SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN ILMI RAMADANI

Gjilan, 08. 09. 2013 – (Kujtime nga fëmijëria ime e hershme) – Shtëpia ku kam lindur në Zarbincë, ka vite që nuk është më. Me siguri rrënojat janë ende. Aty ku ka qenë streha do të gjindet ndonjë pjesë plugu, si dëshmi që aty ka pasur jetë. Kjo shtëpi e ndërtuar pas LDB-ës prej axhës Ramiz, ka qenë e ndërtuar me qerpiq dhe ka pasur tri dhoma lart, e dy podrume. Kam parë më vonë lloj-lloj shtëpishë të bukura, shtëpi të ndërtuara prej arkitektëve të shquar, por kurrë më nuk kam parë shtëpi më të dashur dhe interesante se shtëpia ime e lindjes në Zarbincë. Pikërisht në një dhomë të kësaj shtëpie, që e përdornim si gjysëm dhomë e gjysëm kuzhinë, po qëndronim me babën Emin, kur papritmas filluan t´i shkonin lotët. Babën nuk e kisha parë kurrë të qante, dhe mu duk shumë tragjike. E kisha parë njëherë kur e pastronte një lloj kamishi të duhanit, që mendohej se ishte i gjyshit tim Sylë Zarbincës, e pastronte dhe shifej se vuante shumë por nuk qante… sot e marr me mend se në shpirtin e tij ndodhte një trazim prej vullkani… Ju afrova dhe me shumë shqetësim e pyeta ,,o babë çka ke që po qanë, çka ka ndodhur?! (Unë nuk dija që kishte ndodhur ndonjë gjë për të qarë!) – ,,Ilmiut me disa shokë ua kanë zënë do dokumenta dhe i kanë burgosur’’ – më tregoj baba. Ilmiu ishte djali i motrës së tij Laliferes, që jetonin në Gjilan. Edhe unë u pikëllova pa masë, sepse për hallën Lalifere dhe familjen e saj kishim një dashuri dhe respekt të jashtëzakonshëm. Edhe sot, shpesh mundohem me gjetë ku buronte tërë ajo dashuri. Për shkak se ishim familje e vogël dhe gjenim mbështetje te halla,për shkak se bijat e martuara larg gjithënjë janë malli i familjes, apo halla Lalifere ishte grua e jashtëzakonëshme dhe me energjinë e saj, na bënte që t’a duanim.Ku e ka pasur burimin tërë ajo dashuri dhe respekt ndaj hallës sonë, edhe pas kaq viteve kur halla dhe burri i saj-axha Selman dergjen nën dhe, më ka mbetur pa përgjigje. Ky pikëllim i babës Emin për Ilmiun, ka qenë në fillim të vitit 1973. Të nesërmen e përcollëm me nënën deri te rruga,dhe shkoj për Gjilan, për t’u njohtuar për së afërmi me ngjarjen. Edhe tash më bëhet se po e shoh kah rruga që çonte në drejtim të Muhovcit, veshur me një lloj mantili e në kokë bereten e zezë. Toka ishte e mbuluar me një borë të imët. Për këtë ngjarje do të rrëfej në vazhdim, ashtu siç ma ka përshkruar vet Ilmiu këto kohët e fundit, por më parë do të rrëfej si e mbaj mend Ilmi Ramadanin në fëmijërinë time!

Ilimi Ramadani dhe Sulejman E. Sulejmani – Sylë Zarbica

* * *
Ilmi Ramadanin e mbaj mend si djal të bukur, dhe gjithnjë të buzëqeshur. Ka pasur një buzëqeshje shumë të dashur dhe menjëherë te bashkëbiseduesi ka krijuar ndjenjë sigurie, respekti dhe adhurimi. Për këtë dhunti të natyrës ka qenë shumë i dashur, jo vetëm në rrethin e gjerë familjar, por në tërë shoqërinë e gjerë. Besoj që këtë rrezatim e ka trashëguar prej nënës Lalifere,e cila e ka pasur të njejten dhunti,që edhe shejtorët do të ua kishin lakmi. Ilmiun e kujtoj gjatë vizitave që bënte te ne, që nuk kanë qenë edhe aq të shpeshta,e kujtoj në bazë të këshillave që na jepte,dhe në bazë të bisedave për kombin dhe atdheun. Ilimu i ka takuar gjeneratave të fund viteve të 60-ta dhe viteve të 70-ta, kur në Kosovë po brumosej një rini e arsimuar, e cila e kishte kuptuar drejt misionin e vet,se këtij populli që ende i kishte plagët e LDB-ës të hapura duhej dalur zot, pa marr parasyeshh çmimin.Kosova i kishte të freskëta plagët, kur forcat jugosllave e dogjën me hekur e zjarr Drenicën, Shalën e Bajgorës, Gjilanin, Ferizajin e shumë e shumë vende të tjera, kur vranë e masakruan gra,fëmijë e pleq pa dallim. E kishte të freskët masakrën e Tivarit ku u vranë në pabesi me mijëra rekrut shqiptarë,por kjo torturë po vazhdonte ende, në mënyra e forma të tjera.Por me Plenumin e Brioneve në vitin 1966 në Kosovë filloj të merrej frymë më lirisht, dhe rinia e mori si detyrë që me çdo kusht t’a ndihmonte popullin dhe Kosovën me aq sa mundej në ato rrethana pak më liberale,por gjithnjë nën thundren jugosllave… Një pjesë e rinisë vendosen që në mënyrë legale të mundohen për të mirën e përgjithshme, dhe nuk mbeten pa rezultate,por një pjesë më e vogël e rinisë u péëcaktue për veprimtari ilegale. Ku në bazë té bisedave,librave nga Tirana,në bazë të shpërndarjes së pamfleteve,gjërat të thuhesh drejt dhe popullit t´i bëhej thirrje për rezistencë, deri në bashkimin e tokave shqiptare.Këtë mision të vështirë, por të lavdishëm Ilmi Ramadani ja përcaktoj vetes,dhe u përcaktue për lëvizjen ilegale, që ishte me plot rreziqe,por që ishte edhe plot nam. Këtë mision ai e kishte marr dhe në çdo vend, në mënyra të ndryshme mundohej t’a sendërtonte dhe t´ju bënte njerëzve me dije, se shqiptarët do të gëzonin lirinë vetëm kur të kishin shtetin e tyre, dhe atëherë gjakohej në bashkimin me Shqipërinë.Dy vjersha që më ka mësuar Ilmiu si fëmijë i vogël, kanë pasur lidhje me çështjen kombëtare. E para ka pasur vargjet e para/: jam i vogël kurgja nuk di // veç dy fjalë për Shqipëri // dhe e dyta ka qenë fragmente prej vjershës së famshme të Mitrush Kutelit: unë jam këtu e do të jem // deri sa mali të bëhet hi,e hiri mal përsëri. Përhapja e vjershës së Mitrush Kutelit, sikur edhe vargjet e Lahutës së malësisë-të Fishtës dhe libra të tjera me përmbajtje kombëtare, né ato vite e kanë mbajtur gjallë shpirtin e popullit dhe dëshiren kurrë të pashuar që Kosova dhe viset të bëhen Shqipëri. Por ata që i përhapnin, për pushtetin ishin halë në sy, ndiqeshin, burgoseshin,torturoheshin, por edhe vriteshin. Ende më kujtohen disa biseda që Ilmiu i zhvillonte në shtëpinë tonë,dhe gjatë kohës sa dëgjoja,më dukej se kaloja ne një botë tjetër, ku çdo gjë ishte e lavdishme dhe me një ngjyrë shumë më të bukur se bota të cilën e jetoja. Si rrëfime që ende më kanë mbetur në kujtesë,është rrëfimi për Azem Bejtën dhe Shote Galicën. Amaneti i Azemit lënë shokëve, që kufomën t’a hudhin në shpellë për mos me e gjetur armiku, dhe besa e shokëve që kurrë mos me e zbuluar vendin,më bënin të më shkonin mornica. Gjatë këtyre bisedave që i bënte Ilmiu, edhe flaka e llampës së vajgurit që jepte një dritë të zbehtë,dukej se dridhej nga këto bëma të zulmëshe të një kohe plotë gjak e sakrficë. Pastaj mbetja e Shotës si Prijëse e Komitëve, më bënte përshtypje dhe mundohesha t’a parafytyroja atë grua trime, veshur me tirqe, në kokë me plis e në krahror gjerdanin me fishek,duke i udhëhequr ata burra të zymt, të edukuar në bazë të kanunit të Lekës.Vija në përfundim se Shota do të ketë qenë diçka në mes Zanës së malit dhe malësores trime,e në shpirtë ndjehesha krenar.Pjesa më rrënqethëse e këti rrëfimi ka qenë kur një mësues i ri e nxiti një bashkëluftëtar të Azem Bejtës që të tregoj se ku janë eshtërat e atij trimi, dhe u zhyt vetë në shpellë dhe i nxorri eshtërat për t´i varrosur në Galicë. Kjo futje e mësuesit në shpellë, ashtu i vetëm,në atë errësirë më bënte të ndjeja trishtim. Bisedë tjetër që më patë bërë përshtypje, ka qenë tregimi që na patë bërë për Riza Cerovën, një kundërshtar të Ahmet Zogollit,i cili ishte një ndër udhëheqësit kryesor në të ashtuquajturen Kryengritja e Fierit (1936) që u zhvillua për rrëzimin e Zogollit.Ku pak para vdekjes i plagosur rëndë i shkroj një letër nënës dhe gruas,me gjakun e tij. Në një rast tjetër na e spjegoj vjershën e Mark Krasniqit: ,,ujku dhe qengji’’ ku vargjet //i dobëti prej të fortit gjithnjë është në rrezik//delja kurrë nuk mundi ujkun me bërë mik//. I spjegonte sikur ne shqiptarët që nuk kemi mund kurrë armikun serbomadh me e bërë mik,dhe shprehte respekt për Mark Krasniqin të cilin e kishte Ligjërues në Fakultetin ekonomik ku ishte student. I kujtova vetëm disa biseda që më kanë përcjellur në vite, duke treguar se Ilmi Ramadani detyrën e tij për ta forcuar idenë kombëtare e kryente në çdo rreth,në çdo kohë,me përkushtim të madh. Vitet e 70-ta janë karakterizuar edhe me një luftë të vështirë nga Intelektualët përparimtar,për shkollimin e vajzave tona.Ka qenë një luftë e pandërprerë dhe shumë e rëndë,gjithnjë me moton e Sami Frashërit ,,se nji popull është i civilizuar aq sa e ka gruan të civilizuar, (thënje jo tekstualisht). Në këtë përpjekje, Ilmiu u patë munduar me e bindur babën tim Eminin që me e dërguar në shkollë motrën time të madhe Nexhmijen.Shtëpia e Ilmiut në sajë të kujdesit të axhës Selman-babës së tij,ka qenë një lloj internati bamirës ku shumë nxënës-familjar të tyre,prej malësisë kanë banuar aty dhe janë shkolluar pa paguar asgjë, edhe pse këta vetë kanë jetuar në kushte të vështira. Baba Emin ka qenë patriot,por nuk mundi me e thye akullin e konservatizmit që e rrethonte,dhe nuk e lejoj motrën të shkollohej, për çka më vonë është penduar shumë,por edhe motra edhe sot e kësaj dite e ka peng,mosshkollimin e saj në ditët e rinisë.Kjo flet se Ilmi Ramadani përveç puës ilegale,edhe arsimimin e popullit dhe edukimin e tij i kishte marrur shumë seriozisht,ashtu siç i kishte vënë vetes detyrë e tërë rinia përparimtare e kohës.
* * *
(Përveç bisedave me karakter kombëtar që zhvillonte Ilmiu në shtëpinë tonë, edhe vetë ardhja e tij në vizitë te ne ishte ngjarje e veçantë për ne. Zakonisht vinte me nënën e tij,me hallën tonë Lalifer, por kishte raste kur vinte edhe vet. Ardhja e tyre sillte një mënyrë tjetër të bisedës,një mënyrë tjetër të sjelljes, një aromë tjetër dhe në përgjithësi ishte një gjë e jashtëzakonëshme për tërë familjen tonë, por në veçanti për mua dhe motrën time Nexhmije. Si vizitë e veçantë që nuk e kam harruar, ka qenë edhe vizita që na patë bërë Ilmiu bashkë me dhëndrrin e tyre – Femiun, burrin e motrës Nazmije, ndërsa Femiu ka qenë vëllai i poetit Rexhep Elmazi. Femiu dhe Rexhepi kanë qenë të denuar bashkë me grupin e Adem Demaqit në vitin 1964.Kjo vizitë më ka lënë përshtypje se për herë të parë në shtëpinë tonë vinte dikush të na vizitonte prej Prishtinës, që për mua ishte një qytet aq i largët, aq i bukur dhe qytet i shumë ëndrrave… Përshtypja kryesore e kësaj vizite ka qenë vajza e hallës Nazmija,të cilén e shihja për herë të parë. Nazmija në krahasim me gratë që isha mësuar t’i shihja në Zarbincë, solli nji shije krejt tjetër, me veshjen e saj elegante, dhe me bukurinë e saj të përsosur. Ato ditë që qëndruan te ne ishte një gëzim i veçantë. Ditën shetisnim të gëzuar aty përreth,ndërsa pas darke nën dritën e zbehtë té llampës së vajgurit ja thonim këngës të gjithë së bashku. Ende më kujtohet kënga e bukur që ja fillonte Femiu dhe pasohej prej të gjithëve ,,Ma mirë në pyll se në qytet’’ Ka edhe raste tjera vizitash që ende i kam në kujtesë…)
* * *
Tash së fundi kur u takova në Gjilan me Ilmiun, përveç disa kujtimeve tjera, më tregoj edhe për burgosjen dhe arratisjen nga zyrat e UDB-ës në Prishtinë, në dimrin e vitit 1973. Por para se me rrëfyer për këtë, do të ndalem pak te fillet e brumosjes së Ilmiut me idetë kombëtare. Ilmi Ramadani pati një fëmijëri të vështirë, pasi babai i tij Selmani ishte i burgosur, dhe tërë hallet e shtëpisë i mbanin mbi supe gjyshja Qamile dhe nëna Lalifere. Disa vite të fëmijërisë i kaloj në Novosellën e epërme ku edhe kishte lindur dhe pas ndërrimit të dy tri vendbanimeve, në fund u vendosën në Gjilan, ku edhe e pritën lirimin nga burgu të kryefamiljarit. Si ide e parë për me qenë kundër shtetit jugosllav – Imliu thotë, në fëmijëri e kam marr nga urrejtja që e kanë vrarë babën e nënës-Sylë Zarbincën, dhe ideja ime ishte që kur të rritem do të hakmerrem. Por edhe bisedat dhe kujtimet që rrëfeheshin në shtëpi për axhën e tij Fazli Ramadanin, i cili kishte qenë një luftëtar i devotshëm për Shqipërinë etnike, dhe për t´i shpëtuar OZN-ës ishte arratisur në Shqipëri, në shpirtin e Ilmiut kishin lën gjurmë.Si kyqje konkrete në lëvizjen kombëtare ilegale, dhe të kuptuarit në mënyrë serioze, kishte qenë viti 1968, kur në shtëpinë e tyre në Gjilan ishte mbajtur një tubim,gjysëm i organizuar e gjysëm sponatan, ku ishte diskutuar për demostratat e vitit 1968 që po përgaditeshin anë e mbanë Kosovës. Në këtë tubim përveç babës së Ilmiut si zot shtëpie kishin marrur pjesë Metush Krasniqi, Sabit Qazimi, Femi Saraqi, Rexhep Elmazi me vëllanë Femiun, edhe ndonjë tjetër. Në këtë tubim ishte biseduar gjerë e gjatë për mënyrën e organizimit të demostratave në Kosovë e veçanërisht në Gjilan. Dikur kah fundi, rrëfente Ilmiu, Metushi me gjysëm tallje ju drejtue babës, Selman çka i bën Ilmiut nëse nuk merr pjesë në demostratë? Baba më shiqoj dhimbshëm dhe me gjysëm zëri ju përgjegj ,,besoj se ky është djali im,, çka nënkuptohej se ky do të bashkohet me demostruesit gjithësesi. Që nga ky tubim Ilmi Ramadani punën e ilegales e kishte marrur seriozisht dhe e kishte kryer me përgjegjësi me gjak e me mund. Ndërsa detyrën e parë për të kryer një aksion e kishte marrur prej Sabit Qazim-Llashicës, i cili i kishte dhënë detyrë me e vendosur flamurin kombëtar në soliterin e qytetit në Gjilan,kur flamuri ende ishte i ndaluar. Aksionin doja t’a kryeja me Kadri Zekën dhe Hydajet Hysenin, por për shkaqe të panjohura Sabiti më urdhëroj që njëherë për njëherë mos t’a vendosim flamurin,dhe kështu ky aksion mbeti pa u realizuar. Si marrje hov dhe vendosmëri për punën kombëtare në ilegalitet ka qenë njohja dhe shoqërimi me Rexhep Malën.Pikërisht edhe arrestimi i parë në vitin 1973, ju bë së bashku me Rexhep Malën. Kemi qenë në konviktin numër 3 në dhomën 247.Atë natë patëm festuar për ditëlindje të shokut tone Isa Kastrati(tash dëshmor) dhe ram me fjetur vonë. Kah ora katër e mëngjesit – vazhdonte rrëfimin Ilmiu ja kanë behur disa Inspektor të UDB-ës e në mesin e tyre ka qenë udbashi nga Ternovci i madh Zija Musliu. Në banesë i kemi pasur tri libra që kanë qenë të ndaluara, për shkak se na i kishin këthyer me vonesë dhe nuk kishim arritur me i dërguuar në bazë. Njërën që ishte me citate të Enver Hoxhës nuk arritën t’a zbulonin për shkak të naivitetit të tyre, ndërsa romanin ,,Tradhëtia,, të K.R.që ishte e ndaluar arrita t’a fsheh aty nën hundët e tyre. Megjithate e zunë veprën e Enver Hoxhës të 16 me radhë nga kompleti i veprave të përgjithshme. Ilmiu thotë se përgjegjësinë për këtë libër e mora unë, dhe ju thash që ma ka dërguar axha prej Shqipërisë. Aty arrestohen Sulejman Sulejmani prej Llashtice, Riza Petrovci, Ilmiu dhe Rexhepi. Këta dy té parët lirohen gjatë ditës,ndérsa Rexhepi dhe Ilmiu mbahen në paraburgim më tutje. Gjatë natës tregonte Ilmiu-kur dilnin Inspektorët prej dhomës sime deri te shkallët për me ra poshtë,fillova t´i numroj hapat dhe tash e dija sakt kur arrinin te shkallët.Inspektori Asllan Sllamniku doli dhe ja numërova hapat, e vrejta që iku poshtë shkallëve dhe vendosa të arratisem. Kërceva nga dritarja dhe përkundër një prerje dore,dhe një dridhëje në tërë organizimin nuk pësova lëndime. Me disa peripeci jo edhe të lehta, arrita me dalur prej oborrit të burgut, te shtëpia e zjarrëfikësve dhe në rrugën kryesore. (Vlen të theksohet se kur më arrestuan për së dyti në vitin 1974 dhe kur më denuan me grupin e Adem Demaqit, ky Asllan Sllamniku mu hakmorr keq. Si sadist që ishte për dy jave me radhë sa herë vinte në mëngjes, më mëshonte me dy duart në dy veshët me qëllim që të ma prishte timpanin e veshit, por nuk ja doli) Kur kam dal në rrugën kryesore, jam nisur për në banesën e Nazmijes, motrës sime,ku banonin afër zyrave të Kombinatit të Ramiz Sadikut, ku atë botë Femiu punonte. Kam hyrë brenda dhe i kam treguar Nazës, se jam arratisur prej zyrave të UDB-ës,dhe kam kërkuar të më dërgoj te shtëpia e Hyrije Hanës. Më vonë kam shkuar te Sadri Sherifi dhe prej aty në Shurdhan te Fazli Avdullahu, ku kemi qëndruar disa ditë. Pasatj kemi kaluar në Preshevë te motra e Fazliut, edhe aty kemi qëndruar disa ditë dhe jam këthyer te Haqif Dajkovci në Gjilan, dhe prej aty kam marrur lidhje me babën Selman. Më kanë treguar për denimin e Rexhepit me një muaj burg për kundërvajtje, për udhëtim në Zvicër me një pasaportë falso. Këtu kam marrur vendimin me u paraqitur në Organet e Sigurimit dhe pikërisht te Sekretari Krahinor-Mehmet Shoshi. Kështu përafërsisht ishte rrëfimi i Ilmiut për arrestimin e parë në Prishtinë dhe në ndërkohë edhe për arratisjen. Ky arrestim ishte kur baba papritmas filloj me qarë, në dhomën tonë në Zarbincë që e ceka në fillim… Ilmi Ramadani kësaj radhe u lirua nga burgu,dhe pa hamendje e vazhdoj punën e tij revolucionare, në përhapjen e organizimit anë e mbanë Kosovës, në përhapjen e pamfleteve, librave e bisedave për hallet e Vatanit… Por edhe UDB-a nuk flente, kështu që në vitin 1974 prapë u arrestua me shumë shokë në mesin e tyre Adem Demaqi, Rexhep Mala, Skënder Kastrati etj. Gjatë hetimeve shumë të gjata u përdorën ndaj tyre tortura të mëdha por nuk mundën me i thyer. Dënimin më të gjaté Ilmi Ramadani e mori në vitin 1981 në kuadër të Organizatës së atëherëshme Marksiste – Leniniste, ku u dënua me 9 vjet burg për ta vuajtur denimin deri ditën e fundit, në dhjetor të vitit 1990. Ilmi Ramadani tash është diku reth moshës 60 vjeçare dhe jeton në Prishtinë, ende ka buzëqeshje shkëlqimtare, veç çka ndodh në shpirtin e tij pas tërë këtyre përjetimeve, kjo mbetet enigmë …!

(Bashkëbisedoj: Sulejman E. Sulejmani – Sylë Zarbica)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura