BEHXHET SHALA BAJGORA: KURTHET E SERBISË PËR ANALFABETËT E POLITIKËS!

Prishtinë, 3. 9. 2016: Jemi të paparë prandaj jemi aq të ndarë: Protesta e organizuar nga VV e që u proklamua si historike, masive dhe gjithpopullore përfundoi në mënyrë paqësore përkundër paralajmërimeve ogurzeza. Fatmirësisht , përfundoi si paqësore dhe ishte ndër protestat e rralla ku nuk pati ballfaqime të dhunshme midis shqiptarëve përkatësisht midis policisë së Kosovës dhe protestuesve. Dhe kjo është e mira e kësaj proteste . Protesta nuk ishte masive , as gjithpopullore e lëre më historike. Nuk pati as zhvillim historik por lehtë mund të hynte në histori nëse do të hidhej për votim për ratifikim projektligji i demarkacionit të cilin e sabotuan Lista Srbska, partner i koalicionit ! Lista Srbska , me mandatin që e ka për të shantazhuar , kushtëzuar, sabotuar çdo ligj dhe çdo proces që është në dobi të Kosovës dhe që nuk është në interes të Serbisë është shkatërruesi më i mad hi të sotmes së Kosovës ndërkaq për ardhmërinë e saj as që mund të flasim me këtë grupim kriminal politik ! Këtë nuk e përmendi me asgjë deputetja e koalicionit, znj. Gaxherri në ndërkohë që kërkoi që , me një ligj të veçantë VV të shpallet terroriste dhe të shpallet parti ilegale. Ky përdorim i standardeve të dyfishta vetëm sa e dëshmon një inferioritet ndaj Beogradit dhe krijesës së saj parapolitike në Kosovë, Lista Srbska e cila, si mekanizëm shantazhues dhe pengues, me injorancën e politikanëve karrieristë të vendit është shndërruar në kategori që mbrohet me Kushtetutën e Kosovës dhe e cila është mbështetur në një masakrues juridik siç ishte Pakoja e Ahtisarit .

Pakoja e Ahtisarit është alfa dhe omega e çdo të keqeje në Kosovë dhe , deri sa kjo pako nuk do të shndërrohet në një mbeturinë të pareciklueshme , kurrë nuk do ta kemi një Kosovë funksionale ! Me këtë Kushtetutë , ku zemra e saj është njhë krijesë kriminale juridike e quajtur Pakoja e Ahtisarit harroni se Kosova do të bëhet një vend normal e lëre më funksional. Këta injorantët dhe karrieristët e politikës kosovare , Pakon e Ahtisarit e kanë interpretuar vetëm kur u është dashur atyre pa theksuar dëmet e pariparueshme në planin e sigurisë dhe juridik që prodhon kjo fundërrinë juridike ! Nga kjo pako ka dalë edhe një grupim parapolitik shantazhues dhe antenë satelitore e Serbisë në Kosovë siç është Lista Srbska , e cila është bërë e paprekshme sepse përveç Serbisë që është prind i tyre biologjik, edhe ndërkombëtarët dhe politikanët injorantë karrieristë vendorë janë shndërruar në prind të adoptuar kështu që u jetësua premtimi i Millosheviqit se :” niko ne sme da vas bije – askush nuk guxon t’ju rrahë …” me një dallim të avancuar se ju mund të rrihni kend të doni dhe të bëni ç’të doni në Kosovë sepse e keni përkrahjen e të gjithëve ! Ma gjeni një vend në botë që e kishte duruar këtë situatë dhe këtë poshtrim sikur edhe një nënshtrim të vullnetshëm e që përligjet me aktin më të lartë ligjor , me Kushtetutën e Kosovës . Këta “ miqtë “ ndërkombëtarë janë shumë më të mençur se ne prandaj kanë hartuar dokumente me të cilat rregullohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave prandaj , ne është dashur vetëm t’u përmbahemi këtyre dokumenteve , pa pranuar detyrime shtesë që nuk janë pjesë e këtyre dokumenteve prandaj edhe nuk llogariten si detyruese e jo të shpikim apo pranojmë shpikje të trilluara për diskriminim pozitiv . Nuk ka diskriminim pozitiv apo negative sepse vet fjala diskriminim e tregon gjendjen reale. Nëse diktatori dhe krimineli Sllobodan Millosheviq nuk e arriti qëllimin që serbët t’i shpallë si “ nebeski narod – popull hyjnor “ e që nënkupton paprekshmërinë e tyre , “ miqtë “ ndërkombëtarë, me ndihmën e injorantëve dhe karrieristëve vendorë , me Kushtetutën e Kosovës u shndërruan në: “ nebeski narod – popull hyjnor “ prandaj edhe bëjnë ç’të duan në Kosovë , nuk e pranojnë atë, e dëmtojnë me të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme kurse i gëzojnë të gjitha privilegjet e mundshme ! VV i mohon simbolet e shtetit të Kosovës ( ky çfarë është) , kurse është pjesë e të gjitha institucioneve të këtij shteti , në nivelin lokal dhe shtetëror dhe i shfrytëzon të gjitha të mirat e këtij shteti (ky çfarë është) prandaj e vë veten në pozitë kundërthënëse, po e mbroj Republikën por nuk po e pranoj shtetin ! Aspak nuk i pëlqej këto simbolet e imponuara (flamuri , himni , stema etj. ) dhe , për së gjalli, në ceremonitë familjare dhe jozyrtare kurrë nuk do t’i përdor dhe as nuk do t’ua bëjë nderimin. Mirëpo , nëse vendos të bëhem pjesë e institucioneve ku kërkohet respektimi i këtyre simboleve, atëherë do të jem shumë i disiplinuar në respektimin e tyre ! Nëse i dini rregullat e lojës paraprakisht , atëherë nuk mund të kërkoni që në fushën ku luhet futbolli të zbatohen rregullat e basketbollit. Po të mos vepronte VV në këtë mënyrë do të kishte shumë më shumë përkrahje dhe po ta bënte VV një politikë të mirëfilltë sot do të ishte në pushtet. VV e kam përkrahur , në të gjitha format , kur e ka merituar përkrahjen për çka edhe kam shënime të detajuara kurse tash , moti i kam ndarë rrugët me ta por nuk kam bërë asgjë t’i dëmtojë ata. VV e dinë fort mirë për ligjin për përdorimin e gjuhës dhe simboleve shtetërore dhe kombëtare, prandaj , sa të jetë pjesë aktive e politikës në Kosovë , duhet të respektojë këto ligje , të punojë në ndryshimn e këtyre ligjeve e jo të sjellë veten në situatë që një politikane e cila nuk ka dhënë ndonjë kontribut , as për kombin e as për shtetin , t’i shpallë si terroristë dhe të kërkojë përjashtimin e tyre nga skena politike ! Sa ma parë ta kuptojnë këtë , për ta do të jetë më mirë ! Sa më shumë që do të përpiqen që ta mbrojnë Republikën duke i mos respektuar ligjet e saj , vetëm sa do të margjinalizohen dhe do ta humbasin përkrahjen .

Fjalori përjashtues , linçues dhe sjellja prej rrugaçësh të disa individëve të këtij subjekti politik, vetëm sa e kanë dëmtuar VV duke ia mveshur atributin e dhunës. Sa më parë që të lirohen nga ta , më të fortë do të bëhen dhe do të kenë më shumë të drejtë t’i kritikojnë të tjerët ! Tash , shihni sa protestues i janë përgjigjur ftesës për protestë gjithpopullore , shumë më tepër kishte protestues në protestat e organizuar nga Nisma dhe AAK se këto të djeshmet e që askush nuk do të mund ta imagjinonte këtë ! Duhet të bëhen analiza nga vet VV dhe të nxirren përfundime ! Mirëpo , ata që e krahasojnë VV me Lista Srbska , së paku duhet të jenë të çmendur apo edhe më shumë të poshtër ta bëjnë këtë ! Përkundër asaj që thash se i kemi rrugët e ndara , këtë kurrë nuk do ta bëja sepse do të bëhesha shumë i padrejtë ! Ndërkaq, sa i përket kërkesës dhe angazhimit për bashkim me Shqipërinë e konsideroj se është diçka jashtëzakonisht e drejtë , e natyrshme , e ligjshme dhe e realizueshme. Unë , kurrë nuk i largohem këtij qëllimi dhe jam shumë i sigurt se kjo do të realizohet . A do ta presë këtë bashkim , nuk e dip or se do të ndodhë nuk kam asnjë dyshim !
Një ligj për të gjitha partitë
Edhe shtetet me një demokraci shumë më të zhvilluar bëjnë ndarje midis partive të dhunshme dhe atyre që punojnë kundër shtetit duke i sanksionuar me ligj. Kjo mund dhe duhet të bëhet edhe në Kosovë duke mos zbatuar standarde të dyfishta sikur që po bëhet tani kur kërkohet eliminimi i një subjekti politik ndërsa tolerohet dhe mbrohet një subjekt armiqësor që përfaqëson dhe mbron intereset e një shteti ( Serbisë ) i cili mundohet me të gjitha mjetet e mundshme ta shkatërrojë Kosovën! Po të kishte një ligj të tillë , të gjitha subjektet politike do të mendonin mirë e mirë para se të vepronin siç po veprojnë sot . Kështu , këtë situatë që e kemi , individë dhe subjekte të caktuara politike mund ta përdorin dhe po e përdorin për eliminimin e konkurrencës politike me mjete të pandershme dhe klandestime , në mungesë të një rregullatori siç është ligji .
Më mirë do të ishte që të hedhej në votim demarkacioni
Ishte një situatë e jashtëzakonshme para seancës dhe Prishtina ishte në shtetrrethim , plotë policë dhe thuaja të gjithë policët e Kosovës ishin këtu. Ndjenjë shumë e keqe për një vend dhe për një popull që më shumë se 100 vjet ka qenë i dhunuar nga policia e një shteti kriminal ! Në pozitën më të keqe ka qenë pikërisht Policia e Kosovës e cila është dashur të përballet me bashkëkombasit dhe bashkpatriotët dhe ishte fat që nuk pati dhunë , as nga protestuesit kurse policia kishte sjellje shumë profesionale . Policët i detyruan për orë të tëra të qëndrojnë nën temperatura afrikane dhe me një shujtë e cila ka qenë shumë më e varfër se ajo që na ndanin në kampet e refugjatëve kur ikëm në vend se të qëndrojmë dhe ta mbrojmë atdheun e që nuk na pengojë të kthehemi trimfalisht si “ komandantë të Bllacës “ duke i gëzuar të gjitha privilegjet dhe duke fituar statusin e veteranit të UÇK-së . Kam qenë kundër , jam dhe do të jem kundër këtij versioni të demarkacionit . Jo pse jam njohës i shquar psh. si kryeakademiku Islami i kufijve por shkaku se ky proces ka qenë krejtësisht jotransparent , i paqartë dhe i dyshimt ! Jemi bërë pjesë e këtij procesi vetëm pasi u nënshkrua marrëveshja që nuk ndodhë dhe nuk tolerohet në vendet normale ! Kryeministri e tërhoqi këtë projektligj nga votimi (procedura kuvendore I.M.) duke e pranuar se partneri i koalicionit , Lista Srbska nuk ka ardhur në Kuvend sepse ka dalë me disa shantazhe që duhet përmbushur, nëse e duan votën e tyre . Ky ishte arsyetimi zyrtar por as koalicioni , edhe me këtë Listë paramilitare dhe parapolitike të Serbisë , nuk do t’i siguronte votat . Kryeministri , subjektet politike por edhe të gjithë ata që kanë njohuri e kanë të qartë se votimi pa Listën Srbska do të kë kundërshtohej nga “ miqtë” ndërkombëtarë , nuk do të pranohej as nga Washingtoni e as nga Brukseli kurse pensionisti i OKB-së , (sha) Ban ki Muni do ta bënte çështje kryesore të OKB-së. Po të dështonte ky votim ( pa LS ) e do të dështonte patjetër kritikat do t’i godisnin vetëm shqiptarët dhe nuk do të pranohej ky votim . Kështu e ka përcaktuar masakruesi juridik Mati Ahtisari në Kushtetutën personale që e ka quajtur , sigurisht për të mos paguar tatim në pronë , Kushtetuta e Kosovës ! Më bëri përshtypje që ambasadori amerikan , një ditë para votimit të Demarkacionit , angazhohej për votim të saj më tepër se Hashimi , Isa dhe Kadria kurse , pas dështimit , për të mos e lënduar Lista Srbska ishte shumë paqësorë dhe aspak akuzues. I tillë ishte edhe Kristiano Ronaldo i demarkacionit , presidenti Hashim Thaçi i cili u dorëzua pas seancës. Lista Srbska është pjesë e koalicionit qeverisës dhe nuk mori pjesë në votim sepse shantazhin e përdori për arritjen e qëllimeve të Serbisë në Kosovë. Tash , merreni me mend se , nëse do të ndaheshin nga PDK dhe LDK nga 11 deputetë sa ka Lista Srbska dhe ta kushtëzonin votën e tyre me përfitime , cili do të ishte reagimi i ambasadorit amerikan dhe Kristiano Ronaldos së decentralizimit , presidentit Thaçi. Jam i sigurt se do ta përdornin tërë arsenalin akuzues , fajësues, përjashtues , diskreditues , kërcënues dhe sulmues , përjashtuar arsenalin bërthamor ! Kjo është e vërteta , për fat të keq. Përkundër kësaj , mendoj se është dashur të votohej për demarkacion dhe të pranohen rezultatet e këtij votimi. Jam gjithashtu i sigurt se po të merrej vendimi për votim, dikush nga “ miqtë” ndërkombëtar do t’i sugjeronte pakicave joserbe të mos marrin pjesë në votim ! Për t’i dhënë votimit karakter ekskluzivisht etnik ! Pas kësaj shpresoj të rritet numri i deputetëve që nuk do ta votojnë këtë formë të demarkacionit dhe se nuk duhet asesi , pa u sqaruar i tërë procesi dhe pa u arritur një konsensus politik , shtetëror dhe kombëtar të votohet ky variant i demarkacionit. Gjithsesi se duhet të përcaktohet përgjegjësia edhe penale për ata që e kanë dëmtuar Kosovën ( nëse vërtetohet kjo ) ose për ata që e kanë bllokuar Kosovës ( nëse gjithashtu vërtetohet kjo)! Nëse Mali i Zi nuk dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen, e duket se po e kundërshton atëherë do të duhet të dërgohet në arbitrazh . Nëse edhe këtë arbitrazh e refuzon atëherë do ta kemi një konflikt të “ ngrirë “ . Çdo zgjidhje është më e mirë se kjo !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura