TAFIL DURAKU: E VËRTETA E IKJES SË VESEL SELIMIT NGA SPITALI I PRISHTINËS

Burojë, 27. 03. 2016: Një magmë e vërtetë shpirtërore dhe kombëtare e shqiptarëve në trojet e pushtuara shqiptare nga ish-Jugosllavia, padyshim, ka qenë, është dhe mbetët Zeqir Duraku, kushëriri im i idealit shqiptar, që, tash, jeton në Malmo të Suedisë. Zeqiri, veçohej prej të gjithëve për filozofinë e tij, për mënyrën dhe stilin e tij të artit të të menduarit, të të jetuarit e të të vepruarit origjinal shqiptar, i cili inspiroi dhe brumosi për së mbari e shqiptarisht shumë breza shqiptarësh, e, edhe brezin e Hamëz e Adem Jasharit dhe jo vetëm atë brez.
Natyrisht, të brumosur dhe të frymëzuar prej tij, u bëmë një magmë e fortë shpirtërore e shqiptarizmës (edhe pse asokohe vepronim në grupe dyshe e treshe (pa u takuar “Lëvizjeve” e grupimeve “patriotike” e “shqiptare”… dhe, jo, kurrë, shqiptaro-titistëve!), jo vetëm në Drenishtë (Drenicë), por, edhe më gjerë, në trojet e pushtuara e të copëtuara shqiptare nga ish-Jugosllavia. Personalisht, prej vitit 1969/’70, kur isha në vitin e parë, në Gjimnazin e Skënderajt, më shumë kam hëngër bukë në Familjen e Bacë Shaban Jasharit (këtë mund ta vërtetojë vetëm Baca Rifat Jashari (kushërinjtë e tij: Jeseti, Xhaferi…), dhe, atë, në prani timen), sesa në Kullën time të lindjes, në Burojë të Drenishtës së Skënderajt…
E bëra këtë hyrje të shkurtër, për të dalë te Lufta e Adem Jasharit e 30 Dhjetorit 1991, ku, jorastësisht, u ndodh edhe daja i im, Vesel Selimi, nga Açareva e Skënderajt, i cili u plagos rëndë në ato luftime.
Ta sqarojmë që në fillim se, ky shkrim nuk e ka as qëllimin më të vogël që ta mohojë as edhe kontributin më të vogël të secilit njeri e shqiptar (qoftë edhe një fjalë të mirë goje!) që ka bërë çkadoqoftë për ta ndihmuar të plagosurin në luftë me serbët, Vesel Selimin, por, e vërteta më e madhe është kjo që e themi për herë të parë publikisht, për të mos përfituar matrapazët, profiterët dhe “komandantët” e “luftëtarët” e “luftës”, që kanë përfituar nga “rasti i Vesel Selimit” dhe jo vetëm i tij!…
… Daja Vesel, atë ditë ishte nisur për në Skënderaj dhe kur arrin në Llaushë, sheh njerëz që e kishin zënë rrugën, këtu flasim, gjithnjë, sipas asaj që më ka rrëfyer daja im, Vesel Selimi, në shtëpinë time. E ndalin makinën dhe dalin e bisedojnë me njerëzit që e kishin zënë rrugën, ku, edhe i dëgjonin më mirë krismat e armëve liritare e bashkimtare, që kishin nisur në shënim të dhjetëvjetorit të rënies heroike të Tahir e Nebi Mehës, kundër forcave pushtuese serbo-jugosllave…

I pyesin ata njerëz se çka po ndodhte. Dajës Vesel i përgjigjen se po luftonte Adem Jashari, se ishte rrethuar Prekazi!… E, daja Vesel ua kthen: Çka po rrini këtu si gratë e këqija!… Merret vesh me shokët e tij (Abdullahun, Zenën, Muslinë, Shaqën, etj.) dhe kthehet në Açarevë, ku edhe i merr armët dhe menjëherë niset për Prekazin e Legjendarit Adem Jashari. Atje, arrijnë rreth orës 09:30, lufton tërë ditën dhe diku mes orës 15:00-16:00, një njeri i LDK-së i qet në pritë, duke i thënë grupit të Vesel Selimit, se “e dinte një udhë ku nuk do të binin në pritë ngase edhe ai ishte i Prekazit dhe e njihte mirë terrenin. Por, kur dalin krye një are, hetohen nga forcat policore serbe që kishin hyrë në fshat dhe kishin zënë pusi rrëzë një mali, të cilat, menjëherë, shtien nga autoblinda dhe plagoset rëndë Vesel Selimi, duke i lënë aty krahun e djathtë dhe dy nofulla dhëmbësh (të poshtmen me katër dhëmbë e të epërmen me pesë dhëmbë), bërë fije-fije nga predhat e autoblindave serbe…
Duke qenë në vështirësi të madhe, me krahun e bërë fije-fije dhe me gojën plot gjak, në pamundësi që të flasë dhe në pafuqi që t’i bartë edhe armët, tenton ta fusë kokën në dy shtëpi, në Lagjen e Mehajve të Prekazit, por, nuk gjen strehim, dhe, siç më tregoi daja im, Vesel Selimi: “Nuk mundja të flisja, po, vallahi, me ta thënë të drejtën, më shumë më ka dhimtur dora e shëndoshë kur me dhashin (jepshin) vërvishtë, sesa dora e plagueme, e bërë fije-fije, se, me folë nuk mujsha!… Një helikopter i forcave policore serbe më përcillte vazhdimisht nga lart. Jam nisur pastaj në drejtim të shkollës së Prekazit, ku më kishte zënë pritë Milicia serbe dhe kur më kanë kapur (zënë), në Prekaz të Epërm, më kanë sharë dhe më kanë goditur me kondak pushke (duke menduar se unë jam Adem Jashari), ku, ma kanë thyer mollëzën dhe ballin. Më kanë futur në një autoblindë dhe me kanë çuar në Spitalin e Mitrovicës, por, kur e kanë parë gjendjen time tepër të rëndë, më kanë nisur menjëherë për Spitalin e Prishtinës, të shoqëruar me milicë të armatosur serbë dhe me forca shtesë të Milicisë serbe…
Më kanë vendosur në Klinikën Maksillofaciale, ku më ruanin nga dy policë të armatosur, me ndërrime, njëzetekatër orë të plota”…
Ndërkohë, tek unë, në Prishtinë, vjen daja Ilaz (Ilaz Selimi, nipi i Vesel Selimit) dhe më njofton se si është puna me Bacin Cel (siç e quanin dajën Vesel të gjithë ata që ishin më të rinj në familjen SELIMI)… Pastaj, Cel e quanim të gjithë!…
Po, çfarë mund të bënim ne asokohe, në ato rrethana shtetrrethimi e lufte të dyfishtë antishqiptare, serbo-jugosllave e shqiptaro-titiste?… Gjëja e parë që kam bërë pas bisedës me dajën Ilaz, ka qenë krijimi i mundësisë që të krijojmë kontakte të çfarëdoshme me të plagosurin tonë familjar në luftë kundër forcave pushtuese të Serbisë fashiste e gjakatare.
Ishte vështirë asokohe që të kishe besim edhe te shqiptarët, e, lëre më te shqiptaro-titistët!… Por, duhej biseduar me shokë dhe me miq, duhej qarë hallin, për njeriun tonë, çdo shqiptari… Njeriu i parë me të cilin bisedova dhe ia sqarova rastin e dajës Vesel, qe shoku dhe miku i im, Ekrem Guri, nga Kaçaniku, i cili, asokohe, punonte në Barnatoren III, në qendër të Prishtinës. Prej tij kërkova, që, nëse kishte ndonjë lidhje të sigurtë në Spitalin e Prishtinës, të më drejtonte pa hile e pa dorëza. Ekremi, më këshilloi që të shkoja të bisedoja me Dr. Osman Sejfinë, të cilin e kishin larguar serbët nga Klinika Maksillofaciale dhe asokohe punonte në Dardani, në Klinikën e parë private, në “Galaksi”. Ekremi më tha: “Dr. Osmani duhet të ketë lënë lidhje të tijën atje dhe është njeri i sigurt.”
Neve, siguria na duhej më shumë se gjithçka tjetër. Vajta tek “Galaksia” dhe e kërkova Dr. Osman Sejfinë. Një motër, pasi i tregoi se e kërkonte dikush, më shoqëroi deri në kabinetin e tij të punës. Për herë të parë takohesha me Dr. Osmanin. Edhe ai me mua. I tregova se më ka çuar Ekrem Guri dhe i tregova hallin që kishim, e, nëse kishte dikë në Klinikën Maksillofaciale që do të mund të na ndihmonte për “rastin” e dajës Vesel…
Dr. Osmani, më tha: “Po, e kemi një doktoreshë të sigurtë atje, dhe, disa motra. Shko kërkoje dhe kontakto me të. I thuaj se të kam dërguar unë. Ishte fat i madh për mua që e kisha letërnjoftimin e Prishtinës, më të cilin kamuflohesha më lehtë e më mirë. Pa humbur kohë, vajta në Klinikën Maksillofaciale. E kërkova Dr. Fëllanëza Gjinollin. Iu prezentova se kush isha dhe se te ajo shkoja me rekomandim të Dr. Osman Sejfisë. Shkaku ishte i qartë: E kam një dajën tim të plagosur rëndë, këtu, që është plagosur në Prekaz, ku është zënë nga forcat policore serbo-jugosllave dhe ruhet nga policë serbë…
Isha i vetmi njeri që e kam vizituar dajën tim, Vesel Selimi, në Klinikën Maksillofaciale të Spitalit të Prishtinës, falë lidhjeve që kisha krijuar me mund e rrezik të madh për jetën, shokët dhe familjen time. Pasi Dr. Fëllanëza fitoi një besim me mua, sa herë që shkoja ta shihja dajën tim, ajo, pa humbur kohë, dilte në korridor të Repartit (të më shoqëronte), e çonte një nga motrat për ta “kontrolluar” (me rekomandim që të dilte në korridor, ta ndezte një cigare, se kishte ardhur dikush ta shihte). Pas tij dilnin edhe dy policë të armatosur deri në dhëmbë, që i rrinin nga të dy krahët. Derisa qëndroja përballë tij me Dr. Fëllanëzën, shikoheshim dhe e “vidhnim” njëri-tjetrin me bisht të syrit ose shikoheshim shumë shkurt (për të mos u hetuar prej policëve serbë që gjithmonë i rrinin te koka), pa guxuar të komunikonim mesvete. Po më duket po e shoh dajën tim, Vesel Selimin, e “hëngërte” duhanin nga marazi se nuk mund të bisedonim… E, unë, mburresha me të dhe me veprën e tij shqiptare, ademjashariane!…
Shumë shpesh, vinte daja Ilaz dhe interesohej për dajën Cel. Një ditë më thotë: “Nipash! Duhet ta gjejmë një lidhje, disi, që t’ia mundësojmë familjes që ta vizitojë Bacin Cel!”… Kjo punë ishte mesele tjetër. Asokohe, mund t’i “shfrytëzonim” vetëm njerëzit që kishin lidhje të forta me ta (me serbët) dhe me shërbimet e tyre antishqiptare. Për këtë qëllim, e takova Prof. Fehmi Aganin (me të cilin njihesha), në Barakën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ia tregova rastin fije e për pe dhe ai më dëgjoi me vëmendje. Ma propozoi avokatin Bajram Kelmendi, për të ndihmuar në këtë rast, për t’ia mundësuar familjarëve Selimi, për ta vizituar dajën Cel…
Duke i ditur bëmat e mëparshme e të liga të avokatit Bajram Kelmendi, profesor Aganit, i thashë: Jo, profesor. Ai (B. K.) nuk vjen në shprehje të ndërhyjë në këtë rast. Por, profesori, me dëshirën e tij që të na ndihmojë në këtë rast, më tha: “Ka edhe një njeri që mund të ndihmojë për këtë rast”. Kush dhe cili është ai?, e pyeta profesor Aganin. Ai, më këshilloi që të shkoja në gazetën “Rilindja” dhe ta takoja Zenun Çelajn, gazetar dhe redaktor. Shkova në katet e gazetës, në Pallatin e Shtypit “Rilindja”, ku edhe punoja (në katin IX). E takova Zenunin dhe i tregova se kisha shkuar te ai me rekomandim të profesorit Fehmi Agani. Ia sqarova rastin në tërësi, dhe, edhe ai ma propozoi avokatin Bajram Kelmendi.
– Jo!, i thashë unë, edhe profesor Agani ma propozoi avokatin Bajram Kelmendi, por, ai nuk vjen në shprehje të ndërhyjë këtu. Nëse ke ndonjë njeri tjetër që mund të na ndihmojë, ma thuaj. Zenuni, u mendua paksa dhe më tha: “Është edhe një njeri që mund të ndihmojë në këtë rast dhe ai është Fazli Bala, avokat shumë i njohur pas Bajram Kelmendit. Pasi që, asokohe, avokatin Fazli Bala nuk e njihja, pranova që t’i shohim mundësitë e ndihmës së tij.
Gazetari, Zenun Çelaj, më tregoi se ku i kishte zyrat Fazli Bala, për të cilin nuk e kisha asnjë ide se si mund të na shkonin punët. Ndërkohë, erdhi daja Ilaz (Selimi) dhe e njoftova se kisha biseduar me profesor Aganin dhe me Zenun Çelajn, dhe, ky i dyti ma kishte propozuar avokatin Fazli Bala, për të na ndihmuar për rastin konkret. U morëm vesh me dajën Ilaz (i cili ishte promotori kyç i kësaj çështjeje, tok me mua dhe me lidhjet që i kisha krijuar mbrenda Spitalit) që të shkonim të bisedonim me avokatin Fazli Bala.
Te avokati Fazi Bala shkuam unë (Tafil Duraku), daja – Ilaz Selimi dhe morëm edhe gazetarin A. K., si shok që e kishim.
Me Fazli Balën fola unë. E njoftova se më kishte dërguar Zenun Çelaj. Pasi u ulëm, sipas rendit, u prezentova: Unë jam Tafil Duraku, i thashë, ky është daja im, Ilaz Selimi dhe ky është shoku i ynë. A. K. Kemi ardhur për këtë qëllim, dhe, mundësisht, të na ndihmoni që dajës, Vesel Selimi, t’i mundësohet që ta vizitojnë anëtarët e familjes së ngushtë!…
Fjala e parë që na e tha avokati Fazli Bala, qe: “Duhen shumë para!” dhe, më vonë, e përmendi edhe shifrën prej 50 mijë DM!… Debatin me të e nisa unë, duke i thënë se daja im nuk kishte luftuar atje për mendje t’madhe, as për punë të ndyra, por, kishte luftuar krah një familjeje shqiptare, vepër që do të duhej ta bënte secili shqiptar!…
– “Ju, paskit ardhur të më provokoni dhe kush ju ka çue juve të më provokoni mua!”, tha avokati… E pamë ashiqare, se, na u prishen simitet!…
E pamë se nuk ishte rendi që të kryenim punë dhe për të mos u acaruar më gjendja, dolëm prej zyrës së tij të avokaturës, në Kompleksin banesor “Qafa”, ose, siç quhej ndryshe: Aleja e Shpëtimtarëve (lexo: shkërdhimtarëve) të Kombit, në Prishtinë.
U ndamë shumë të zhgënjyer prej tij dhe e diskutuam gjithçka së bashku, mandej, ne të tre që ishim në Zyrën e tij të avokaturës.
Në Klinikën Maksillofaciale, lidhjet tona funksiononin siemëmirë! Nga mbrenda Spitalit gumëzhinte gjithçka, si në koshere bletësh, për ta shpëtuar luftëtarin e radhëve të para e bashkëluftëtarin e parë të Adem Jasharit, veteranin e dyfishtë të luftës për liri e për Shqipëri, dajën, Vesel Selimin.
Ditët kalonin të rënda e plot ngarkesa, nga më të ndryshmet. Preokupim kryesor i yni ishte që ta ndihmonim dajën Cel!…
Papritmas, një ditë prej ditësh, milicët që e ruanin Vesel Selimin, me një mashtrim, ishin larguar nga klinika dhe Daja Vesel e kishte shfrytëzuar “rastin” dhe kishte zbritur në fund të shkallëve të hyrjes në Klinikë, ku bënte roje një Rexha. Ndërkohë, shkon daja Ilaz me një shok të tij, Refki Krasniqi, i cili, atë ditë, për fat, me makinën e tij e kishte sjellur dajën Ilaz në Prishtinë.
Pa humbur kohë, e fusin në veturë dhe nisen e vijnë para Pallatit të Shtypit “Rilindja”… Vjen daja Ilaz te unë, në katin IX të Pallatit, m’u duk se i qeshte fytyra prej një gëzimi që s’ma thoshte… Më njoftoi se: “Bacin Cel, e kemi në veturë, po çka të bëjmë, ku ta vendosim?”… Meqë duhej të vendosnim shpejt dhe pa humbur kohë, unë, si nip i tyre, i thashë: Ku të dush. Ku të kemi siguri më të madhe e çojmë. Dajo, për siguri më të madhe se te nipi i juaj nuk keni askund, por, halli është se unë jam në banesë me qira dhe kam vetëm dy dhoma. Rreziku është i madh dhe i paparashikuar edhe për familjen.
Më në fund, shumë shpejt, vendosëm që daja Vesel të vendosej në “shtëpinë time”. Nga Pallati i Shtypit “Rilindja”, dolëm së bashku me dajën Ilaz. Përpara Pallatit na priste makina e Refki Krasniqit, me dajën Vesel në të, mbuluar me batanije!… Fatmirësisht, e futëm mbrenda në shtëpi, pa na parë njeri!…
Meqë, asokohe, shoqja ime ishte studenteshë e vitit të tretë e Fakultetit të Mjekësisë, kujdesej shumë për dajën Vesel, edhe pse vajza ishte një vjeçe e ca muaj. Ajo, kënaqej së lozuri me gjipsin e dajës Vesel, që ia mbulonte krejt trupin, në shokë e lart…
Në “shtëpinë time” vinin pa pushim dajat e mi dhe mirë që vinin, por, vinin edhe të tjerë dhe ardhja e tyre mund ta dekonspironte çështjen tonë dhe rrezikoheshim jashtë mase edhe për gabimin më të vogël…
Dajën Vesel, asokohe, e kishin operuar shumë keq dhe e kishin lënë keq qëllimshëm mjekët serbë të Klinikës Maksillofaciale, në Prishtinë, ku ishin vendosur masat e dhunshme serbe, nën drejtimin e njëfarë Sllobodan Miliçit, si shef i Repartit.
Duke e parë rrezikun që i kanosej shëndetit të tij, vajta te “Galaksia” dhe e kërkova Dr. Osman Sejfinë, e luta që të vinte dhe ta vizitonte dhe të na tregonte se çfarë të bënim. Dr. Osmani erdhi pa përtesë. E kishte marrë me vete edhe Dr. Shpëtim Robajn. I bëri një vizitë profesionale, prej maksillofacialisti të njohur dhe më tha: “Tafil, në shtëpinë tënde nuk kemi kushte që ne të bëjmë çkadoqoftë. Në “Galaksi”, nuk guxojmë, sepse, rrezikohemi të gjithë. Prandaj, mundësia e ndërhyrjes tek Veseli është vetëm dalja e tij jashtë vendit! Ka nevojë edhe për një ndërhyrje kirurgjikale!”…
Strumbullari i ikjes së Vesel Selimit prej Kilinkës Maksillofaciale të Spitalit të Prishtinës, është autori i këtij shkrimi dhe lidhjet e tij me stafin mjeko-shqiptar, me në krye Dr. Fëllanëza Gjinollin dhe motrën Fana Ukaj, etj. Edhe kontributi i motrave dhe stafit tjetër shqiptar aty, për këtë rast, është shumëfish më i madh, sidomos, për ndihmesën e tyre të pakursyer, me punën e tyre prej shqiptaresh të vërteta, i bënë nder e lavdi vetes, doktoreshë Fëllanëza dhe motrat Fana Ukaj, Shqipe Kamberi, Hatixhe Ukhaxhaj, Hava Sylejmani dhe shërbyesja (gjellëbërësja) Qamile Haziri.
Një hallkë kyçe e këtij kujdesi ka qenë edhe roja i quajtur Rexha (nuk ia di mbiemrin), i cili, kur erdhi me pa për vdekjen e dajës Sokol Selimi, që e humbi jetën në aksident komunikacioni (pas lufte), për çka ishte marrë vesh me dajën Vesel, para të gjithëve, tha: “Unë, këtu, po e njoh vetëm këtë burrë!”, duke bërë me dorë nga autori i këtij rrëfimi autentik ekskluziv, bërë për herë të parë publik, për rastin e ikjes së dajës Vesel Selimi, nga Spitali i Prishtinës.
E bëmë një plan në shtëpi, që, kurdo që të dëgjonim hapa që zbritnin poshtë shkallëve, drejt hyrjes sonë, dajën Vesel ta vendosnim në dhomën tjetër, që të mos hetohej prania e tij. Dhe, kështu vepruam vazhdimisht. Por, levizjet e shumta e të shpeshta, të vizitave (edhe të panevojshme), e kishin rrezikuar dekonspirimin tonë.
Pas shumë ditësh, nga djali i pronarit të shtëpisë ku banoja, B. I. (nga Presheva), u zumë me “pelë për dore”. Ai, kishte ardhur tinëzisht dhe vetëm kur e dëgjuam trokitjen e tij në derën e dhomës ku rrinim. I thamë të hynte, kushdo që ishte, sepse, s’kishin tjetër rrugëdalje. Kur e hapi derën, Bashkimi, kur e pa dajën Vesel të tërin në gjips, u step në derë. I thashë të hynte, sepse, ky është daja i im… Pasi e larguam dajën Vesel, Bashkimi u tregua i lig, më përzuri nga shtëpia e tij, duke më dhënë një javë afat, dhe, shkaku, sipas të gjitha gjasave, ishte “ilegali”, daja i im, i plagosur në luftë me serbët, në Prekazin legjendar të Hamëz e Adem Jasharit.
Ndërkohë, kur daja Vesel ishte i strehuar tek unë, në Gjermani vdiq daja Shaban, vëllai i dajës Vesel (dhe babai i Komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi). Dajës Vesel i duhej të qëndronte në të Pame, në Açarevë. Ishte i tëri në gjips (siç shihet në fotografinë tonë që e shoqëron këtë shkrim dëshmi ekskluzive, në “shtëpinë” e Tafil Durakut). Nga pasiguria për të thirrë mjekë profesionistë, për t’ia hequr gjipsin, vendosa që atë punë ta kryej vetë. Mora një sharrë për prerjen e hekurit, dhe, me ndihmën e një shipke prej druri (duke e futur mes gjipsit dhe krahut), e lirova dajën tim nga një “barrë” e rëndë dhe e mundimshme. Por, shqetësimi i im u rrit, kur daja bëri një banjo, sepse, kishte muaj që s’ishte pastruar i tëri dhe gjipsi e kishte bërë punën e vet, thashë më vete: E rrou dreqi, i ngjiti! Sepse, u zbeh dhe u ligështua fare… Erdhi tezaku Miftar Krasniqi dhe pasi u siguruam mirë se nuk do të njihej dhe vërehej nga askush, të tre u nisëm këmbë drejt Stacionit të Autovusëve, në Prishtinë.
I shoqërova deri sa hipën në autobus, duke i këshilluar që të kishin kujdes deri sa të arrinin në Açarevë. Një kohë, daja Vesel ka qëndruar edhe te vëllai im, Haziri, në Burojë.
Dhe, pasi u krye e Pamja për dajën Shaban, daja Destan, vëllai i madh i dajës Vesel, e organizon qitjen e tij jashtë. Pastaj, ia qesin edhe anëtarët e tjerë të familjes, gruan me fëmijët, në Gjermani, ku edhe operohet për herë të dytë. Por, dajës tim luftëtar, kur fillon lufta, nuk i rrihet më në Gjermani. Para tij kthehet djali i tij gjashtëmbëdhjetë vjeç, Elbasani, së bashku me Naimin (djalin e vogël të dajës Destan), e, pas tyre vjen edhe Komandanti i vetëm i kohës së 30 Dhjetorit ’91 i Adem Jasharit, Vesel Selimi, i cili është veteran i dyfishtë i luftës për liri e për Shqipëri.
Nuk shkrova deri më tash, duke menduar se dikush do ta thotë të vërtetën si është, por, jo. Emrin tim e ka lakuar Prof. Dr. Osman Sejfija, në një intervistë dhënë gazetës së AAK-së. Pastaj, e ka përmendur edhe historiani Ibrahim Çitaku, në librin e tij, e ka thënë vitin që shkoi edhe Vesel Selimi, në emisionin e RTK-së, “Pa rrotlla”, të Milaim Zekës. Të tjerët që po shkruajnë “histori”, jo. “Historianët” tanë janë në zor t’i vjedhin rrëfimet autentike dhe joautentike të dëshmitarëve dhe të “dëshmitarëve”, janë në zor të madh t’i vjedhin edhe autorësitë e të tjerëve, siç është rasti në librin për Shpëtim Robajn, të Ilaz Metajt dhe Ali Llunjit, kur fotografia e Vesel Selimit me të birin, nuk thuhet e vërteta, se, autor i fotografisë jam unë, autori i këtij shkrimi, “RIPRESS-i” i UÇK-së. Ka edhe plot vjedhje e të pavërteta tjera, që nuk janë object i këtij shkrimi ekskluziv, i këtyre kujtimeve autentike që zbardhen këtu.
E vërteta e plotë është sikurse e them këtu, për herë të parë, me përgjegjësi të plotë morale e kombëtare, për nderim të atyre që nuk janë më në jetë, por edhe për të gjallët e asaj kohe, që i zë ngoje këtu. Ikjen e Vesel Selimit nga Spitali i Prishtinës e kanë ndihmuar mjekët dhe motrat shqiptare, të cilave ua dhurova, në shenjë mirënjohjeje për kujdesin dhe kontributin e dhënë, përmbledhjen me poezi, “Kohë njerkë”, të cilën, sapo e kishte botuar “Rilindja”, më 1992. Më në fund, këtë e pohon edhe vetë Vesel Selimi, daja i im, në një intervistë të shkurtër dhënë ditë më parë, për indeksonline, si kundërpërgjigje Ramiz Lladrovcit.
Po, çfarë kujtoj unë, sot? Çfarë kujtojnë doktoresha Fëllanëza dhe motrat e tjera për këtë rast të jashtëzakonshëm mburrjeje, krenarie e fisnikërimi shqiptar. Më kujtohet një bisedë me motër Fanën, kur më tha: “Njerëz si daja Vesel duhet mbajtur dhe kujdesur për ta si për pëllumbat!”… Po e rikujtoj këtë thënie të asaj burrneshe e fisnikeje të paparë, pasi që nuk është më në jetë. Por, me doktoreshën Fëllanëza, takohemi herë-herë në Kilinikë dhe e rikujtojmë atë kohë të vështirë e të shkuar. Ndërsa, ajo kujton një rast dhe më thotë: “Kur e bëra raportin për Veselin, e përshkrova me një saktësi të madhe, e, kur e pa shefi i dhunshëm i Klinikës Maksillofaciale, Dr. Sllobodan Miliçi, më tha: Nuk ke pasë nevojë t’i përshkruash kaq hollësisht rrugët e përshkimit të predhave dhe plagët…” Ndërsa, motra Shqipe, kur e kujton “rastin” e dajës Vesel, thotë: “Sa herë më kujtohet Veseli, më duket sikur i kam milicët serbë me tyta automatikësh në shpinë, sepse, kjo na ndodhte sa herë e çonim Veselin edhe në kontrolle dhe për analiza të ndryshme”…
Por, ajo që shtroj unë për zbardhje, sot, është: Ku tretën armët e Vesel Selimit, pas plagosjes së tij?…
Vërtetë, këto ishin kohë të rënda, për çka sot mund të flasë vetëm një pikëçuditëse e madhe!…
Pra, autori i këtij shkrimi autentik ekskluziv (me shokë dhe me shoqe), i kësaj dëshmie unike, është strumbullari i vënies në lëvizje të gjithçkaje që ka të bëjë me ikjen e Vesel Selimit nga Klinika Maksillofaciale e Spitalit të Prishtinës dhe me mbajtjen (strehimin) e tij në shtëpi. Por, e vërteta është se kur luftonim ne, të gjithë ishim shokë dhe luftëtarë, që për program zbatonim e zbatojmë Programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe atë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç na mësoi Xhaxhi Enver Hoxha, e, prej se na i bënë “komandantë” disa, po shihet se ku kemi rënë, e, nuk po e dimë se ku do të ndalemi (përfundojmë)!…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura