PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) KUNDËR JUSUF GËRVALLËS – (GJENEZA E EMRIT “ZËRI I KOSOVËS”) ( 2 )

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) KUNDËR JUSUF GËRVALLËS – (GJENEZA E EMRIT “ZËRI I KOSOVËS”) ( 2 )

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 11 mars 2023

4. GJENEZA E EMRIT “ZËRI I KOSOVËS”, SIPAS GJENAZEVE

Plani i AP dhe OO: “Në takimin e radhës që pata me vëllezërit Gërvalla, u bisedua për mundësinë e nxjerrjes së një organi të ri në kuadër të LNÇKVSHJ-së. Mosarritja e bashkimit në mes të OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së, i la duar të lira Jusufit që të kujdesej për nxjerrjen e një organi që do t’i shërbente interesave të organizatës sonë. Për këtë qëllim, paraprakisht ishte pajtuar edhe Mërgimi. Gjatë leximit të veprës numër një të Enver Hoxhës, faqe  60-61, botimi i vitit 1968, kisha hasur në një njoftim se në Kosovë, gjatë vitit 1942 ishte botuar një organ i quajtur „Zani i Kosovës“, që në atë kohë ishte pritur shumë mirë nga populli shqiptar. Prandaj, ripërtëritja e këtij organi më dukej e qëlluar! Pas një analize të hollë, Jusufi erdhi në përfundim se kjo çështje kërkonte një analizë më të gjerë, për arsye se tani për tani në mesin e mërgatës qarkullonte një fletushkë me emër të njëjtë, gjë që do të kundërshtohej nga autori i saj, Riza Salihu. Kishte edhe arsye të tjera që e ngadalësuan marrjen e vendimit për këtë çështje, si punimet e Kongresit të Tetë të PPSH-së, për përcjelljen e të cilit nevojitej një përkushtim maksimal. Megjithatë, vendimi definitiv për nxjerrjen e „Zërit të Kosovës“ ishte marrë menjëherë pas dështimit për bashkim të bisedimeve të Stambollit. Jusufi i filloi menjëherë përgatitjet për numrin e parë, të cilin synonte ta nxirrte në vigjilje të festave të nëntorit.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 60-61)  

Jusuf Gërvalla: “Unë, që në fillim të Lëvizjes e kam pasë ditur se organ i Lëvizjes është “Zëri i Kosovës”, se kjo shihet nga vetë Statuti. Dhe, me kënaqësinë më të madhe, në vend që të dilte “Lajmëtari i lirisë”, kam mundur të bëja që të dilte “Zëri i Kosovës”. Nuk e bëra për dy arsye. Së pari nuk isha i autorizuar nga Lëvizja. Së dyti, këtu kishte vepruar qysh më herët një i ashtuquajturi Grupi Komunist “Zëri i Kosovës”, për punën e errët të të cilit me ndonjë rast tjetër mund të bëj para Lëvizjes ndonjë raport të gjerë. Tash për tash po theksoj se udhëheqësi i këtij grupi (Rizah Salihu, nga Mushtishti, një provokator ose njeri shumë naiv dhe i rrezikshëm), provoi të organizonte me shokë likuidimin tim dhe të vëllaut tim, duke na quajtur “të dërguar specialë të UDB-së“, pikërisht për arsyen se i pata thënë që “Zëri i Kosovës” është organ i LNÇKVSH, kurse ai e kishte marrë për emër të grupit të vet. Po për këtë arsye, para se t’i hymë botimit të këtij organi, duhet të marr nga Ti dhe Lëvizja edhe fjalën e fundit, sepse ka mundësi që titulli “Zëri i Kosovës” si organ i LNÇ, të përzihet në mendjen e naivëve me Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”. (…) Por kur është fjala për botimin e “Zërit të Kosovës”, mendoj se del edhe një problem. Sipas të gjitha gjasëve, tashmë është identifikuar se kush qëndron prapa ”Lajmëtarit” dhe kështu edhe mënyra se si radhitet ai. Pra, kjo makinë shkrimi, sipas mendjes sime, nuk do të duhej të përdorej edhe në radhitjen e “Zërit të Kosovës” (…)

Sido që të jetë, para se t’ia nis punës për nxjerrjen e “Zërit të Kosovës”, duhet të dija se deri në çfarë shkalle mund të më ndihmoni së andejmi materialisht.

Kur është fjala për materialet që mora, përveç atyre me tituj “ Në Kosovë dy njerëz u ngjallën” dhe “Adem Dema-Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare”, mendoj se të tjerët nuk kanë elemente të mjaftuara për një revistë çfarë e mendoj unë “Zërin e Kosovës”. Në ta gjenden të meta ideopolitike dhe janë shkruar jo në nivel..” (Jusuf Gërvalla: Letër Sabri Novosellës më 13 maj 1981. E botuar e plotë për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË, Tiranë 2010, faqe 261-266)

Jusuf Gërvalla: “Tani më lejo të dalim te një nga çështjet më të rëndësishme për momentin aktual, pra, te çështja e bashkimit të vërtetë të të gjitha forcave të mbara revolucionare. Unë, kohën e fundit, me qëllim të mirë, i kam  dhënë vetes të drejtë të të dekonspiroj ty tek një person, te ai shoku (Kadri Zeka-shën i Xh. D.) i “Lirisë”, me të cilin kemi  bashkëpunuar qe disa kohë. Ai, duke nxjerrë konkludime nga puna e Organizatës së tij dhe nga ajo e LNÇK, sidomos nga organi ynë “Zëri i Kosovës”, ka ardhur në këtë përfundim: sipas të gjitha gjasave, edhe LNÇKVSHJ edhe Marksistë-leninistët e Kosovës janë dy degë të të njëjtit trung.

***

Hydajet Hyseni: “Qysh në bisedën e parë që kishte zgjatur gjithë natën deri në mëngjes, ata jo vetëm kishin gjetur te njëri tjetri shokun e ardhshëm të kauzës e idealit, por edhe kishin konstatuar se në të vërtetë organizatat që përfaqësonin ata vepronin mbi bazë të së njëjtës platformë politike, dhe se ishin degë të shkëputura të të njëjtës rrënjë.” (Për takimin e parë të Kadri Zekës me Vëllezërit Gërvalla.) (“Therror në themelet e Bashkimit”, fejton në 8 vazhdime në Zëri, 21 shkurt-2 mars 2002, i ribotuar edhe në përmbledhjen e Rasim Selmanajt, Heroi me Kitarë, Prishtinë 2007, faqe 28)

Ibrahim Kelmendi: ”Është për të të mbërthyer vaji kujt ia ka dërguar këtë letër JG dhe çfarë pështjellimesh paraqet, për të dëshmuar se LNÇKVSHJ dhe OMLK-ja paskëshin qenë dy degë të një trungu.” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)

***

Një patriot revolucionar, i cili prej kohësh qenka në burg (ai thotë se nuk është fjala për Ademin, por për dikë tjetër), qenka përgjegjës për ndërprerjen e kontakteve mes anëtarëve të vjetër të organizatës së hershme me anëtarët e krahut të ri të kësaj organizate. Kështu që, pjesa e vjetër e asaj organizate (të përbashkët) ka ndjekur një rrugë të caktuar dhe sot ka arritur deri te emri Marksistë-leninistët e Kosovës, kurse krahu i ri, duke mos marrë kontakt me kohë me anëtarët e vjetër, qenka zhvilluar në Lëvizjen e sotme Nacionalçlirimtare të Kosovës. Për këto konkludime ai merr për bazë pikërisht organin “Zëri i Kosovës”, të cilin Marksistë-leninistët e paskan pasur gjithashtu organ të vetin për një kohë të gjatë (sidomos që nga viti 1974, thotë ai, paskan dalë disa numra të këtij organi). Në rast të tillë, sipas mendimit të tij, bashkimi i organizatave tona jo vetëm që nuk është i vështirë, por është puna më e natyrshme. (…)

Tani  prej  teje pres përgjigje të prerë për sa vijon:

 1. A e aprovon ardhjen time bashkë me atë shokun*, lidhur me sqarimin e çështjes së përmendur, apo se lejon.

2. Pas “pështjellimeve” rreth titullit të organit “Zëri i Kosovës”, a të duket e udhës që organit tonë të ardhshëm t’i vëmë një titull tjetër? Unë mendoj se titulli duhet ndërruar.” (Jusuf Gërvalla: Letër Sabri Novosellës më 16 qershor 1981. E Botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË, Tiranë 2010, faqe 269-271).

Jusuf Gërvalla: “Nga përmbajtja dhe toni i letrave të tua, kuptova që ende s’e ke marrë letrën time të fundit, në të cilën të kam njoftuar për punën konkrete që është duke u bërë rreth nxjerrjes së numrit të ardhshëm të „Zërit të Kosovës“.  

Ka një keqkuptim mes meje dhe teje. Kur është fjala për titullin „Zëri i Kosovës“, te unë s’ka pasur as nuk ka „hutesë“ as „trullosje“. E kam në dorë Statutin e LNÇKVSH, ku shkruan qartë se ai është organ i Lëvizjes sonë. Por, kam pasur në dorë edhe disa trakte të të ashtuquajturit Grupi komunist „Zëri i Kosovës“ dhe më kanë dalë kokëçarje pikërisht me udhëheqësin e këtij grupi dhe pikërisht lidhur me këtë titull. Prandaj kam supozuar se mund të ketë hutesë te lexuesi. Vetëm kaq.” (Jusuf Gërvalla: Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

Jusuf Gërvalla: “Materialet e numrit të ardhshëm të “Z.K.” (Zërit të Kosovës-shën. im) janë pothuaj të gjitha të gatshme. Për pjesën e tyre më të madhe, e unë, Shpendi (Xhafer Durmishi-shën im) e Besniku (Bardhosh Gërvalla-shën im) jemi të kënaqur. Morëm zemër edhe nga fakti se ju kishin pëlqyer edhe juve ato punime që ua dërguam edhe juve për t’i shikuar. Përveç kësaj, unë personalisht tani jam në pozitë shumë më të lehtë, për shkak të mendimeve, porosive e sugjerimeve nga ana juaj dhe për shkak të një ndihme, sado të vogël në fillim, nga ana e Shpendit, e Besnikut dhe e shokut të “Lirisë”, që këta më dhanë me disa artikuj të mirë. Edhe Shpendi edhe Besniku, për sa duket kanë afinitet për shkrim, i cili do të rritet bashkë me punën tonë e me ne.” (Jusuf Gërvalla: Letër Sabri Novosellës më 20 gusht 1981. Botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451- 452)

***

Sa i përket Abdullah Prapashticës dua t’i them se Zëri i Kosovës, si emër gazete ka ekzistua në kokën e Jusufit, sa ka qenë në Kosovë, me vite para se me ardhë në Gjermani. Pse Abdullahu është shumë i interesuar ta lokalizoj gjenezën e “Zërit të Kosovës” te veprat e Enver Hoxhës dhe Nuhi Sylejmani? Ai është shumë i interesuar për këtë sepse si Hydajet Hyseni ashtu edhe Jusuf Gërvalla kanë shkruar se ka mundësi që Lëvizja e Jusufit dhe OMLK-ja kanë qenë degë të një trungu. Trungu i prishë punë trurit të thatë të Abdullahut pasi ëndrra e tij e mjerë është që rolin e trungut, rolin e qendrës ta luaj truri i tij dhe “pozifat” e tij.

Se sa gënjeshtër skandaloze është ideja e Abdullah Prapashticës tregon më së miri vetë Jusuf Gërvalla.

Jusuf Gërvalla:    “TË DASHUR LEXUES,

Kemi nderin, detyrën dhe përgjegjësinë e madhe të dalim para jush me revistën periodike “Zëri i Kosovës” (*) pikërisht në një çast historik, kur në ndërgjegjen e popullit dhe të rinisë sonë heroike po trokasin fuqishëm pulset e lirisë që po agon….

(*) Deri më tash “Zëri i Kosovës” ka dalë në trajtë buletini dhe ka botuar materiale të përdorimit të brendshëm për anëtarët e LNÇKVSHJ” (Zëri i Kosovës, nëntor 1981, faqe 3)

E shumë më mirë edhe vetë Sabri Novosella.

Sabri Novosella: “Jam i mendimit që numri i vitit të ardhshëm të filloi prapë me 1 (Nji) ashtu si praktikohet në “Përparimin”, “Jetën e re” e të tjera. Unë numrin e parë të ZK (Zëri i Kosovës- shën im) e konsideroi të dalur në vitin 1973 ose 74. Këtë duhet ta dijë më mirë U.(Uka=Xhafer Shatri-shën im) Dallimin e bën viti, për shembull: (Nr. 1. 1983) (Sabri Novosella: Letër Xhafer Durmishit më 4 nëntor 1982)

Në këtë rast për Nuhi Sylejmanin mund të thuhet: Përderisa ai është në gjendje të gënjej në mënyrë kaq të ulët për revistën e organizatës së vetë, me të cilën e ka ilustruar kopertinën e parë të librit të tij “Vrasja e trefishtë”, ai është në gjendje të gënjej në mënyrë edhe më të ulët për rrethanat e Lëvizjes dhe njerëzit e saj me të cilët ka vepruar.

Përpjekja e Abdullah Prapashticës për ta sqaruar këtë çështje është katastrofale. Këtë çështje si edhe shumë të tjera ai i merr me tepër mendjelehtësi sa edhe me mendjemadhësi. Është interesante anatomia e gënjeshtrave se çka është në gjendje të bëjë me viktimat e veta, e t’u ngarkoj aso detyrash për sqarimin themelor të disa gjërave të koklavitura me të cilat as vet Jusufi nuk është marrë.

(VIJON …)

____________

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) KUNDËR JUSUF GËRVALLËS ( 1 )

I shfaqur në librin e quajtur: Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 10 mars 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura