TË BASHKËBISEDOSH ME DHIMBJEN
Flutura Açka “Biri”
Nga Dr. Ermira Ymeraj, Shkodër 1 shtator 2021
Letërsia është akt komunikimi, ngjarje tekstuale që nxjerr lloje zgjedhjesh, gjithashtu është produkt i konventave dhe llojeve të zgjatjeve1. Maley 2, thekson që letërsia merret me një potpuri të llojeve dhe varieteteve gjuhësore – nga zhargonja në zyrtare – dhe çështje të ndryshme të temave.
Dhe nis komunikimi me “Gjuhën e dhimbjes”:
“Nëna është si një lotore dhe ka përmasat e saj në humbje të tilla.”3 Biri ishte tani plaga jonë. E vetmja gjë që shqova ishte numri 118843U. Biri ynë ishte tani një numër, numri i një bote tjetër…4. Një nënë që ka humbur fëmijën endet në Askund. Një nënë që ka humbur fëmijën ndihet një Asgjë5”. Ndërsa Biri, komunikon “Gjuhën e dëshmisë” “Shkruaj! Mam, mos hyr te spiralja e dhimbjes, se nuk del dot.6”
Argumentohet se letërsia promovon, ndër të tjera, njohuritë e fjalorit, njohuritë e frazave leksikore dhe shprehjeve fikse7, jetësimin e gjuhës 8. Jo më kot, letërsia mpreh aftësitë gjuhësore dhe njohëse dhe rrit kuptimin e lexuesit për gjendjen njerëzore 9. Teksti letrar është i organizuar në tre grupe të mëdha: estetike, psikolinguistike dhe socio – morale. Zona estetike përqendrohet në përfshirjen estetike të lexuesve në procesin e leximit dhe zona psikolinguistike merret me identifikimin dhe brendësimin e lexuesve të modeleve të caktuara të sjelljes. Ndërkohë, zona socio-morale është e përqendruar në tema dhe çështje të përmbajtjes. Të ndërlidhura siç janë, të tre fushat kontribuojnë në zhvillimin e zonës personale që rrit zhvillimin e lexuesve si individë të tërë.
Duke lexuar romanin “Biri”, lexuesit janë të ekspozuar ndaj gjuhës reale që i lejon ata të njihen me funksionet komunikuese sociale dhe mbështetur në kriterin metodologjik që i referohet mundësisë së interpretimeve të shumëfishta dhe mendimeve të ndryshme të krijuara zakonisht nga teksti. Kjo e çon lexuesin në një bashkëveprim real, si ura ku kalon informacionin dhe ndërtimin e kuptimit. Gjithashtu, “lexuesi vendoset në një rol aktiv ndërveprues, duke punuar dhe duke i dhënë kuptim gjuhës (letrare)”10.
Kjo do të thotë, për lexuesin të përfshihet të jetë aktiv, autonom, si dhe të rritet si një individ që eksploron ndjenjat e rrëfyesit, duke stimuluar imagjinatën, duke zhvilluar aftësitë për të rritur vetëdijen e tyre emocionale brenda gjuhës së dhimbjes, për të arritur deri në perceptimin e traditat e mendimit, ndjenjës dhe formën artistike në kulturën e shkrimtares. Mjediset janë të gjalla dhe të hollësishme dhe i çojnë lexuesit të zbulojnë personalitetet dhe botët e personazheve. Lexuesi e sheh botën e dhimbjes nga pikëpamje të ndryshme, duke zbuluar mënyra të ndryshme të jetesës në shoqëri të ndryshme dhe bëhet i vetëdijshëm për ngjarjet shoqërore, politike, historike ose kulturore që ndodhin në një mjedis të veçantë11.
Dhe gjuha e dhimbjes kthehet në gjuhë universale, me rëndësi personale, e shumëllojshme, me interes, me fuqi sugjestive, aq sa dhe unike.Universaliteti i gjuhës së rrëfimit te “Biri”, qëndron se ajo përfshin tema globale: si dashuria dhe vdekja, që e futur në kontekstet e shpirtërores ofron lexuesit trajtimin autentik. “Kur shkruaj, unë shkruaj për ata që e kuptojnë narracionin tim. Edhe vetë ky rrëfim, është për ata që më kuptojnë, për të tjerët, që nuk kuptojnë, bota ka hapësira pa fund gëzimi. Ky është një kënd tragjik ku prehet zija ime e lindur ditën e ikjes së tim biri.”12 “Nuk është shkruar kurrë ndonjë rregull që nëna të helmuara nga malli për fëmijën e humbur, të jetë racionale, as duhen gjykuar kur bëjnë “marrëzira” për sytë e njerëzve që nuk i kuptojnë dhe që kërkojnë heroin te Absurdit 13… jam në kërkim të qetësisë që ma kërkon ankimi i fëmijës sime të dytë, letërsisë, të cilën nuk do t’ia dal ta dua dhe ta ruaj në këtë jetë, pa e quar në fund këtë rrëfim që shpresoj do lidhë vjegët e jetës sime të shkokëluar.”14
Një roman me rëndësia personale: Biri trajton një ngjarje jetësore, ide të rëndësishme për jetën, ndjenja dhe emocione që përputhen me një pjesë reale ose imagjinare të përvojës së lexuesit. Kjo e bën këtë roman thelbësisht të vyer. Gjuha e dhimbjes mbart me vete fuqinë imagjinare: Një nga pikat e forta më të mëdha të letërsisë, konsiston në fuqinë e saj imagjinare, sugjestionuese, e cila pa dyshim është përtej fushëveprimit të shkrimit si akt. Dhimbja gjeneron ajo rrit vizatimin e lexuesit në përvojë, mendimet dhe ndjenjat e tyre personale.
“Kjo është zija ime – personale. … është një bisedë e hapur e imja me Birin, që mund të jetë njëherësh edhe një bisedë e hapur edhe e prindërve të tjerë me fëmijët e tyre. Prindër si unë – të pabir. Fjalët e mia janë edhe fjalët e tyre dhe fjalët e tyre të pathëna, janë edhe fjalët e mia të heshtura.”15
“Më ka marrë malli të jem nënë16. Biri është tatuazhi im mbi lëkurën e botës17. Biri është burgosja e kohës sime18. Biri është hija ime e pandashme19. Biri është mospranimi im eternal20. Biri është e vetmja e vërtetë e plotë e imja21. Biri tani është dita ime.”22
Dhe vazhdon me “Gjuhën e personalitetit psikologjik”, të Birit dhe vetes. Në analizën e “Birit”, rrëfehet një e vërtetë tronditëse e realitetit të nënës me Birin brenda dhe pritja e përballimi i vdekjes që ndryshojnë statusin dhe e shikojnë humbjen – ikjen si një gjendje e pezullt shpirtërore e paplotësuar me etapat e tjera të Birit. Flutnesha parapëlqen një të vërtetë të qashtërt, ku trillimet artistike nuk janë me vlere në veprën e saj. Biri përgjithësisht është heroi që bën diferencën.
Nëna – autore, hidhet e tera në shpalosjen shumëdimensionale të të Birit të cilin e shpreh: “im bir është një vizitor i çuditshëm në shtëpinë time tani edhe në ëndrrën time ku rrallë ka banuar njeri, ai zotëron të gjitha hapësirat. Të pafundme. Kthimi i tij nga banor në vizitor i trojeve të mia, e ka mprehur kujdesin tim për ajrin që ai lëviz, për zhurmën e hapave të tij, për tingujt e fjalëve që thotë, për çdo tik a nojmë të buzëqeshjes së tij. Ai është gjithçka që dikur nuk e njihja me kaq imtësi, tani mund t’ia vizatoj portretin symbyllas”23.
Shkrimtarja paskohësinë e kthen në ligj dhe e bën Birin njeriun e pavdekshëm, ai ka një rol në jetën e saj, roli i tij është profetik. Flutnesha nuk ekzagjeron, ajo është ulur këmbëkryq me Birin si e pabir dhe na shikon të gjithëve përmes ndjesive të pangjashme, duke shpalosur sistemin gjigant të humbjeve, së cilës i bën grafikun e jetës duke e shpjeguar se për se e trajton ashtu, deri në vendimin për ta pranuar ikjen (vdekjen), pa i dhënë shpjegim nënave.
“Për mua ajo (vdekja) është një portë ku ne djegim të djegshmet tona, ato që lëmë pas krahëve, gjërat tredimensionale, në të vërtetë katërdimensionale, përderisa shpesh sendet tona jetojnë më gjatë se ne në kohë. Të vetmet që marrim me vete janë virtytet, veset, mendimet, dijet, talentet, hobet, buzëqeshjet, idetë dhe gjithçka tjetër që nuk mund ta lëmë këtu e që nuk i djeg dot “zjarri” që na pret tek ajo flegër. Nuk ka njerëz më të lumtur se ata që dinë të bartin gjëra të padjegshme te ai prag”.24
Nga ana tjetër e pabir, mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë nëna në pa aftësinë për të pranuar ikjen e Birit në një sistem të padrejtë rendor, ikja duhet të ishte në rend të drejtë, ikja e prindit para fëmijës, edhe pse ajo përpiqet që të kuptojë diçka nga përballja me këtë ikje, përsëri është e mbytur nga prishja e një ekuilibri. Në secilin kah vlerësimi ne ndjekim një marrëdhënie të veçantë njerëzore, që e ndjek absurditeti fatal i ikjes së qenies më të dashur nga jeta. Logjika, hapësira, ekzistenca në vetvete bëhet tejet e pakuptueshme për një debat ndërmjet ardhjes dhe ikjes, e tmerrshme në efektin e saj tek pranimi nga i biri e më pas nga nëna.
Birin e shohim si karakter në disa drejtime, ai nuk është vetëm Biri i një nëne, por dhe ligjësi shpirtërore, e cili në një periudhe të caktuar humbet ekzistencën e tij pasi një ligj tjetër, ai i jetës me një biletë, ia ndërpret rrugëtimin, po jo mundësinë për të vazhduar të jetojë brenda nënës. Kjo është një e vërtetë e madhe për të cilën një nënë nuk ka nevojë për gjithfarë energjish dhe përpjekjesh njerëzore për ta mbajtur atë brenda vetes, e frymëzuar nga ajo që tashme është e vlertë, jeta që jetoi Biri, ajo nuk mund të fshihet fatit: “ky libër nuk mëton t’ju zgjojë dhembshuri ndaj asgjëje – fati është tepër personal – as të shpjegojë se sa e tmerrshme është vdekja si “substancë” që ndërton pikëllimin, por se sa tragjike është ta mbyllës jetën në të ritë e tu të bukur dhe sa fatale është të mos dish të jetosh atë, edhe ashtu të shkurtër nga fati. Biri dinte të jetonte aq bukur!”25.
Veten e quan të pabir.
Por ç’është në të vërtetë “e pabir”? S’është gjë tjetër veçse krijesë e një gjendje e statusi jonjerëzor, e tmerrshme dhe pa kthim. Ajo është me tepër, është krijim i një individi tjetër nën një trysni fati të cilin askush prej nesh nuk e zgjedh. E pabir është gjëmë që i vjen një prindi që e mbarti brenda qenies së vet. Ky status, kjo gjendje bën efektin e vet, duke i hequr të mirën e vazhdimit të mëmësisë që çdo grua mëton, duke e shndërruar në një qenie të trishtueshme që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore qoftë dhe më minimalet të thirret nënë. “…ende nuk i kam thënë gjë sime mëje për këtë … u përpoqa të flas me të se si duhet ta vazhdojnë jetën ata, por ajo veç shpërtheu në lot… kështu që nuk e di se si duhet t’ia them asaj… gjëja që mendoj paprerë, është se si do jenë ata pa mua… dhe nuk e di… nuk është e drejtë … ka kaluar tani një javë? … afërsisht… ky është tmerri … më duket sikur mpihem nga dhimbja…”26
Mëmësia vdes bashkë me Birin në ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të “zgjidhjes” që do ti sjellë bashkimi në përtej jetën. Do më presësh? Ai tundi kokën lehtë, sytë e tij të butë e me shtjekët e zgjatur edhe më nga dobësimi i shpejtë i atyre ditëve, më jepnin sigurinë e njeriut që nuk harron të të mbajë nga rënia27. Nëse do ta nisim nga fillimi: Nëna – shkrimtare nuk gjen mjete për të asgjësuar apo zhdukur mëshirën e të tjerëve. Ajo ndihet thellësisht e pa shpresë për momentin e mendon dhe e tenton bashkimin me Birin. Zgjidhjen e merr si pasojë e një vendimi të Birit mbi situatën dhe e le veten tërësisht të shkrihet e të vazhdojë përballjen me fatin që i racionoi Jeta. Ikja e Birit është një zgjedhje e pafat e jetës, por jo pa mundësi për t’u përballë me të. Mëmësia proteston.“… por tani duhet ta provosh, a vazhdon dot pa mua? Kjo është prova jote për dashurinë ndaj meje. Mam. Provoje! Unë do të vëzhgoj, do të jemi bashkë gjithë kohën, ti do ta kuptosh edhe vetë se do jem me ty gjithë kohën, më beso këtë që po të them… Po fliste një ateist, ose më mirë, një djalosh që ende nuk kishte ndonjë raport të caktuar me botët që na rrethojnë dhe blatimet e tyre.”28
E Pabir është vetë protesta. “Përse do të përmbahesha, për çfarë do të ruhesha, a kishte më fund se ky fund?”29
“Nuk isha më unë. Po si të mbetesha unë? Nëna -ish nëna”30.
Gjithë arsyetimet fatale të paraqitjes së botës pa birin janë protestë e saj që nuk ka një gisht drejtues, ajo erdhi si fat apriori për të gjithë, që nga momenti i shfaqjes së sëmundjes, ajo nuk ka mjete lufte përveç reflektimit mbi situatën. Të vdekshëm jemi të gjithë ne në këtë ardhje, fati na etiketon në çdo kohë dhe është e pa evitueshme. Mëma rrëfen transformimin si vetë vdekja qëkaplon birin, në vitet që plagosin përpjekjet për lumturi dhe qetësi që i lakmojmë për ditë të gjithë ne. I sëmuri është Biri që nëpërmjet karakterit të tij donte të prekte gëzimin, por që endet ishkatërruar mureve të spitalit, ai i drejtohet vetëm shpirtit të prindërve që me ikjen e tij do kthehennë të pabir. Gjithçka që kishte kaluar në jetë, prezantojnë një karakter të formuar. Njerëzit tronditen nga ikja. Mëma mban një qëndrim ndaj hallit që i bie nga qielli. Ajo merr Birin si ndërgjegje dhe orientohet drejt vazhdimit, i dorëzohet kujtimeve me dëshirën për të asgjësuar ikjen e tij dhe shikon nga yjësia.
“Atë çast u betova se nuk do ta turpëroja qenien e bukur që tani heshtte, se nuk do qaja rrugëve, se tani unë do të isha fëmija i tij, për të cilin ai do të kujdesej nga larg, ati sovrani që më kishte mësuar përditë pak e nga pak se si të sillesha me vdekjen e tij. Unë u luta: Të isha një nënë e denjë, për një bir të denjë si ai.”31
“Biri”
Shumë nga ankthet e nënës nisin e lëvizin në dhomat e birit. Ajo bëhet e prekshme sepse aty digjen dëshirat për birin. Ai ka moshën e kohës. Ai është përballë shumë ndryshimeve jo vetëm të trupit po dhe të mendjes, po përballet me mendimin si të përqafojë vdekjen. I ri dhe pa eksperiencën e shumë mendimeve që të rrokin në ikjen tënde.- “frika për fëmijën” që mbin ditën kur bëhesh nënë, është pushteti më i epërm në jetën e një gruaje.32
Çfarë është e rëndësishme për të në këto momente?
Ai nuk ka një ditar për t’ia shpalosur lexuesit, janë kujtimet e nënës, ato çfarë ai bëri në 18 vitet pa 18 muaj të jetës së tij, e nesërmja mbetet jetime. Ai ka një numër të madh lidhjesh, secila lidhje është një rrugë e tij, një afeksion, një ndryshim.
Zotnuese e gjithë rrëfimit është marrëdhënia mes Birit dhe Nënës, marrëdhënia me Bonitën, Kortnin, Atin, Nënat simotra të nënës, Miqtë – e ngushtë, të shkollës, të ekipit dhe ato virtual. Brenda tërësisë së këtyre marrëdhënieve ai ka filluar të mendojë si t’jua bëjë të lehtë ikjen. Në rënd të parë është: Pranimi brenda vetes. Dhe këtë e bëri duke dëshmuar një personalitet të fortë.
“Ai nuk ishte një qenie aq e zakonshme për ta gjykuar me mendimet e mia të zakonshme, shpesh të ngjyera në bojën e plagëve të mia…Më mbajti gjatë ashtu të mbërthyer në atë torsin e tij të fuqishëm, dhe tha: “Mami, të dua shumë. Unë e di se çfarë mendon. Mendon se, pse unë? Po dhe unë mendoj shpesh, pse unë? Por në fakt pse jo unë? Nëse nuk do ish unë, do të ishte duke qarë tani një mama tjetër diku, mami i ndonjë shokut tim të shkollës. Ishte fati im. Mam, fati im i keq!”33
– Personaliteti dhe karakteri i Birit.
Burger citon se: Personaliteti është sjellje e qëndrueshme dhe një proces i brendshëm me origjinë individualitetin. Thelbi i personalitetit të Birit është mirësia dhe dashuria. Ai kompletohet dhe pasqyron një individualitet që zhvillohet dhe aty ku qenia e di dhe po numëron me gishtat e dorës ditët e mbetura.
“Mami, mos kërko të përsëris jetën tënde…por mos e kërko veten tënde tek unë34. Kurrë nuk e ka kthyer njeri për mua, tani jam një qenie me identitet 35.
Në dyshen Nënë – Bir, vet aktualizohet hierarkia e nevojave. Nevoja për të qenë ai që duam quhet vetaktualizim i nevojës dhe Biri diti të jetë një qenie që jepte veç dashuri.
“Po përpiqesha të mësohesha me helmin në molekulat brenda kafkës sime ku përpunohej pranimi. Përunjësisht e kuptova se im bir kishte bërë atë gjënë e radhë, atë “The hero’s Journey” të vetin”36.
Fillesa – mëmësia si status hyjnor, ndalet në një kuti trishtimi, pak minuta para orës 11 të mbrëmjes së 5 majit të vitit 2018. 37
Brendia thërrmohet: Biri ishte i gjithi qerpik…Biri do të mbushte 18 vjet. Fëminë e kishte thithur natyra.. Unë jam një gur… qaj saora kudo që të jem, pa drojë, pa brengën se çmendojnë të tjerët. Të tjerët? Kush janë ata të tjerët që të më prapojnë të jem nënë? 38.
Nevojat përkatëse të nënës për Birin është: “frika për fëmijën që mbin ditën kur bëhesh nënë, është pushteti më i epërm në jetën e një gruaje”.39
– Dua të shkoj në Tiranë, – thotë.
– Do të shkojmë bashkë, Bir.
– Kur? Unë nuk shkoj dot me avion…. Si i ruan njerëzimi aromat?40
Ndërsa nevojat psikologjike nënkuptojnë motivimin e forcës, i cili mbijeton thjesht në një shqetësim të përditshëm, kur ato janë të paplotësuara – nëna, i jep prioritet nevojave të tjera.
“Si mund të pranojë nëna këtë të keq për birin e saj? Ja ashtu, vetëm duke harruar se kush është, ndryshe çmendet. Dhe një nënë e çmendur nuk të ndihmon të shërohesh, Bir!”41
Nevoja e sigurisë te fëmija, janë shumë të rëndësishme, shihen e vëzhgohen në fëmijëri dhe rini sepse pafuqia dhe pavarësia janë të lidhura me të rriturit. Stabiliteti, qëndrueshmëria, mbrojtja, rregullat dhe liria prej frikës dhe ankthit. Biri i sheh me fuqinë e tij njerëzore.
“Tek e puthja, i pata thënë tim biri. “Jemi fare të vetmuar në këtë botë të madhe Bir!” Ai më shtrëngoi fort e më tha: “Jo, Mam, nuk jemi vetëm, jemi të dy”. 42
Biri është një karakter që zhvillon ngjarjen, qenie humane që portretizohet në një realitet jetësor të pajisur me moral dhe cilësi të shprehura në atë çfarë thotë, a çfarë vepron.
“Mbrëmë pashë vdekjen me sy, Mam, tani nuk kam më frikë, tani e di si është edhe kur ajo të vijë”. 43
Ai i ri-referohet karakterit të tij, vlerësuar në bazë të asaj që autorja – nënë rrëfen. Lexuesi duhet të shmangë hamendjen e lirë rreth personazhit dhe të vendosë të mendojë prej të dhënave të tekstit. Ne kemi një personazh që është modelim i gjerë e që shfaqet në lidhjet e tij sociale, në reflektimin e prezantimin e vetes.
“Ai nuk do të ndihet pacient në shtëpinë e tij… Në mbrëmje e shoh birin tek qesh duke shkëmbyer mesazhe me dikë.”44
Ekspozimi i kushteve që rrethojnë perimetrin e veprimeve që lejon ose ndalon kënaqësitë e nevojave bazë psikologjike, sigurisë, dashurisë, kënaqësive, nderimit dhe vet-prezantimit, nxit lëvizjet lart ose poshtë në hierarkinë e nevojave të nënës. Sjelljet i administrojmë.
“Nëna që vazhdon të mbetet nënë, nënëson nëpër kohën që thyhet nga thirrjet gazmore të të birit që tani kanë tingëllimën e lirisë.”45
Të kuptosh motivet dhe personalitetin është si të kuptosh vetveten. Çfarë duam dhe çfarë kemi nevojë. Ai ishte një individi i uritur për jetën, që ka interes të marrë ushqim nga jeta i fokusuar në përpjekjet që mendon të fitojë.
“Ai nuk shkonte pas turmës dhe nuk i interesonte fama. Ishte ndryshe…”46
Nevojat e Birit manifestohen përgjatë lidhjeve afektive për të gjete një vend a pozicion, nevoja për dashuri nënkupton nevojën për të dhënë dashuri aq mirë sa e merr.
“Vërtet jemi një trup – një puls, një mendje, një dashuri e madhe e padytë. Ta dish, Mam, unë luftoj vetëm për ty”, më thotë zëulët.”47
Njerëzit që jetojnë dashurinë kanë një sens që të zhvillojnë nevojën për nderim. Nevojat për nderim janë të ndara në dy nevoja bazike: e para respekti ndaj vetes, që përmbledh dëshirën për kompetencë, besim, arritje, pavarësi dhe liri, të njohë se është në gjendje a i aftë të zotërojë detyrat dhe thirrjet për detyrimet në jetë; së dyti nderimi nga të tjerët, është dëshira për prestigj, njohje, reputacion, status, vlerësim, pranim.
Të bëhesh ai që je, të jesh në paqe me veten. Çfarë qenia mundet, ajo duhet. Dhe biri dhe pse në një rrugëtim të shkurtër ishte i vetëpërmbushur, ai bëri gjithçka që mundi e ishte i aftë të bënte.
Biri bënte atë që ndjente.
Biri u bë vetë, më shumë mbase se ç’mbanin vitet e tij…48
Rruga e veçantë në të cilën individualiteti mund të realizojë vet-realizimin do të formojë shumë personin te personi dhe Biri të motivon:
Me gjithë kushtet e gjendjes së brendshme, që aktivizojnë sjelljet dhe i japin atij drejtim të pranojë vdekjen ai mbetet Njeriu që jetoi bukur.
Me gjithë dëshirat ose çfarë e energjizon një njeri dhe drejton qëllimet e sjelljeve të tij në çdo moment Biri është mbi njerëzoren.
Me gjithë influencat e nevojave dhe dëshirave për të fituar mbi vdekjen ai e drejtoi sjelljen nga kujdesi për atë që do linte mbrapa.
“Mamë, shkruaj libra, udhëto. Ne do të jemi prapë bashkë” dhe më shtrëngon fort që ta ndiej sejemi një.”49
Ndjeshmëritë njerëzore përballë humbjes, çfarë pëlqejmë kur vdekja na ka trokitur, besimi te vetja për të qenë fisnik dhe në momentet e fundit, me kërkesën më hyjnore moshumbje e shpirtit, duke kuptuar realitetin dhe jo realitetin, janë kumtet e këtij romani për lexuesin e çdokohshëm.
Shkodër, më 21. 07. 2021
_________________
1 Culler, Jonathan, 1997. Literary Theory, A very short Introduction, New York, Oxford University Press. f. 28.
2 Maley, A. (1989). Down from the Pedestal: Literature as Resource. In Literature and the Learner: Methodological Approaches. Cambridge: Modern English Publications
3 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 394.
4 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 150.
5 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 397.
6 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 137.
7 Frantzen, D. (2002). Rethinking foreign language literature: Towards an integration of literature and language at all levels. En V. Scott, & H. Tucker (ed.), SLA and the Literature Classroom: Fostering Dialogues (pp.109-130). Boston: Heinle&Heinle.
8 Carroli, P. (2008). Literature in Second Language Education. London and New York: Continuum.
9 Lazar, G. (1993). Literature and Language Teaching. Cambridge: CUP. p. 19.
10 Brumfit, C. J. and Carter, R. A. (1986). Literature and Language Teaching. Oxford: Oxford University Press. p. 15.
11 Floris, D. (2004). The Power of Literature in EFL Classrooms. K@TA 2 , 6 (1), 1-12.
12 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 345.
13 Po aty., f. 307.
14 Po aty., f. 14.
15 Po aty., f. 347.
16 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 310.
17 Po aty., f. 330.
18 Po aty., f. 332.
19 Po aty., f. 334.
20 Po aty., f. 336.
21 Po aty., f. 337.
22 Po aty., f. 338.
23 Po aty., f. 11. E paBir.
24 Po aty., f. 13.
25 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 14.
26 Po aty., f. 15.
27 Po aty., f. 355.
28 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 355.
29 Po aty., f. 357.
30 Po aty., f. 362.
31 Po aty., f. 362.
32 Po aty., f. 27.
33 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 38.
34 Po aty., f. 342.
35 Po aty., f. 21.
36 Po aty., f. 362.
37 Po aty., f. 19.
38 Po aty., f. 18.
39 Po aty., f. 27.
40 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 57.
41 Po aty., f. 57.
42 Po aty., f. 58.
43 Po aty., f. 65.
44 Po aty., f. 75.
45 Po aty., f. 76.
46 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 86.
47 Po aty., f. 117.
48 Açka, Flutura, Biri, rekuiem për Mr. J. Skanderbeg Books, Tiranë, 2020. f. 132.
49 Po aty., f. 117