TABLO BREGDETI

Nga Elife Podvorica Jashari, Shëngjin – gusht 2023

U zgjova turra vrap nga frika se më kishin ikur orët e hershme të mëngjesit. Vërejta menjëherë se ishte ndalur uji. U hutova…thashë mos nuk e kishte paguar bashkëshorti faturën, por e dija që kjo s kishte ndodhur asnjëherë. Meq kishte rrymë e ngroha ujin , sepse mua nuk më ndodhë që të mos kem enë të mbushura me ujë rezervë, edhe po të shkoj në hotel “Sheraton’diku në Europë. Këtë kujdes-traumë , ma kanë dhuruar vitet e pasluftës në Kosovë, kur duhej të menaxhoje veten dhe trupin tënd, që për 5 deri në 8 orë të mos kishe as rrymë e as ujë. Zgjatem shumë nëse hy e tregoj detaje të asaj kohe , të cilat janë herë tragjike e herë super komike. Po e lë vetëm me titullin e diagnozës që e kam fituar si -Kudjes-traumatik.

E bëra dushin me tas e me kusi. Bile kogja ndjeva njëfar nostalgjie, se më kujtonte shumë momente të përditshmërisë sime. Thashë sa mirë. Kur i provon të gjitha, nuk mbetesh asnjëher gafil. Zieva edhe çaj, e mora me vete dhe dola shpejtë. Ne hyrje të Pallatit, një grua po ngjitej me nga dy bidon uji shkallëve telartë. Ne bidonëve i themi knata. Nuk jam e sigurtë cila fjalë është më shqip. Me rëndësi që pesha që mbante në të dyjat anët, më ra në sy, dhe pa u hamendur shkova t’i ndihmoja që ti sillte tek ashensori, apo lifti.(Prap nuk jam e sigurtë cila fjalë është shqip).Shkallëve sa ngjiteshim me motrën e Shqipërisë të ngarkuara me bidonët e ujit, ishin nja tre katër burra që vetëm shikonin. Më shumë mua, se u ra në sy gjesti im. Asnjëri nuk bëri tendencë që të na ndihmonte. Unë jam e bindur që ata donin të na ndihmonin se ranë në siklet, por qysh ta thenin kanunin-burrat e huaj me ju ndihmua-grave të huaja. Plus , sikur t’i shihnin gratë e tyre, mesiguri do të nisej një luftë ditore. Kështu që, më mirë rehat.

Gruaja e bidonëve më mbushi me urata për tërë ditën. Kalova rrugën me shpejtësi, sepse makinat përveç shpejtësisë së madhe, lëshonin edhe tym nafte që të qponte hundët dhe të krijonte një ndjesi fortë të keqe. Rrëmbimthi dola në pjesën e plazhit ku njerëzit dy e nga tre kishin dalur të ecnin përgjatë bregdetit. Turistët ecnin dhe e shijonin kafen e mëngjesit, e venalit kryenin punët e tyre.

-Mos i hudhë bukë, se nuk e hanë, vetëm e bën pis trotuarin-Mu drejtua pastruasja rome që po fshinte me fshesë dore trotuarin e mbushur mbeturina nga nata e kaluar përplotë mbeturina. Unë që kisha ikur nga rruga dhe nafta e makinave, tash po përballesha edhe me pluhurin që ngritej nga fshesa e saj.

-Më pis se që qenka bërë këtu i thashë ? Pse çfarë han ky qeni-e pyeta.

-Hanë gjëra të mira, sallamë, qofte,e kështu.

-Ok. Faleminderiti thashë.

-Po pse pastroni kështu me fshesë e nuk i keni pajisjet e duhura për këtë gjë-e pyeta kolegun e saj shqiptar.

-Për çfarë pajisje e ke fjalën. I tregova që ne në rrugët e Prishtinës, tashmë i kemi pajisjet speciale qe i pastrojnë rrugët e qytetit.Përveç kësaj, edhe pse nuk kemi shumë ujë atje, vijnë cisternat me ujë dhe i pastrojnë rrugët. Ju keni gjithë këta ujë, dhe asnjëherë sa është sezoni veror , nuk i lani rrugët e bëra pis nga turistët. Duhet të shkoni në Komunë dhe të kërkoni kushte për punën që bëni-vazhdoja unë.

-Po çfarë Bashkie,a çfarë llafi je kah bën moj?-më ndërpreu pastruesja. Ne skemi fshesa, e të kërkojmë edhe pajisje.

U ndava me shumë keqardhje për të dytë, sepse në shek.XXI, të trajtohet në at mënyrë puntori, plus në kohë sezoni kur vlojnë turitët,e të mirëmbahet qyteti bregdetar me fshesë në dorë. Absurde..Dhe kogja siklet para turistëve të huaj e sidomos atyre sllav, kur na i shohin kushtet me të cilat mbijetojmë.

A fshihet gjithë pjesa e trotuareve në qytet me dy fshesatar!! Çfarë eksploatimi nga ajo Bashkia e tyre e famshme që nuk e ka një fond të tillë me gjithë këtë turizëm!

Vazhdova dhe rrugicave të lagjeve që tashmë i kam mësuar, i zbatha sandalet dhe ecja zbathur nëpër guralecët e imtë të tyre.

Të është prishur sandalja?-më pyeti me shumë mirësjellje një plak kur po e përshëndesja. Plaku duket që ka një moshë të shtyrë dhe gjatë këtyre dy muajëve të verës, më ka rastisur ta shoh disa herë që rri i ulur në karrige para derës së shtëpisë së tij dhe shiqon rrugën teksa kalojnë makinat e shumta.

-Jo i thashë. Nuk më është prishur sandalja, por jam duke ecur me teknikat -guru-. E vrejta se nuk më kuptoi fare çfarë i thashë, vetëm më buzëqeshi ëmbëlsisht.

Gjersa ndërroja hapat me një ritëm gogja të shpejtë, në kokë më silleshin vargjet e një solokëngës në gjuhën angleze, të cilën e ushtroja dje pasdite në sintin që kam me vete këtu në bregdeti.

Meq nuk kisha përbri ndonjë person që të ndrroja llafe me te, unë mundohesha të rikujtoja fjalët e këngës, e cila më pëlqeu shumë, edhe pse ishte e shkruar diku rreth  vitit 1800 nga një kompozitor irlandez.

Për më pak se 30 min, arrita në plazhin që kisha synuar dhe gjëja e parë që bëra, ishte të hyja në detin e freskët e të notoja për nja gjysëm ore. Pastaj u ula për shtat palë qejfe të pija kafen e mëngjesit dhe të flisja me familjarët meq isha e lidhur me rrjetin e restoranit, i cili ka një pamje magjike bregdetare. Qejfin ma prishi pak kamarierja e cila nuk e ndjeu aspak të udhës të ma kthente “mirëmëngjesin” tim si mysafire e saj. E mori porosinë sikur të ishte një memece dhe pa disponim më vuri filgjanin e kafes përpara, pa më thënë “ të bëftë mirë”, siç jemi mësuar ta dëgjojmë këtë fjalë ngado që shkojmë. U bëra që asgjë nuk vrejta. Bile i lashë edhe bakshish, por më la një shije të hidhur sjellja e saj, në der at vendi të punës që kishte. Në njërën anë të guduliste hundët aroma e luleve të shumta. Në tjetrën anë, ishte puhiza e bregdetit të gjërë me ujë të pastërt si loti. Degët e ullinjëve të mbushur me kokrra shum , rëndoheshin gjer përdhe dhe krijonin një imazh shumë të bukur bregdetar. Si panoramë dukej ambienti përreth.

U lava e notova disa herë, duke u afruar për te shkëmbinjtë e mëdhenjë të cilët ndanin plazhat mes vete dhe të cilët përkufizonin vijën midis ujit dhe tokës. Mu në at cep, e kishte plazhin mikja ime që e kisha njohur vitin e kaluar. Ajo ishte një zonjë e vërtetë intelektuale, e cila për çdo ditë u gatuante dy vajzave të saj simite të ngrohëta. Më bënte shumë përshtypje kjo gjë. Sepse ajo kishte mundësi të hante si zonjë midis restorantit, i kishte kushtet shumë të mira. Apartamenti i saj veç që nuk prekte bregdetin nga ballkoni i madhë që përthekonte gjithë pjesën ballore të dhomave të mëdha .Por, ajo çdo ditë u gatuante vajzave kifle të nxehta, palpeta të mbushura me reqel që e kishte zier vet, nga pemët e mbledhura në kopshtin e vendësve, u ziente gjellëra me perime të marra nga bashqet nëpër fshatrat rrotull. Vajza e dytë ishte një pianiste aq e talentuar sa fitonte çdo konkurs vendin e parë. Ajo vazhdonte shkollën e muzikës në Prishtinë. Vajza e madhe kishte talent për shkencat ekzakte, konkretisht për matematikën. Këtë lëndë ia kishte futur në qejf gjyshi i saj  inxhinier. Ai i ndihmonte mbesës dhe sa herë mirrte pjesë në ndonjë konkurs në Prishtinë, ajo bindshëm dilte e para. Ndërsa e ëma që u vinte me kilflet e nxehta në plazh, teksa unë bisedoja e lozja me to në deti, ishte profesoreshë e gjuhës angleze. E tërë familja kishin jetuar për dhjetë vite jashtë Kosovës. Ishin kthyer dhe tani në bregdeti kalonin kohën së bashku me dy gjyshërit nga ana e babit. Kishim shumë ngjashmëri si familje dhe knaqesha llaf me të gjithë për ato dy orë sa gjeja strehë nën qadrën e tyre.

Meq rrija vetëm pjesën e paraditës në plazh, nuk paguaja ombrellën. E ku ta paguaja!! Kushtonte 1 mijë lek, që i binte dhjetë euro. Me dhjetë euro kisha mundësi të blija pesë kg pemë të ndryshme të nukta nga dora e parë në kopshtet e fshatarëve të cilët mbushnin trotuaret me mëngjes dhe i shitnin zarzavatet e tyre shumë të freskëta.

Në mes të ombrellës dhe zarzavateve, zgjidhja këtë të dytën dhe koha e plazhit tim mbaronte në mesditë. Por isha shumë e knaqur. Isha zgjuar në orën 6 të mëngjesi, kisha ecur katër km në shkuarje dhe poaq në kthim. Kisha notuar në ujin e pastërt si loti nja dy orë të mira.Nuk gatuaja, por haja pemë e perime të gjalla sipas një nutricionistes që më pëlqente shumë.

Rrugës për në kthim, plazhi mbushej me turistët, të cilët tashmë ishin vendosur nëpër qadrat e tyre. Mua më binte të ecja një pjesë mu përbri tyre. Aty ke mundësinë të shohësh shumëçka. Pleq shumë të vjetër që janë në dyluftim me plazhin e stërmbushur dhe vapën përcëlluese në njërën anë, dhe humbjen e komoditetit të shtëpisë së tyre. Lutesha që bile ndopak të ketë dobi për ta ajri i bregdetit edhe pse në këtë orë të mesditës të zihej fryma nga vapa.

Të bie në veshë si trumpetë e pa akorduar, bërtima e fëmijëve të vegjël që qajnë e qirren me sa zë që kanë. Ora 11.30, temepratura sot shënonte 36 gr, e ata midis zallit duke ngrënë byrek me yndyrë që shkëlqente nga larg. Normal që e kuptoja britmëm e tyre, por edhe për ta lutesha që ndoshta përveç ujit, edhe kjo mori njerëzish që piqeshin nga rrezet e diellit në shtretërit e tyre të ngjitur njëri me tjetrin, ndoshta u ndikonte mirë për socializim të tyre. Sepse hiq këto 10 ditë bregdeti, ata kryesisht janë vetëm me prindërit e tyre në shtëpi dhe TV, është “socializimi” kryesor i tyre në shumicën e kohës.

Tek ktheja kokën herë andej e herë këndej dhe ndjehesha si një spektakël të madhë veror, vërejta një grua që po ecte kuturu dhe nga pamja e fizikut të saj, të bënte të kuptoje se nuk ishte diçka në rregull me te.

-Për ku je nisur zonjë- e pyeta unë posa iu afrova?

-Te motrat e mia, por harrova se ku ishim- më tha ajo me nguti. Menjëherë e kuptova “hallin” e saj.

-Si të quajnë e pyeta.

-Remzije-ma ktheu ajo duke më shtërnguar dorën e saj ngrohtësisht.

Ke vajza ti, më pyeti duke më mbajtur dorën ende të shtërnguar në shuplakën e saj valë.

_Po, i thashë. Kam një vajzë të rritur, por që tash është duke punuar dhe nuk ka mundur të jet bashkë me mua. Kam edhe një çun, i cili dje ishte nisur për rrugë dhe ende nuk kishte arritur në vendbanimin e tij në një qytet të largët europian. Djali im ishte nisur bashkë me nusen e tij për kah kufiri malazes e kroat, sepse po të shkonte nëpër Sërbi, unë ndjehesha në siklet e pasiguri të madhe dhe nuk mund të përballoja faktin që shumëkujtë u kishte ndodhur fatkeqësi e organizuar nga qytetarët e Sërbisë, në udhëtarët shqiptar që vinin nga vende të ndryshme të Europës.

Nuk ishte pa probleme as kufiri malazes e kroat, por bile fizikisht nuk sulmoheshin. Edhe nëpër Sërbi, nuk u ndodhte të gjithëve të kishin përleshje gjatë rrugës, por dikujt i binte”fati” që të ndeshej me bandat sërbe.

-E ti ke mbetur vet apo? -më ndërpreu nga ankthi zonja Remzie.

-Po i thashë. Por,a e sheh që nuk jam vetëm. Po rri me ty, po i shoh gjithë këta njerëz rreth vetes sime, andaj nuk jam vetëm. Jam në vendin tim e me njerëzit  që flasin shqip si unë.

-Ja motrat e mia-bërtiti me sa zë që kishte Remzia 62 vjeçe.

Ato të katërtat të gëzuara jashtë mase që po e shihnin motrën më të vjetër, u ngritën në këmbë dhe më përshëndetën ngrohtësisht duke më falenderuar shumë për kohën që kisha marrë me motrën e tyre. U përshëndeta me to dhe rrugës sa po i ndrroja hapat nëpër rërën e vluar nga vapa, po mendoja sa të gjata qenë ato katër motrat. Kaherë nuk kisha parë gra më të gjata e korpulente. Dukej që ishin edhe intelektuale nga veshja dhe mirësjellja që treguan. Them nga veshja, sepse ishin ndër të paktat në tërë plazhin që nuk kishin ekspozuar nudo pjesën e prapme të tyre. Kur shikon sipërfaqësisht mbi turistët, plazhi të ngjanë në disa bregore prapanicash të grave, të cilat për këto 5-6 ditë bregdeti duan që trupi i tyre të rrezitet në tërësi. Qe sa vite nuk mund ta zbërthejë këtë ndeshje midis kanunit dhe “emancipimit” të tyre….

-Heeeej…ku keni mbrri i pyeta, sapo hyra në banesë, sepse kisha rrjet dhe mund të flisja me djalin dhe nusen që pas 18 orë vozitjeje, kishin mbetur së paku edhe dhjetë të tjera për të arritur në qytetin ku po jetonin aktualisht…

-Ehhhhh… ofshava sapo kreva bisedën me ta….

-Rrugët të mbarë fëmijët e mij. Rrugë të mbarë gjithë rinisë shqiptare, që këtyre ditëve kishin ardhur për të vizituar prindërit e tyre në vendlindjen ku kishin le e ishin rritur. Rrugë të mbarë gjithë mërgatës shqiptare që vjen nga anë e botës, kalon nëpër të gjitha sfidat ballkanase dhe rri e shpenzon lekun e fituar me djersë, në vendlindjen e vet.

Rrugë të mbaë e faleminderit nga zemra!

E di që u zgjatëa e u zgjërova prej temës në temë për një të vetëm shkrim, por ky ishte profili i një nëne që kalon e vetmuar këto ditë bregdeti. Kështu familja shqiptare e ndarë më dysh prej shekujsh mundohet të funkcionojë dhe të ruaj identitetin dhe virtytet e saj si familje shqiptare.

E unë, nuk bëzajë. Nuk dua ta rëndojë përditshmërinë e fmijëve të mi, edhe ashtu të rënduar, pavarsisht shkollimit e profilit të tyre super profesional. Në vendlindje nuk ka vend pune për ta, e atje në dhe të huaj, konsiderohen qytetar të rendit të dytë dhe nuk e gjejnë vendin që u takon.

________________

ARTUSHA IME – NË LUBJANËN E SAJ TË FËMIJËRISË KËNDOI NË 15 VJETORIN E PAVARËSISË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura