TE JUSUF GËRVALLA NË GJERMANI, NË VITIN 1981

“Kur e takova Jusuf Gërvallën në Gjermani, pak ditë pas demonstratave të marsit ’81, ai më pyeti për shkrimin te ‘Zëri i Popullit’, pasi…”

Dëshmia e ish-veprimtarit të njohur nga Kosova

Nga Mehmet Musa

-Pranvera e vitit 1981 ishte një bombë atomike kundër Jugosllavisë dhe ”bashkim – vëllazërimit!”

Po i referohemi një gazete kroate ‘VUS’, të vitit 1981, atje shkruhet se vetëm gjykata e qarkut në Pejë me gjyqtarin Ukë Muçaj dhe gjykata e qarkut në Prishtinë, me gjygjtarin Ymer Osaj, ka gjykuar në bazë te neneve 131, 133 për një vit, aq të pandehur, sa që e tërë Kroacia nuk ka gjykuar për 10 vjet! Atdheu ynë u shkretua, aktivistët më të zot dhe më të zellshëm u torturuan, u rrahën skajshmërisht nga hetuesit shqiptarë dhe u prangosën. Por megjithatë, lufta eci perpara e për këtë, kanë meritë të fuqishme e të madhe, Jusuf Gërvalla me shokët e tij, që punonin dhe vepronin me emigracionin jasht Atdheut si dhe qeveria e Tiranës, që vazhdimisht, me të gjitha mjetët, përkrahte rininë revolucionare të Kosovës, para, gjatë dhe pas vitit 1981.

Diku nga fillimi i korrikut 1981 erdhi për vizitë në Dukagjin Enver Topalli. Meqë unë kisha dokumente udhëtimi, u vendos që unë të shkoja në Gjermani, dhe të takoja Jusuf Gërvallën, për të koordinuar punën dhe veprimet atdhetare, në të ardhmen.

Me gëzim e pranova atë ofertë, por duke mos ditur adresën e tij, mendova se ndoshta nuk mund ta takoja, pasi vendndodhja e tij, mbahej sekret nga shokët e tijë, pėr arsye sigurie.

Megjithatë u nisa, sepse në Munih, punonte babëloku im Musë Mehmeti. Aso kohe nuk kishte telefona dhe mundësi komunikimi si sot. Unë shkova në konviktin ku baba Musë, banonte dhe ai u habit kur më pa. Pas qëndrimit një javë aty, u nisa nga Mynihu për Shtutgart. Rruga me tren, zgjati dy orë dhe me të arritur në stacionin e trenit në Shtutgart, fillova të shëtisja.

Pas pak zbrita shkallëve teposhtë në bodrum, aty ishte një ëmbëltore e madhe dhe kishte një radhë te madhe të njerëzve që donin të blinin akullore. Papritmas, pashë një fytyrë të njohur që punonte në ëmbëltore. Kur u afrova, pashë se ai ishte Naim Haradinaj edhe dy shqiptare te tjerë. U gëzova pa masë, kur e pashë, sepse sigurova veten se Naimi, do të më ndihmonte për qëllimin tim. Nga puna e shumtë në ëmbëltore Naimi, as që e ngrinte kokën të më shikonte, kështu që vendosa të futesha në radhë, për të blerë një akullore e atëhere, ai do të me shikonte. Me Naimin, unë njihesha që nga Deçani. Kur arrita te ai, me buzëqeshjen e tij të zakonshme, më përshëndeti dhe më dha akullore e, me tha të mos largohesha se, kur të ishte më i lirë do të bisedonim.

I thashë se kisha dëgjuar që Bardhoshi, ndihmonte studentët për ti punësuar, nga dy-tre muaj. Naimi, më pyeti nëse kisha nevojë për para dhe mëdha një numër telefoni, me të cilin mund të thërrisnja zyrën ku punonte Bardhoshi. Unë, me padurim, formova numërin dhe pas dy zileve, dikush m’u përgjigj në gjuhën gjermane, nga e cila unë nuk dinja asnjë fjalë, por dëgjova mbiemrin Gervalla. Unë iu prezantova se kush isha dhe pasi e pyeta për shëndetin e familjes, i thashë se kam dalë për punë dy tre muaj. Ai më pyeti nëse kisha indeks internacional dhe pasi iu përgjigja pozitivisht, më tregoj se në cilën anë të stacionit të trenit të prisnja dhe pas një ore e gjysëm, do të vinte atje për të më takuar dhe, do të vinte me një makinë ‘Citroën’ ngjyrë të kuqe. Pa kaluar as një orë e plotë, erdhi në stacion të trenit Bardhi dhe unë, hyra në makinën e tij dhe pas pak kohe, arritëm në Ludëigsburg, aty në zyrën ku ai punonte, në katin e dytë.

Në korridor, ishin tri dhoma. Në të majtë ishte zyra e Bardhoshit, në mes ishte zyra e një punëtoreje kroate dhe në të djathtë, ishte zyra e një turku. Që të tre punonin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Pasi zhvilluam bisedën e rastit, Bardhi kishte interesim të dinte për gjendjen aktuale në Kosovë. Ai u interesua për çdo imtësi, sidomos për demostratën e 26 marsit, e cila kishte ndryshim shumë te madh nga ajo e 11 marsit, sepse në këtë demonstrate, u shpalosën kërkesat kombëtare, ndryshe nga kërkesat sociale, që ishin me 11 mars. I shpjegova ecurinë e asaj ngjarjeje të përgjakshme, por heroike. Vëreja se nganjëherë edhe nuk merte frymë, nga interesimi që kishte për të me dëgjuar. Gjatë bisedës, mbante në duar një cigare, të cilën herë e vinte në buzë e, herë i merrte erë. Me tha se e kishte lënë cigaren dhe me humor, më tha se duhen edhe tre javë, që të bëhet një muaj, që e kam lënë.

Gjatë bisedës vinin hallexhinj dhe hapnin derën, por kur shihnin që jemi dy veta, dilnin prapë jashtë. Unë i thashë qëllimin se perse kisha shkuar deri atje. I thashë se doja të punoja për të  fituar ca para, por kryesisht, për t’u takuar me ty edhe bacalokun tënd, për të biseduar se çfarë mund të bëjmë në këto kohë të vështira për atdheun tone, kur e tërë Jugosllavia dhe , besa, më shumë se gjysma e shqiptarëve, janë në shërbim dhe, argat të ‘bashkim-vëllazërimit’ dhe rrugës së Titos. Pas bisedës fillestare, më pyeti për indeksin internacional, të cilin ia dhashë dhe brenda një jave më rregulloi lejen e punës dhe unë u punësova në një fabrikë këpucësh, që quhej “Salamander“ në qytetin Konverst‘heim. Atje zura edhe një banesë, në rrugën Adler.

Pas orarit të punës, thuajse çdo të dytën ditë, vizitonim Bardhoshin në zyrën e punës, madje me thënë të drejtën, e tepronim pak, sepse ishim shumë persona. Si sot, mbaj mend grupin e djemve që më së shpeshti vizitonin Bardhoshin dhe qëndronin afër tij, ndër të cilët, kujtoj Naim Haradinajn e Adem Bajramajn nga Gllogjani, Hafiz Gagicën nga Gjilani, Muhamet Imerajn, nga Isniqi, Haxhi Berishën, nga Prapaqani, Agron Selën apo (Selca) nga Struga, Sahit Tofajn nga Juniku, Xhafer Durmishin e të tjerë, që nuk më kujtohen emrat. Më vonë, mësova se ata dy shqiptarët e tjerë, që punonin në ëmbëltore, në Shtutgart, me Naimin, njëri ishte Haxhi Avdyl Berisha nga Prapaçani, nip i Gërvallajve dhe tjetri, ishte një student i gjuhës angleze nga Vokshi apo Pobergja, emri i të cilit nuk më kujtohet. Me këtë grup të rinjsh u shoqërova edhe unë, përsa dite qëndrova në Konverstheim.

Është interesante të përmendet fakti se, me gjithë reprezaljet, dhunën e terrorin që ushtronte UDB-a pa ndërprerë, ndaj vëllezërve e motrave të Naim Haradinajt, duke ia burgosur e torturuar tërë familjen, Naimi shquhej për një edukatë dhe sjellje të admirueshme. Ai ishte i përpikte në përmbajtje e biseda, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Ishte ndër më te kompletuarit me të gjitha virtytet njerëzore e kombëtare dhe kurrë nuk i mungonte buzëqeshja ndaj shokëve. Një ditë, pas pune, shkova në zyrë te Bardhoshi. Isha vetëm dhe i shpreha dëshirën që kisha, për të takuar Jusufin. Ai me tha se edhe Jusufi dëshironte të me takonte. Më caktoi ditën dhe kohën, më tha se pas një takimi që do të bënin në Favorite në park, me ca studente në konviktin e tyre, do të takoheshim të tre. Atë natë, nuk më zuri gjumi nga gëzimi dhe kureshtja, për ta takuar kryeprisin e lëvizjes çlirimtare të atdheut dhe me padurim, prisja ditën e takimit.

Dita ishte e shtunë, pas orës 13:00, ndërsa data nuk më kujtohet. Arrita në vendin e caktuar nga ora 12:30 dhe shikoja në parking, ku dallova makinën e Bardhit. Rreth orës 12:50, erdhën të dy vëllezërit, si dy lule pranvere e si dy bilbila, si dy zogj shqiponje, si dy burra shteti e, si dy lajmëtarë lirie, krah-për krah. U përshëndetëm si vëllai me vëllanë, ngrohtësisht e përzemërsisht, dhe që të tre hymë në makinën e Bardhit, i pari u ul Jusufi, mbrapa dhe, unë e Bardhi, përpara. Pas pyetjeve fillestare formale, unë u prezantova më gjegjësisht; gjyshja ime, ka qenë bijë e juaja, Faze Idrizi, motra e Hasan Idrizit të Gërvallaj, apo halla e Mujë Hasanit, pastaj babai im, si i vogël e mbanë në mend, kurë në kullën tone, kan ardhë babai i juaj, Bardhosh Dinë Kaçaku, por edhe Dinë Fazlija me mjekër të bardhë, për Dinë Fazlinë, thotë se kishte qenë mahiçarë i madh.

Jusufi pohonte, duke thënë; po, po, i di të gjitha pastaj, menjëherë filluam bisedën rreth gjendjes në Kosovë, sidomos për zhvillimin e demonstratave. Ai u interesua, në mënyrë të veçantë, për demostratën e 26 marsit, që u zhvillua atë ditë që në qytet ishte organizuar pritja e stafetës së satrapit Tito. I tregova ngadalë dhe qetë, për çdo gjë, çfarë kisha parë me sy dhe dëgjuar me veshe atë ditë, por nuk u ndala pa i treguar dhunën dhe torturat, që përjetuan para konvikteve të studentëve, vajzat dhe motrat tona, nga policia e Mehmet Maliqit. Kur dëgjoi këto ngjarje, Jusufit iu mbushën sytë me lot. Ai i fshiu lotët me shami dhe tha se po fshinte djersët se në makinë bënte vapë. Unë vazhdova të flisja ngadalë dhe të dy vëllezërit, dëgjonin me vëmendje të posaçme dhe dukej sikur, as frymë nuk merrnin.

Iu tregova edhe për qëndresën heroike të studentëve të asaj dite dhe, të një, dy, e tre prillit, si dhe vendosmërinë për të realizuar kërkesën për Republikën e Kosovës. Fola edhe për mobilizimin e UDB-së, Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë dhe të punëtorëve të Sigurimit, që të gjithë ishin shqiptarë. Folëm edhe për mjetet e informimit, shtypit ditor dhe periodik, duke filluar nga gazeta ‘Rilindja’, pastaj Radio dhe TV-Prishtina, që ishin vënë në shërbim të mbrojtjes se; “bashkim-vëllazërimit”, me sllavët e jugut. Folëm edhe për shtimin e numrit dhe aktivizimin e policëve të rinj, të përzgjedhur ndër ata që dinin të qëllonin më fort me shkop mbi popullin. Folëm për organizimin e mbledhjeve, në çdo bashki lokale, për të gjykuar dhe dënuar ngjarjet e Kosovës, me theks të veçantë në Isniq, ku kishte ardhur zyrtari nga Beogradi.

Me që humba gjatë bisedës, duke u përpjekur që ta informoj me çdo imtësi Jusufin, nuk më ra ndërmend të flisja as një fjalë, sikur mos të ndërhynte Jusufi për, Radio-Tiranën dhe Televizionin-Shqiptar. I shpjegova, se; edhe pse ushtria dhe policia jugosllave, kishin montuar paisje afër kufirit, për të penguar dëgjimin e radios dhe shikimin e Radio-Televizionit Shqiptar, populli kishte gjetur mënyra për t’i dëgjuar e parë emisionet e tyre, për t’u informuar drejtë dhe saktësisht, për ngjarjet në Kosovë. Jusufi, më pyeti për një artikull të ‘Zërit të Popullit’, të 8 prilli të atij viti, me titull “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”? I thashë se edhe Radio-Kukësi edhe Radio-Tirana e kishin transmetuar atë nga dy tre herë në ditë. I thashë se; disa shokë tanët, e kanë regjistruar këtë artikull në shirit magnetofoni, për ta dëgjuar shokët, të cilët nuk kanë pasur rast ta dëgjojnë.

Kësaj radhe, nuk do flas më tepër për bisedën me Jusufin e Bardhoshin, jo se nuk kam ç‘të flas, por nuk dua të bie pre e individëve injorantë, që flasin me kompetencë e mendje

të vyshkur e të ndryshkur se, këtë bindje ka patur Jusufi e, atë bindje ka patur Jusufi, duke shtuar se; Jusuf Gërvalla dhe shokët e tijë; Fazli Grajçevci, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Zijah Shemsiu, Nuhi Berisha, Metush Krasniqi, Malë Morina, Xhemail Blakaj, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, që na i përpiu kulçedra serbo sllavi, me ndihmën edhe të kolaboratorëve shqipfolës, kanë qenë vetë ora e Shqipërisë, ata ishin vetë Shqipëria, ata ishin lajmëtaret e lirisë. Ajo plejadë, krahas luftës çlirimtare, u bënte thirrje atyre intelektualeve, që flinin gjumë duke e përkundur njëri tjetrin dhe duke shikuar nga dritarja e, karriget e tyre të fildishta, dhunën, masakrat e reprezaljet, burgosjet dhe vrasjet e bijve të popullit tonë, para dhe pas vitit 1981, që të zgjoheshin nga gjumi dhe të mos linin të vetmuar Ukshin Hotin.

Më së fundmi, këtyre intelektualëve u doli gjumi, mbas dhjetë viteve dhe më 23 dhjetor të vitit 1989, kur nxorën nga xhepat dhe bënë cope e grimë teserat e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Mbasi përfunduam takimin që zgjati rreth një orë e gjysëm, u përshëndetëm, duke e lënë që ata të dy, do të vinin brenda muajit atje ku banoja unë. Me porosi të tyre, unë shkova në konviktin e studentëve, ku fola për ngjarjet në Kosovë, në dhomën e caktuar. Aty, veç studentëve që takova, kishte edhe punëtorë.

Më vonë mësova se njëri ndër ta, kishte qenë edhe Sakë Fazli Gërvalla, që ishte djalë axhe me Jusufin e Bardhoshin.

Ditët kalonin shpejt, Bardhoshin nuk e linim të qetë, edhe me nevojë edhe pa nevojë, nga kureshtja të dëgjojmë ndonjë lajm nga Kosova, që sillnin mërgimtarët, por edhe të dëgjonim ndonjë këshillë nga ai. Nga ai grupi i djemve të rinj, u shoqërova edhe me Sahit Tofajn, një burrë i vlefshëm, atdhetar, trim e besnik. Ai ishte nga Juniku.

Koha e kontratës së punës me mbaronte në fund të tetorit. Një ditë pas pune, mora me vete një çantë me shishe të zbrazëta uji dhe u nisa për Ludëigsburg, që ishte larg vetëm një stacion nga Konëerst‘heim, dhe arrita te Bardhoshi në zyrë, të cilit i thashë se ditët e qëndrimit në Gjermani po me mbaronin dhe se pasi të qëndroja dy jave te babai në Mynih, do të kthehesha në atdhe. Ai më tha se në fund të shtatorit, në një ditë pune, do vinin të unë në banesë, dhe do të përshëndeteshim. I bëri përshtypje çanta me shishe të zbrazëta, se çfarë më duheshin, dhe unë i’u përgjigja se; në stacion të trenit, këtu në Ludvigsburg, ishte një krua që rridhte ujë pa ndërprerje dhe shkruhej se ishte ujë i pijshëm (Trink ëasser,). Atje i mbush shishet dhe i përdor për të pirë.

E ndjeva dhe në një farë mënyre e kuptova që ai u habit dhe u mërzit nga ajo që dëgjoi nga unë. Ishte ditë pune ajo ditë, në fund të shtatorit, unë kisha marrë leje të jem i lirë atë ditë dhe po prisja mysafirët. U ngushtova shumë nga qe nuk kisha as filxhanë, as xhezve e, as kafe për të pirë, nga një kafe, bile edhe ujin e kisha siguruar nga kroi në Ludëigsburg. Erdhën rreth orës 14:00, në rrugën Adler. Me të hyrë brenda, Bardhoshi tha: “Jetoke në rrugën e shqiponjës”. U habita, sepse nuk dija ku e kishte fjalën por ai më shpjegoi se; emri i rrugës ku banoja, Adler, në shqip, përkthehej shqiponja.

Unë, nuk kisha as tavolinë e, as karrige dhe u ulëm mbi krevat.

“Erdhëm që të përshëndetemi, meqë do të ktheheni në Kosovë. Bëjini të fala gjithë Kosovës, nga ne mërgimtarët. Gjendja në atdheun tone, është e trishtueshme, sepse pushtuesit dhe kolaboratorët, i mbushën burgjet plot e përplot me veprimtarë të çështjes kombëtare. E shkretuan atë vend, por ne nuk gjunjëzohemi. Lufta jonë, është e drejt dhe, duhet të vazhdojë, edhe pse ballafaqohemi me lloj-lloj pengesash, intriga e kurthe që kurdisin këlyshët e UDB-ës, sepse nuk ka kush më të drejte se ne, të luftojmë për liri dhe bashkim, prandaj jam i bindur 100 % se, fitorja është e jona.

Jugosllavia, një ditë, do të bjerë, si një kafshë e ngordhur përtokë. Kërkesa ‘Kosova Republikë’ një ditë jo të largët, do të bëhet realitet, sepse populli e tha fjalën e vet: Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë! Në atdhem, duhet një organizim sa më i fshehtë dhe konspirativ, kundër bishave të Karpateve. Njëherit, ne jemi të fortë e të vendosur, në rrugën drejt lirisë, sepse kemi ndihmë të pa kursyer, edhe shtetin amë, nënën Shqipëri. Ne që jemi në mërgim, aq sa jemi e të gjithë sa jemi, jemi të bashkuar si një trup, drejt realizimit të aspiratave shekullore të popullit tone”, e mbylli fjalën Jusuf Gërvalla, duke më dhënë fjalën, dhe tha; tani thuaje edhe ti mendimin tënd.

E kisha të vështirë të flisja sepse, ishte një mal i pafund distance në mesin tonë. Optimizmi i tij, se me çdo kusht do të fitojmë, ishte një nxitje e fuqishme, që me bëri të flas. I thashë se; armiku ynë shekullorë, na sakatoi shumë, duke burgosur thuaj të gjitha grupet ilegale, që vepronin për të mirën e Atdheut. Por armiku është gjithnjë armik. E keqja është se, shumë shqiptarë, janë vënë në shërbim të këtyre armiqve dhe u shërbejnë me zellin më të madh, për të lëpirë një kockë. Bastisjet, ditën e natën, nëpër shtëpitë e të dyshuarve si nacionaliste, irredentistë e, armiq të bashkim-vëllazërimit, i kryejnë vetëm punëtorët e Sigurimit, që janë shqiptarë. Keqtrajtimet, rrahjet, torturat shtazarake, i bëjnë vetëm shqiptarët, në SUP-in e Deçanit dhe të e Pejës. I përmenda të gjithë ata xhelatë te zinj, që ua dinja emrin, një nga një dhe që edhe sot, janë akoma gjallë.

Pas kësaj, ndërhyri Jusufi, duke thënë se sa më shumë shtohen torturat dhe reprezaljet, aq me shumë shtohet urrejtja dhe qëndresa e popullit, aq më shumë rritet organizimi i popullit, kundër regjimit gjakatar titist e fashist. Unë i tregova Jusufit, për shokët që kisha njohur në studime e, sidomos në demonstratat e pranverës, duke i thënë se ata janë të gatshëm, për çdo aksion. I thashë se me ta kemi kontakte të vazhdueshme, e se janë njerëz të të njëjtit ideal – shtova unë. Ai nuk më kërkoi emrat e tyre, por tha; ruajeni njeri tjetrin, të jeni të kujdesshëm e, t’i ruani fshehtësitë si sytë e ballit. Përpara kemi marsin e vitit që vjen dhe është mirë që; në shenjë të njëvjetorit të demonstratave të gjakut, të bëni përpjekje për të organizuar demonstrata, sidomos në Prishtinë dhe ku të jetë e mundur, në komuna të tjera. Lufta e jonë, duhet vazhduar me çdo çmim, dhe padyshim fitorja, do të jete e jona.

Me këto fjalë përfundoi takimi, duke më porositur përpos të tjerave, që kur të shkoja në Prishtinë, te konviktet e studentëve, të merrja tre herë thellë frymë, me ajrin e Kosovës, për atë (Jusufin). Pastaj Bardhoshi, me kërkoi adresën dhe telefonin e konviktit, ku banonte baba Musë në Mynih, duke më premtuar se do të shkonte ta vizitonte. Ai më kërkoi që numrin e tij të telefonit, mos ta shkruaja gjëkundi, por ta mbaja mënd, për të evituar çdo të papritur. Pas kësaj u përshëndetëm, duke u shtrënguar e përqafuar fort, me njëri tjetrin. Nuk mund të imagjinoja se vetëm pas 4 muajve, këta dy yje, do të shuheshin nga jeta në shërbim të çështjes së Atdheut, kurë më se tepërmi, kishte nevojë atdheu për ta.

***

“Kur në Klubin ‘Rilindja’ në Mynih, erdhën ata të Komiteti Krahinor të Kosovës, u thashë se; policët, kapnin vajzat studente për duarsh e këmbësh dhe…”/ Dëshmia tronditëse për demonstratat e marsit ‘81

Atë botë nuk e kam menduar siç e mendoj sot, që ta pyes vetën time, mos ishte më mirë që të kontaktonte me vëllezërit Gërvalla, për çështjen e atdheut, Jusuf Buxhovi, që ishte në Bonn përfaqësues i Tanjug-ut, dhe, që ishte më i përgatitur 1000 herë më tepër se unë, apo të tjerët nënshkrues të Zeburit me 23.12.1989, se sa unë?

Nga Stuttgardi, u nisa për Mynih te baba Musë, për të pushuar dhe shëtitur nëpër Mynih. Në konviktin ku banonte baba, ishte një mizëri e vërtetë. Në një dhomë me tre kravate dykatësh, jetonin 6 persona, kishte një tavolinë ku haje buka. Ushqimin e përgatisnin në korridor, secili kishte nga një frigorifer të gjetur në rrugë. Kishte gjashtë karrige druri, në mes dhe asgjë tjetër. Këtë formë jetese, e kishin zgjedhur që të gjashtë, dy nga Isniqi, dy nga Jasiqi, një nga Poqesta e, një nga Koznica.

Mysafirët që vinin për të bujtur, duheshin të sistemoheshin në dhoma të italianëve ose kroatëve, që ishin nga dy në dhoma, por që kishin nga gjashtë kravate, njërin mbi tjetrin. Telefoni që ishte në korridor, shërbente për punëtorët, nëse i thërriste dikush nga të afërmit, por ishte i bllokuar, për të bërë thirrje nga brenda jashtë.

Një natë, pasi që erdh baba nga puna, ra zilja e telefonit, të cilin e ngrinte personi që ishte me afër tij. Një kroat që e ngriti telefonin, thërriti; Musa në telefon. Babai që foli me dikë, më thërriti. Ishte Bardhoshi. Pasi më pyeti se si po i kaloja këto ditë në Mynih, me njoftoi se kishin të dhëna se të shtunën, do të vinin në Klubin “Rilindja” të Mynihut, nga Kosova, përfaqësuesit e Komitetit Krahinor, për të gjykuar dhe dënuar ngjarjet e lavdishme të marsit e prillit, që u zhvilluan në Kosovë. “Ne e shohim te arsyeshme dhe të nevojshme, pasi ke qenë pjesëmarrës në ato demonstrata, të shkosh në klub dhe t’i mbrosh demonstratat e, ta demaskosh para punëtorëve dhunën dhe terrorin, që është ushtruar ndaj demonstrueseve, e sidomos ndaj motrave tona studente. Për një moment, mbeta pa frymë. Nuk isha i përgatitur për një situatë të tillë sepse, 90 % e punëtorëve, ishin shqiptarë dhe atje kishte edhe jugosllave.

Po ashtu aty, do te ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i konsullatës, Beqir Kuçi. Bardhi, këmbënguli duke më thënë se, ishte shumë e rëndësishme, që të demaskoheshin ata fashistë sepse, po manipulonin punëtorët. Më tha se, për të më mbështetur, do të më dërgonte edhe Sahit Tofajn. Kur u ktheva në dhomë, babai nuk ishte aty, pasi kishte dalë në oborr, duke pirë cigare. ‘Babë’ i thash – ku je? “Dola jashtë – tha – se Bardhi me futi në kokë, do xekrra”. Pastaj më pyeti: “A e vendosët për po, punën e klubit”? Po -i thashë – patjetër, se ata duan të mashtrojnë e manipulojnë punëtorët. Vura re se babai, kishte dalë në oborr, për të menduar se si mund ta kryenim këtë punë, me mirë. Ai kishte menduar, të gjente disa njerëz të hunit e konopit, që mund të na ndihmonin në këtë punë në rast nevoje, fizikisht.

Pas dy ditëve, baba më tha se nuk kishte mundur, të gjente më shumë se tre vetë dhe ata ishin; Zenun Maxhari nga Studenica e, dy nga Isniqi, Haxhi Salihu dhe Ahmet Syla. Të premten erdhi Sahiti, me të cilin folëm për detyrën që kishim. Atë natë, as unë e, as Sahiti, nuk fjetëm pothuaj terë natën, të cilën e kaluam në një dhome të italianeve, që kishin ikur në Itali, për pushimin e fundjavës. Të nesërmen, përgatita konceptin dhe pikat që duhet të diskutoja. Para se të shkoja në klub, shkuam që të konsultohem me Shaban Mehmetin, emigrant nga Gjilani, të cilin e kisha takuar në Tiranë, në shkurt te vitit 1981, bile i dhashë edhe një pako me libra të ndaluara, që t’ia dërgonte babait tim. Kur shkova me Sahitin te Shabani, në zyrën ku punonte, aty gjetëm edhe tre persona nga ambasada Shqiptare në Vjenë. Pasi u përshëndetëm, Shabani e hapi bisedën për detyrën që ishim ngarkuar të kryenim.

Ai mu lut që; t’ua jepja konceptin që kisha përgatitur për ta parë nëpunësit shqiptarë. Zyrtari shqiptar, pasi e lexoi, përpiloi një koncept tjetër nga i imi. Një nga pikat që më kujtohet mire, ishte se si një shkrimtar Kroat, në vitin 1980, kishte botuar një libër kundër Titos dhe për këtë, ishte dënuar gjithsej, tre vjet burg, ndërsa shqiptarët në Jugosllavi, për një fjalë goje, dënohen 10 vjet burg! U gëzova shumë dhe ndihesha shumë më i fortë me përmbajtjen e konceptit të ri, që ishte konciz, me argumente më të fortë e, me përmbajtje kombëtare.

Mbasi u ndamë, unë dhe Shabani shkuam me një taksi, te Klubi “Rilindja”, ku sipas  porosisë, ne duhet të hynim të fundit dhe për këtë arsye, pritëm deri sa erdhi babai me shokët e tij të cilët, duheshin të qëndronin në oborr, të gatshëm në rast nevoje, të ndonjë konflikti të papritur, me ithtarët e “Bashkim –vëllazërimit”. Ne kishim menduar se tubimi, ishte vetëm për shqiptarë, ndërsa Klubi ishte mbushur plot me punëtorë jugosllavë, si edhe shqiptarë, sa që, nuk kishte vend, ku të uleshe. Salla ishte e klubit jugosllav, “Rilindja” kishte një dhomë të vogël si aneks, në klubin jugosllav. Me që nuk kishte vende për t’u ulur, ne qëndruam në këmbë të mbështetur pas murit.

Mbledhja nuk filloi në kohën e caktuar, sepse nuk kishin ardhur ende ata të “mëdhenjtë jugosllavë“, nga Komiteti Krahinor i Kosovës. Pas dy tre minutash, ata arritën. Të gjithë të pranishmit, u ngritën në këmbë dhe filluan thirrjet frenetike; “Tito-partia-rrevoljucia”, për më më shumë se 5 minuta. Kryetari i Klubit, konsulli jugosllav dhe mysafirët, u ulën në krye të vendit, duke i lutur të pranishmit, që të ulen. Pas njoftimit të qëllimit dhe karakterit të kësaj mbledhjeje, filluan diskutimet. Gjatë diskutimeve, shikoja fytyrat e punëtorëve dhe vëzhgoja nëse kishte ndonjë të pranishëm, që mund të më njihte dhe konstatova se, nuk kisha ndonjë të njohur dhe u çlirova.

Fjalën e mori përfaqësuesi jugosllav, i cili tha: “Te nderuar shokë punëtorë jugosllavë! Të gjithë keni dëgjuar që në mars e prill të këtij viti, ende pa u mbushur një vit që kur vdiq arkitekti i Jugosllavisë, shoku Tito, armiqtë e brendshëm e të jashtëm, ballistët, nacionalistët dhe irredentistët e kombësisë shqiptare, një numër shumë i vogël i tyre, jo më shumë se 150 veta, u ngritën në demonstratat, duke mashtruar edhe disa nxënës të shkollave fillore e, të mesme, me kërkesa e parulla fashiste, kundër ‘Bashkim-vëllazërimit’, e kundër kushtetutës së Republikave Socialiste të Federatës së Jugosllavisë e, kundër fryteve të revolucionit! Marshuan rrugëve të Prishtinës, me një vandalizëm të paparë, kundër forcave të rendit e kundër pushtetit popullor.

Por, fatbardhësisht, në radhë të pare, kombësia shqiptare, dhe të gjitha forcat progresive shoqërore politike, me në krye Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, i asgjësuan dhe i luftuan pa kompromis këtë grup të vogël armiqsh, disa duke i burgosë e dënuar, në bazë të ligjit e, disave duke ju dhënë vërejtje shoqërore, për t’u integruar prap në shoqëri. Ky grup i vogël, u shpartallua dhe izolua nga e gjithë Jugosllavia, por një gjë duhet përmendur se; ky grup, të vetmen përkrahje, e gjeti nga Shqipëria staliniste e Enver Hoxhës, i cili për 35 vjet me radhë, kurrë nuk ia ka dashur të mirën Jugosllavisë së Titos dhe ‘Bashkim-vëllazërimit’ të kombeve dhe kombësive të saj.

  • Jusuf Gërvalla dhe Isa Zymberaj, 1967

Prandaj, ne kemi ardhur me qëllim, që t’ju njoftojmë dhe sqarojmë se, çdo armik që ngre kokë kundër Jugosllavisë së Titos, do të dështojë me turp si, dhe t’ju këshillojmë që të keni kujdes, e mos të bini në provokimet e llumit të emigracionit, të vjetër e të ri, që janë armiq të përbetuar të Jugosllavisë e, që paguhen nga shërbimet e huaja, vetëm për ta njollosur emrin e ndritur të Jugosllavisë së Titos duke, ju mashtruar me propagandën e tyre të ndyrë se, gjoja kombësia shqiptare në Jugosllavi, qenkan shtetas të rendit të dytë, apo të diskriminuar, dhe tė shtypur e gjoja, nuk paskan republikën e tyre”.

Gjatë bisedës, nuk dëgjohej as miza në sallë. Në fund, i deleguari jugosllav, me kombësi shqiptare tha; tani unë përfundova dhe fjalën e keni ju, e thirri; “Rroftë Jugosllavia e Titos. Rroftë ‘bashkim vëllazërimi’ i të gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”, thirrje që u pasuan nga duartrokitje dhe brohoritje; “Tito, partia Rrevoljucia”!

Ai që donte të diskutonte, duhej të jepte emrin dhe mbiemrin dhe nga cili vend vinte. Filluan aty këtu, ndonjë diskutim i punëtorëve, ndërsa unë, gjatë gjithë kohës, prapë vëzhgoja fytyrat e punëtorëve dhe papritmas, pashë një fytyrë të njohur, atë të profesorit tim të gjuhës shqipe, zemër çelikun; Zenun Gjoci. Pasi përfunduan të gjithë diskutimet, zyrtarët jugosllavë, pyeten nëse kishte ndonjë tjetër që dëshironte të fliste. Unë ngrita dorën dhe u prezantova, me një emër dhe me e mbiemër Gashi, e thashë se; isha nga Mareci, por jetoja në Prishtinë.

Diskutimi im ishte ky: Ju shokët që keni ardhur nga Kosova, jeni të mirëseardhur dhe vizita juaj që i bëni klasës punëtore në Mynih, e sidomos informimi mbi gjendjen momentale të krijuar në Atdheun tone, Kosovën e përgjakur, është i rëndësishëm, por është turp dhe dobësi, të manipulohet e gënjehet klasa punëtore, sidomos nga përfaqësues të lartë, të ardhur nga Kosova! Unë dua që këta mërgimtarë të shkretë, që sytë i kanë të verbuar për diellin e Kosovës, mushkëritë i kanë të thara, për ajrin e Kosovës, që zemrat e tyre, pikojnë gjak për mallin që kanë për fëmijët e tyre, e që bukën e hanë me lot, djersë e margarine, vetëm për të kursyer ndonjë dinarë për familjet në Atdhe. (qetësi absolute). Si student që jam, dua të  rrëfej të vërtetën, që e kam pare me sytë e mi.

Çdo popull në botë, sytë dhe shpirtin, e ka të drejtuar nga studentët e vet, që janë e ardhmja e jonë, prandaj edhe ne, duhet t’u besojmë studentëve tanë, se ata janë e sotmja dhe e nesërmja jonë. Në Prishtinë, me 26 mars të këtij viti, u ngritën më këmbë, jo 150 studente siç u tha këtu e, as 1500 studentë, por, të gjithë ata student, që jetojnë në konvikte e baraka ,si dhe ata që banojnë në shtëpi private, të cilët u përkrahen edhe nga punëtorët e “Ramiz Sadikut”, filiali i Prishtinës, pra ishin mbi 50 mijë vete, Me 1, 2 e 3 prill, ishin bashkuar me studentët edhe nxënësit e të gjitha shkollave fillore e, të mesme të Prishtinës, me ta ishte bashkuar edhe pothuajse e gjithë popullata që jetonte në Prishtinë, të cilët paraqiten para ndërtesës së Komitetit Krahinor, kërkesat e arsyeshme e të ligjshme të tyre, që Kosova ta ketë statusin e Republikës, në kuadër të federatës, siç  e ka Mali i Zi e Maqedonia, që kanë një popullatë, dy herë më të vogël se Kosova.

Këtyre kërkesave policia ju kundërvu me kërbaç, rrahje e lot-sjellëse. Aty u vranë e u plagosën, shumë nxënës e studentë. Pastaj filluan arrestimet dhe dënimet e inteligjencës s‘onë, deri me 15 e, 20 vite burg, kurë dihet se, shkrimtari kroat (emrin i a kam harruar), shkruajti një vepër kundër shokut Tito dhe u dënua me 3 vjet burg. Me 26 mars, unë kam parë me sytë e mi para konvikteve, motrat e vajzat tuaja, të dashur punëtorë, duke i kapur katër polic nga të dy këmbët e dy duart dhe i hidhnin në ajër e, duke i lëshuar në tokë, në çimento, në oborret e konvikteve! Vëllezër punëtorë, ka ndodhur edhe më kiamet e tmerr, kur policia special, u ka futur në organet intime, shkopin e gomës, duke u thënë: “Nečeš da rodiš, nikad albanac”. Ndërsa diskutoja, vëreja disa punëtorë, të emocionuar e me lot në sy, nga fjalët e mia.

Me të mbaruar këtë fjalë, një burrë i shkurtër së bashku me profesorin tim, janë ngritur në këmbë për të më përkrahur, duke thirrur me të madhe; “Kosova Republikë”, pastaj edhe nga shumica e punëtorëve, filluan brohoritjet; “Kosova Republikë” si dhe; “Jemi me studentët, jemi me studentët”! Sahitit, me ketë rast, ju çel fytyra sepse, nuk ndodhi asgjë nga ato që ne mendonim. Edhe një, Demë Shqipnija nga Juniku, mendoj se dha një kontribut të madh. Kur filloi thirrja; “Kosova Republikë”, punëtorët jugosllavë, që nuk ishin shqiptarë, filluan të ikin me shpejtësi të madhe nga salla. Pati edhe një replikë jo të hijshme, në mes disa punëtoreve dhe kryetarit të Klubit, Gani Iberdemaj.

Mbasi nuk kisha më ç‘të them e diskutoj, pasi qëllimi u arrit plotësisht, i thashë Sahitit të dilte jashtë e, të njoftonte babain tim, të largohej sa më pare, pasi çdo gjë kishte shkuar fare mirë. Tubimi përfundoi, me thirrjen; “Kosova Republikë”, dhe “Jemi me studentet”. Në sallën e Klubit, u krijua në mes meje dhe disa punëtorëve, një lloj simpatie e veçantë. Disa, gjatë përshëndetjes me mua, më puthnin në të dy faqet, por profesori dhe ai shkurtalaku, nuk më dhanë dorën, pa shkuar së bashku, për të pirë nga një kafe, në një lokal. Me thënë të drejtën, unë kisha dëshirë të rrija me profesorin tim, të cilin nuk e kisha takuar, që nga viti 1975. Pasi, u ulëm në një restorant dhe unë me padurim ju drejtova profesorit, se kur e pashë në sallë, zemra mu bë mal dhe isha i bindur se do të fitonim.

Personi që unë e thërrita; profesor, m’u drejtua, duke më thënë se ai, nuk ishte profesori që kujtoja unë, Zenuni, por vëllai i tij, Muharrem Gjoci, ndërsa burri i shkurtër, quhej Misin Mavraj, dhe ishte nga rrethi i Istogut e, që të dy, ishin punëtor. Pasi kaluam pa as më të voglin problem dhe, dita ishte e shtunë, pas dite vonë, thërrita në telefon Bardhoshin, për ta njoftuar për mbarëvajtjen e tubimit, por ai nuk ishte në zyrë, kështu që Sahiti, mori për detyrë, ta njoftonte Bardhoshin, për ecurinë e tubimit, hollë e për pe, në takimin e parë me të. Sahiti, sa do vonë që ishte, po atë mbrëmje, iku për në Sttutgart.

Pas dy tre ditëve, edhe unë preva biletën dhe vendosa të kthehem në Kosovë por, me parandjenja të përziera edhe me frikë se, mund të më identifikonin dhe të më arrestonin. Arrita në Isniq vonë. Pas dy ditëve, ndodhi një rast vdekjeje, i një burri të mençur dhe atdhedashës në Isniq, Rexhep Hasanit të Imerajve, me të cilin shpesh bisedoja rreth demonstratave dhe ai me këshillonte, çdo herë, duke më thënë: “Ruaju djali im”! Pjesëmarrja në varrimin e Rexhep Hasanit, më vrau edhe frikën, që mundë të me arrestonin. Pas kësaj, shkova ne Prishtinë, ku u takova me shokët, të cilët i informova për çdo gjë që kishte ndodhur gjatë qëndrimit tim, afër tre muaj, në Gjermani. I vura në dijeni, për vendosmërinë dhe optimizmin që kishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në fitore dhe realizimin e qëllimeve tona kombëtare.

Thonë dhe është e vërtetë se; rasti është mbret i botës. Ishte ditë e shtune rreth orës 11.00, kur unë u ktheva në Pejë. Atë ditë binte shi dhe salla e stacionit të autobusëve ishte e stërmbushur, si ditë tregu që ishte, nga njerëz të të gjitha moshave, nxënës, e njerëz hallexhinj. Në një kënd të sallës, larg meje, më shkuan sytë të një plakë e cila, ishte e veshur me veshjen e Dukagjinit. Në tërë atë popull, ajo ishte e vetmja që binte në sy, për shkak të veshjes që mbante. U bëra kureshtar dhe u afrova e pashë pranë saj, djaloshin Agron Haradinaj, që ishte rreth 14 vjeç dhe unë e njihja. Kur me pa, Agroni u ngrit e më dha dorën. Fillimisht e pyeta se; kush ishte ajo gruaja e moshuar me marhama, që ishte me të e ai, më tregoi se ishte gjyshja e tij, Tysha dhe pranë sajë, ishte nëna. Ai, më tregoi se kishin qenë në burg, për të vizituar bacën, Ismail Haradinajn.

Pasi e pyeta se; si ishte me shëndet baca dhe si po e kalonte në burg, ai me tha se; me shëndet ishte mirë, ndërsa për të tjerat, me tha se e kalon, si një njeri që është në burg. E pyeta nëse kishte dëshirë ta njoftonte vëllain, Naimin, për shëndetin e bacës e, ai me tha se; nuk kishte mundësi se, nuk dinte si të komunikonte me të. Pas kësaj, e ftova te vinte me mua, se kisha telefonin e një shokut të Naimit dhe shkuam në një postë të vogël, pas stacionit të autobuzëve në Pejë, e cila ka pasur vetëm dy kabina, e, që të dy hymë në një kabinë, ku formova nëmurin e Bardhosh Gërvallës. Pastaj atë numër, ia dhashë Agronit, dhe e këshillova që të kishte kujdes, nga zagarët e zgjebosur të UDB-ës.

Pasi u ndava më Agronin, u ndjeva shumë keq, kurë mendoja se një familje e tërë, siç ishte ajo e Ismail Haradinajt, që ishte kundër një shteti 23 milionësh, dergjej e torturohej burgjeve për kauzën kombëtare, e të tilla familje, numëroheshin me gishta në Deçan. Pas kësaj, me shkoi mendja te nënshkruesit e Zeburit, të vitit 1989, se ku ishin ata në këtë kohë e, ç’bënin?! Po! Ata merreshin me punën e tyre të zakonshme. Ata gjykonin “kundër-revolucionin” në Kosovë dhe shkruanin; “Tito për letërsinë shqipe dhe, letërsia shqipe për Titon”.

Kështu erdhi përfundimi i vitit 1981 për mua dhe shokët e mi të idealit dhe ilegales, që numëroheshim në gishta por, që shtoheshin dita ditës. Lavdi për jetë e mote, ngjarjeve historike të vitit 1981!

Nder e lavdi për të gjithë ata, që derdhën gjakun ndër shekuj për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve! Nder e lavdi Jasharëve të pavdekshëm, të prirë nga baba i shtat milionëve shqiptarëve, Shaban Murati!

Nder e lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i dha lirinë edhe një pjese të Shqipërisë së robëruar, nga serbosllavia. /Memorie,al/

Lavdi e përjetshme!

Isniq, më 28 nëntor, 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura