STROBE TALBOTT: PASARDHËSIT E SERBËVE MYSLIMANË, QË FLASIN SHQIP, PËRBËJNË SHUMICËN NË KOSOVËN MODERNE (!!!)

Prishtinë, 26. 03. 2014 – Skandaloze: Si po interpretohet dhe po censurohet nga disa medie në gjuhën shqipe komenti i ish-zëvendës sekretarit amerikan të shtetit, Strobe Talbott, lidhur me Kosovën dhe Krimenë. Në një artikull të botuar në të përditshmen “Washington Post”, Strobe Talbott, ish-zëvendës amerikan i shtetit, ka komentuar analogjinë e Putinit mes Krimesë dhe Kosovës. Ai ka shkruar se fiksimi i Putinit në Kosovë është për shkak se ndarja e saj nga Serbia nxitë fobi ruse të fshehur thellë dhe ndjenjën e poshtërimit nga ana e Perëndimit, në vitet e 1990-ta. Përkundër përfundimit të Luftës së Ftohtë, Putini dhe shumë bashkatdhetarë të tij i qëndrojnë besnikë pikëpamjes se NATO-ja mbetet fundamentalisht kërcënim për Rusinë.
Për shumë rusë ishte me rëndësi që, serbët, po ashtu, sllavë ortodoksë, të mos shiheshin si kryerësit e aktit të parë të gjenocidit në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, por si të afërm fetarë dhe gjuhësorë, që e mbrojnë komunitetin e tyre, dhe si viktimë e NATO-s.
Në vitin 1999, diktatori serb, Sllobodan Millosheviq, i frustruar nga paaftësia e tij për ta zgjeruar vendin e tij në hapësirat e banuara serbe të Bosnjës, e ktheu tërbimin e tij në provincën jugore të Serbisë, në Kosovë, shkruan Talbott në Washington Post.
Aq sa rusët e shikojnë Ukrainën se djep të civilizimit të tyre, serbët e shohin Kosovën si tokë të shenjtë, e krijuar nga gjaku i paraardhësve të tyre, që kishin pësuar disfatë nga invaduesit otomanë, derisa pasardhësit e tyre myslimanë, që flasin shqip, e përbëjnë shumicën në Kosovën moderne. ( Radio-Evropa e Lirë)

Ish-zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Strobe Talbott.

 Ky atrikull i botuar shqip nga Radio-Evropa e Lirë, u censurua nga disa medie shqiptare, si edhe nga gazeta “Shekulli”, e cila në publikimin e saj më 25.03.2014 | 21:18) shkruan: Aq sa rusët e shikojnë Ukrainën si djep të civilizimit të tyre, aq edhe serbët e shohin Kosovën si tokë të shenjtë, të krijuar nga gjaku i paraardhësve të tyre….. Tani Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj, por ajo nuk është aneksuar nga Shqipëria. “Shekulli” ka hequr fjalitë në vazhdim…. që kishin pësuar disfatë nga invaduesit otomanë, derisa pasardhësit e tyre myslimanë, që flasin shqip, e përbëjnë shumicën në Kosovën moderne. (Shekulli). Koha net e ka hequr fare këtë konstatim… Kështu ka ndodhur në shumicën e gazetave dhe portaleve në gjuhën shqipe, të cilat pretendojnë t’ia ruajnë fytyrën Talbottit, vetëm sepse është zyrtar amerikan, pavarësisht se ai edhe tani i referohet Kosovës si Provincë jugore e Serbisë. Këta redaktorë këtë deformim të informatës e bëjnë mbase edhe sepse nuk i disponojnë njohuritë elementare nga Historia e Popullit shqiptar.
Duket se Talbott ka ngatërruar tezat, ose ka folur duke u mbështetur krejtësisht në historiografinë serbe, e cila shqiptarët e Kosovës në përgjithësi i trajton me origjinë serbe e sllave, por që me pranimin e islamit ata qenkan shqiptarizuar. Këtë pretendim të pseudoshkencës serbe e kanë rrëzuar qysh moti studiuesit shqiptarë të mesjetës: dr. Muhamet Tërnava, dr. Jahja Drançolli, dr. Selami Pulaha e shumë të tjerë duke u mbështetur në regjistrimet turke të popullatës së Kosovës e të trevave të tjera shqiptare të kohës, por si duket diplomati amerikan nuk ka fare njohuri për to dhe shumë lehtë e pranon konstatimin e historiografisë serbe se shqiptarët e Kosovës qenkan pasardhësit e serbëve myslimanë, që flasin shqip, dhe të cilët e përbëjnë shumicën në Kosovën moderne. Kjo tezë e pseudoshkencës serbe rrënohet me faktin se historianët serbë nuk heqin dorë nga konstatimi se shumica e popullatës në Mesjetë ka qenë serbe, madje e arsimuar fetarisht dhe e cila qenka shqiptarizuar nga ardhja e “barinjve shqiptarë” nga Shqipëria, të cilët kishin gjuhën e tyre, por nuk shërbeheshin fare me shkrimin e saj. Sipas kësaj logjike të bastarduar del se pakica shqiptare e paarsimuar paska arritur të asimilojë serbët shumicë dhe të arsimuar fetarisht.
Mbështetja e verbër e diplomatit Talbott në historinë e falsifikuar serbe, jep për të kuptuar se bota në perëndim ende u beson gënjeshtrave dhe miteve serbe. Ajo nuk ka pasqyrë të plotë lidhur me autoktoninë historike të shqiptarëve në Ballkan, ose e injoron atë. Vetë sajuesi i kësaj teze, Jovan Haxhivasileviq, në fund të librit të tij lidhur me “asimilimin e serbëve” shpreh dyshimin e thellë duke konstatuar se “nuk ka as edhe një të dhënë të vetme relevante historike që flet qartë lidhur me procesin e muslimanizimit apo “aranutizimit” të serbëve”.
Kjo tezë me përmbajtje mitologjike, e afishuar sidomos nga trabantët e shkollës serbe të shekujve të kaluar si: Tomiq, Miloviq, Uroseviq, Haxhivasileviq e të tjerë ka ndikuar në deformimin e historisë, që çoi deri te thellimi i urrejtjes dhe hakmarrjes kundër shqiptarëve, për shkak se ata kishin ndërruar jo vetëm fenë por edhe përkatësinë e dikurshme sllave. Mbi këto teza ishin mbështetur të gjithë sunduesit serbë pa asnjë dallim, dhe duke u bazuar po mbi këto teza të Kishës Satanike Serbe, Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.
Interpretimi i tillë i historisë së deformuar nga një diplomat amerikan, bëhet për qëllime politike, me qëllim për ta kundërshtuar deklaratën e Putinit se ruset e Krimesë kanë po aq të drejtë të bashkohen me Rusinë, ashtu sikur edhe shqiptarët e Kosovës, të cilëve Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ua njohu pavarësinë.
Nuk është e thënë që çdo diplomat i huaj të jetë njohës i mirë i historisë së shqiptarëve dhe serbëve, por është për t’ u habitur me servilizmin e lindur të disa gazetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët kur janë në pyetje diplomatët amerikanë, që të gjithë pa dallim, vlerësohen si superiorë, pa të meta, si miq të shqiptarëve edhe atëherë kur nuk janë të tillë. Përse i mohohet opinionit shqiptar e vërteta e plotë të cilën e ka shkruar me dorë të vetë, diplomati Talbot në “Uashington Post”, përkthyer dhe botuar edhe shqip në Radio-Evropa e Lirë?
Censurimi “diplomatik” i konstatimeve të z Talbot, para së gjithash është deformim i shkrimit të tij dhe pretendim për ta heshtur “të vërtetën” e thënë nga vetë ai.
Deri kur me këtë servilizëm të shqiptarit lindor?
(Ahmet Qeriqi)

***
Evropa e Lire, 24. 3. 2014
Në fjalimin e tij të së martës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjashtë herë iu referua Kosovës, dhe në mënyrë bizare e quajti pavarësinë e saj si precedent për aneksimin rus të Krimesë, shkruan në fillim të artikullit të tij, Strobe Talbott, ish-zëvendës sekretar i shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe konstaton se në fakt, këto dy episode mund të jenë shumë më dalluese.
Nuk ka dyshim se fiksimi i Putinit në Kosovë është për shkak se ndarja e saj nga Serbia nxitë fobi ruse të fshehur thellë dhe ndjenjën e poshtërimit nga ana e Perëndimit, në vitet e 1990-ta.
Përkundër përfundimit të Luftës së Ftohtë, Putini dhe shumë bashkatdhetarë të tij i qëndrojnë besnik pikëpamjes se NATO-ja mbetet fundamentalisht kërcënim për Rusinë.
Intervenimi i aleancës në Luftën Civile në Bosnjë e konfirmoi këtë frikësim, pasi caqe kryesore ishin serbët e Bosnjës, të cilët po i “pastronin etnikisht” dhe masakronin Myslimanët e Bosnjës, shkruan Strobe Talbott në të përditshmen Washington Post.
Për shumë rusë ishte me rëndësi që, serbët, po ashtu, Sllavë Ortodoksë, të mos shiheshin si kryerësit e aktit të parë të gjenocidit në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, por si të afërm fetarë dhe gjuhësor, që e mbrojnë komunitetin e tyre, dhe si viktimë e NATO-s.
Në vitin 1999, presidenti diktatorial serb, Sllobodan Millosheviq, i frustruar nga paaftësia e tij për ta zgjeruar vendin e tij në hapësirat e banuara serbe të Bosnjës, e ktheu tërbimin e tij në provincën jugore të Serbisë, në Kosovë, shkruan Talbott në Washington Post.
Aq sa rusët e shikojnë Ukrainën se djep të civilizimit të tyre, serbët e shohin Kosovën si tokë të shenjtë, e krijuar nga gjaku i paraardhësve të tyre, që kishin pësuar disfatë nga invaduesit otomanë, derisa pasardhësit e tyre myslimanë, që flasin shqip, e përbëjnë shumicën në Kosovën moderne.
Pasi diplomacia dështoi që ta ndalë fushatën e Millosheviqit për zhvendosjen e kosovarëve jashtë fshatrave të tyre dhe duke i vrarë mijëra prej tyre gjatë procesit, NATO-ja e bombardoi Serbinë për 78 ditë. Deri këtë javë, kjo, në masë të madhe, ishte periudha më e tensionuar në raportet Lindje – Perëndim, prej Luftës së Ftohtë.
Më tutje, Strob Talbott shkruan se gjatë udhëtimeve të tij të shpeshta në atë kohë në Moskë, i ka dëgjuar një mori të rusëve, përfshirë edhe reformues pro-perëndimor, duke vajtuar se fryma e pas Luftës së Ftohtë, nuk do të mbijetonte goditjen e Beogradit nga ana e NATO-s. Disa zyrtarë të nivelit të lartë e akuzuan NATO-n për stërvitje për bombardimin e ardhshëm të Moskës, në mbështetje të secesionistëve në rajonin e trazuar në Çeçeni, të dominuar nga myslimanët. Ky do të ishte, sipas imagjinimit të tyre, precedenti i Kosovës.
Për ta përfunduar krizën, presidenti i Rusisë, Boris Yeltsin, e dërgoi përfaqësuesin e tij, Viktor Chernomirdin, në Beograd, për t’i bërë presion Millosheviqit, për t’i tërhequr trupat e tij nga Kosova dhe për ta pranuar një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare, që do të përfshinte edhe njësitë ruse nën komandën e Shteteve të Bashkuara, kështu që formalisht nuk do të ishte pjesë e NATO-s.
Në qershor të vitit 1999, shkruan mëtutje Talbott, e kishte kryesuar një ekip të Departamentit të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, për t’i koordinuar planet finale për operacion. Pak pas aterimit, ne ndjemë probleme, shkruan Talbott, për shkak se Chernomirdin ishte politikisht i izoluar. Shoqëruesi i tij ushtarak, gjenerali Leonid Ivashov, ishte praktikisht kundër marrëveshjes për vendosjen e përbashkët Rusi-NATO.
Na ishte thënë se Yeltsin ishte “pa qejf”, fjalë që shoqërohej me pamjen e njohur që përkthehej: i dehur. Zyrtarët civilë, me të cilët u takuam, ishin dukshëm nervozë për mundësinë e grushtshtetit ushtarak.
Një përjashtim ishte Putini, të cilin Talbott e kishte takuar për të parën herë. Si shef i një këshilli të Kremlinit për siguri, ai ishte në shkallën e njerëzve që do të ngjitet shpejtë në presidencë.
Në takimin tonë, ai ia doli që të duket i relaksuar dhe i kujdesshëm. Ai në mënyrë të mprehtë, por të pagabueshme, e distancoi vetveten nga Chernomirdini.
Ishin theksuar emocionet e tij. Për asnjë arsye tjetër, por vetëm për të më treguar se ai e kishte lexuar dosjen time të KGB-së, ai i përmendi emrat e dy poetëve rusë, që i kisha studiuar në kolegj, e përshkruan Strobe Talbott, takimin e tij të parë me Putinin.
Por, ngjarjet u zhvilluan ashtu që gjenerali Ivashov kishte publikuar kërcënim për Pentagoinin, duke thënë se ushtria e Rusisë mund të shkëputet prej NATO-s dhe të vendoset në Kosovë sipas mënyrës së saj.
Brenda disa orëve, disa njësi të vogla ruse, që e monitoronin armëpushimin në Bosnjë, kaluan nëpër Serbinë Jugore në Kosovë, të përshëndetur si shpëtimtarë nga serbët gjatë rrugës së tyre.
Ministria e jashtme e Rusisë e publikoi një mohim e pastaj një deklaratë të dobët, se si operacioni i jopërgjegjës ishte një aksident.
Kontingjenti rus u vendos në një aeroport afër kryeqytetit të Kosovës, derisa forca shumëkombëshe e NATO-s depërtonte nga Maqedonia. Ajo që së pari dukej se ishte ulurimë farsë e miut, u shndërrua në situatë të rrezikshme, ku dukej se ushtria ruse mund të dërgoj nëpërmjet ajrit përforcime dhe të shkaktoj luftë, shkruan Talbott në Washington Post.
Por, përsëri në skenë me kohë doli Yeltsini për ta ulur krizën dhe e ktheu marrëveshjen fillestare.
Jo më herët se pas nëntë viteve Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Kuptohet, ajo nuk është aneksuar nga Shqipëria.
Roli i Putinit në evitimin e momentit të fundit të ndeshjes ushtarake, para 15 vitesh, mbetet mister, por qëndrimi i tij ishte i qartë atëherë dhe është i rëndësishëm sot. Gjatë vakuumit të rrezikshëm të autoritetit në Moskë – kur partneriteti ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit ishte në pikën kritike; kur forcat e armatosura ruse ishin të ushqyera se duhet të bëjnë mirë me NATO-n, i morën çështjet në duart e veta dhe u përpoqën të vrapojnë për t’i ndihmuar partnerët sllavë – pasardhësi i caktuar i Yeltsinit dukej se i gëzohej këtij momenti, shkruan në fund të artikullit të tij në Washington Post, ish-zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Strobe Talbott.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura