalipsi i shkaktuar nga politika shqiptare, e cila është autore e të gjitha krimeve, rrënimeve dhe traumave që u janë shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Politika shqiptare është apokalipsi sepse ajo është autore e batërdive dhe zullumeve natyrore, sociale, të tragjedive dhe të humbjeve të jetëve njerëzore; është autore e varfërisë, e papunësisë , e padrejtësisë dhe të eksodit. Politika e tranzicionit është politika e krimit të territorit, të mjedisit, të lumenjve, të tokës bujqësore, të pyjeve dhe të ndërtimeve kriminale vënd e pa vënd, pa studime teknike e sizmike vetëm e vetëm për fitime dhe për para.
Tërmeti në Shqipëri tregoi se shteti shqiptar , strukturat e tij nuk funksionojnë apo edhe as nuk ekzistojnë fare. Kjo fatkeqësi e madhe shtetin shqiptar e gjeti të falimentuar ekonomikisht, financiarisht, politikisht, shtet i paftë për të menaxhuar gjëndjen dhe pasojat e tërmetit aq sa ekipet e shpetimit nuk ishin as të përgatitura dhe nuk kishin as mjete e deri as lopata. Dhe fajtore për këtë është e gjithë politika e tranzicionit në Shqipëri e cila kurrë nuk ka parë dhe as nuk është interesuar për interesin qytetar, as për atë publik e të përgjithshëm por vetëm për atë momental personal pasuror, korruptiv, hajdut dhe madje edhe kriminal të saj; një politikë antihumane, e padhimbshme dhe e pashpirt.
Tërmeti në Shqipëri i 26 Nëntorit 2019 sidomos në Durrës në fakt nxori në dritë “apokalipsin” e lejeve të ndërtimit, të mafies ndërtimore dhe të asaj të betonit.Ky apokalips ndërtimor nxori në dritë urinë shtazarake për para dhe për fitim të mafisë së pushtetit, korrupsionit dhe të krimit të ndërtimit ku janë të përfshirë kryetarë bashkish dhe administrata vendore rreth tij; mafia e pushtetit qëndror e të gjitha qeveritë mbështetëse të pushtetit vendor; ndërmarrjet dhe bizneset private ndërtimore por kryeisht mafia e betonit. Gjithcka në ndërtimtarinë urbane në Durrës, Tiranë dhe në qytetet të tjera bregdetare ka qenë dhe i ka shërbyer vetem biznesit fitimprurës të parasë pa marrë parasysh as kondicione e as studimet sizmike , as planet urbanistike, as cilësinë e hekurit, as të betonit, as korrektësinë inxhinierike dhe as koeficintët e truallit të ndërtimit.
Pallatet shumëkatëshe janë aq pranë njëri-tjetrit sa po të kishte qenë tërmeti pak më i fuqishëm katastrofa njerëzore do të kishte pasur përmasa apokaliptike, pasi edhe jashtë pallateve e ndërtesava do të kishte qenë shumë herë më e rrezikuar jeta e qytetarëve se sa brënda tyre.
Pra rreziku që vjen nga krimi i mafies së lejeve të ndërtimit do të jetë rrezik pothuajse i përhershëm dhe deri atëhere kur të analizohen dhe të ndërhyhet seriozisht nga organe kompetente profesionistësh për të shëmbur katet e tepërta të ndërtuara mbi ato që mban struktura e pallateve; duhet ndërhyrë e shëmbur shtesat e kateve; të shëmben ndërtesa dhe të lirohen hapësirat e lejuara dhe të ketë hapësirat e duhura ndërmjet pallateve. Pra, u desh tërmeti në Shqipëri për të zbuluar edhe batërdinë dhe krimin e madh dhe të rëndë të shkaktuar nga oligarko-mafia politike e kriminale edhe ne fushen e ndertimit, sdomos kjo në qytetin e Durrësit, ku i gjithë qyteti është betonizuar me pallate, rrugë, trotuare, plazhi , bregdeti e madje edhe deti.
Durrësi si pasojë e egërsisë antinatyrore të lejeve të ndërtimit e të betonizimit u shndërrua në një qytet fantazmë, paniku dhe frike e që pasojat e rënda shkatërrimtare, psikologjjike e traumatike tashmë do të mbeten në kujtesën e brezave dhe do të shënohen edhe në histori si apokalipsi i betonit dhe i lejeve kriminale e abuzive me lejet ndërtimore, do të shënohet si “fenomeni” Dako , i kryebashkiakut i cili ka punuar dhe ka qenë i interesuar vetëm për shitjen e betonit pa marrë parasysh se ku dhe si ndërtohet; me leje apo pa leje ndërtimi. Por si fenomeni Dako në Durrës me betonin dhe me lejet e ndërtimit më duket se është edhe “fenomeni” Sh. Ahmeti në Prishtinë.
Paraja e piset dhe mafia e ndërtimit gjatë këtyre viteve të tranzicionit, dhe sidomos pas viteve 1997, ato blinin dhe sponsorizonin mafien politike dhe atë të pushtetit vendor, dhe në këmbim të këtij shërbimi mafia e pastrimit te parave dhe ajo e ndërtimit shpërblehej me leje ndërtimi abuzive dhe në kundërshtim me ligjet urbanistike, mjedisore, teknike dhe ato sizmike. Shëmbulli më i keq për këtë është Durrësi, qyteti i betonit dhe i mafies së pushtetit dhe të ndërtimit me në krye kryebashkiakun Vangjush Dako me mafien e pushtetit qëndror në Tiranë. Dhe si rezultat, ja dhe pasojat e kësaj batërdie korruptive urbane dhe fatkeqësie njerëzore të tëmetit të 26 Nëntorit 2019.
Është koha për të nxjerrë mësime edhe Kosova, që nga pësimi në Shqipëri, Kosova duhet të nxjerrë mësim; pasi edhe atje unë kam vërejtur që edhe Prishtina e Prizreni si kudo në Kosovë ndërtimet janë dhe mbijnë edhe sot si këpurdha pas shiut; ndërtime kuturu pa kontroll, pa leje dhe pa studim tekniko-sizmik. Edhe në Kosovë është abuzuar edhe atje nga korrupsioni i mafisë politike e të pushtetit me betonin dhe me lejet e ndërtimit, edhe atje ndërtimet janë si një minë me sahat që ndoshta një ditë edhe mund të shpërthejë me pasoja si ky i tërmetit në Shqipëri.
Postime të Lidhura
DR.ABDULLA MEHMETI: POLITIKA DHE MORALI
Tetovë, 11 korrik 2017: Mungesa e guximit për t’i kërkuar falje publike palës së dëmtuar është ofendim dhe…
PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: ORGANIZATAT TERRORISTE NUK MUND TË KONSIDEROHEN ALEATË STRATEGJIKË!
Tetovë, 2 mars 2017: Njëra nga partitë më të mëdha politike të Maqedonisë, VMRO-DPMNE, u formuar në vitin…
SHEFQET DIBRANI: FALSIFIKIMI I FOTOGRAFIVE NUK DUHET TË JETË FRYMËZIM PËR UDHËHEQJE EFEKTIVE
St.Gallen, 6 Korrik 2019: Duke kërkuar shënime për “udhëheqje efektive”, interneti më dërgoi te Blogu “Fondacionit Clinton”, mu…
PROF.ASOC.DR.VANGJEL KICI: AGROTURIZMI NË SHQIPËRI – MASHTRIM I MADH!
Toronto (Kanada), 22 prill 2019: Vetëm zhvillimi i turizmit nuk mund ta zhvillojë ekonominë dhe ta zhduk papunësinë…