SYLEJMAN PIREVA: LËVIZJA VETËVENDOSJE! – SINONIM I BASHKIMIT KOMBËTAR

Prishtinë, 30. 08. 2013 – Merreni si të doni, por sot për sot, si askush tjetër, zëri më i fuqishëm për bashkimin kombëtar, që ndryshe mund të përkthehet si bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është zëri i Albin Kurtit, kryetar i Lëvizjes VETËVENDODJE! Kjo as që mund të thuhet për ndonjë politikan tjetër. Madje jo vetëm të Kosovës, por as të Shqipërisë. Nuk ka fjalim që ai mban para qytetarëve dhe të mos e përmend së paku një herë dhe me plot gojën çështjen e këtij bashkimi. Dhe në asnjë rast të vetëm, në asnjë tubim, nuk ka dalë njeri, jo për ta kontestuar dhe kundërshtuar, por as për ta shtruar si dilemë se kjo s’është e drejtë dhe e mundshme. Prandaj kjo tregon më së miri se masat e qytetarëve tanë e dëshirojnë dhe e përkrahin bashkimin kombëtar, që është shtyllë e konceptit dhe vizionit të Lëvizjes VETËVENDODJE!
Ç’është më e çuditshme, këtë jo që nuk e dëgjoni nga politikanë të tjerë të spektrit politik ‘shumë ngjyrësh’, por nuk po i ‘shkon përdore’ as simbolit të rezistencës, z. Adem Demaçi, që dikur është flijuar më së shumti mu për këtë kërkesë të programit të tij dhe në rrethana shumë më të vështira për të vepruar, por që do të mbetet në histori. Ai edhe kur e zë në gojë fjalën bashkim në prezantimet e tij jo aq të pakta, lë përshtypjen sikur këtë e bën më tepër për shkak të shprehisë ose duke dashur që të mos keqkuptohet se është në të njëjtat valë me Lëvizjen VETËVENDODJE!
Dhe ajo që ka shumë rëndësi, kërkesa dhe angazhimi i Lëvizjes VETËVENDODJE! për arritjen e këtij bashkimi, është çështje definitive, e patjetërsueshme dhe e pakalueshme e programit dhe e Alternativës më të re të saj që ka hasur në mirëkuptim dhe përkrahje të plotë nga anëtarësia e saj, e cila vjen duke u rritur për çdo ditë. Jam i sigurt që kur bëhet fjalë për bashkimin kombëtar, janë edhe shumë anëtarë të partive të tjera që pajtohen dhe e përkrahin këtë me gjithë zemër. Fundja legjitimitetin e kësaj të drejte e fuqizon më së miri përmbajtja e luftës së përgjakshme e popullit tonë në krye me UÇK-në. Dhe për të qenë ushtar i saj, as që ke mundur t’ia shkrepësh armikut përballë pa e dhënë betimin solemn, ku fjalia kryesore ka qenë bashkimi kombëtar: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre…”

Duke shpaluar pjesë të kësaj Alternative dhe duke e arsyetuar këtë (që dikush figurativisht e krahasoi me librin e Abetares) në të cilën janë vënë themelet për arritjen e suksesit në shumë drejtime, prandaj edhe kur bëhet fjalë për bashkimin kombëtar, ndër të tjera kryetari i Lëvizjes VETËVENDODJE!, Albin Kurti, theksoi edhe këtë: “Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është për inati të askujt tjetër dhe as kundër dikujt tjetër. As nuk është bashkim kundër serbëve, por është bashkim për hir të vetes tonë. Jemi të bindur që është koha e fundit që shtetit të Kosovës t’i hiqet kufizimi që ia ndalon bashkimin me Shqipërinë…”. Ose në një rast tjetër: “…Republika e re, bashkimi kombëtar, nuk janë kundër pakicave në Kosovë, përfshirë atë serbe, sepse në Alternativën Qeverisëse tonë, ne e themi qartë dhe saktë që mendojmë të kemi një shoqëri të integruar, që vjen sërish nëpërmjet barazisë dhe zhvillimit, nëpërmjet punësimit dhe prodhimit dhe nëpërmjet sundimit të ligjit që bëhet sundim i së drejtës.” Qëmtuesit kujdestarë do të mundohen që kësaj fraze të Kurtit t’i gjejnë ‘qime në ve’, por argumentet janë shumë më kryeneçe dhe në anën e tij.
Përshtatja dhe mospërshtatja
Nuk kemi pse t’i biemë rrotull, por një gjë është e sigurt: politikanët tanë, në pozitë dhe opozitë, ikjen nga tema për bashkimin kombëtar e bëjnë jo aq, që sipas tyre, këtë nuk e pëlqen faktori ndërkombëtar, sa për qëllime karieriste dhe interesave të tyre të ngushta. Dhe vetëm sa nuk e kanë shpallur publikisht dhe zyrtrisht si një temë tabu. Me këtë lë të kuptohet se ata u janë përshtatur dëshirave dhe tekave të faktorit të jashtëm, pavarësisht dëmit që i bëhet kombit tonë. Kjo përshtatje e tyre dhe ulje e kokës para faktorit ndërkombëtar, vjen edhe si pasojë e kusureve të tyre të shumta që janë të detyruar ta mbyllin gojën, se përndryshe e kanë të qartë se çka i pret… Këtë e di më së miri vetë populli ynë që i ka përjetuar dhe po i përjeton me lëkurë. Për këtë sjellje dhe veprim të dëmshëm dhe të palejueshëm, këta politikanë përgjigjen e kanë në buzë:
– nuk po e lejon faktori ndërkombëtar,
– nuk është momenti,
– nuk janë krijuar rrethanat, prandaj duhet pritur për më vonë!
Po nëse ne vetë nuk e ngrisim këtë çështje para faktorit të jashtëm, prej kujt duhet të presim atëherë! Dhe kjo ‘për më vonë’ është aq e papërcaktuar në kohë, sa mund të zgjasë deri në shekullin e ardhshëm. Sa më kujtohet, nuk ka pasur asnjë takim të vetëm, brenda dhe jashtë vendit, kombëtar apo ndërkombëtar, që të jetë diskutuar ndonjë herë çështja e bashkimit kombëtar, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi. Qoftë dhe një fjali e vetme. Dhe kjo ‘për më vonë’ (larg asaj), përputhet me disa ngjarje historike të kombit tonë, kur dihet se disa prej tyre kanë ndodhur në fillim të shekujve. Mbase këta polikanë, këtë koincidencë historike, e kanë të thadruar aq mirë në kokë, sa këtë çështje fundamentale të kombit janë të gatshëm që ta sakrifikojnë dhe prolongojnë njëmend për në shekullin e ardhshëm?! Mase dhe po, ku ta dish! Por vetëm nëse kjo varet prej tyre!
Fatbardhësisht, siç mund të shihet në krye të këtij shkrimi, jo të gjithë subjektet dhe politikanët tanë janë të një mendjeje kur bëhet fjalë për bashkimin kombëtar. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka problem dhe as që mendon për mënyrën e përshtatjes me tekat e faktorit ndërkombëtar. Po, sepse njerëzit brenda saj nuk janë të shantazhuar para këtij faktori për kurrfarë kusuresh, as ndaj popullit të vet dhe as ndaj dikujt tjetër. Prandaj nuk kanë asnjë arsye për ta ulur kokën dhe për të heshtur çështjen e shenjtë të bashkimit kombëtar. Madje jo vetëm për ta përmendur, por për ta shtruar si çështje të domosdoshme dhe krejtësisht të natyrshme që i takon kombit tonë. Me këtë zgjidhje, herët a vonë, do të shihet se kjo e mirë nuk vjen vetëm për shqiptarët, por për të gjithë popujt e Europës. Me këtë zgjidhje vetëm sa do të korrigjohen gabimet historike në dëm të kombit tonë, të cilat i ka paguar shumë shtrenjtë dhe ato vazhdon t’i paguajë në një masë edhe në kohën e tashme. Evropa e sotshme nuk është më ajo e kohës së Komgresit të Berlinit (1878) dhe as ajo e Kongresit të Londrës (1913), prandaj Europa e Re duhet t’i ndreqë gabimet e kohëve të kaluara. Vetëm atëherë do të kishte kuptim ndërtimi i Europës së re, i Bashkimit të Europës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura