UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (X)

Pashtriku.org, 16. 05. 2018: Republika në kontekst të situatës – Shkencërisht është vërtetuar pothuajse plotësisht se shqiptarët rrjedhin nga ilirët dhe se gjuha shqipe është variant i zhvilluar i ilirishtes. Vetëdija mbi përkatësinë në ndonjë kolektivitet të caktuar nacional zhvillohet gjatë kontaktimit me të tjerët. Me atë rast është me rëndësi se fillimisht zhvillohet një vetëdije mbi atë se “çka nuk jam”, e pastaj kërkohen edhe përgjigjet mbi atë se “çka jam”. Në fillim sigurisht, ashtu siç konstaton edhe shkenca, duhet të kenë vënë re se e flisnin një gjuhë të veçantë nga të tjerët, një gjuhë të veten që nuk kishte gjë të përbashkët me greqishten e vjetër, me latinishten, as më vonë me variantet e gjuhëve sllave, dhe në fund me turqishten. Është irelevante për qëllimin e këtij teksti të dihet se si e quanin ata veten, por është me rëndësi të konstatohet se aty fillon zhvillimi i vetëdijes mbi atë se i përkisnin një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte edhe ndonjë interes të përbashkët. Shumë më vonë kjo u quajt si vetëdije mbi përkatësinë nacionale, që mbetet e përbashkët dhe unike për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Gjatë historisë, rrethana dhe faktorë të ndryshëm politikë u përpoqën që ndër shqipatarët ta shuajnë ose t’a zhdukin vetëdijen në fjalë, por paralelisht me këtë, ose në luftë për ruajtjen e unit të vet, zhvillohet edhe vetëdijësimi politik mbi pozitën dhe mbi interesat e përbashkëta kolektive. Vetëdija kolektive politike për t’u konstituuar si komb në Jugosllavi është produkt i zhvillimit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas vitit 1981. Ajo ishte e lidhur me perceptimin e faktorit të jashtëm dhe me mundësinë e realizimit të bashkimit të trojeve shqiptare.
Në rrethana të drejtpeshimit bipolar të forcave ndërkombëtare, ish-federata jugosllave lozte rolin e një tampon-zone me rëndësi të veçantë për sistemet globale të forcave (Pakti i NATO-së dhe Traktati i Varshavës). Republika e Kosovës, në rrethana të tilla, ishte një hap përpara në zgjidhjen e çështjes shqiptare; në realizimin e të drejtave kolektive nacionale shqiptare, ishte një akceptim i realitetit të dhënë politik dhe një avansim me rëndësi i pozitës së tyre brenda atij realiteti. RSP e Shqipërisë atëbotë e zhvillonte një politikë të pavarur të jashtme, por nuk ishte në gjendje të ndikonte nga pozitat e forcës në ndryshimin e atij realiteti dhe as të pozitës së shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Megjithatë, për shkak të ngecjes së zhvillimit ekonomik si dhe të atij të gjithmbarshëm të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të mosnjohjes së realitetit në Shqipëri, propaganda ideologjike e Shqipërisë nuk mbetej pa efekt në Kosovë.
Efekti i tillë në instancë të fundit rezultonte si pakënaqësi me ndarjen e kombit dhe artikulohej si kërkesë për t’u barazuar me të tjerët në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror. Nevojat e zhvillimit s’ka dyshim se do të artikuloheshin kësisoji edhe pa propagandën nga Shqipëria, por ajo me siguri i ka ndihmuar shpejtimit të procesit. Me fjalë të tjera, shkaqet për ngecjen e vet në zhvillim pjesa më e madhe e shqiptarëve i shihte në pozitën e vet të pabarabartë dhe të subordinuar, gati koloniale, në Jugosllavi, si dhe në mungesën e aparatit të përbashkët vetjak të zhvillimit, d.m.th. të shtetit. Meqenëse rrethanat ndërkombëtare që karakterizoheshin me drejtpeshimin e përmendur bipolar të forcave nuk mund ta lejonin bashkimin e trojeve shqiptare, pikërisht për shkak të ndryshimit të kësaj barazpeshe, atëherë ishte fare i natyrshëm orientimi për Republikën e Kosovës. Ky orientim, në rrethana të veprimit të shumë grupeve ilegale, kryesisht të orientuara për bashkimin e trojeve shqiptare, ishte meritë e politikës zyrtare, por edhe e autorit të këtyre rreshtave. Kjo është me rëndësi të konstatohet për shkak të implikacioneve që mund të kishte në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve, dhe jo për shkak të tendencave të pakripë që të injorohen faktet, e as për shkak të “dekorimit” a posteriori të individëve që nuk kishin pothuaj kurrfarë roli në shtyrjen e proceseve përpara. Kërkesa për Republikë në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e Kosovës, në qoftë se fjala “evropeizim” kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit me shtetet e zhvilluara të Evropës, e jo për t’i imituar anët negative të civilizimit të saj, të cilat edhe ajo vetë përpiqet t’i eliminojë. Një dallim i tillë rreth kuptimit të përmbajtjes së këtij nocioni në Kosovë ka qenë prezent edhe para vitit 1981, si edhe pas tij, por është edhe sot. Tani artikulohet si pritje pasive që Evropa ta bëjë jetësimin e Republikës, pa organizim adekuat të brendshëm dhe pa ndonjë mund për shtytje nga brenda. Vetëm nevoja për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe të shpejtuar të Kosovës i nxiti të rinjtë dhe të rejat në luftë demokratike (atëherë kur nuk ekzistonte kurrfarë demokracie) për Republikë, e jo qejfi, moda a dëshira për ta imituar Evropën. T’i akuzosh ata që e lindën edhe Republikën edhe demokracinë se nuk e deshën këtë të fundit, do të thotë se diç nuk është në rregull, jo vetëm në kokat e individëve, por në raportet në shoqëri. Të ndërpriten proceset, duke e vënë veten në krye pa ndonjë meritë të veçantë, pasi të jenë bërë akuza të tilla të rënda dhe shkelje të çoroditura të bartësve të këtyre proceseve, e pastaj të vraposh nëpër Evropë dhe Amerikë me shpresë se ata, faktorët e jashtëm, do ta bëjnë kompletimin e proceseve në Kosovë, nuk është vetëm bajraktarizëm (kjo do të ishte e keqja më e vogël), por manipulim me interesat më vitale të Kosovës, në qoftë se jo vetëm injorancë e thellë politike.

Republika e Kosovës atëbotë nuk e cënonte integritetin territorial të Jugosllavisë dhe as barazpeshën bipolare të forcave. Ajo nuk mund të ishte kundër interesave globale të palëve rivale. Përkundrazi, Republika e tillë e Kosovës nuk do të ishte vetëm në funksion të zhvillimit të Kosovës, por edhe në funksion të forcimit të raporteve jugosllavo-shqiptare, si dhe të vetë Jugosllavisë, andaj, në mënyrë indirekte, edhe në funksion të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan dhe në Evropë. Këto ishin disa nga tezat kryesore të zhvilluara gjatë hetimeve në burg më 1981, por hetuesit, natyrisht, i kundërshtonin me pretekstin e dëgjuar më vonë edhe publikisht, se kinse Republika e Kosovës do ta dobësonte Serbinë, do ta reduktonte, siç thoshin ata, në “pashallëk të Beogradit”!? Përderisa na mbanin në burg dhe na dënonin rëndë, ishte fare e natyrshme të gjenin ndonjë pretekst dhe arsyetim, por qysh atëherë ishte fare evidente se ato nuk ishin bindëse as për ata vetë. Përse atëherë konstituimi i Republikës së Kosovës u vonua për 9 vjet të plota, kurse jetësimi i saj akoma shtyhet edhe sot? Në qoftë se ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë ose ruajtja e Jugosllavisë, e jo dominimi në Jugosllavi, ka qenë interesi i njëmendët i Serbisë, dhe në qoftë se Republika e Kosovës në Jugosllavi njëmend do të ishte edhe në funksion të forcimit të saj, përse atëherë Serbia jo vetëm që e kundërshtoi, por akoma vazhdon ta kundërshtojë jetësimin e Republikës së Kosovës?
A zhvillohet lufta për interesa ideologjike
Përgjigjet në pyetje të tilla mund të jenë të nduarnduarta, por jo edhe aq të thjeshta. Njëra nga përgjigjet më të shpeshta që lexohet nëpër faqet e shtypit, që komentohet e dëgjohet edhe përmes ekranit të TV-së, lidhet me natyrën e sistemit në Serbi, i cili cilësohet si sistem “serbo-sllavo-komunist”, d.m.th. hegjemonist. Përgjigja e këtillë e presupozon faktin se marrëveshja ose dialogu do të ishte i mundshëm sikur të suprimohej sistemi në fjalë. Fakti se në luftën në Kroaci gati njësoj marrin pjesë edhe pjesëtarët e partive tjera politike, pra jo vetëm të PSS, dhe se atë e përkrahin edhe udhëheqjet e këtyre partive, dhe jo vetëm udhëheqja e PSS, e zhvlerëson gati në tërësi këtë argument. Dhe kjo është e natyrshme, pasiqë asnjë luftë në histori nuk u zhvillua për interesa ideologjike, por për ato vitale ose jetike. Ideologjia, rëndom, me më pak ose më tepër sukses i artikulon dhe i arsyeton interesat e tilla, por nuk mund të jetë substitucion për to.
Nga disa shpjegime a posteriori të ish-funksionarëve titistë lidhur me atë se ata nuk e deshën Republikën “staliniste” ose edhe Republikën në federatën Jugosllave, sikur mund të kuptohet se në ndonjë moment, gjatë dekadës së shkuar, ka qenë i mundshëm konstituimi dhe jetësimi i Republikës së Kosovës, bile ndoshta edhe me pajtimin e Republikës Serbe, por që këtë e paska refuzuar elita titiste e Kosovës. Natyrisht, kjo është një gënjeshtër e kulluar. Elita titiste gjatë pjesës më të madhe të dekadës së shkuar as që ka pasur haber se ç’po ngjante në Kosovë, ndonëse politikisht e përfaqësonte Kosovën. Ndryshe, si mund të shpjegohet fakti që vazhdimisht ishte e befasuar me ngjarjet, dhe se gjithmonë ndodhej në bisht të tyre, në vend se t’u paraprinte? Një ish-funksionar tjetër titist, por që ishte më pak titist, sepse nuk i takonte rrethit të ngushtë të titistëve të organizuar si klikë, këtë e pranoi hapur në një intervistë të mëhershme dhënë «Zërit të Rinisë»: “Na trathtuan”-tha ai, duke menduar në ca premtime të mëhershme të instancave më të larta lidhur me ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë. Nga kjo del përfundimi i dytë kategorik se nuk ka qenë në kompetencë të titistëve në Kosovë as refuzimi dhe as pranimi i çfarëdo Republike të Kosovës, staliniste ose jo, në federatë ose konfederatë, në asociacionin e shteteve sovrane të ndonjë bashkësie Jugosllave ose jo. Fakti se nga fundi i viteve ’80 u shqetësua gati e tërë elita titiste në Kosovë me rrahje dhe me izolime nuk e tregon “fajësinë”, përkatësisht ,”meritën” e tyre për Republikën e Kosovës, por përkundrazi: insistimin e pushtetit që më në fund edhe ajo të futet në këto procese.
Elita e frikësuar titiste
Ambasadori amerikan në Pragë në një artikull në revistën «Foreign Affairs» me të drejtë tregonte se si elita politike dhe intelektuale e Çekosllavakisë ishte tmerruar aq shumë pas intervenimit të rusëve në vendin e tyre në vitin 1968, sa që më vonë, përkundrejt ndryshimeve të shteteve përreth, pastaj dhe në vetë BRSS-në, bile edhe përkundrejt aktivizimit të shumë grupeve jashtë elitës çekosllavake, ajo nuk lëvizte dot. Ishte dashur që ai t’i luste rusët që t’i aktivizojnë aktivistët partiakë dhe miqtë e tyre, në mënyrë që më në fund elitës intelektuale dhe politike çekosllavake t’i hiqej frika dhe të futej në vallen e demokracisë. Në analogji me këtë, elita titiste në Kosovë ishte frikësuar aq shumë nga maltretimet dhe dënimet e të rinjve gjatë dhjetë vjetëve të shkuar, gjë që e dëshmonte dhe me heshtjen e vet, saqë nuk e kishte kuptuar dot detyrën e mbrojtjes së tyre. Është dashur të organizohej një reprizë miniaturiale e përvojës së të rinjve me vetë ish-pjesëtarët e elitës titiste, në mënyrë që më në fund ta kuptonin se duhej të futeshin në vallen e demokracisë. Mirëpo për ndryshim nga elita intelektuale dhe politike çekosllovake, elita titiste në Kosovë, si rëndom, edhe këtë radhë e teproi:- kukati aq shumë, sa që gati përfundimisht i tmerroi të tjerët. Futjen në vallen e demokracisë ajo nuk e kuptoi si pjesëmarrje të barabartë në luftën për demokraci dhe për Republikën e Kosovës, por si mision për eliminimin e atyre të mëparshmëve, dhe tani habitet se si gjërat nuk ecin dot përpara! Elita titiste në Kosovë edhe këtë herë tregoi se ajo nuk mund të emancipohej nga pushteti i vjetër, se nuk mund të mendonte me kokën e vet, por doemos i duhej një mbështetje, nese jo në Beograd, atëherë doemos në Evropë! Thuajse Beogradi ndodhej jashtë Evropës dhe thuajse Evropa nuk e njihte Beogradin, por vetëm elitën titiste në Kosovë! Andaj, arsyetimet se ata nuk e deshën Republikën e këtillë apo të atillë në Kosovë nuk u duheshin gjë: me pendla të huaja nuk mund të këndohej as kënga e mëngjesit, dhe as e ditës, sado që të dukeshin të bukura.
Megjithatë, gjërat duhet vënë në kontekstin e tyre real. Pavarësisht nga ajo se elita titiste në Kosovë nuk ishte e informuar fare mbi atë që realisht po ngjante në Kosovë, është fakt se është refuzuar konstituimi i një republike eventualisht komuniste në Kosovë dhe në federatën Jugosllave. Me këtë i është bërë shërbim demokracisë (kushtimisht), në Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan, dhe ndoshta edhe në Evropë. Mirëpo, a ishte një shërbim i tillë edhe në interes të popullit në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi kjo do të shihet më vonë. Do të varet nga ajo se me çka do të shpërblehet një shërbim i tillë? Kthimi i statusit të autonomisë sipas Kushtetutës së vitit 1974 apo vënia e Kosovës apo e shqiptarëve nën ndonjë status special, zgjidhje të cilat herëpashere Lordi Kerrington po i formulon për serbët në Kroaci, me siguri se nuk do të ishin kurrfarë shpërblimi adekuat me viktimat e rëna shqiptare gjatë tërë një dekade dhe gjatë fillimit të dekadës së dytë. Përkundrazi, do të ishte një manipulim i tmerrshëm me Kosovën, pavarësisht nga ajo se republika eventuale komuniste në Kosovë, sipas këtyre vlerësimeve, do ta prishte ekuilibrin bipolar të përmendur më heret të forcave, sepse do ta forconte enverizmin në Shqipëri, pastaj bllokun e republikave jo mjaft të zhvilluara në Jugosllavi; do ta rrezikonte pozitën e privilegjuar ekonomike të republikave të zhvilluara në Jugosllavi dhe interesat afariste dhe strategjike të miqve të tyre. Një vlerësim i tillë doemos niset nga teza se regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Serbi ishte vetëm komunist e jo p.sh. nacionalist, se regjimi i tillë do të pajtohej pastaj me një republikë të ngjashme në Kosovë dhe se Kosova do të ishte përsëri me Serbinë, por nën Serbi!? Dhe përsëri kemi të bëjmë me një tezë kryekëput manipulante! Republika e Kosovës kërkohej të ishte tërësisht e barabartë me të gjitha republikat tjera në Jugosllavi d.m.th. ta gëzonte të njëjtin status si edhe të tjerat; të kishte të njëjtën lidhje me organet federale (konfederale apo asociative) si edhe të tjerat; të njëjtat obligime dhe përgjegjësi si dhe të tjerat. Nuk do të ishte nën Serbi por do të ishte e barabartë me Serbinë në çështje të statusit të vet. Ndërkaq, sa u përket interesave reale ekonomike, politike apo gjeopolitike (kjo duhet të kuptohet doemos njëherë e përgjithmonë) me Serbinë mund të kishim apo të mos kishim interesa të përbashkëta; mund të zhvillojmë luftë dhe mund të kultivojmë miqësinë; mund t’i investojmë energjitë tona përkatëse për evropeizimin e shpejtë të vendeve tona, apo sërish mund ta përgjakim historinë; me Serbinë mund të zhvillonim çfarëdo raportesh, por as ne as Serbia nuk mund të zhvendosemi prej vendeve tona; nuk mund ta zgjedhim ndonjë fqinj tjetër më të mirë; dhe nuk mund të bëhemi më të tjerë se ç’jemi. Do të qëndrojmë aty edhe ashtu siç jemi. Është mirë të përpiqemi të bëhemi më të mirë. Dhe për t’u bërë më të mirë; për të ecur më shpejt përpara; për t’i zënë vendet përkatëse aty ku duhet, doemos më parë duhet të jetësohet Republika e Kosovës. Ky është interesi vital i Kosovës, por edhe i të gjithëve në Ballkan. Nuk ekziston ndonjë rrugë tjetër.
Shtetet në rolin e xhandarit rajonal
Zhvillimi kapitalist, nga ana tjetër, në gjithë historinë e vet dhe në tërë hapësirën e botës gjithmonë është mbështetur në ligjin e zhvillimit të pabarabartë – në hapësirë e ka mbështetur zhvillimin e një rajoni të caktuar, i cili pastaj është dashur të tërheqë pas vetes zhvillimin e rajoneve të tjera. Nëse ka qenë fjala për komplekse shtetesh, është forcuar një gjer në dy apo tri shtete, të cilat, pos rolit të modelit zhvillimor, luanin edhe rolin e xhandarit rajonal (Izraeli dhe Irani në kohën e Shah Pahlavisë dhe Iraku më vonë) në Lindjen e Mesme: Republika Jugafrikane dhe Rodezia e dikurshme në Afrikë; Brazili në Amerikën Latine. S’ka dyshim se në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë, republikat veriore, dhe ndoshta ndonjë rajon i caktuar brenda Serbisë, kanë lozur një rol të tillë të modelit zhvillimor. Dikush këtë mënyrë të zhvillimit brenda hapësirave të caktuara dhe mbështetjen në zhvillimin e punkteve të veçanta e ka quajtur subimperializëm, duke menduar me këtë më tepër mbi një taktikë imperialiste të kontrollit mbi hapësirat rreth e përqark. Është quajtur kështu duke e pasur parasysh ndarjen e atëhershme të botës në sisteme të kundërta politike dhe luftën e tyre konkurrente. Sot në Evropë vërtetë është suprimuar sistemi komunist, por meritën më të madhe për këtë duket se e kanë pikërisht punktet në fjalë. Në Evropë gjithashtu ka akoma rajone të pazhvilluara dhe aty gjithsesi edhe më tutje vepron ligji i zhvillimit të pabarabartë ekonomik. Republika e Kosovës me angazhimin e vet do të duhej t’i zbuste efektet negative të tij. Me fjalë të tjera, nuk ka kurrfarë dyshimi se lufta në Kroaci, në të cilën të dy palët etiketohen me konotacione ideologjike (serbo-komuniste, ustasho-fashiste, etj.), në esencë po zhvillohet për sigurimin e një pozite më të mirë ekonomike në një përtëritje eventuale të Jugosllavisë. Nga ky aspekt, te kundërshtarët në fjalë ekziston një disproporcion evident: Kroacia dhe Sllovenia janë më të zhvilluara dhe modeli i ri eventual i rregullimit të raporteve në Jugosllavi do të duhej t’ua siguronte këtë përparësi edhe më tutje; ndërkaq Serbia është më pak e zhvilluar se ato, por më e madhe me territor dhe me numër të popullsisë, pastaj edhe më e fortë në pikëpamje ushtarake. Ajo do të dëshironte ta ruante pozitën e vet politike në Jugosllavinë e tretë eventuale, me shpresë se me një politikë më nacionale, do të mund të arrinte shkallën e zhvillimit ekonomik të simotrave veriore, dhe në perspektivë, eventualisht t’ua tejkalojë. Ajo që në Serbi mund të quhet mbeturinë e ideologjisë komuniste duket se është pikërisht vetëdija mbi interesin nacional të zhvillimit në perspektivë. Dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me “ndryshkun” e mendjes sikur që nganjëherë mendohet dhe shkruhet ndër ne. Nga kjo vetëdije ajo nuk mund të heq dorë, bile as me humbje të betejës. Nga ana tjetër, duket fare evidente se republikat veriore nuk mund ta pranojnë përtëritjen eventuale të një Jugosllavie ku sërish politikisht do të dominonin serbët. Rrugëdalja nga ky rreth magjik ose do të gjendet në kompromisin brenda kufijve të tanishëm të Jugosllavisë, ose edhe në ri-rregullimin e raporteve në Ballkan. Për këtë të fundit ekziston rreziku real që të mendohet se shqiptarët do të duhej ta paguanin tagrën e pajtimit eventual të vëllezërve sllavë. Kjo ka ngjarë tashmë në të kaluarën. Do të ishte tragjike të ngjajë sërish. Mirëpo, është edhe më keq të mos jesh i vetëdijshem për këtë.
Serbët dhe rusët
Çfarëdo që të jetë rrugëdalja nga kriza, duket se ajo nuk është aspak e lehtë. Në rend të parë për shkak se e presupozon akceptimin e zgjidhjes eventuale nga të gjitha palët e interesuara, por edhe sepse palët në konflikt bartin në vete argumente dhe interesa fundamentale, të cilat, për shkak të rëndësisë së vet, shtrihen edhe jashtë tyre. Demokratizimi i përgjithshëm i Evropës dhe bashkimi i saj mbi baza demokratike, që në Jugosllavi u lidh me republikat e zhvilluara veriore, e gëzon përkrahjen jo vetëm të Evropës dhe SHBA, por edhe të Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, gjykuar nga aspekti i interesave serbe, politika serbe do ta akceptonte demokratizimin, por jo në dëm të fuqisë së vet. Tashmë është i qartë orientimi afatgjatë i politikës serbe që me çdo kusht t’a ruajë pozitën e vet politike, qoftë edhe në ndonjë Jugosllavi të cunguar, miniaturiale. Duket fare irelevante nëse këtë synim të politikës serbe do t’a mbështeste konkretisht edhe Bashkimi Sovjetik.
Pikësynimi i tillë i politikës serbe jo vetëm që nuk i prish punë politikës globale të Bashkimit Sovjetik, por ndodhet edhe brenda kontekstit historik të interesave imperialiste ruse dhe brenda rezultateve tashmë të realizuara politike gjatë historisë. Bashkimi Sovjetik edhe mund të mos e përkrah aktualisht politikën serbe, por gjatë historisë së shkuar nuk kanë qenë edhe aq të rralla rastet kur politika e Serbisë e ka “detyruar” politikën ruse ta ndryshojë kursin. Rasti më i ri ishte periudha e komunizmit: nuk ishin sovjetikët ata që e detyruan Jugosllavinë të lëshojë pe konform me Rezolutën e Byrosë Informative të vitit 1948, por e kundërta, -sovjetikët ishin ata që të parët e braktisën socializmin, natyrisht jo për shkak të presionit të Jugosllavisë, por ishte evidente se u detyruan ta ndiqnin rrugën që kjo e kishte trasuar e para. Bile Jugosllavët, veçanarisht politika serbe, nuk bënë hapa drastikë në këtë drejtim sa bënë sovjetikët, dhe nuk u ngutën që t’u parapëlqejnë të tjerëve në Evropë dhe në Amerikë. Raste të ngjashme kishte edhe gjatë luftërave ruso-turke në të kaluarën, p.sh. kryengritja serbe e vitit 1804, por edhe në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Me fjalë të tjera, Serbia gati gjithmonë e ka gëzuar përkrahjen e Rusisë, por hapat i ka bërë vetë, bile edhe atëherë kur ka humbur. Këtë gjithnjë në mbështetje të vlerësimeve të veta të rrethanave dhe për interesa të veta. Për momentin aktual politik kjo është me rëndësi për aq sa nuk mund të llogaritet në lëshimin pe të politikës serbe për shkaqe të mospërkrahjes eventuale të Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër, një rol të ngjashëm politik mund ta luajë edhe Kroacia, por nuk mund ta lozë Republika e Kosovës, e as Shqipëria. Edhe Kroacia, p.sh., mund të tregohet autonome ose e pavarur në vendimin e vet për vazhdimin e luftës, sepse mund të shpresojë në ndërhyrjen e të tjerëve. Megjithatë, ushtarakisht nuk është e barabartë me të parën.
Meqenëse konsiderohet që Bashkimi Sovjetik me braktisjen e socializmit, tashmë e ka paguar “tagrën” për universalizimin e demokracisë në Evropë, duket se është fare evidente se as Evropa e as SHBA, nuk janë, dhe as që mund të jenë të interesuara që sovjetikët “të paguajnë” edhe më tutje, p.sh., me eliminimin e ndikimit të tyre në ato rajone të cilat tradicionalisht ia njohu si të saj. Nga ky rregull mund të përjashtohet blloku gjerman, por me kusht që atje të mbisundojë mendimi mbi maksimalizimin e fuqisë në suaza gjeopolitike, që në momentin aktual politik, siç u pa më lart (shiko nëntitullin: Shqiptarët dhe proceset integrative) ishte në kundërshtim me interesat reale gjermane, pavarësisht nga aktiviteti diplomatik i Gensherit, dhe në kundërshtim me tendencat aktuale të politikës ndërkombëtare. Me supozimin se kompromisi i përmendur për zgjidhjen e krizës jugosllave nuk mund të jetë ndonjë federatë e modernizuar (opcion i APJ), ose ndonjë konfederatë e centralizuar, çdo zgjidhje tjetër e presupozon mundjen e njërës nga palët në konflikt. Kroacisë vështirë se do t’i duhej ndonjë pavarësi e plotë pa gati një të tretën e territorit që e konsideron të vetin, kurse Serbia vështirë që do të lejohet të formojë ndonjë “Serbosllavi”. Pra, në qoftë se ky mat-pozicion nuk do të rezultojë në ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë (qëllim kapital i APJ), atëherë duket njësoj reale mundësia e zgjerimit të konfliktit, jo vetëm në pjesët tjera të vendit, por edhe jashtë tij. Në rrethanat e tanishme ndërkombëtare kjo do të ishte pak e besueshme, sikur të përjashtohej çështja e jetësimit të Republikës së Kosovës dhe e zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi. Për këtë shkak, në rrafshin teorik gjërat duken mjaft të qarta: ose do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë, me një rregullim të brendshëm, i cili pavarësisht nga ajo se si do të quhet, do të nënkuptojë ekzistimin e organeve dhe të funksioneve minimale të përbashkëta dhe të pranueshme për të gjithë, së bashku me Republikën e Kosovës që do të kishte status të njëjtë si edhe njësitë e tjera të këtij organizmi, ose do të hapet mundësia e zgjerimit të konfliktit dhe e rirregullimit të raporteve në Ballkan, gjë që e nënkupton luftën. Në rrethana të këtilla imponohet vetëm një pyetje: A është politika e Republikës së Kosovës (duke i nënkuptuar të gjitha partitë politike dhe subjektet e tjera politike në Kosovë), duke u zhvilluar në pajtim me peshën e situatës dhe me vetëdijën e plotë mbi konsekuencat e mundshme të secilit opcion?
Politika me kushtëzime dhe direktivat
Partitë politike në Kosovë i artikuluan qëllimet politike kryesisht përmes shprehjeve në kondicional: “në qoftë se”, “nëse” dhe “po qe se …atëherë”. Në qoftë se, p.sh., do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë, atëherë do të luftohet për një republikë të barabartë sovrane në Jugosllavi; në qoftë se do të lejohet prishja e kufijve të brendshëm, atëherë do të luftohet për një republikë shqiptare në Jugosllavi, e nëse nuk do të ketë Jugosllavi atëherë do të ketë Shqipëri edhe për shqiptarët në Kosovë! Fort bukur! Mirëpo, për cilin opcion duhet të luftohet? Me siguri, do të përgjigjeshin (gjykuar nga logjika e brendshme e pranishme në opcionet alternative) -sipas rrethanave, qëllimi dihet! E po t’i pyesje cilat janë vlerësimet mbi rrethanat ekzistuese, atëherë, pos përgjigjeve euforike mbi këto ose ato mundësi, mbi këtë apo atë bisedë me akëcilin funksionar, senator a politikan, gazetar a komentator, përgjigje definitive me të vërtetë nuk do të kishte. Dhe meqë jemi në prag të shekullit XXI dhe ndodhemi në Evropë e jo në brigjet e Amazonit, ne nuk do të kujtojmë se mungesa e përgjigjeve të këtilla është e rastit, refleksion i situatës momentale, spontanitet i vetvetishëm. As që do të kujtojmë se mungon orientimi i caktuar. Ai ekziston dhe duket se është i lidhur me republikat veriore dhe me qeverinë e dikurshme federale. Republikat veriore dhe qeveria e dikurshme federale me siguri se e kanë bërë edhe analizën e situatës politike në Evropë dhe në botë, por vetëm nga aspekti i tyre dhe me qëllim të realizimit të qëllimeve të tyre. Kosova në këtë rast ka qenë vetëm njëra nga komponentat, interesat e së cilës kanë mundur të respektohen për aq sa nuk do t’i rrezikonin interesat e komponentave tjera -autore të vlerësimeve të dhëna. Se sa i është përgjigjur drejtimi i tillë politik edhe interesave reale të Kosovës dhe me çfarë serioziteti janë bërë këto analiza nga aspekti i mundësive për jetësimin e Republikës së Kosovës shpresojmë se mund të shihet edhe nga tezat e përmbajtura në këtë punim. Për këtë shkak, nuk do të polemizohet me “njohësit” e politikës në Kosovë, por do të vazhdohet theksimi i atyre komponentave, që pas mendimit tonë, i vështirësojnë ecuritë e luftës politike për zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Kosovën.
Qëllimet politike të artikuluara me shprehje të kondicionalit gramatikor mund të jenë politikë serioze për grupet e ndryshme konspirative që e pretendojnë marrjen me politikën. Dikur këto i karakterizonin partitë efemere komuniste të Botës së Tretë, të cilat nuk ishin në gjendje as t’u prinin ngjarjeve, dhe as të mbeteshin jashtë tyre. Përpiqeshin t’u mbeteshin besnike mësimeve të Leninit dhe të Stalinit për rolin e tyre në rrethanat revolucionare antikoloniale. Prandaj rëndom përfundonin në shuarje të plotë, ngase u mungonte si origjinaliteti i veprimeve, ashtu edhe i vlerësimeve. Për këtë shkak, qëllimet politike të artikuluara me shprehje të kondicionalit gramatikor janë politikë tërësisht joserioze kur trajtohen si dokumente për orientimin e luftës së një populli, pasi asnjë populli nuk mund t’u diktohen “direktiva” për sjelljet, e aq më pak për dëshirat ose për vullnetin politik. Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar. Me argumente të shumta që nuk mund të kontestohen, historia e ka vërtetuar se shtetet nuk janë vetëm pikësynim historik i çdo populli; suazë më e mirë për ruajtjen dhe ngritjen e identitetit kolektiv kombëtar (që përfshin gjuhën, kulturën etj.), por edhe instrument i pazëvendësueshëm dhe absolut për zhvillimin e tij, konform me shpirtin dhe me traditën e vet, por edhe konform me kërkesat që ia parashtron koha. S’ka shtet për vete dhe për hir të vetes. Në qoftë se kjo është kështu për të gjithë popujt e civilizuar të botës, dhe me siguri se është, dhe në qoftë se jemi popull i civilizuar, dhe me siguri se jemi, atëherë nuk mund të jetë ndryshe as për ne shqiptarët. Në rrethanat demokratike për të cilat u luftua me gjak e me mund, nuk ka ndonjë arsye që kjo të mos thuhet.
Opcioni evroperëndimor
Ndërkaq, sa i përket mundësive për realizimin e qëllimit (aspiratës) së natyrshme të popullit shqiptar, ato varen nga resurset e brendshme dhe nga rrethanat e jashtme, por varen edhe nga vlerësimi i drejtë, objektiv dhe analitik që këtyre dy komponentave të një tërësie (të brendshme dhe të jashtme) ua bën faktori i organizuar politik. Zatën, kjo është detyra qenësore, por edhe kuptimi i ekzistimit të faktorit të organizuar politik të çdo vendi. Lufta për marrjen e pushtetit politik është vetëm nusprodukt i këtij roli, sepse pushteti politik nuk mund të jetë në funkcion të vetes (përveç kur deformohet në tërësi), por të ndonjë qëllimi tjetër më fundamental. Detyrë tjetër me rëndësi për faktorin e organizuar politik është gjetja e rrugëve më të mira dhe më të shkurtra për realizimin e qëllimeve politike që janë të zbatueshme, të mundshme për përdorim me humbje sa më të vogla, sa më të lehta dhe sa më të parëndësishme. Në qoftë se kjo është kështu për të gjitha vendet e botës, atëherë s’ka se si të mos jetë edhe për faktorin e organizuar politik të Kosovës.
Për këtë shkak, është gati tërësisht e pakuptueshme që thelbi i çështjes akoma nuk shtrohet hapur: çfarë janë vlerësimet për situatën kur faktori i jashtëm për shkaqe të ndryshme, hipotetikisht: a) nuk mund të mos lejojë zgjerimin e konfliktit, por p.sh., mund t’a lokalizojë atë vetëm në territorin e Ballkanit, dhe b) mund të përpiqet ta gjejë kompromisin përsëri në dëm të interesave nacionale shqiptare? Nga ana tjetër, tani është më se evidente se interesi kyç aktual i Republikës së Kosovës është jetësimi i saj. Dhe po ashtu ai është i lidhur me zgjidhjen e krizës jugosllave. Lidhur me këtë, doemos paraqiten pyetje të shumta, por ajo që është më e qenësishme ka të bëjë me faktin se a thua ekzistojnë garanci të forta se zgjidhja e krizës jugosllave do të jetë pikërisht ashtu siç e ka paraparë faktori i jashtëm -një Jugosllavi-asociacion i shteteve sovrane, ku Republika e Kosovës do të ishte po ashtu një shtet sovran asociativ? Dhe përsëri thelbi i çështjes duhet thënë troç: fjala është për opcionin evroperëndimor me të cilin u lidhën republikat veriore të Jugosllavisë dhe me të cilin u lidhën edhe forcat aktuale politike (faktori i organizuar politik) në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Mirëpo, në kushtet e universalizimit të demokracisë në të gjithë Evropën, edhe politika serbe që në fillim e kishte të qartë se Republika e Kosovës duhej të jetësohej në funksion të bashkimit të popullit shqiptar; jo vetëm konform me proceset integrative në Evropë, por edhe me interesat fundamentale të popujve të Ballkanit për ruajtjen e paqes dhe për kultivimin e stabilitetit politik si parakusht të çdo evropeizimi.
Vetëm në këtë mënyrë mund të evitoheshin mundësitë për instrumentalizimin e tyre në funksion të interesave të huaja.
Qëmoti ishte koha që kjo e vërtetë e moçme e këtyre trojeve të akceptohej njëherë e përgjithmonë nga të gjithë popujt. Në këtë mënyrë do të ishte e mundur të hapeshin rrugët e zhvillimit, të evropeizimit dhe të përparimit, jo të errësirës, të ngecjes dhe të vdekjes. Mirëpo, lidhur me vetëdijësimin mbi natyrën e interesave të vërteta në secilin nivel sigurisht se edhe për një kohë të gjatë do të ketë mbitheksime të interesave partikulare, jo të atyre universale; të interesave të elitave, dhe më pak të popujve; diktate të fuqisë dhe jo të vullnetit të lirë. Të gjitha këto mund të rezultojnë në zvarritjen e proceseve, ta rrezikojnë drejtimin e tyre, por ndërkaq nuk mund t’i ndalin ato, e as ta pengojnë shpërthimin e interesave të njëmendëta; mund ta komplikojnë krizën, por nuk mund ta pengojnë zbërthimin definitiv të saj. Me shpresën se nga analiza e përmbajtur në këtë tekst është fare lehtë të nxirren veçoritë dhe tendencat e proceseve në nivelet tjera (evropian, ballkanik, jugosllav), tani është e udhës të ndalemi ende në Republikën e Kosovës. Shquarja e disa dobësive dhe problemeve të cilat e rëndonin situatën edhe ashtu të rëndë në të kaluarën, duket se ende vazhdon. Do të ishte mirë që ato të marrin fund një herë e përgjithmonë dhe për hir të këtij qëllimi pason analiza e mëposhtme.
Një Kuvend në Krushë të Madhe
Fjala është për Kuvendin e jashtëzakonshëm të Degës së LDK në Rahovec, i cili u mbajt më 6 korrik të k.v. në Krushë të Madhe, fshat i kësaj komune. Problemet e shqyrtuara në këtë Kuvend me siguri që i tejkalojnë suazat e një dege, ndërsa rëndësia politike e çështjeve të shqyrtuara me siguri që shtrihet në tërë hapësirën, jo vetëm shqiptare. Shkaku është i thjeshtë: aty nuk u polemizua me delegatët e Kuvendit /103/, por me tezat, metodat dhe veprimet që reflektoheshin në Kuvend. Dhe sa do që heshtja vazhdon të zgjasë, problemet do të rëndojnë. Injorimi i tyre i qëllimtë me pretekstin se nuk janë reale vetëm sa i thellon e nuk i eleminon ato.
Akceptimi i njëmendët i një të vërtete e nënkupton faktin se në veprimet e veta faktori subjektiv do t’i përmbahet porosisë së saj. Ndërkaq situata e komplikuar politike, mungesa e përvojës në jetën politike të demokracisë, njohuritë e mangëta mbi interesat, intencat dhe mundësitë e faktorit të jashtëm, trashëgimia e mangët politike e faktorit të brendshëm, dhe një varg faktorësh tjerë, doemos ndikojnë në shfaqjen e dobësive të shumta që e përcjellin jetën politike në perioda të tilla tranzitore si kjo e tanishmja. Mirëpo, në qoftë se të gjitha këto konsiderohen ekskuze për të vazhduar të vjetrën, atëherë fjala është për diçka tjetër dhe jo për dobësitë. Arsyetimi i gabimeve ka kuptim vetëm atëherë kur ato nuk bëhen me qëllim dhe sidomos kur mungon intenca e përsëritjes së tyre. Në të kundërtën fjala është për ndonjë kurs të caktuar të zhvillimit të gjërave. Në qoftë se drejtimi i tillë vazhdimisht bie ndesh me faktet, atëherë diç nuk është në rregull ose me kursin ose me bartësit e tij, apo ndoshta me të dytë. Konsekuencat rezultojnë së paku në ngecjen e proceseve, në mos edhe në diçka tjetër. Dhe pasi që ato kanë të bëjnë me të gjithë, dhe jo vetëm me disa, shanset për shpërthimin eventual të pakënaqësive të grumbulluara në atë mënyrë vetëm sa rriten e nuk zvogëlohen.
Në rend të parë duhet theksuar se përcaktimi për luftë politike nuk u kushtëzua vetëm me vlerësimin objektiv të mundësive reale për të zhvilluar një luftë tjetër nga ajo politike. Insistimi në këtë nuk do të ishte tjetër përveç se vulgarizim i tepruar i fakteve. Natyrisht, vetëdija kolektive mbi veten ushtron ndikim të duhur mbi zgjedhjen e mjeteve të luftës, por në përcaktimin për luftë politike ndikim prioritar duket se ka pasur vetë natyra e qëllimit: -Konstituimi i Republikës brenda Jugosllavisë (federale, konfederale apo asociacion i brishtë i shteteve sovrane). Qëllimi i tillë e presupozonte vazhdimin dhe jo ndërprerjen në jetën e përbashkët me popujt tjerë, dhe as paktimin rigoroz me njërën nga palët në konflikt. Puna ishte të luftohej logjika e forcës, por jo duke u vënë në shërbim të dinakërisë së të tjerëve që luftonin për hesapet e veta, e jo tonat. Sakrificat që i bënin shqiptarët nuk shkonin vetëm në favor të konstituimit të Republikës, por shtroheshin edhe në altarin e mundësive për ruajtjen e integritetit territorial të vendit; të paqes në Ballkan, por mbi të gjitha -venin në altarin e demokratizimit të raporteve politike në vend; të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare; të atyre në Ballkan dhe në Evropë. Dhe kjo mjaftonte. Zor që në ndonjë vend të kishte ndonjë popull tjetër që kontribuoi aq shumë për proceset integrative në Evropë, jo se shqiptarët e deshën atë më shumë se të tjerët, por sepse pozita e tyre e gjithëmbarshme i detyroi të vepronin ashtu. S’kishte kurrfarë nevoje të paktohej me ide dhe me teza të llojeve të ndryshme.
Politika serbe ishte fare e vetëdijshme se Republika e Kosovës nuk do të ishte zgjidhje definitive e çështjes shqiptare. Kjo politikë, me logjikën e forcës, rezononte në fillim se kjo çështje do të duhej të zgjidhej me forcë, gjithnjë me shpresën e ushqyer nga orekset e vjetra për shndërrimin eventual të Shqipërisë në një republikë të shtatë jugosllave. Logjika e tillë problemin e Kosovës e shihte në kontekst të raporteve jugosllavo-shqiptare. Ndërkaq çështjen shqiptare në përgjithësi e shihte në konekst të raporteve jugosllavo-italiane ose në kontekst të raportit me fuqitë e Evropës. Kosova aty mbetej një forcë e brishtë me të cilën mund të luhej ping-pong.
Mirëpo logjika e tillë e forcave, vështruar vetëm nga ky aspekt, rezononte me parametra gjeopolitikë kaherë të tejkaluar, dhe dukej sikur shkonte ndesh me realitetin aktual. Si e tillë nuk mund të ishte në interes as të atyre që këtë e praktikonin, sikur të mos ishte fjala për diferencat e zhvillimit, as të humanitetit dhe as në interes të së ardhmes politike. Puna ishte që kjo të argumentohej. Dhe pikërisht tek argumentimi gjërat çalonin e dukeshin të palogjikshme: në njërën anë, bëhej gjithnjë e më tepër e qartë se në pikëpamje të kufijve gjërat do të mbeteshin ashtu si kanë qenë. Jetësimi i Republikës së Kosovës, d.m.th. jo zgjidhja e menjëhershme dhe definitive e çështjes shqiptare, do t’i ndihmonte afirmimit të proceseve integrative në Evropë, të anëve pozitive të këtyre proceseve. Evropa nuk mund të ishte Evropë e diktatit të më të fortëve, por shprehje e vullnetit të lirë të popujve të saj. Një orientim i tillë në zgjidhjen e çështjes shqiptare do t’i evitonte mundësitë për instrumentalizimin e serbëve në dobi të interesave ruse, por pastaj edhe të shqiptarëve në dobi të interesave të Perëndimit. Për këtë shkak, stoicizmi me të cilin populli shqiptar i përjetoi viktimat e luftës politike gjatë dekadës së shkuar dhe fillimi i viteve ’90 ushqehej me shpresën se që të dy palët nuk do të tregoheshin të shurdhër ndaj kërkesave të tij legjitime, por edhe me ndjenjën e të drejtës morale se po i kontribuonte fuqimisht lindjes së një realiteti të ri që shtrihej larg përtej ëndrrave të tij të kufizuara në hapësirën e vatrave të veta.
Nën supozimin e ruajtjes së kufijve të jashtëm apo të integritetit territorial të Jugosllavisë, përse atëherë zhvillohej një luftë kaq e tmerrshme në Kroaci? Popujt nuk mund të detyroheshin dot të luftonin për shkak të konotacioneve ideologjike. Edhe fashizmi si ideologji e kishte pasur për bazë pakënaqësinë me ndarjen territoriale të botës dhe me vendin e vet në të. Ndërkaq, shovinizmi, hegjemonizmi, etj., serbomadh ishin vetëm konotacione ideologjike, pas të cilave fshihej diçka tjetër. Puna ishte të përcaktohej drejt se çka ishte ajo dhe në bazë të këtij përcaktimi të formulohej një politikë adekuate për Kosovën. Pra, nga ana tjetër, ishte gjithashtu e qartë se Serbia nuk do ta pranonte reduktimin drastik të rolit të vet në raportet ndër-republikane. Ajo e kishte vlerësuar me precizitet të saktë se një asociacion i republikave sovrane jugosllave, me supozimin se në atë asociacion Kosova do të shkëputej nga ajo dhe do të ishte e barabartë me të tjerat, do ta sillte Serbinë në pozitën e dikurshme të Kosovës ndaj Serbisë, pra, në pozitë të një kolonie të rëndomtë për nxjerrjen e superprofitit nga ana e më të zhvilluarve. Bile ndoshta edhe më keq, se tani nuk do të ekzistonte kurrfarë koncensusi në marrjen e vendimeve: -tani edhe Serbia edhe Kosova do të ishin në pozitë të barabartë të varfanjakëve për të shitur lëndë të para në tregun e republikave të zhvilluara veriore. Ndërkaq, një federatë e modernizuar që e kishte propozuar APJ me supozimin se Republika e Kosovës do të ishte njësi e barabartë federale me të tjerat, mendoja me sinqeritet të plotë dhe akoma mendoj, se do të ishte në interes të Kosovës, por edhe në dobi të të gjitha njësive federale në Jugosllavi. Meqë një kohë të gjatë Kosova kishte shërbyer si treg për plasimin e mallrave të finalizuara nga republikat veriore dhe minierë për ekstraktimin e lëndëve të para, me konstituimin e saj në republikë, mendoja se ishte rendi, bile edhe e udhës, që edhe ato tani ta bartnin “vëllazërisht” një pjesë të barrës për zhvillimin e saj të shpejtuar.
Për të marrë vesh nëse Kosova pranohej si republikë në propozimin e sipërm të APJ, e shkrova kryeartikullin e “DeA”-s, 2/1991, me titull “Armata dhe politika”, por si presidenti Joviq (atëherë ishte kryetar i Presidencës jugosllave), ashtu edhe gjenerali Kadijeviq, e heshtën pyetjen që ishte e pranishme aty. Pastaj, pasuan sulme të ashpra me qëllim të diskreditimit tim të plotë, por kjo akoma nuk më mërziste. Mendoja atëherë, por edhe tani, se do të kishte qenë në interesin politik të Kosovës angazhimi i saj në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Jugosllavisë. Edhe atëherë edhe tani për mua si individ gjërat ishin të qarta: ose do të ekzistonte një Jugosllavi me Republikën e barabartë të Kosovës në të, ose për Kosovën, për të pasur Shqipëri, do të duhej luftë për të cilën nuk ishim edhe aq të gatshëm. Andaj, gjithnjë si individ, pavarësisht nga sulmet që më drejtoheshin, isha i përcaktuar në mënyrë kategorike: a) për ruajtjen e integritetit terrritorial të Jugosllavisë; b) për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë; dhe c) për Republikën e barabartë të Kosovës në Jugosllavi. Këto edhe i thashë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Krushës së Madhe. Si studiues i politikës ndërkombëtare, e dija tashmë se qarqet politike në Perëndim territoret shqiptare i konsideronin si sferë të interesave të Lindjes dhe nuk ishin të gatshme të luftonin me sllavët për interesat tona. Përkundrazi, mendoja se duhej të luftonim vetë, me vendosmëri të plotë, për ato qëllime politike, të cilat edhe serbët nuk do të mund t’i refuzonin me asnjë pretekst moral dhe racional.
Ndërkaq, pikërisht në artikulimin e një optimizmi të tillë, të së drejtës morale dhe të shpresave reale duket se u bënë lëshime të rënda: uniteti dhe homogjeniteti që ekzistonte në popull që nga fillimi rreth kërkesës fundamentale -Republika e Kosovës, gjatë një kohe u shfrytëzua për realizimin e qëllimeve tjera të deklaruara ose të padeklaruara, por gjithsesi më pak të rëndësishme: u krijua artificialisht një disponim euforik që ushqehej me shpresën se faktori i jashtëm do t’a binte Republikën e Kosovës në Kosovë dhe bile, pa ndonjë mund të madh, do ta mundësonte edhe bashkimin e trojeve shqiptare! Krijimi i kësaj euforie, andaj u përcoll me shkeljen e faktorit të brendshëm: të rinjtë e dënuar të cilët njësoj iu kishin kundërvënë edhe administratës së dikurshme të Krahinës, pra jo vetëm politikës serbe, në fillim u morën me të mirë, ndërsa më vonë u sulmuan si marksist-leninistë e si komunistë. Në të vërtetë viktimave të rëna në vitet ’90 iu bë homazh me të gjitha nderimet e duhura, me tentimin që në mënyrë perfide t’i konsideronin vetëm si viktima të Demokracisë, por jo edhe të Republikës! Shokëve të gjallë të atyre që kishin rënë gjatë dhjetë vjetëve të shkuar iu shpjegua se “do t’i mbanin në zemër”, por që nuk mund të dilnin në ballë të proceseve se “ashtu e donte situata”. U ndërmor aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe iu dha rëndësi pleqnarëve. Të dyja këto institucione ishin ndërmarrë edhe më parë, qysh para vitit 1981, por tani u stërtheksua rëndësia e tyre, u riaktivizua makineria e tërësishme e administratës së dikurshme dhe pastaj iu kënduan këngë “heronjve” që e kishin bërë vetëm punën e tyre dhe nuk kishin pasur kurrfarë lidhjeje me luftën për Republikë. U bë aq shumë propagandë rreth këtij aksioni saqë Ismail Kadaresë në Tiranë i ishte dashur publikisht ta shfaqte befasinë me thellësinë e problemit që paskësh ekzistuar. U riaktivizua Fishta, jo vetëm me vlerat letrare të veprave të veta, por edhe me tërë ideologjinë e tij profashiste. Për pak sa nuk u legalizua zogizmi si ideologji zyrtare e Republikës! Një numër bukur i madh i njerëzve, duke i shfrytëzuar fasilitetet e udhëtimit jashtë vendit (ndryshe prej atyre që leja e udhëtimit u ishte marrë me kohë) u shpërnda nëpër Evropë dhe Amerikë për “të luftuar për çështjen shqiptare” me paratë e popullit që i kishte ndarë nga kafshata e gojës. Askush nuk i kishte zgjedhur dhe askush nuk i kishte autorizuar (përveç administratës së vjetër), por duke u mbështetur në interpretimin voluntarist të historisë shqiptare, kishin kujtuar se po e bënin punën e Isa Boletinit dhe të Ismail Qemalit. Harronin natyrisht se Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin i kishte zgjedhur populli. Gjatë luftërave aktive antiturke pikërisht ai ua kishte dhënë mandatin që t’a përfaqësonin në forume të caktuara ndërkombëtare. Ndërkaq, Ismail Qemalët dhe Isa Boletinët e sotëm të Republikës këtë mandat ia kishin dhënë vetës, duke u marrë me “kryerjen e punëve” të cilat kishin përfunduar që moti. Për këtë shkak çdo takim me njerëz të llojeve të ndryshme jashtë vendit, me t’u kthyer në vend, e prezentonin si takim me njerëz të rëndësishëm të politikës. Pikëpamjet e shprehura në biseda joformale prezentoheshin si qëndrime ministrash, bile edhe qeverishë. Kishte qenë i çuditshëm diletantizmi që e kishte shfaqur një numër aq i madh i intelektualëve tanë.
Mirëpo, kishte qenë edhe më e çuditshme politika e të gjitha niveleve në Jugosllavi që e lejonte një manipulim aq të madh me popullin dhe heshtja e politikës në Shqipëri. Kakofonia e zërave të tillë nga Kosova nuk mund të ishte kurrfarë kontributi i luftës për republikë dhe as që mund të arsyetohej me festimin e republikës. Fjala ishte për përzierje të tillë të kompetencave dhe të kritereve saqë nuk mund të kishte kurrëfarë lidhje as me demokracinë, në qoftë se ajo nuk identifikohej me hajdutëri të organizuar politike, dhe në qoftë se nuk kundrohej vetëm si anarki e rëndomtë. Ndërkaq shtypi në Kosovë ishte hapur tërësisht, jo për qasje të matura e kompetente për çështjet kyçe të historisë dhe të politikës në Kosovë, por për fushata të organizuara antikomuniste dhe antipolitike. Antikomunizmi kishte qenë një nga shtyllat e politikës së jashtme amerikane, por kurrnjëherë nuk kishte qenë veti e asnjë demokracie. Mund të kishte qenë somozizëm, pinoçetizëm dhe neofashizëm, por jo edhe demokraci. Jepeshin dhe akoma jepen lloj-lloj vlerësimesh, pa kritere dhe pa kurrnjë rezervë, vlerësime të tilla të çështjeve kyçe të historisë dhe të politikës, jo vetëm në Kosovë, të cilave nuk u mungon vetëm kompetenca, por edhe shija; jo vetëm ndjenja për kohën dhe kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve, por edhe njohuritë elementare për vetë epokën, si edhe për momentin. Kush i dha leje shtypit në Kosovë që me paratë e shoqërisë t’ia impononte asaj zogizmin si ideologji? Për çfarë demokracie dëshirohet të bindet shoqëria se ekziston në Kosovë kur me makinacione tanimë të njohura ndihmohet shuarja e shtypit privat? Njëpartizmi në thelb, e pluralizmi në formë; avansimi i së vjetrës dhe shtypja e së resë; përparohet mediokriteti dhe injorohet talenti!
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Pashtriku.org, 14. 05. 2013 – Republika në kontekst të situatës – Shkencërisht është vertetuar pothuajse plotësisht se shqiptarët rrjedhin nga ilirët dhe se gjuha shqipe është variant i zhvilluar i ilirishtes. Vetëdija mbi përkatësinë në ndonjë kolektivitet të caktuar nacional zhvillohet gjatë kontaktimit me të tjerët. Me atë rast është me rëndësi se fillimisht zhvillohet një vetëdije mbi atë se “çka nuk jam”, e pastaj kërkohen edhe përgjigjet mbi atë se “çka jam”. Në fillim sigurisht, ashtu siç konstaton edhe shkenca, duhet të kenë vënë re se e flisnin një gjuhë të veçantë nga të tjerët, një gjuhë të veten që nuk kishte gjë të përbashkët me greqishten e vjetër, me latinishten, as më vonë me variantet e gjuhëve sllave, dhe në fund me turqishten. Është irelevante për qëllimin e këtij teksti të dihet se si e quanin ata veten, por është me rëndësi të konstatohet se aty fillon zhvillimi i vetëdijes mbi atë se i përkisnin një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte edhe ndonjë interes të përbashkët. Shumë më vonë kjo u quajt si vetëdije mbi përkatësinë nacionale, që mbetet e përbashkët dhe unike për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Gjatë historisë, rrethana dhe faktorë të ndryshëm politikë u përpoqën që ndër shqipatarët ta shuajnë ose t’a zhdukin vetëdijen në fjalë, por paralelisht me këtë, ose në luftë për ruajtjen e unit të vet, zhvillohet edhe vetëdijësimi politik mbi pozitën dhe mbi interesat e përbashkëta kolektive. Vetëdija kolektive politike për t’u konstituuar si komb në Jugosllavi është produkt i zhvillimit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas vitit 1981. Ajo ishte e lidhur me perceptimin e faktorit të jashtëm dhe me mundësinë e realizimit të bashkimit të trojeve shqiptare.

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura