SYRJA VLORA: ESAT PASHA ISHTE PLOT HAKMARRJE DHE HILE

Pashtriku.org, 15. 09. 2013 – Esat Pashë Toptani që përpara luftës së vitit 1898 mori postin e komandantit të Xhandarmërisë së Janinës me mbështetjen e Halil Beut nga Kranja, një nga të parët e qytetit dhe armëtar i Pallatit të Jëlldëzit. Në luftën që u zhvillua në Kumcazas, ai u shqua për shërbim të mirë. Esat Pasha eci përpara sërish me ndihmën e komandantit të sipërpërmendur dhe me vlerësimin nga ana e të Madhërishmit hyri me profesionin e ushtarakut në prefekturë dhe pastaj u rrit me gradën komandant. Për arsye se nga Valiu i Janinës tatari Osman Pasha u gjet në një situatë të papërshtatshme në shtëpinë e një prostitute, atë e dërguan në Komandën e Xhandarmërisë të Shkodrës. Kur ai ishte në detyrë, me shpalljen e Konstitucionit Osman, vuri kandidaturën si deputet i Durrësit. Në ngjarjen e 31 marsit dhe në ato që pasuan nga vendimi i Sulltan Abdylhamit Hanit, së bashku me bashkudhëtarët e tij, nëpunësin referues, fisnikun Arif Hiqmet Pashën dhe selanikasin Karasu Efendiu shkoi në Pallatin e Jëlldëzit dhe i dha qeveritarëve lajmin e fitores me trimëri dhe pa frikë. Pas kësaj zuri një vend të veçantë nën kujdesin e Ittihadçinjve. Atë e uruan për mbajtjen me nder të gradave në ushtri dhe e gjeti veten në mbrojtjen e vilajetit të Shkodrës. Në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Deputetëve u bë përsëri deputet i Durrësit, por me forcë. Qeveria në kuadrin e përgatitjes për luftë në të katër anët e Ballkanit karshi palës nxitëse të kësaj lufte, duke besuar në përsosmërinë ushtarake të Esat Pashës, pjesë e ushtarakëve të Gazi [Ahmet] Myhtar Pashës, e dërgoi atë në Shkodër si komandant të “Organizatës në ndihmë të Ushtarëve”.

Esat Pashë Toptani 1863 – 1920

Malazezët, me ndihmën dhe mbrojtjen e serbëve dhe të malësorëve më 14 tetor 1912 zaptuan Tuzin, më 24 fortifikimet e Taraboshit dhe Shirokës që ishin në rrethim. Më 27 në kasabanë (qytetin) e Shkodrës hodhën gjylen e parë. Esat Pasha, ftoi për vizitë (festë) në shtëpinë e tij Valiun dhe Komandantin Hasan Riza Pashën, i cili u ballafaqua me një tradhti që i kushtoi.
Esat Pasha u bë dëshmitar i kësaj ngjarjeje dhe, për shkak të gradës, mori komandën e përgjithshme. Populli nuk mbeti pa reaguar në këtë drejtim. Esat Pasha mori nga qeveria e Malit të Zi 6-7 mijë lira me dorën e çifutit vjenez të “Betlehemit”. Në përgjigje të kësaj, kryerja e krimit vazhdoi të tregohej në rrethet e ndryshme shoqërore. Esat Pasha nuk kishte si qëllim vetëm të shtinte në dorë komandën. Me qëndresën e tij të fortë rriti famën e emrit të vet. Por ai la gjurmë të këqija në ngjarjet e Luftës së Përgjithshme dhe të Shqipërisë, që ndodhej në gjendje të mjerueshme amullie.
Esat Pasha ishte nga ata njerëz, personalitetin e të cilëve historia nuk mund të mos e kujtojë. Rezultati i gjykimit të punëve të tij ishte pozitiv. Megjithëkëtë shpresa dhe aktiviteti i tij ishin pa kufi. Me përpjekjet, guximin dhe vendosmërinë si ushtarak, u tregua i denjë përballë situatës. Ai në vite tërhoqi rreth vetes një rreth njerëzish, pak a shumë sa një skuadër. Esat Pasha, i mbetur në Shkodër, kur e ndjeu se po priteshin marrëdhëniet me ushtrinë osmane, me guximin që e kishte për natyrë, u përball burrërisht. Me mbështetjen e forcave ushtarake të mbetura në Shkodër luftoi me gjithë forcën e shpirtit aq sa harroi shërbimin ushtarak, madje dhe Riza Pashën.
Esat Pasha ishte inteligjent nga natyra, por analfabet. Për të dashuria për Atdheun, ndjenja kombëtare, ishte më e dobët nga ajo për rrethin e tij. Ai nuk iu dha me zemër asnjë të huaji. Vlerën e personalitetit të tij në çdo fushë, të drejtë ose të pa drejtë, e vëmë re nga analiza që i bëhet atij. Ai nuk tërhiqej përpara sakrificës për miqtë dhe vendin e tij, kërkonte vetëm të shërbente për të parë një Shqipëri të lirë. Nuk shfaqte emocionin e luftës.
Punët e vështira, madje dhe në kohë të rrezikshme, nuk i linte në mes. Kishte autoritet të padiskutueshëm në qeveri për zbatimin e urdhrave. Nuk ushqente besim të tepruar te asnjë. Në vëmendjen e tij, Atdheu përbëhej nga vetvetja, dëshira dhe fama e tij. Urdhrat e rëndësishme dhe punët e vështira i bënte duke menduar për të bërë përpara. Sikur fama dhe mënyra e punës së tij të ishte drejtuar në çështjen e përfitimit vetëm për Atdheun dhe jo për përfitime personale, vendi do të kishte dobi të madhe.
Nuk la situatë pa ndjekur për të arritur qëllimin e dëshiruar; punoi vazhdimisht për të treguar veten më tepër nga ai që ishte; nuk tërhiqej para çdo sakrifice dhe vështirësie; për të nuk mund të kishte shpresa të shuara. Shpirtin e kishte të ngopur deri në fyt me hakmarrje dhe nga mendimi për të bërë hile.
Gazeta “Kölnische Zeitung” në një artikull që botoi për të, shkruante se: “Esat Pasha ishte tahmaqar, punëtor, krijues dhe i zoti. Për arritjen e qëllimit të tij nuk tërhiqej edhe nga gjërat, që mund ta dëmtonin atë”.
Gjenerali gjerman, Immhof në një ditar që botoi mbi Luftën Ballkanike dhe në tregimin për kohën e ngjarjes së 4 marsit thotë se: “Esat Pasha kishte shumë rreth në Shqipërinë e Veriut. Nuk pati shqetësim nga malazeztë dhe të krishterët, përkundrazi ata mundën ta ndihmonin vetë atë. Në Shqipërinë e Jugut nuk kishte përkrahës. Me Ismail Qemal beun kishte bërë shkollën. Shqiptarët nuk e ulin kokën, por, në situata lufte, forca ishte në dorë të Esat Pashës. Sikur ai të vazhdonte të qëndronte në qeveri, secili do të ishte i detyruar të largohej, të linte Atdheun”.
Përsëri gjenerali Immhof Pasha thotë se: “Është e nevojshme të themi të vërtetën se në mbrojtjen e nderit të sanxhakut osman [të Shkodrës] ai qëndroi më tepër nga sa mundej. Ky gjeneral nuk u dorëzua dhe në mënyrën se si rezistoi emri i tij do të zinte një vend të rëndësishëm në historinë osmane”.
Popullsia vendase po ta ndiqte më nga afër detyrën e ushtarakut të Shkodrës do të kuptonte më pas se mbrojtja ishte e dobishme dhe e nevojshme. Me këmbënguljen e veçantë të Austrisë si shtet i madh, për një javë malazezët dhe serbët mbetën të detyruar të tërhiqeshin nga rrethimi i Shkodrës. Malazezët ndonëse e mësuan këtë, me mendimin të bëhet ç’të bëhet në pushtimin e Shkodrës, kërkuan të përballeshin me urdhrin e Evropës.
Rruga ishte gjetur. Me gjithë përvojën e luftërave, në sulmet që do të pasonin patën humbje të konsiderueshme. Mbetën me shpresa të kota të fitimtarit. Ndërkohë përballë popullit të pashpresë dhe të mërzitur, Esat Pasha u detyrua të përdorte mjete të tjera. Zoti Plambaç [Petar Plamenac*] kishte patur miqësi me Esat Pashën kur kishte qenë ambasador në Stamboll.
Ai i dërgoi fshehurazi Pashait lajmin se merrte përsipër të siguronte pagesën e dëmeve që kishin kryer serbët në shtëpinë dhe çifligjet e tij. Esat Pasha e pranoi propozimin e zotit Plambaç dhe vendosi rritjen e kushtit në pagesën e dëmeve të tij. Në këtë mënyrë, më 21 prill të vitit 1913, ditën e hënë në mbrëmje, filluan diskutimet midis Esat Pashës, gjeneralit Vukoviç dhe zotit Plambaç. Me këtë rast u lidh një marrëveshje dhe u bë dorëzimi i drejtpërdrejtë i fortifikimit të Shkodrës.
Princi Trashëgimtar i Malit të Zi, Danilo vendosi të dorëzohej dhe të tërhiqej. Ky veprim u bë si rezultat i gjendjes së paparashikuar të krijuar në Shkodër. Ishte e pamundur të qëndroje më gjatë. Me heqjen dorë nga qeverisja e Shkodrës nga të huajt sipas thashethemeve dhe sipas të vërtetës së situatës, Esat Pasha bëri të mundur të qëndrojë dhe disa ditë më pas. Lidhur me mënyrën e dorëzimit të Shkodrës, Esat Pasha u detyrua të japë llogari për bisedimet e kryera, për dhënien e urdhrave ushtarakë dhe premtimin për dorëzimin e sasisë së materialeve të rëndësishme. Mirëpo asnjë nuk i doli në mbrojtje.
Ata që kërkojnë të zhdukin punën e ndritshme dhe të dobishme të Pashait në të gjithë situatat e përmendura më lart, nga dita kur doli nga Shkodra, përfshi urimin zyrtar që iu bë në kohën kur qe në Tiranë, sikurse i takon një qeveritari e konsiderojnë atë të dyshimtë për arsye se ai ishte vazhdimisht në luftë me Princin Trashëgimtar të Malit të Zi. Esat Pasha me 15.000 ushtarë doli nga Shkodra dhe me të vajtur në Lesh veproi me guxim në shpalljen e vetes qeveritar. Malazezët, pas kësaj, për inat të titullit që mori si qeveritar, publikuan gjithandej letrën e shkruar prej Pashës dhe punuan deri në fund për t’i shkaktuar dëme.
(Marrë nga libri “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920”, i përgatitur për botim dhe me redaktim shkencor nga: Akad. asoc. Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku.)
* * *

Flet Akad. asoc. Marenglen Verli, rreth punës shkencore për botimin e kujtimeve të ish-deputet në parlamentin turk e ish-ambasadorit shqiptar në Vjenë në vitin 1914. Ja çfarë shkruan ai për Ismail Qemalin, Zogun e Esat Pashën…

KUJTIMET E SYRJA VLORËS U SHQIPËRUAN NGA NJË ANONIM

– Në prani të përfaqësuesve të njohur të Institutit të Historisë, dje në ambientet e Akademisë së Shkencave u promovua libri me kujtime i Syrja Vlorës: “Nga fundi i pushtimit osman në luftën e Vlorës”. E padyshim nga të pranishmit, botimi i këtyre kujtimeve u trajtua si një vlerë e veçantë në ndërtimin e historisë shqiptare, të paktën i asaj që deri dje ka qenë thuajse e errët. Shkruar në osmanisht në vitet ’20, me gjasë në 1921-1925 në Romë dhe në Vlorë ku jetoi në ato vite, përkthyer në gjysmën e dytë të viteve’40, përkthim i gjetur në arkivin e Institutit të Historisë me inicialet A.A, me një redaktim shkencor dhe i përgatitur për botim nga Akad. asoc. Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku, këto kujtime të vyera vijnë më në fund në dorën e lexuesve shqiptarë. Libri me kujtimet e Syrja bej Vlorës ka titullin në origjinal “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920” Historiani i njohur Marenglen Verli, thotë se tanimë i mbetet lexuesit të gjykojë çka i ofron Syrja Bej Vlora, por edhe përkthyesi, redaktorët shkencorë e përgatitësit për botim të përkthimit, ata të cilët praktikisht u bënë bashkëpunëtorët e tij në finalizimin e veprës. Çfarë ka në përmbajtje vëllimi më i fundit përgatitur nga Institutit të Historisë? Kujtimet e Syrja Bej Vlorës, të titulluara sipas atij vetë “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920”, janë ato çka i ofrohen lexuesit në këtë botim, janë perla më e fundit në gjerdanin e praruar që zbukuron fondin më të mirë të letërsisë sonë historike, në këtë gjini botimesh. Botimet në gjininë e kujtimeve, veçanërisht atyre me vlera historike, janë shtuar mjaft vitet e fundit. Vihet re, që përveç monografive individuale ose kolektive të studiuesve të historisë, lexuesit joshen gjithnjë e më shumë nga botimet dokumentare dhe nga memoaret, veçanërisht të personaliteteve me peshë protagonistësh, ose bashkëpunëtorëve të tyre të afërt. Tashmë, lexuesit kanë në duar në gjuhën shqipe kujtimet, madje me analizat e vlerësimet për ngjarje, të personaliteteve të ndryshëm të historisë sonë por edhe të fqinjëve dhe më gjerë të diktuara ose të shkruara vetë nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Vilhelm Vidi, Heaton Armstrong, Sejfi Vllamasi, Eqrem Vlora, Tafil Boletini, Spiro Kosova, Elmaz Plava, Ismail Strazimiri e shumë e shumë të tjerëve, pa llogaritur edhe shumë të huaj që kanë jetuar apo vetëm kaluar në viset shqiptare si Edith Durham, Franc Nopça etj., që i përkasin dekadave të para të shekullit XX, gjithashtu pa listuar edhe kujtimet që i përkasin protagonistëve të periudhave të Luftës e Pasluftës së Dytë Botërore.
Cili ishte Syrja Vlora?
Syrja Bej Vlora nuk është një person i zakonshëm. U lind në Vlorë më 1860 dhe vdiq më 1940. Pinjolli i familjes së njohur të Vlorajve, që i kishte dhënë Perandorisë Osmane, pashallarë e vezirë, i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe vëllai i Vezirit të Madh, Ferit Pashë Vlorës (1903-1908), kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem Bej Vlorës, kujtimet e të cilit u botuan me bujë disa vite më parë, kunat i Esat Pashë Toptanit, të cilit i kishte marrë motrën për grua, drejtor i përgjithshëm i doganave osmane, deputet në Parlamentin Osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914, njeri i arsimuar mirë për kohën, personi në shtëpinë e të cilit, në lagjen Taksim në Stamboll, në janarin e vitit 1912 u bë mbledhja e njohur (morën pjesë Ismail Qemali, Hasan Bej Prishtina, Myfit Bej Libohova, Esat Pashë Toptani etj….) dhe u mor vendimi për të shpërthyer në Shqipëri një kryengritje e përgjithshme antiosmane, i preferuari i Vjenës në vjeshtën e vitit 1912 për të organizuar e drejtuar procesin e pavarësimit të Shqipërisë, pronar i madh, një nga personat që do të fusnin elementë të drejtimit kapitalist në pronat e tij agrare në vitet 20-30 etj. etj. Pikërisht ky person me emër në elitën politike e atë ekonomike të kohës, dinte shumë, kishte njohur shumë, kishte qenë i pranishëm në shumë ngjarje, dhe kishte ç’të kujtonte.
Në çfarë periudhe datojnë kujtimet e Syrja Vlorës?
Syrja Bej Vlora i shkroi kujtimet gjatë viteve 20, me gjasë në vitet 1921-1925 në Romë dhe në Vlorë ku jetoi në ato vite, dhe i shkroi në osmanisht. Duket se nuk i përfundoi plotësisht, nuk dimë për ç’arsye, ndonëse jetoi edhe shumë vjet, deri sa ndërroi jetë në vitin 1940. Lexuesi do të gjejë te kujtimet e Syrja Beut jo vetëm fakte të thata; por do të gjejë shumë ngjyra të ndezura në përshkrimin e ngjarjeve dhe individëve, portretizime brilante, ndonëse komplekse të figurave si Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Preng Bib Doda, Ahmet Zogu etj. etj., do të gjejë analiza ose zhvillime të ndryshme politike ose hapa të personaliteteve të kohës, përfshi edhe ato vetë, përfunduan mirë ose keq, patën sukses ose dështuan, madje do të gjejë deri opinione për mënyrën e organizimit të shtetit, për mënyrën e ngritjes cilësore të arsimit kombëtar etj. etj.
Sa objektiv është Syrja Vlora në atë që kanë lënë të shkruar?
Natyrisht në kujtime ka subjektivizëm, ka anësi e justifikime, ka pasaktësi, ka vlerësime të diskutueshme, por kjo është normale për gjininë e kujtimeve, pa përjashtuar edhe ato që na kanë ofruar njerëz shumë seriozë e të mirarsimuar. Mund të evidentonim disa prej tyre. Në radhë të parë kujtimet kanë probleme me datat, kjo sepse autori ka përdorur disa lloje kalendarësh, ose informacioni që ai zotëron nuk i përgjigjet të vërtetës historike. Së dyti, emrat e aktorëve dhe faktorëve të kohës, kryesisht të huaj, janë shkruar herë në origjinal, herë jo. Po ashtu ka mospërputhje midis tekstit të kujtimeve dhe shënimeve përkatëse në fund të librit. Së fundmi, ndonëse autori ka menduar që kujtimet e tij t’i plotësonte me një sërë dokumentesh, kjo nuk ka ndodhur. Mesa duket kujtimet kanë mbetur në dorë të parë dhe Syrja Vlora nuk i finalizoi ato për botim.
Ali Asllani, më i mundshmi shqipërues
Duke folur për përkthimin e veprës në fjalë, Akad. asoc. Marenglen Verli thotë: “Kujtimet që po botohen sot në gjuhën shqipe, janë përkthyer diku në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Përkthimi i gjetur në Arkivin e Institutit të Historisë së Qendrës së Studimeve Albanologjike (para vitit 2008, të Akademisë së Shkencave), si edhe të dhëna indirekte, na bëjnë të besojmë se është kryer në gjysmën e dytë të viteve 40, kur u organizua Instituti i Shkencave, i cili ishte vazhdim i Institutit të Studimeve Shqiptare të krijuar më 1940. Emri i përkthyesit nuk është shënuar, por në një nga shënimet e vendosura në faqet e zverdhura të përkthimit, janë shënuar inicialet A.A. Nisur nga këto iniciale, duke vlerësuar dialektin e përdorur në përkthim, me gjasë përkthimi i këtyre kujtimeve është bërë nga Ali Asllani, vlonjati i letrave dhe i politikës së gjysmëshekullit të parë, njohës shumë i mirë i turqishtes osmane, i cili u aktivizua si përkthyes në institucionin e sipërpërmendur (Origjinali i autorit ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi: 56, Dosja 11)”. Syrja Vlora i ka konceptuar kujtimet e tij në 2 pjesë. Pjesa e parë me titull “Kujtime” është historia kronologjike e viteve 1912-1920, ndërsa pjesa e dytë “Shënimet”, përbëhet nga sqarime e plotësime, me informacion edhe më të imët e interesant, që kompleton pjesën e parë. Duke respektuar përkthimin e gjetur në arkiv, duke plotësuar ndonjë pjesë që mungonte me përkthim rishtas, duke bërë kujdes që redaktimi i përkthimit dhe çdo ndërhyrje restauruese të bëhej brenda kritereve më të mira për botime të kësaj natyre, në mënyrë që të ruhen plotësisht jo vetëm origjinali por edhe stili e zhargoni i përkthyesit, besojmë se pavarësisht vështirësive të shumta, është bërë gjithçka mund të bëhej në respekt të shkencës, autorit, përkthyesit e lexuesit. Çdo gjë që i takon punës së përkthyesit është ruajtur me fanatizëm”
Ismail Qemalit i pëlqenin dashuritë kalimtare
“Në personalitetin e Ismail Qemal Beut, në sjelljen e tij kishte seriozitet dhe fisnikëri. Për kërkesat ndaj vetes së tij të detyronte ta nderoje. Tregonte shumë kujdes të kishte nën kontroll dhe të kujtonte secilin. Në çdo situatë shihej si kryetar dhe mund ta ruante vazhdimisht ekuilibrin. Rrugën e jetës së tij e kaloi me shumë probleme, por nuk tregoi dobësi. Nuk ishte i lumtur, por nuk e tregonte veten të pashpresë dhe të mërzitur. Të ardhurat i shpenzonte në vende të panevojshme. Por i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare. Fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte të metë se kishte aftësi të mashtronte me fjalë. Kur kërkonte të zotëronte situatën, vendoste autoritetin, bëhej tahmaqar dhe i shkonte fjala; kundërshtonte, thërriste, por qëndronte larg nga zëniet dhe konfliktet. Nuk e prishte qetësinë nëse nuk ishte i detyruar; nuk kërkonte të ngatërrohej me fjalë; ishte i pasur në ndjenjat e tij; ishte i ditur dhe nuk i shikonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Rrallë kalonte në situata të padëshirueshme. Me asnjë nuk zuri marrëdhënie miqësore. Në marrëdhëniet përballë dy personave gjatë bisedës donte të tregonte epërsinë e tij. Dukej se i donte Atdheun dhe patriotët… Mund të themi se Ismail Beu me këtë zhvillim të inteligjencës, i parapriu Esat Pashës. Në emër të “Shqipëria me dy qeveri” Esat Pasha mori guximin të kalonte situatën dhe të formonte qeverinë e dytë, duke hapur kështu një derë të shkatërruar. Sidoqoftë Ismail Qemal Beu nuk pati frikë dhe e kuptoi nevojën e vendit që programet politike të lëvizjes duhet të bashkoheshin e të merreshin masa të cilat do t’i shërbenin shoqërisë sonë. Por ligjet e vëna nuk e garantonin këtë. Ismail Qemal Beu ishte një nga ata që e njihte më mirë Kushtetutën Osmane. Vendi ushqente shpresa të mëdha. Rreth 14-15 muaj që ishte në drejtim e kaloi gjithë kohën në udhëtim. Ai ishte një udhëheqës që nuk pati një vdekje të lumtur. Si kryetar asnjëherë nuk përfitoi nga posti… Nëse duhet të analizojmë personalitetin e tij mund të them se Ismail Qemal Beu asnjëherë nuk ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin e tij, politikën, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten. Vazhdimisht jetoi në luftë dhe kënaqësinë më të madhe të jetës e gjeti në sigurimin e dëshirave vetjake. Më së fundi them se Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemal Beu është shërbimi për të çuar në vend detyrën. Fitorja e saj ishte e drejtë për historinë e kombit.”
(Nga: Leonard Veizi, korrik 2013)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura