SOKOL BYLYKBASHI: TJETËRSIMI I PUBLIKES

(Prishtinë, 17. 09. 2012) – Publikja në vendin tonë është tjetërsuar pothuajse tërësisht nga pushtetarët. Me uzurpimin e institucioneve publike dhe me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, shteti jonë po mbetet pa demokraci dhe pa pasuri. Mungesa e publikes i ka përjashtuar qytetarët nga diskutimi, vendimarrja dhe veprimi. Qytetarët duke qenë të mbyllur vetëm në sferën private janë të papushtetshëm dhe kësisoj nuk mund të ushtrojnë presion ndaj pushtetarëve. Në këto rrethana nuk mund të kemi sistem tjetër qeverisës, përveç oligarkisë politiko – ekonomike.
Institucionet publike janë zhytur në korrupsion dhe aktivitete tjera të jashtëligjshme, pikërisht sepse kontrollohen nga pushtetarët. Shumica e atyre që i udhëheqin këto institucione dhe një pjesë jo e vogël e punëtorëve të tyre janë militantë të partive në pushtet. Këto institucione duke qenë të politizuara po iu shërbejnë në masë të madhe interesave të padrejta dhe të jashtëligjshme të pushtetarëve, e jo nevojave reale të qytetarëve. Të gjitha këto fakte të hidhura kanë bërë që qytetarët të jenë thellësisht të pakënaqur me shërbimet e institucioneve publike.

……………………………………………….

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore është projekti më i dëmshëm i qeverive të pasluftës në fushën ekonomike. Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore ka filluar dhe po vazhdon pa ndonjë debat gjithëpërfshirës dhe pa koncenzus të gjerë të strukturave shoqërore. Është absurd që për çështje kruciale publike nuk pyetet dhe nuk dëgjohet publiku. Pushtetarët e filluan këtë proces duke thënë se do të ndikojë pozitivisht në zbutjen e papunësisë dhe në rritjen e mirëqenies sociale. Mirëpo, ajo që ka ngjarë në të vërtetë është saktësisht e kundërta. Ndërmarrjet e privatizuar kanë reduktuar ndjëshëm numrin e vendeve të punës dhe si pasojë kanë mbetur shumë punëtorë në rrugë. Për më tepër, një pjesë e këtyre ndërmarrje e kanë ndërruar destinimin duke u shndërruar biznese tregtare dhe jo prodhuese siç ishin para privatizimit. Si rrjedhojë e këtij transformimi kemi edhe rritjen e deficitit tregtar. Përfitues të vetëm nga privatizimi janë pushtetarët. Pasuria e tyre është shumëfishuar si rezultatat i keqpërdorimeve dhe parrëgullsive të shumta.
Paralajmërimi i Qeverisë sonë se në të ardhmen e afërt do të bëj privatizimin e PTK-së, Distribucionit të KEK-ut, si dhe likuidimin e Trepçës, ka bashkuar shumë struktura shoqërore kundër këtyre planeve. Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës me përkrahjen e shumë organizatave ka filluar një peticion kundër privatizimit të këtyre ndërmarrjeve të rëndësishme. Ky peticion që është nënshkruhar nga dhjetëra mijëra qytetarë për një periudhë të shkurtër kohore, tregon më së miri se pushtetarët nuk kanë fare legjitimitet për shpronësimin e shtetit nga pasuritë strategjike kombëtare. Qytetarët janë të bindur që me shitjen e PTK-së, Trepçës dhe KEK-ut do të jemi të paaftë për të dal nga gjendja e vështirë socio – ekonomike. Me privatizimin e këtyre ndërmarrjeve do të krijohej monopol absolut. Dihet që suksesi thelbësor i një shteti që mbështetet në sektorin privat është konkurrenca.

……………………………………………

Prishtinjë, 16. 09. 2012: Mbi 63 mijë nënshkrime kundër privatizimit të PTK-së&KEK-ut…

……………………………………………

Shumë shtete që janë anëtare të BE-së kanë ndërmarrje të paprivatizuar. Ndërmarrjet publike nuk e dëmtojnë as demokracinë dhe as rrugën e integrimeve evropiane, ashtu siç thuhet nga pushtetarët. Ajo që duhet të bëjmë ne është rivitalizimi i Trepçës dhe marrja e masave të nevojshme për një menaxhim më të mirë në PTK dhe KEK. Ky veprim pashmangshëm do të sillte prosperitet ekonomik. Gjiganti metalurgjik ‘Trepça” përmban shumë resurse të çmuara minerale. Pasuria e saj vlerësohet të jetë afro dhjetë miliardë euro. Trepça ka qenë një ndër dhjetë kompanitë më të suksesshme në ish-Jugosllavi. Numri i punëtorëve në pikun e prodhimit ishte më i madhë se njëzetmijë. Ndërsa sot Trepça ka të punësuar më pak se dy mijë punëtorë. Mungesa e vullnetit dhe e vizionit të qeverive të pasluftës për të zgjidhur problemet e shumta që e kanë mbërthyer Trepçën, ka bërë që produktet e kësaj kompanie sot të shitën vetëm si mbëturina.
Pushtetarët me vullnet nuk do të heqin dorë kurrë nga uzurpimi dhe privatizimi i publikes. Qytetarët për t’u bërë pjësë e publikes duhet që t’i përdorin të gjitha format e qytetarisë aktive. Peticionet, grevat, aksionet simbolike, protestat dhe demonstratat të bëhen subjekt politik. Politika është tepër e rëndësishme që t’i lihet vetëm pushtetarëve të bëjnë çfarë të duan me të. Politika na përcakton mënyrën e jetesës dhe cilësin e saj, prandaj duhet të jemi sa më të politizuar. Kjo është rruga e vetme për të zëvendësuar oligarkinë me demokracinë përfaqësuese, pjesëmarrëse dhe direkte.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura