SYLEJMAN PIREVA: MOS E SHANI SHTETIN, SHTETI NUK KA FAJ!

 Prishtinë, 26. 09. 2013 – Jo, o njerëz, jo, s’e keni hiç mirë, ndaluni dhe kujtohuni pak… Frustrimi juaj, duke sharë shtetin orë e çast, për të gjitha bëmat e këqija që po u bienë mbi kokë, nuk po ju vinë prej shtetit, por as prej një planeti tjetër, po ju vijnë prej pushtetit të tij. Prej qeverive të tij, qendrore a lokale, se njësoj janë. Me asgjë nuk dallojnë, që të dyja janë për faqe të zezë. Këtu pajtohem me ju, por shtetin mos e shani, shteti nuk ka faj. Shteti është më tepër emër kuptimi, dhe kuptimi, se çfarë shteti kemi, i mirë apo i keq, nuk vjen nga qielli, por nga qeveria në pushtet se si qeveris ajo. Qysh të jetë qeveria, q’ashtu është edhe shteti. E kuptoj dëshpërimin tuaj dhe pezmin e papërmbajtur, por nuk ju kuptoj përse u dashka që ta shani shtetin?! Po na me shekuj mall e kemi pasur, jemi djegë dhe përvëluar që të bëjmë shtet, sepse kurrë nuk kemi pasur as nuk kemi ditur qysh është ai, e tash kaq shpejt u ngopët me të, sa ta shani me soj e sorollop?! Jo, keq e keni, nuk bën ashtu! Mezi të shkretin e bëmë njëherë ‘dubë’ dhe me e pa me sy, kurse ju… përnjëherë … ashtu e kështu…! Bile të ruhemi sado pak prej ndërkombëtarëve se nuk na ka hije dhe nuk bën të na dëgjojnë. As të na dëgjojnë , e lë më të na shohin, sepse ju po harroni që ata i kemi kudo midis nesh. Janë krejt sy e vesh. Sado pak, duhet të na vijë keq prej tyre. Pastaj o njerëz, ju po harroni tjetrën, që po të mos ishin këta ndërkombëtarët, jo që s’do ta kishit parë shtetin me sy, por as erën s’do t’ia kishin ndierë se qysh është shteti! A po shihni pra?! Unë e di mirë ku po ju dhemb juve, por nuk bën ashtu, se ju po silleni sikur ai i anekdotave …që kurrë s’ka pasë çka t’i bëjë gomarit, i ka mëshu’ samarit!

…Jo, nuk bën! Unë jam kundër kësaj. Nuk dëshiroj të dëgjoj më, siç më ndodhi para dy ditësh në pikë të ditës… As mos pafsha dhe as mos dëgjofsha më, çfarë kam parë dhe dëgjuar prej gojës së dy pensionistëve (mos qoftë prej gojës time!), ulur në një stol midis sheshit të qytetit, madje krejt serbez, sikur të ishin vetëm ata dy, as që ruheshin dhe as që druanin prej kalimtarëve që ishin ndalë ndonjë prej tyre plot kureshtje që të mësonin se çfarë zori dhe çfarë sikleti kishin…
“Po çfarë shteti është ky bre… A këtij me i thanë shtet a… Po a jetohet me 70 euro në muej bre… Kafenë e kam lanë, duhanin e kam rrallue, veç sa s’e kam lanë krejt, bukën e hamë bajat të 2-3 ditëve qi me harxhue sa ma pak, e çka t’m’ jesin pak për barna për tension dhe prej fryme që po m’zinet,ma nuk po m’jesin asnja n’xhep… E ku asht rryma, uji, bërlloku…hajt more… Uh, n… shtetit të kështushëm, po a për qisi shteti paskan luftue djelmënia jonë a?!… m…shtet, as biçimin e shtetit s’ta ka…Po çfarë shteti…n’hamam t’ Hyrës, se tybe s’e ka pa me sy kurrë!…”
Jam i bindur se këso bisedash me këso frustrimesh mund të dëgjoni në të katër anët, në dashi në shesh, në dashi në kafehane, në dashi në autobus, në dashi duke pritur në rend për vizitë te mjeku, e ku jo tjetër. Nëse nuk besoni, le të provojnë një ditë vetë njerëzit e kabinetit qeveritar, por me kusht që të bëhen tebdil për të mos u zbuluar se kush janë (dhe jo me roje pas veti!) dhe le të dalin të shëtisin në ato vende ku frekuentojnë më shumë qytetarë, atëherë kanë për t’u bindur (nëse s’janë bindur deri me tash!) se kjo që thamë më lartë është plotësisht e vërtetë dhe është bërë një refren më i zi se në kohën e Migjenit…
Por…mos e shani shtetin, se shteti nuk ka faj! Fajin e keni vetë ju o njerëz. Bile më të parët ju që e shani. Ju po kujtoni që i bëjnë shumë përshtypje kësaj qeverie të sharat tuaja? E aq më pak kur asaj ia shani shtetin e ajo fshihet pas tij! Po më thoni, ju lutem, cila është ajo nënë që për shkak të djalit të pasoj ka marrë me qindra të shara dhe vetëm një herë ka mbetur shtatzënë?! Asnjë. Dhe asnjëherë. Shtetin qeveria jonë është duke e përdorur për kalërim dhe për shtatë palë qejfe. Por si nuk po e vëreni që ajo duke kalëruar shtetin është duke ju kalëruar vetë ju?! Dhe sa më mirë dhe qetë që ju do ta mbani trokun, ajo do të ndihet aq më mirë dhe aq më rehat në shpinën tuaj.
Atëherë, e bajshit me shëndet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura