Lugano, 15. 04. 2014 – Ata që ndryshuan Historinë, ata që Lirinë e ngjyrosën me gjak, ata që falën çdo gjë bile edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre, për atdhe, për lirinë që ne sot e gëzojmë, meritojnë respekt. I tillë ishte edhe Ramë Camaj. Ai u lind në korrik të vitit 1923, në fshatin Novosellë, Komuna e Pejës. I inkuadruar në luftën e Dytë Botërore së bashku me Istref Selmanin e Imer Halilin, në luftë kundër çetnikëve serb, nën komandën e Mulla Zekë Berdynaj, të cilit u munduan për së vdekuri t’ia fshehin varrin, mirëpo vendosmëria e Ramës me shokë nuk lejoi këtë veprim. Veprimtarinë e tij nuk e ndali asnjëherë. Ndihmoi pakursyeshëm Këshillin e LPK’së në Pejë, si në mbrojtjen e materialit të dërguar prej shokëve nga Zvicrra në krye me Xhavit Halitin dhe në aktivitete të tjera.
Rast për t’u përmendur është marrja e materialit të ardhur nga perëndimi në Sërbicë, si dhe shpërndarjen e programit të LPK’së në gjuhën serbo-kroate në fshatrat: Vitomericë, Cigë e Brrestovik. Kontribut të madhë së bashku me familjen e tij dhanë edhe në strehimin e ilegalëve, duke filluar nga Xhavit Haliti deri te i madhi Fadil Vata. Baca Ramë ishte i lidhur ngushtësishtë me ilegalen dhe këtu policia serbe nuk gabonte në aksionet e veta: ajo sa herë sulmonte nipat e Halil Murtezajt sulmonte edhe familjen e Bacës Ramë. Fadil Vata përkrahej pakursyeshëm nga Baca Ramë ndaj përkujdesjes edhe për familjet tona, të cilat kishin mbetur nën mëshirën e policisë sërbe dhe disa klyshëve të fshatit. Ai qëndroi gjithmonë afër, pa kursyer as familjen e tij. E paharruar do të jetë dita e 19 prillit 1989, kur u përshëndetëm për herë të fundit në Breg të Drinit, ishte hera parë që i rrodhën dy pika loti. Për jetën dhe veprën e tij mund të shkruhet shumë, mirëpo më e madhja që mundemi të bëjmë është të mos i harrojmë veprat e atyre që na sollën në këtë ditë, si dhe t’i kujtojmë pandërprerë ata që flijuan edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre për liri e Bashkim Kombëtar. Ne që patëm fatin të ishim bashkë në veprimtari do t’ju kujtojmë gjithëherë me krenari.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ramë Camajn.
Tahir Murtezaj, Lugano – Zvicërr, 15. 04. 2014