DR.MOIKOM ZEQO: PROFILI I SPIKATUR I SYLEJMAN MATOS NË LETËRSINË BASHKËKOHORE

Pashtriku.org, 03. 10. 2013 – Përzgjedhja e tregimeve në një libër të vetëm, pra, për një libër të librave të prozave të shkrimtarit Sulejman Mato, shpreh një vetëdije të thellë, të shumanshme dhe sqimatare, ku tërë koleksioni i shkrimeve semantizohet në një përfaqësim më të përkorë e madje më të seleksionuar.
Kriteret parakuptojnë cilësinë e spikatur, një libër i zgjedhur pasaportizon esencën e krijimit. Shkrimtari ftillëzon veten dhe lexuesin, këtë raport jetik dhe intelektual e bën më intim, më cilësisht të kuptueshëm dhe paraqitës. Vetëm një shkrimtar serioz vepron dhe mendon kështu.
Jorge Luis Borghesi shkroi gjatë gjithë jetës shumë libra me prozë të shkurtër dhe poezi. Por Borghesi i dha rëndësi të veçantë librit të përzgjedhur të prozave dhe librit të antologjizuar të poezive. Diçka konkluzive, ku hapësira dhe koha e laboratorit krijues dëndësohet në një substancë të ngjeshur.
Pikërisht këtë gjë bën Sulejman Mato në librin e prozave të zgjedhura me titullin e goditur, të çuditshëm, por grishës: ”Kur hapeshin portat e Qiellit”. Portat e qiellit janë portat e shpirtit të shkrimtarit që grumbullon shpirtrat e shumë personazheve të tij. Portat s’mbyllen dot asnjëherë. Janë të hapura. Lexuesi e parandien këtë gjë dhe përgatitet për këtë ndjesi universale. Gjithçka është në lëvizje. Vetë të shkruarit, por edhe të lexuarit, janë forma në dukje të ndryshme të lëvizjes, por, njëkohësisht të njëjtë. Udhëtime shpirtërore, të ndërthurura. Udhëtime mbrapsht në kohë. Udhëtime në nostalgji njerëzore që nuk meken dhe nuk zhduken kurrë. Udhëtime në karaktere dhe ide. Udhëtime në jetën e ndërlikuar, paradoksale, shqiptare. Udhëtime në dukuritë dhe ëndrrat e njerëzve të thjeshtë, mes anonimatit të tyre të shekujve, por edhe plot ndjenja të pavdekshme.

Sulejman Mato është një krijues shumërrafshësh. Gazetaria, poezia, drama, libreti, kulturologjia, pasioni për gjuhësinë, prozodinë dhe artin e të shkruarit, enigmat, ëndrrat dhe sidomos proza, romani dhe tregimet etj., përbëjnë substancën e librave të tij. Nuk janë pak libra, ato skalitin profilin e tij të veçantë. Sulejman Mato ka spikatur si poet lirik i shquar, modern, kjo nuk ka asnjë dyshim. Vendi që ai zë në poezinë bashkëkohore shqipe, është i qartë dhe nuk mund të mohohet. Në rastin konkret po ndalem në përzgjedhjen e prozës së shkurtër, një koleksion gjithashtu i spikatur. Autor i pesë librave me tregime, Sulejman Mato në këto vitet e fundit është spikatur si një narrator krejt origjinal dhe me interes të pamohueshëm.
Dua të vë në spikamë dy karakteristika kryesore:
E para, Mato vjen në prozë nga poezia. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se struktura sintetike e poezisë transfigurohet edhe në prozë. Ky konceptim është përherë i pëlleshëm, i pashtershëm. Poezia, pra, e konceptualizon prozën dhe brenda të njëjtit krijues bëhet jo vetëm një alternim i suksesshëm, por edhe një sintezë.
E dyta; autori e subjektivizon sipas shqipes dhe kulturës së tij, tërësinë e temave që ndien dhe i vë në optikën e vëmendjes së tij. Ky është sekreti i prozës së shkurtër të Matos, por edhe i romaneve të tij. Sulejman Mato profilizohet në kultin e prozës jetësore, jeta e gjallë është ankthi dhe gëzimi i kërkimit artistik. Proza jetësore bëhet kështu artistike. Matos nuk i interesojnë abstraksionet e kota, as metafiziket shterpë. Ai është i lidhur me substancën e detajeve të pafundme të realitetit.
Tregimi, proza e shkurtër, është ndoshta prova më e prekshme, më e madhe, më mjeshtërore për çdo shkrimtar në botë. Jorge Luis Borghes ka thënë se “çdo tregim është një botë, në çdo tregim mund të ketë disa zanafilla romanesh”. Dhe ka të drejtë. Tregimi është një zhanër i vështirë strukturor, që nuk pranon asgjë të tepërt. Tregimi i arritur flet më tepër, sepse parakupton lakonizmin, por edhe përsosjen. Shumë shkrimtarë kanë dështuar në zhanrin e tregimit. Kjo mund të thuhet për të tjerët, por jo për Sulejman Maton.
Proza e shkurtër e Matos përbën një dimension themelor të krijimtarisë së tij në atë kuptim profesional, sa mund të konsiderohet si një nga tregimtarët më të suksesshëm të kohëve të fundit. Kjo ka disa arsye të veçanta. Mato kultivon kryesisht tregimin lirik, por duke shmangur poetizimet e panevojshme. Tregimi i tij është kryesisht psikologjik. Ndihet interesimi tek autori, si dhe admirimi ndaj Çehovit, kryemjeshtrit botëror të tregimit psikologjik. Tregimet e Matos janë substancialisht shqiptare. Nostalgjia është zanafilla, mjedisi dhe rikonstruktimi mendor i realitetit. Kjo nostalgji universalizohet ndërmjet fakteve konkrete, të qëmtuara me kujdes.
Temat e tregimeve të tij duket sikur janë hedhur lirshëm. Përshkrime, personazhe, ngjarje që të shqetësojnë përditë e të mbeten në kujtesë. Sulejman Mato është një vëzhgues i hollë, i thellë dhe i vëmendshëm. Ai qëmton dhe mbledh nga jeta vetëm gjëra thelbësore, më tipiket, që kanë vlerë në kohë dhe janë të përhershme dhe universale. Le të kujtojmë tregimet, “Një zarf me mizë” dhe “Mushkonja”.
I pari trajton një ngjarje fare të thjeshtë. Një drejtori burokrat, autoritar me vartësit, një mëngjes i sjellin një zarf me një mizë të gjallë brenda. Hap zarin në mbledhjen e zakonshme të mëngjesit, në sy të punonjësve e të administratës dhe… prej andej del një mizë, e cila bën disa rrotullime në ajër dhe del nga dritarja… Ky fakt bën bujë, në ndërmarrje, në Ministri, miza në zarf bëhet objekt thashethemesh dhe kërkimesh qesharake. Mizëdërguesi mbetet anonim. Për Maton ka rëndësi detaji. Armët me të cilat luftohet negativja në jetë janë të ndryshme.
Dhe tregimi tjetër, “Mushkonja”, i shkruar me humor, ku përballet inteligjenca njerëzore me inteligjencën e një mushkonje, të cilën autori e quan me humor “kamikaze”. Mushkonja dhe njeriu jetojnë në të njëjtën dhomë. Mushkonjës i pëlqen ky mjedis njerëzor dhe ushqimi i saj karakteristik, që është gjaku njerëzor. Sa herë vjen mesnata ajo shfaqet në errësirë dhe aty nis lufta e mushkonjës “kamikaze” dhe njeriut inteligjent, e pronarit të apartamentit dhe e qenies së huaj mikroskopike. Në këtë luftë njeriu pëson tri herë humbje, por, njeriu i arsyeshëm pranon humbjen dhe e gjen zgjidhjen sipas variantit: “Koka nën batanije”. Gati në të gjitha tregimet shkrimtari Sulejman Mato, me një humor të veçantë, që buron natyrshëm, me fabula të thjeshta kërkon të prekë tema dhe ide. Kujtojmë tregimet: “Në lidhje me një mi”, “Mevlani”, “Një njeri i rëndësishëm”, “Princi im i vogël”, “Vizitor në Parajsë”, “Histori qensh”, “Një njeri me dy emra”, “Ngurza”, “Plaka çame”, “Vdekja e bardhë”, “Xhaxhai” etj., tregimet më mbresëlënëse të këtij libri lidhen me të kaluarën ndonëse në këtë libër ato janë në ekuilibër me çfarë kërkohet sot, nga letërsia jonë dhe më gjerë. Dy tregimet e gjata “Shkon i Vdekuri me të gjallë” dhe “Dervishi i Gjurës” janë jo vetëm intriguese, por secili prej tyre përbën bërthamën e një romani në perspektivë. Janë të ngjeshura me ngjarje dhe fakte. Një ditë ato mund të zgjerohen e të publikohen si romane. Kjo është një praktikë që autori Sulejman Mato e përsërit me dy romanet e tij të fundit, “Njerëzit janë si retë” dhe “Banorët e shpellës”, të cilat fillimisht lindën si tregime, më pas u shtrinë më tej, duke u realizuar në dy romane esenciale. Përvojën poetike Mato e përdor me kursim dhe me kujdes.
Në tregimet: “Memeja”, “Nusja e Borajve”, “Mevlani”, “Mësimet e para të seksit” etj., shkrimtari të duket sikur paraqet një letërsi thellësisht dokumentare, në gjuhë dhe në zakone, me persona të prekshëm dhe të gjallë… Në to ka realizëm, thjeshtësi dhe sinqeritet, elementet bazë për një prozë serioze.
Tregimi “Memeja…” të trondit me dramën e kësaj nëne bujare, duke na lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesë. Mato me këtë libër paraqitet si mjeshtër i rrëfimit, gjithmonë duke përçuar një ironi të hollë, veçanërisht te tregimi “Vizitor në parajsë” i cili, veç vlerave artistike përçon një mesazh tjetër të madh: “E keqja hyn dhe në parajsë”. Shtyllat mbi të cilat ngrihet një vepër letrare janë personazhet dhe idetë. Me një logjikë të ftohtë prej shkrimtari, Sulejman Mato përkujdeset për të ruajtur ekuilibrat; fantazi-realitet, ndjenjë-mendim, detaj-metaforë, vizion-figurë. Tregimet e tij janë copëza jete, të përpunuara artistikisht nga një dorë e stërvitur mjeshtërore. Kujtoj tregimet, si “Arsimtarët e fshatit Theth “Dashuri me shikim të parë” etj., tregime të shkruara me dashuri. Profili i Sulejman Matos në tregimtarinë bashkëkohore shqiptare është i dallueshëm dhe subjekt i studimeve të ardhshme.
Tregimi i tij nuk ka inflacion, por një qasje të sigurt. Brenda prozave të Sulejman Matos ka evoluim, nga konkretja e rrëfimit drejt një abstragimi. P.sh; një grua plakë ëndërron se po fluturon, por ky konvencion shkatërrohet, sepse në fund të tregimit gruaja plakë përjeton gjithashtu fluturimin poetik dhe marramendës. Fluturimin e fundit të saj. Një djalë i ri i posa diplomuar fillon punën në një zyrë mes ekraneve dhe kompjuterëve, në një ndërtesë moderne, me konfort të paparë, por zyra e tij ia shumëfishon vetminë ,më tepër se sa një qeli xhami. Ai e kupton se në këtë mbyllje pa gëzim e pa ëndrra është kthyer në një murg ritual,i botës dhe i shoqërisë. Pas mbarimeve të studimeve nuk ka më ngjitje. Ky është fundi. Lëvozhga e modernes së teknologjizuar shqyhet. Personazhi kupton se ndjehet i tjetërsuar.
Në tregimin tjetër, tronditës,”Kthimi”, një intelektual në moshë të thyer, pas një ataku, para rikthimit të madh, rikthehet në origjinën e vet, në fshatin e tij të lindjes, duke pasur si vegim , por edhe si simbol, një çerdhe dallëndyshesh. Ai është i ditur dhe njeri i mirë. Jetën e tij ai e koncepton si një “perpetum mobile”, ku qenë zbehur motivet e zanafillës. Kështu, Merseli shtegton drejt fillimit të tij që bëhet dhe mbarimi i tij. Shkrimtari mjeshtërisht e filozofon këtë episod, jep detaje të një ekzotike të harruar të natyrës, të peizazhit të origjinës dhe kuptimit të jetës.
Tregimi “Kthimi” është një konkluzion reflektues, ai i kapërcen kufijtë e individuales, madje dhe vetë imagjinatën dhe profilin e autorit. Teknika e përshkrimit në tregimet e Matos duket tradicionale, por, konceptimi i brendshëm është shumë i abstraguar, fin,dhe tronditja në dukje e qetë, mbetet gjatë, ose përjetësisht. Kjo është mjeshtëria e tij artistike. Sulejman Mato e zotëron plotësisht këtë mjeshtëri rrëfimi. Libri i tij me proza të zgjedhura e përgjithëson edhe më shumë individualitetin e tij të spikatur. Ky libër pasuron prozën më të mirë të letërsisë shqipe afirmon jo vetëm vitalitetin e shkrimtarit, por dhe përvojën, konsekuencën dhe talentin. Është një arritje e padyshimtë!
Koleksioni i prozave të tij e pasuron letërsinë shqipe, pavarësisht mediatizmit dhe bujës virtuale. Si tregimtar, Mato i ka ngritur kuotat e krijimit vetjak. Ai është ndër tregimtarët më të mirë. Dhe kjo është arritur me punë dhe pasion, me talent dhe përkushtim.
(Dr. Moikom Zeqo, Tiranë, 20 tetor 2011)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura