TAHIR GECAJ: NË PRANVERËN 1981 NIS RRËNIMI JUGOSLLAVISË (I)

 Në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, nisin Demonstratat e rinisë studentore të Prishtinës, të cilat, siç treguan ngjarjet e më vonshme, nuk ishte kurrfarë rastësie as e papriture, edhe pse në dukje të parë, asaj mbrëmjeje, një grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, gjatë marrjes së darkës në mensën e studentëve, të pakënaqur me cilësinë e ushqimit, i kishin thyer ca pjata dhe e kishin hudhur darkën e përgatitur. Pra, një pakënaqësi, në dukje e rastit, e shprehur me revoltë e thyerje orendish, ishte përkrahur nga shumica e studentëve shqiptarë, që kishin pritur radhën për të marrë ushqimin. Dhe, nga aty, kishte filluar grumbullimi i studentëve, me ç`rast ishte shfaqur ideja për të dalë me kërkesa për kushte më të mira jetësore, dhe për të demonstruar nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës.
 1. Rrethanat që përshpejtuan kryengritjen shqiptare
Shteti jugosllav në fillim të viteve të tetëdhjeta ishte përfshirë nga një krizë e thellë, e cila, pos vështirësive të natyrës ekonomike, manifestohej edhe me një rënie morale të të gjitha strukturave të një sistemi të shthurur, që shkonte gjithnjë e më shpejt drejt dezintegrimit përfundimtar. Paskënaqësia e popujve të atij shteti manifestohej kudo, qoftë me ndërprerje të punës në formë grevash, qoftë me mosmarrëveshje të natyrës ndërnacionale, në të cilat, e, mbi të gjitha, hetohej lufta e klaneve dhe grupacioneve kombëtare për pushtet dhe për ndikim më të madh në organet e federatës. Ashpërsimi kishte arritur kulmin sidomos mes klaneve udhëheqëse serbe, kroate e sllovene. Klani serb, si më i madhi për nga numri në organet e Federatës, por edhe në organet udhëheqëse të republikave të tjera dhe të dy krahinave, ishte në ofensivë. Ai e kishte shtuar aktivitetin për arritjen e qëllimeve serbo-mëdha dhe, periudhën pas Titos, e shihte si shansë të madhe për arritjen e qëllimeve serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe”.
Kuadrot serbe brenda udhëheqjes së lartë jugosllave, e kishin shtuar presionin. Ato, madje, qysh para aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, ia kishin bërë të qartë udhëheqjes jugosllave se nuk ishin të kënaqura me avansimin e pozitës kushtetuese të të dy krahinave autonome, e në veçanti të Kosovës. Dy vite pas aprovimit të Kushtetutës, e kishin vënë në ullim pamfletin e ashtuquajtur „Libër i kaltërt“, me të cilin minoheshin ndryshimet kushtetuese. Ai pamflet do të shërbejë, kohë më vonë, si bazë për Memorandumin e mëvonshëm të Akademisë së Shkencave serbe, e cila, e përkrahur nga makineria e shtypit dhe nga politika zyrtare, qe venë në funksion të realizimit të politikës ditore me synim të krijimit të “Serbisë së Madhe”, sipas modelit të “Serbisë mesjetare”. Në vazhdën e betejës për t`i arritur qëllimet për “Serbinë kudo që gjendej një varr serb”, ata vepronin sipas parimit: ”Sa më keq (për të tjerët) aq më mirë (për serbët)”, duke qenë të vetëdijshëm se kuadri udhëheqës në armatën e Jugosllavisë, përbëhej me mbi 70 për qind nga serbët, dhe se ai kuadër e mbështeste politikën serbe për të dominuar mbi popujt tjerë të atij shteti. Kriza dhe konfuzioni i krijuar nga veprimet e udhëheqjes serbe në tërë shtetin, në mënyrë të veçante reflektohej në Kosovë, nga se ajo ishte synim i kahmotshëm serb. Aty gërshetoheshin në mënyrën më të ashpër të gjitha problemet.
Veprimet e para të pazakonshme për ambientin dhe traditën shqiptare, u shfaqën me rrënimin dhe dëmtimin e ca varrëzave serbe në komunën e Vushtrrisë. Ato veprime vandaliste, shtypi dhe propaganda serbe, në mënyrë kuturu, ua vuri për barrë shqiptarëve, duke i cilësuar si vepra të „nacionalistëve shqiptarë“, ndonëse as më parë e as gjatë atyre ditëve nuk ishin dhënë argumente që shqiptarët të kishin rrënuar varre. Dhe, pa dyshim, rrënimet e tilla patën krijuar huti në opinionin kosovar. Populli nuk e kishte të qartë faktin se veprimet e tilla ishin pjesë e strategjisë së udhëheqjes serbe për t`i destabilizuar rrethanat në Kosovë, se ato veprime orientoheshin nga udhëheqja e lartë serbe, se ato rrënime inskenoheshin nga shërbimet sekrete serbe për të krijuar situata tendosëse, të cilat mund të shërbenin si shkas për inicimin e rrënimit të pozitës kushtetuese të Kosovës, si Elemet konstituiv i Federatës. Propaganda serbe, në mbështetetje të veprimeve të tilla, kishte arritur të krijojë opinionin brenda shtetit jugosllav se shqiptarët bënin presion mbi popullatën serbo’malazeze për t`i shpërngulur nga Kosova. Por, ajo ishte vetëm një anë e medaljes, nga se gjendja ishte para vlimit edhe në aspektet tjera.

Mensa e studentëve, prej ku më mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, nisin Demonstratat e rinisë studentore të Prishtinës.

Në rrethana të tilla, në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, nisin Demonstratat e rinisë studentore të Prishtinës, të cilat, siç treguan ngjarjet e më vonshme, nuk ishte kurrfarë rastësie as e papriture, edhe pse në dukje të parë, asaj mbrëmjeje, një grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, gjatë marrjes së darkës në mensën e studentëve, të pakënaqur me cilësinë e ushqimit, i kishin thyer ca pjata dhe e kishin hudhur darkën e përgatitur. Pra, një pakënaqësi, në dukje e rastit, e shprehur me revoltë e thyerje orendish, ishte përkrahur nga shumica e studentëve shqiptarë, që kishin pritur radhën për të marrë ushqimin. Dhe, nga aty, kishte filluar grumbullimi i studentëve, me ç`rast ishte shfaqur ideja për të dalë me kërkesa për kushte më të mira jetësore, dhe për të demonstruar nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës.
Mllefi i shfaqur në mensë gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, jo më vonë se një orë më pas, në një demonstratë të fuqishme. Turma e studentëve, duke brohoritur: „Kushte më të mira jetësore!“, „Kushte!, Kushte!“, derdhet rrugëve e shesheve të Prishtinës për t`u ndalur para institucioneve politiko-administrative: Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve. Rrjeshtave të studentëve iu bashkohen të rinjtë e shkollave të mesme të turnit të pasdrekës, si edhe një numër i madh qytetetarësh, që kishin qëlluar në qëndër të qytetit apo që ishin informuar për grumbullimin dhe daljen e studentëve në rrrugë. Dhe, siç do të vërtetohet më vonë, nuk ishte ai vetëm fillim i shfaqjes së pakënaqësisë së rinisë studentore shqiptare përmes demonstratave, por, përkundrazi, ishte ai fillim i përfundimit të „Perandorisë jugosllave“, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në Londër e Versajë për t`u modifikuar më vonë si Jugosllavi e Jajcës, e, për më tepër, edhe përfundim i gjithmonshëm i gënjështrave dhe mashtrimeve brendashqiptare mbi gjoja zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të tyre në Jugosllavinë e asaj kohe, gënjështra ato që i kishte shpërndarë, vite me radhë, makineria e fuqishme propagandistike jugosllave, duke marrë si bazë mbështetëse gjoja frytet e revolucionit popullor: “Vëllazërimin, bashkimin dhe bashkëjetesën mes popujve”.
2. Kërkesë unike – pavarësimi nga Serbia
Periudha 15 ditëshe mes Demonstratave të 11 dhe 26 Marsit 1981, mbetet ndër më të rëndësishmet, shikuar nga aspekti i mënyrës së organizimit të palëve të konfrontuara: grupeve ilegale shqiptare, që vepronin nga ilegaliteti i thellë, e të dobësuara nga burgosjet e herëpashershme, të cilat me fillimin e Demonstratave të 11 Marsit 1981, e panë shansin për ta rritur ndikimin në masat e gjera dhe për ta ngritur popullin shqiptar rreth kërkesës për Kosovën – Republikë; shërbimeve sekrete jugosllave, për të cilat thuhej jozyrtarisht se brenda Kosovës vepronin së pakut pesë sosh, që kishin infiltruar dhe aktivizuar, po ashtu shumë agjentë për t`u dhënë demonstrave kahjen e dëshiruar; shërbimeve të huaja informative, të cilat, pa dyshim, nuk rrinin duarkryq, nga se qysh në vitin 1979, një qëndër e huaj informative me ndikim, e kishte parashikuar Kosovën si qëndër të mundshme të turbullirave të mëdha të karakterit ndërnacional, që do të mund të çonin deri në konflikte të pakontrolluara në tërë Ballkanin e edhe më gjerë, si dhe faktorit kryesor – populli shqiptar mbi dy milionësh, që dëshironte të bëhej zot i vetës dhe i lirisë së vet.
Gjatë asaj periudhe dy javore, forca e popullit shqiptar do të dominojë mbi të tjerat, për të ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën e ngjarjeve që priteshin, ngjarjeve me të cilat, siç u vërtetua më vonë, filloi epoka e unitetit real kombëtar lidhur me domosdonë e pavarësimit nga Serbia. Përkundër indikacioneve, që bëjnë me dije se shumë faktorë pretenduan të kenë gisht në Demonstratat e mëdha të vitit 1981, pjesëmarrja masive e faktorit popull, me të gjitha strukturat, të të gjitha moshave dhe pa dallim gjinie, do të jetë ai që do t`ua japë vulën e përgjithmonshme dhe do t`i cilësojë, si kryengritje të përgjithshme popullore, që rrezistoi aktivisht me mjete paqësore kundër politikës antishqiptare, që udhëhiqte shteti jugosllav. Pra, organizatori kryesor i Demonstratave të vitit 1981 ishte dhe mbeti populli shqiptar dhe vetëdija e tij politike për të qenë i lirë dhe i pavarur, vetëdije ajo e krijuar gjatë përpjekjeve e luftrave shumëshekullore, qoftë për të ruajtur qenien dhe individualitetin e vet kombëtar, qoftë për t`u çliruar dhe për të krijuar shtetin e vet në tokat dhe trojet etnike shqiptare.
Inteligjenca shqiptare e Kosovës ishte ajo që, ngadal por sigurt, kishte krijuar vetëdijen ndër gjeneratat e reja se shqiptarët e Kosovës me vise duhej të çliroheshin nga okupimi serbo’malazez njëherë e përgjithmonë; ishin me mijëra mësues e mësuese shqiptare të të gjitha niveleve shkollore, anë e kënd Kosovës, ata që, para e pas pas vitit 1966, i ushqyen gjeneratat e reja me gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën kombëtare, duke e vënë në funksion të formimit të gjeneratës së re krijimtarinë e rilindësve, pra, ata me punën edukativo’arsimore dhe sakrificën e tyre e fisnikëruan qenien e gjeneratave të reja dhe e përgatitën rininë studenteske e shkollare në rrafshin kombëtar, për të dalë në shesh rezultatet e asaj pune dhe sakrifice pikërisht në pranverën e vitit 1981; ishin kuadrat e specializuara, që vepronin në institucionet pedagogjike, në entet e botimeve të teksteve shkollore e kudo tjetër, ato që në rrethanat e presionit të vazhdueshëm politiko’ administrativ serbo’jugosllav, kishin arritur t`i pasuronin plan’programet mësimore të të gjitha niveleve shkollore me përmbajtje kombëtare; ishte pra, vetëdijësimi kombëtar gjatë procesit edukativo’arsimor, si edhe edukimi tradicional kombëtar, si shkollë specifike kombëtare mbi domosdonë e daljes nga robëria serbe, ndër faktorët kryesorë, që Demonstratave të vitit 1981 u dhanë orientimin kombëtar, orientim ai që u manifestua qoftë me pjesëmarrjen masive të të gjitha strukturave shoqërore në demonstrata dhe me përkrahjen unanime të kërkesës për Kosovën’Republikë, qoftë me dislokimin e tyre nga Prishtina në të gjitha qytetet dhe në shumicën e komunave të Kosovës, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni.
Jo njëherë, gjatë atyre ditëve të mëdha kombëtare, ndodhi që në radhët e para të demonstruesve të viheshin të rinj e të vjetër, punëtorë e fshatarë, e, madje edhe gra shtëpiake e eintelektuale. Gjatë 1 prillit 1981, si në Prishtinë ashtu edhe në qëndrat tjera, të rinjtë nuk qenë vetëm. Populli ishte me ta gjatë ballafaqimeve me aparatin represiv serbo’jugosllav, ndërkaq në mbrëmjen e asaj dite, kur makineria ushtarako’policore bëri përpjekje ta bllokojë turmën e demonstruesve, që përbëhej prej më shumë se 100 mijë vetave në qëndër të Prishtinës, populli, pavarësisht nga përbërja klasore e sociale, ua hapi dyert të rinjve demonstrues, që makinëria ushtarako’policore serbe, u përpoq t`i masakrojë. Përkrahja masive e popullit ndaj demonstruesve,la të kuptohet se demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, hapën një kapitull të ri të luftës politike, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha strukturat shoqërore shqiptare në një front lufte, bazat e të cilës ishin vënë qysh me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
3. Gjeneza e idesë për Republikën e Kosovës
Ideja e ngritjes së statusit të Kosovës në republikë, që do të ndryshonte edhe statusin e shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb të barabartë me popujt tjerë të RSFJ’së, e mbizotëronte vetëdijen e shumicës së inteligjencës shqiptare të Kosovës, që nga gjysma e dytë e viteve të `60’ta të shekullit të shkuar. Prandaj, pikërisht ajo vetëdije kombëtare e nxiti një pjesë të inteligjencës shqiptare të Kosovës për të dalë me kërkesën për avansimin e statusit politik të Kosovës nga qarku autonom në kuadër të Serbisë në Republikë (1) të barabartë me republikat tjera të atij shteti, në tubimet e zgjeruara të komunistëve (aktivet politike) me rastin e diskutimeve për Ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën federative dhe në Kushtetetutën republikane të Serbisë të vitit 1963, së pari ne Gjakovë, më 18-20 gusht 1968, pastaj në Pejë, në Prishtinë, në Deçan, në Gjilan, në Gllogovc, në Mitrovicë, në Prizren etj., por ajo kërkesë nuk ishte përkrahur nga udhëheqjet politike të Kosovës e të Serbisë.
Në fakt, intelektualët shqiptarë kur dolën me kërkesën për Kosovën’Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, ishin të vetëdijshëm se ajo kërkesë ishte ide kompromisi mes qëndrimeve të Rezolutës së Bujanit dhe pamundësisë për realizimin e saj me mjete politike konform rrethanave të brendshme politike, të mbizotëruara nga politika serbe, në bazë të cilave vepronin ligjet e posaçme represive, që vlenin në veçanti për shqiptarët. Prandaj, shikuar nga ai këndvështrim, ideja mbi konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të asaj Federate, ishte hap i një rëndësie të veçantë në aspektin e realizimit në proces të synimeve kombëtare shqiptare, ishte hap që nuk binte ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare mbi vetëvendosjen e popujve e as me qëndrimet e Helsinksit mbi pacenueshmërinë e kufinjve. Pra, në rrethanat kur nuk shihej kurrfarë mundësie reale as për ta shtruar për shqyrtim realizimin e qëndrimeve të Bujanit, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të shkuar, dolën publikisht me kërkesën për Kosovën – Republikë, në kuadër të Federatës jugosllave, realizimi i së cilës do të barte edhe avansimin e statusit të shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb.
Demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë.
Në planin brendashqiptar, ekzistojnë mendime, sipas të cilave del se kërkesa për Kosovën Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, kishte mbështetje qysh në dokumentet e PKJ’ë në prag të Luftës së Dytë Botërore, pasi që ajo udhëheqje kishte folur për krijimin e republikës’unëtore’shatare të Kosovës, duke e konsideruar formimin e saj si një zgjidhje të problemit të popullit shqiptar në ato vise, si edhe në faktin se gjatë luftës kundër fashizmit të gjitha mekanizmat e pushtetit në krijim, që vepronin në Kosovë, ishin të lidhura drejtpërdrejt me forumet qëndrore të PKJ’së, e jo me ato të republikës së Serbisë, prandaj, mendohej se çështja si e tillë – avansimi i statusit politik të Kosovës në Republikë, kishte ekzistuar nën embargo, ndërkaq ajo ishte aktivizuar më 1968, me rastin e diskutimeve për Amandamentet kushtetuese të Kushtetutës Federative të vitit 1974. Poashtu kishte mendime se ideja për Republikën e Kosovës ishte edhe më e hershme, sepse ideja për një lloj autonomie të Kosovës ishte shfaqur edhe në programin e vëllazërve Draga.
Siç është e njohur, kërkesa për Kosovën – Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, e shprehur nga intelektualët shqiptarë në tubimet e hapura të organizatave partiake në pjesën me të madhe të qyteteteve të Kosovës, u dënua në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv te Komitetit Krahinor, mbajtur në Prishhtinë, më 31 gusht 1968’të. Gjatë aktiviteteve të përdishme partiake, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, propozuesit e kërkesave për avansimin statusit të Kosovës në republikë, cilësohen si nacionalistë shqiptarë, por kundër tyre nuk ndërmirren masa administrative. Supozohet se intelektualët, që gjatë tubimeve legale dolën me kërkesën për Kosovën – Republikë të barabartë me njësitë tjera federative, do të dënoheshin për aktualizimin e kërkesave të tilla, që binin ndesh me synimet hegjemoniste serbo’mëdha, po të mos pasonin, në vjeshtën e atij viti, Demonstratat e vitit 1968’të, në të cilat hapur e me guxim, inteligjenca e re kosovare kërkoi që Kosovës t`i njihej statusi i Republikës.
Arsyeja e vërtetë pse pushteti jugosllav në atë kohë u mjaftua vetëm me dënimin e organizatorëve të demonstratave dhe të një numri pjesëmarrësish në to, duke mos i përfshirë në ato grupe edhe intelektualët, që i patën inicuar ato çështje në aktivet politikë (Gjakovë, Pejë etj.,) mbase duhet kërkuar në faktin se udhëheqja jugosllave ishte e shtrënguar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, të krijojë imazh në botë për Jugosllavinë si shtet i vetëm me sistem socialist, i cili gjoja i kishte “qeruar hesapet” me rankoviçizmin dhe se sistemi i saj i filluar, i ashtuquajtur Vetëqeverisja socialiste, kishte orientim demokratik. Pra, si Demonstratat e vitit 1968’të, ashtu edhe Demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, ishin vazhdimësi e përpjekjeve dhe luftrave shekullore për t`u çliruar nga okupimi dhe për ta arritur një shkallë të mëvetësimit, që do të çonte drejt krijimit të Shtetit shqiptar në kufinjtë etnikë.
4. Vlerësimi zyrtar i Demonstratave të 11 Marsit
Demonstratat e 11 Marsit të vitit 1981, sipas vlerësimit zyrtar të udhëheqjes së Kosovës, patën karakter social dhe se shfaqja e tyre ishte rezultat i gjendjes së pavolitshme ekonomike në të cilën kishte rënë krahina e Kosovës, gjendje ajo, që shprehej me tërë ashpërsinë e saj edhe në kushtet jetësore të studentëve shqiptarë. Ishte e rëndë, sidomos gjendja ekonomike e shtresave të mesme të popullsisë, nga të cilat rridhnin shumica e studentëve. Ata ishin të detyruar të banonin në banesa private, ngase kapacitetet e konvikteve ishin të pamjaftueshme në krahasim me numrin e studentëve dhe me kërkesat e tyre për një jetë sado modeste, e cila do t`u mundësonte studim në kushte normale. Por, kushtet e pavolitshme jetësore në konvikte kishin ekzistuar edhe më herët, prandaj ato ishin vetëm një shkas, i cili kishte krijuar situatë të përshtatshme për të dalë me realitetin e heshtur nga trysnia e metodave politiko’administrative mbi pabarazinë e shqiptarëve me popujt tjerë në kuadër të atij shteti. Dhe, ai realitet i heshtur, shpërtheu me tërë forcën, pikërisht në sajë të gatishmërisë së rinisë studentore shqiptare për t`iu kundërvënë sistemit shtypës serbo-jugosllav, dy javë më pas, më 26 mars dhe më 1, 2, 3, e në disa mjedise, edhe më 4 prill të vitit 1981, me demonstrata të mëdha, në të cilat morën pjesë të gjitha strukturat shoqërore, e në veçanti punëtorët e gjigandëve ekonomikë siç ishin Tërmocentralet e Kosovës, Trepça etj., duke dalë me kërkesa të qarta politike për statusin e Kosovës – Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave. Demonstratat pos Prishtinës e qyteteve të tjera të Kosovës, qenë organizuar edhe në Tetovë.
Fakti se mosbarazia sociale mes grupacioneve shoqërore si dhe thellimi i diferencave të zhvillimit ekonomik mes regjioneve të ndryshme në kuadër të një shteti e të një sistemi, siç ishte rasti me thellimin e diferencave në sferën e zhvillimit ekonomik mes Kosovës dhe regjioneve të tjera në Jugosllavinë e asaj kohe, fliste qartë se ajo ishte rrjedhojë e pabarazisë politike. Prandaj, studentët kosovarë të nxitur nga ajo pabarazi, në mbrëmjen e 11 Marsit të vitit 1981, i nisën Demonstratat kundër diskriminimit dhe shtypjes, që ushtronte pushteti jugosllav dhe sistemi i tij politik mbi popullin shqiptar në Jugosllavinë e asaj kohe.
Demonstratat e studentëve shqiptarë shënuan një periudhë të re të përpjekjeve dhe të luftës politike shqiptare, gjatë së cilës, u shënuan rënie e ngritje në kuptimin e krijimit të unitetit politik kombëtar lidhur me realizimin e çlirimit nga okupimi serb dhe arritjes së pavarësisë kombëtare, unitet ai që rreth dy decenie më vonë, solli krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën çlirimtare kundër okupatorit serb gjatë viteve 1997’99, në sajë të cilës dhe me përkrahjen e NAT’os forcat ushtarako’olicore serbe e humbën luftën dhe ikën si humbës nga Kosova.
Vazhdimi i demonstratave të studentëve shqiptarë, më 26 mars dhe më 1, 2, 3 e 4 prill të atij viti, si në Prishtinë ashtu edhe në shumicën e qyteteve dhe të komunave të tjera të Kosovës, paraqitet me intesitet të shtuar dhe më përmbajtje e kërkesa të natyrës politike, që e tejkalonin zgjidhjen e problemeve sociale e të kushteve të jetës e të banimit të studentëve. Kërkesat e shfaqura gjatë 26 marsit dhe ditëve të mëtejme kishin në fakt përmbajtje shumë më të thellë politike se sa kuptohej në dukje të parë. Esenca e atyre kërkesave shtronte dodomsdonë e arritjes së lirisë, barazisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve adekuat me ato të popujve të tjerë, deri në të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, në kuadër të atij shteti. E ato të drejta nuk mund të realizoheshin pa arritjen e pavarësisë politike dhe ekonomike të Kosovës nga Serbia. Në rrafshin e gjerë kërkesat e shprehura nënkuptonin demokratizimin e jetës brenda një sistemi, kornizat e të cilat ishin shumë të ngushta në raport me kërkesat e kohës.
Parullat „Kosova’Republikë”, “Jemi shqiptarë, nuk jemi sllavë”, “Trepça punon – Beogradi ndërton”, “Lironi shokët“, etj., të cilat u proklamuan nga qindra e mijëra demonstrues në të gjitha mjediset e Kosovës, në esencën e tyre nuk kishin asgjë kërcënuese për popujt tjerë, e, në instancën e fundit, as për shtetin jugosllav. Përkundrazi përmes tyre kërkohej zgjidhja në mbështetje të një koncensusi me popujt tjerë, që e përbënin atë shtet. Ndërkaq, studentët shqiptarë dolën me kërkesën për „Kosovën’ Republikë“, duke qenë të bindur se në raport me rrethanat e atëhershme politike ndërkombëtare, por edhe me ato të brendshmet, konstiutimi i Kosovës republikë nuk binte ndesh as me qëndrimet ndërkombëtare mbi mosndryshimin e kufinjve me dhunë as me Kushtetuten e shtetit, gjithnjë duke pasur parasysh faktin se statusi i Kosovës Republikë në kuadër të federatës mbështetur në rrethanat e atëhershme do të mundësonte edhe avansimin e statusit të shqiptarëve nga kombësia në komb, dhe një arritje e tillë konsiderohej edhe si realizim në proces i synimeve kombëtare për shtetin kombëtar.
Duke dalë me kërkesa të shprehura qartë për ta vënë popullin shqiptar në pozita të barabarta me popujt tjerë të federatës jugosllave, demonstruesit shqiptarë i thyen, njëherë e përgjithmonë, rrathet magjikë brenda të cilëve ishte krijuar pseudo’vetëdija e një pjese të udhëheqjes politike shqiptare gjoja mbi legjitimitetin dhe përgjegjësinë e saj për të folur dhe për të vendosur në emër të popullit shqiptar. Demonstruesit ua bënë të qartë se rinia dhe inteligjenca e krijuar ishte ajo që e gëzonte legjitimitetin e popullit të vet, sepse pikërisht ajo ia njihte popullit të vet të drejtën e të vendosurit, prandaj ajo inteligjencë në krijim me vetëdije e mori mbi vete barrën për ta prirë popullin në rrugën e pashmangshme të fitimit të lirisë.
Studentët shqiptarë i shprehën kërkesat për Republikën e Kosovës pikërisht në kohën kur ishin të bindur se nuk kishte ngelur kurrfarë hapësire tjetër për ta arritur barazinë kombëtare të shqiptarëve me popujt tjerë në kuadër të marrëveshjeve mes organeve zyrtare të Kosovës dhe organeve përkatëse të republikave të tjera dhë të Federatës, sepse qysh në atë kohë, jo vetëm që pëshpëritej koluareve për tendencat e udhëheqjes serbe për të shëndrruar Jugosllavinë në “Serbi të Madhe”, por ishin të pranishme edhe shënjat e veprimit konkret për arritjen e atyre planeve serbo-mëdha, të cilat, si hap të parë të realizimit të synimeve hegjemoniste, parashihnin eliminimin e statusit të dy krahinave autonome: Kosovës dhe Vojvodinës.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura