SYLEJMAN E.SYLEJMANI: NAZMIJE RAMADANI – BAJRAMI, NJË GRUA QË KA PREKUR HISTORINË!

Mosbach, 22. 04. 2015 – Gjatë qëndrimit tim në Kosovë më vizitoj Nazmija. Naza është vajza e hallës sime Lalifere. Nazmija është një grua e cila edhe pse nuk ka qenë vetë protagoniste direkte e të gjitha ngjarjeve të mëdha, prej viti 1968 e deri në luftën e fundit, megjithatë ajo gjithmonë ka qenë afër njerëzve që ju kanë prirë atyre ngjarjeve dhe e kanë bërë historinë. Të qenit vajzë e Selman Ramadanit dhe mbesë e Fazli Ramadanit, ishte një hyrje për të qenë aty ku bëhej historia. Sidomos të qenit grua e Fehmi Bajramit dhe motër e Ilmi Ramadanit, Nazmijen e bënë grua që gjithënjë ishte në mesin e grave dhe burrave që idealet kombëtare i çonin përpara me jetërat e tyre. Nazmijen e mbaj mend që nga pranvera e vitit 1974, kur së bashku me burrin Fehmiun dhe vëllaun e saj, Ilmiun na vizituan në Zarbincë. Para këtij viti vizitat e Nazës te ne, mi ka mbuluar stinët e paluara ashtu padiktueshëm.
***
Vetë ideja që do të kishim mysafir prej Prishtinës, ishte një ndjenjë e veçantë. Kur arritën në oborr u përhap një aromë që ngjante me aromën e dredhëzave. Për herë të parë shihja një grua kaq të bukur, të veshur aq me shije, çka ishte plotësisht e jashtëzakonshme për ato vite te ne në malësi. Nazmija ka pas një bukuri të veçantë që binte në sy dhe ishte e denjë për penda poetësh dhe atele piktorësh. Kur e pata lexuar ‘Ana Kareninën’ gjithënjë më kujtohej Naza e jonë. Bisedat që u zhvilluan pas darke dhe ditëve në vijim sa qëndruan te ne, ishin të një niveli dhe të nji mënyre tjetër, që isha mësuar me i dëgjuar. Edhe këngët që i kënduan pas darke, ishin të panjohura për mua. Për herë të parë këngën ‘Ma mirë në pyll se në qytet’ e kisha dëgjuar të kënduar prej Fehmiut dhe Nazës. Pastaj e takoja Nazën sa herë shkoja te halla në Gjilan, kur ata vinin prej Prishtinës.

Nazmije Ramadani – Bajrami me Sulejman E. Sulejmanin (Sylë Zarbicën)

***
Më ka pas rrëfyer për momentet, kur kunati i saj poeti Rexhep Elmazi dergjej në spitalin e Prishtinës me plumb në kokë. Me një rast Poeti i kish pas thënë “Naza dora ishte e shëmtuar, por plumbi i mirë sepse me sa shihet dua me mbijetue”. Rexhep Elmazi vdiq pak ditë ma vonë, pasi ja larguan plumbin prej kokës. Si miq të familjes dhe duke e ruajt kujtimin e poetit Rexhep Elmazi, në shtëpinë e Nazmijes dhe Fehmiut kan pas hyrë e dalur si Teki Dervishi, Zeqirja Gërvalla, Beqir Musliu etj…
***
Kësaj radhe Nazmija më rrëfej për një dasëm në Gjakovë, e cila u bë e njohur si Dasma e Gjakovës. Në këtë dasëm u martua Hyd Dobruna me motrën e Lije Brahës, morën pjesë gati të gjithë ata që njiheshin si njerëz, që nuk pajtoheshin me robërinë jugosllave, në nivel të Kosovës. Shumë prej tyre ishin njerëz që kishin mbajtur burg për veprimtari politike. Kjo dasëm u bë në vitin 1969 dhe me një farë mënyre ishte një lloj rebelimi ndaj regjimit. Ceremonia e dasmës u mbajt në oborr – më rrëfej Naza, – dhe UDB’a kishte mundësi me i infiltrue spiujt e vetë. Këtu u kënduan këngë patriotike dhe u ngritën dolli për shokët që ishin në burgje. Sabri Novosella kishte kërkuar që të mbahej një minut heshtje për Fazli Grajçevcin dhe Shaban Shalën, veprimtarë të vrarë me torturë në organet e hetuesisë. Nazmija e kujtonte atë dasëm si nuse e re, e cila kishte vetëm një muaj që ishte martuar me Fehmiun. Në këtë dasëm – kujtonte ajo, – disa herë më ftoj me kërcyer valle, Ali Boletini – i cili atë kohe ishte i martuar me Hyrije Hanën. Ali Boletini ka qenë djali i Tafilit të Isa Boletinit. Ma vonë u arratis në Shqipëri dhe krijoi familje të re. Nazmija tregoj se tash viteve të fundit Ali Boletini i kishte vizituar dy tri herë në banesën e tyre në Prishtinë. Si pasojë e atyre këngëve dhe mbajtjes së një minuti heshtje për dy trimat e rënë, pjesëmarrësit e dasmës ishin dënuar për kundërvajtje dhe ndonjëri edhe me burg ma të gjatë. Me nga një muaj burg ishin dënuar edhe Fehmiu me vëllaun e tij poetin Rexhep Elmazi në burgun e Gjilanit.
Për Hyrije Hanën të cilën Nazmija e kishte kontaktuar disa herë dhe në rrethana të ndryshme, ma përshkroj si grua shumë të bukur që vërtetë i kishte hije për aktore, profesion që ajo e kishte ushtruar në rini.
***
Nazmija ma kishte rrëfyer më herët një ndodhi dhe prapë ma përsëriti. Kur filluam punë në mensën e Kombinatit Ramiz Sadikut, ishte aty një burr i moshuar, diku i rrethit të Kamenicës. Pasi kishte kuptuar se është e anës së Bujanovcit, e kishte sodit shumë ditë dhe një ditë e kishte pyet: “mos ke ndonjë lidhje me Sylë Zarbincën?” Pasi i kishte treguar Naza se Syla ka qenë baba i nanës së saj, ai burri i kishte pas thënë se “ka ditë që po të sodis dhe po më përngjan në çehren e tij, por edhe në mënyrën e të ecurit ke diçka nga ai”. Në shtëpinë e Nazmijes dhe të Fehmiut, kanë shkuar veprimtarë të shumtë në nivel të Kosovës, duke e përfshirë edhe Metush Krasniqin, si mik i afërt i shtëpisë, ndërsa Rexhep Mala, Nazën e thërriste “Motër”.
***
Nazmije Ramadani-Bajrami tash i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Më tregoj se kishte hyrë në betejë me smundjen. Kur iku rrugës teposht për të dalë te stacioni, dukej pak ma e vogël se dikur, kur pati hyrë në oborr te ne, në Zarbincë në vitin 1974. Megjithatë ajo aroma e dhimbshme e dredhëzave prap u përhap sokakut… Kur humbi pas kthesës filloj me ra shi, me vete mendova “ja një grua që e ka prekur historinë”…
***
SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN ILMI RAMADANI
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1903
***
SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BISEDË ME RAMIZ SHABAN ZARBINCËN – VËLLAUN E VOGËL TË SYLË ZARBINCËS
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=1926

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura