UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (6)

UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (6)

Nga Nafi Çegrani, Pashtriku 24 Prill 2022

Si i rekrutonte UDB-ja intelektualët shqiptarë 

Nën llupën e CIA-s

Në vitet 50-t kur sipërfaqësisht dukej se po vendosej një lloj detanti i ftohtë  në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, UDB nuk kishte hequr dorë nga përpjekja për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Sigurimi jugosllav po bënte çmos që të fitonte mendjet dhe zemrat e disa mijëra refugjatëve shqiptarë që kishin gjetur strehim në Jugosllavi.

Por këto veprime subversive të autoriteteve jugosllave do të pikaseshin me kohë nga agjentët e CIA-s, të cilët përpilonin raporte minucioze dhe ua nisnin në kohë reale qendrave të tyre.

Këto dokumente, nga 13 milionë sosh që sapo janë shpluhurosur nga grilat e konfidencialitetit, japin një perspektivë tjetër të ngjarjeve që u vargëzuan gjatë viteve 50-të.

Prej tyre krijohet edhe një lloj prospografie e emrave më të spikatur të refugjatëve shqiptarë që gjetën strehë në Jugosllavi.

Në mesin e refugjatëve që shpejt do të ketë përkujdesin e autoriteteve jugosllave do të jetë edhe një riosh i hajthëm që ende nuk kishte mbushur të njëzetat.

Ai ishte Martin Camaj, ylli i të cilit do të shkëlqente në gjithnajën e kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Në rrethana më të ndryshme, në pezhishkën e UDB-së do të përfundonte edhe orientalisti i vetëm shqiptar në Jugosllavi, Hasan Kaleshi. Portali Konica.al sjell një rrëfim ndryshe për të pathënat e viteve 50-të në Shqipëri dhe Kosovë.

 Një detant i vështirë

Prishja e marrëdhënieve mes Titos dhe Cominform-it me 1948 do të zinxhironte edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Një dokument konfidencial i inteligjencës amerrikane i përpiluar me 3 janar 1955, jep një vlerësim gjakftohtë të gjendjes mes dy shteteve shemra.

Qysh në krye të herës, ky raport pohon se nga të gjitha shtetet satelite (të Moskës), Shqipëria ishte më arrogantja në qëndrimin e saj kundrejt Jugosllavisë.

Pavarësisht kësaj, agjentët e CIA-s shquajnë edhe veprime të caktuara në drejtim të shtendosjes së marrëdhënive, si fjala vjen, ftesa e Qeverisë shqiptare drejtuar Beogradit për të biseduar në lidhje me çështjen e kufirit.

Në këto bisedime të dyanshme, gjithnjë sipas këtij raporti, ishte përfshirë edhe Dushan Mugosha. Me emërimin e ambasadorit shqiptar në Beograd, nisën të frynin erërat e disa ndryshimeve: të dy vendet do të rivendosin lidhjet postale dhe telefonike.

Edhe Mehmet Shehu do t’i kthente një përgjigjje të mirësjellshme protestës jugosllave për çështjen e vrasjes së një ushtari jugosllav në kufi, duke ofruar dëmshpërblimin përkatës. Operativët e CIA-s, përpilues të këtij raporti, nuk anashnxjerrin as çështjen e shqiptarëve në Kosovë:

«Tetëdhjetë përqind e shqiptarëve në Kosmet (akronim për Kosova dhe Metohia – shën. i red) nuk e duan regjimin jugosllav. Ata nuk janë komunistë të Cominform-it. Ata jetojnë me shpresën e ribashkimit me Shqipërinë. Propaganda perëndimore në gjuhën shqipe dëgjohet nga refugjatët.

Nëse shëtisni gjithandej Kosmetit, do të dëgjoni këtë qëndrim të përgjithshëm të shqiptarëve: ‘Ah këta serbë; ata kurrë nuk na kanë dashur dhe kurrë nuk do të na duan. Ata duan të na i nxjerrin sytë’. Enver Hoxha pas 1948-ës e kërkoi Kosmetin si interes vital të Shqipërisë».

Lufta speciale: nga pamfletët deri te përmbysja e pushtetit të Enverit

Skenarët jugosllavë rreth Shqipërisë po luanin me të gjitha zaret e mundshme. Kështu nga një raport i datës 24 shtator 1952 mësojmë se njëri nga zyrtarët më të përfshirë në politikën ndaj Shqipërisë, kolonel Çedo Mijoviq kishte pohuar se ka autorizimin që të deklarojë se politika jugosllave në lidhje me Shqipërinë mbështetej në ruajtjen e status quotë kufijve nacionalë në Ballkan: sipas tij çdokush që do të provonte të cënonte integritetin territorial të pavarësisë politike të ndonjë shteti ballkanik do të provokonte kundër-masat ushtarake jugosllave.

Mijoviq, kishte vijuar, se pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj territorial do të mbrohej nga Jugosllavia.

Megjithë qëndrimin jugosllav në dukje i përkorë, jugosllavët ndërkohë po shestonin planin e rrëgjimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Siç shihet nga një raport tjetër konfidencial, që është përpiluar me 3 prill 1950, burimet e CIA-s njoftonin për propagandën që zhvillonte Jugosllavia në veri të Shqipërisë.

Sipas këtij raporti, propaganda në këto afishe përqëndrohej kryesisht në disa pika: «Kosova dhe mirëqenia e saj», «Lavdia e Koçi Xoxes, i tradhtuar nga Hoxha», «Uria e popullatës shqiprare».

Në këto skema të natyrës diversive, jugosllavët llogarisnin kryesisht në refugjatët shqiptarë të strehuar në Jugosllavi, numri i të cilëve sipas një raporti tjetër që mban  datën 28 mars 1953, vlerësohej të ishte afërsisht 6 mijë frymë.

Agjentët e CIA i kishin rënë në erë edhe njerzve kryesorë të Sigurimit jugosllav të përfshirë në luftën speciale kundër Shqipërisë.

Çedo Mijoviqi, Kapllan dhe Vlado Popoviqi konsideroheshin si rekrutuesit kryesorë të shqiptarëve në UDB. Sipas raportit konfidencial të 3 janarit 1955, eminenca gri e të gjitha këtyre veprimeve ishte gjeneral Dushan Mugosha.

Sipas raportit «ai sigurisht dëshiron përmbysjen e regjimit të tanishëm në Tiranë dhe zëvendësimin e tij e një regjim tjetër, të ndikuar nga jugosllavët».

Burimet e CIA duken të jenë në dijeni  të politikës jugosllave ndaj Shqipërisë, madje gjer në nuancat më të holla. Fjala vjen, një raport sekret i përpiluar me 15 shkurt të vitit 1953, vëren se «politika tradicionale jugosllave ndaj Shqipërisë nuk ka ndryshuar».

Inteligjenca amerrikane ishte e bindur që jugosllavët po kërkonin kullufitjen e Shqipërisë dhe bërjen e saj si pjesë integrale të Shqipërisë.

Po ende ky raport nënvizon sesi Tito ishte bërë pishman për hapjen e shkollave shqipe në Jugosllavi dhe kishte filluar kthimin e tyre në shkolla turke.

Shkresa në vijim përmbyllet me vëzhgimin se «UDB (shërbimi inteligjent jugosllav) organizon misione të përditshme propagandistike në Shqipëri».

Përfundime të ngjashme janë bërë edhe në raporte të tjera që përcjellin zhvillimet dypalëshe. Kështu, raporti konfidencal i përpiluar me 15 gusht të vitit 1952, thekson se qëllimi kryesor i Qeverisë jugosllave ishte përmbysja e qeverisë së Enver Hoxhës.

Për këtë qëllim, shtypi jugosllav afishonte vazhdimisht njoftime se Partia Komuniste Jugosllave ishte e vetmja që çliroi Shqipërinë dhe se marshall Tito e donte popullin e Shqipërisë dhe donte ta shihte të lirë sa më shpejtë që ishte e mundur.

Rekrutimi i Martin Camajt 

Një nga hapat e parë të jugosllavëve për të fituar zemrat dhe mendjet e refugjatëve shqiptarë ka qenë sigurimi i të ardhurave për disa nga elementët më me ndikim.

Derisa Komiteti i Prizrenit tashmë ishte nën kontrollin e plotë të UDB-së, nga viti 1951 Qeveria jugosllave nisi të jepte paga mujore për refugjatët shqiptarë, të cilat varionin prej 3 mijë deri në 6 mijë dinarë.

Këto të ardhura, sipas njërit prej raporteve të CIA-s, vareshin nga nevojat individuale të emigrantëve, ku drejtuesit e Komitetit (bëhet fjalë Apostol Tenefin, Nik Sokolin, Rexhep Becën, Lutfi Spahiun, Stathi Kostarin dhe Jovan Memën) pranonin pagesa më të larta. Anëtarët e këtij organizimi udhëtonin gjithandej ku ndodheshin emigrantët shqiptarë.

Shpenzimet e tyre hiqeshin nga UDB-ja. Përveç kësaj, shteti jugosllav po u krijonte lehtësira edhe të rinjve shqiptarë, sidomos atyre që llogariteshin se kishin predispozita anti-Cominformiste. Këta studentë të cilët ishin vendosur në «Studenski Dom» (Dhoma e Studentëve) merrrnin 1500 dinarë në muaj.

Sipas një raporti të hartuar me 21 shtator 1950, në mesin e studentëve që merrrnin bursë ishin: Danish Daca, Enver Metani, Çesk Dajçi, Halil Topalli dhe Martin Camaj. Emri i këtij të fundit apostrofohet edhe në raportin e 3 janarit të vitit 1955, ku konsiderohet si «new member» i Komitetit të Prizrenit, i angazhuar si punëtor i Radio Beogradit.

Aktiviteti i dyshimtë i Hasan Kaleshit 

Një tjetër histori intriguese e rekrutimit të intelektualëve shqiptarë është edhe rasti i orientalistit shqiptar me prejardhje nga Kërçova e Maqedonisë, Hasan Kaleshi (1922-1976).

Ndonëse historia e tij nuk tangenton në asnjë mënyrë me Komitetin e Prizrenit dhe as me refugjatët shqiptarë, emri i tij çuditërisht figuron në një nga raportet konfidenciale të CIA-s.

Dështimi i përpjekeve të CIA-s e MI6 britanik për të desantuar elementët anti-komunistë në Shqipëri, historitë fascionuese me Kim Philby e deri te dekonspirimi i planeve subversive nga Moska deri te Sigurimi i Shtetit, duket se janë vetëm njëra anë e medaljes.

Ekzistenca e një vistër raportesh konfidenciale të CIA-s flet që inteligjenca amerrikane nuk ishte tërhequr krejtësisht nga rravgimi i saj për të bërë një përmbysje në Shqipëri.

Dy dokumente të tilla që lidhen me njëra-tjetrën flasin në të mirë të faktit që inteligjenca amerrikane po përçapej sërishmi që të ndikonte mbi emigrantët shqiptarë, kryesisht ata që ndodheshin në Itali.

Të koduara si projektet «Obdurate» dhe «Oblong», në raporte bëhet kujdes që të mos jepet identiteti i informatorëve në terren dhe kjo rrethanë flet për natyrën tejet serioze të përpjekjes në fjalë. Së këndejmi, nga një raport intern për nevojat operative të CIA-s e që mban datën 21 shtator 1956, merrret vesh se projekti «Obdurate» do të shkrihej në projektin «Oblong» si rezultat i vendimit që të bashkoheshin në një projekt të vetëm të gjitha asetet shqiptare në Itali të kontrolluara nga CIA.

Nga ky dokument jepet të kuptohet se në këto operacione ishin të përfshirë edhe pjesëtarë të inteligjencës italiane si dhe informatorë në Shqipëri.

Një raport konfidencial i CIA-s, që mban datën 20 dhjetor 1954, jep dromca interesante edhe nga aktiviteti i inteligjencës amerrikane në diasporën shqiptare në Turqi.

Duket se ky raport është i përcaktuar më tepër për nevoja të brendshme të shërbimeve amerrikane sesa për raportim ndaj qendrës. Në këtë dokument, vëmendja e operativëve të CIA-s tërhiqet nga Hasan Kaleshi, i cili në vitin 1954 ishte dërguar në Stamboll si i angazhuar nga Qeveria jugosllave për një hulumtim të paspecifikuar.

Kaleshi asokohe shërbente si profesor në Departamentin e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Beogradit dhe në të njëjtën kohë ishte edhe anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave.

Ky dokument bën me dije se një agjent i CIA-s (emri i të cilit nuk jepet madje as me iniciale), që kishte pasur edhe kontakte të mëparshme, me 23 shtator kishte pasur në Stamboll një takim dy-orësh me Kaleshin.

Tutje, raporti thekson me një lloj emfaze dyshimin se Kaleshi ishte i përfshirë në aktivitete inteligjente për UDB-në në Turqi, prandaj ai duhej të futej në listë dhe duhej të shikoheshin të gjitha lidhjet në zyra për të, nëse një gjë e tillë nuk ishte bërë ende.

Po ashtu, në këtë raport intern kërkohet nga filan agjenti (i cili nuk përmendet as me iniciale) që të qëmtojë çdo informacion të mundshëm për Kaleshin (të dhënat biografike) si dhe veprimtarinë dhe kontaktet e tij në Turqi.

Më tutje, raporti nënvizon se pavarësisht që Kaleshi u kthye përsëri në Jugosllavi, hetimi i prapavijës së tij duhet të bëhej me qëllim të mbrojtjes së operacioneve të CIA-s (lë të kuptohet në Stamboll).Agjenti që kishte realizuar takimin me të me 23 shtator kishte kërkuar të dinte prej tij nëse mbante kontakte me Qazim Gojanin, një tjetër agjent i UDB-së në Stamboll, gjë që po i mbante të hapura dyshimet se rrethi me të cilën shoqërohej ai ishte disi i dyshimtë….

 Operacionet e fshehta  të agjenturës  jugosllave  

Ndërsa ai e konsolidonte stabilitetin e brendshëm, Tito gjithashtu udhëtonte me kujdes jashtë vendit. Rivalët e shumtë kishin emigruar ose shpëtuan pas luftës (duke përfshirë shumë anëtarë të ustashëve, të shpëtua nga priftërinjtë katolikë kroatë në Itali përgjatë “ratlines” naziste drejt Argjentinës…

 UDB-ja do të ishte e ngarkuar me spiunimin e emigrantëve të tillë jugosllavë. Operacionet e zeza të UDB-së u prekën pasi protestat liberale në Perëndim shpërthyen të ngjashme në fund të viteve 1960 në Jugosllavi. Deri në vitin 1974, vendi kishte një kushtetutë të re, e paraqitur si një përpjekje për të qetësuar nacionalistët e shqetësuar duke decentralizuar pushtetin.

Përgjigjja e UDBA-së ndaj mospajtimit të diasporës materializohet në disa prej vrasjeve më të përgjakshme dhe më brutale – ndoshta më të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë. Metodat e tyre ishin të thjeshta, efikase dhe të organizuara mbi baza etnike.

 Në mënyrë tipike, “detyra” do të delegohej në udhëheqjen republikanë të UDB-së të objektivit në fjalë, duke përdorur zyrtarë të të njëjtit nivel etnik. Pas infiltrimit të rrethit përkatës të diasporës, agjentët e UDB-së do të inkurajonin paranojën, luftën dhe konfuzionin përmes dizinformimit dhe thashethemeve. Kjo krijonte në mënyrë të pashmangshme tensione në nivel lokal, duke i dhënë autoriteteve jugosllave “mohim të besueshëm”. Pas vrasjes – zakonisht e kryer nga regjimi me armë të lehta apo me thikë – ngjarja mund të shpjegohej thjesht si rezultat i rivaliteteve brenda bashkësive etnike të mbyllura. Përdorimi i agjentëve me më të kaluar kriminale ndihmoi më tej për të fshehur çdo përfshirje të qeverisë jugosllave. Kështu policia lokale shpesh shmangte hetimin e rasteve të tilla, pavarësisht nëse ato u kryen në Britani, në Gjermaninë Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi apo në Amerrikën e Jugut. Megjithatë, qasja relativisht e dobët ndaj operacioneve të UDBA-së nuk ishte vetëm një nënprodukt i injorancës, por edhe i perceptimeve të ndryshme politike perëndimore të Jugosllavisë ‘të butë komuniste’ dhe ‘Bllokut Lindor’ të Bashkimit Sovjetik. Kështu, ndërsa vrasja famëkeqe e asistuar nga KGB-ja e disidentit bullgar Georgi Markov në Londër në shtator 1978 nxiti një hetim të hollësishëm dhe mbulim të gjerë të lajmeve, pak kujtojnë vrasjen e disidentit kroat Bruno Bushiç në Paris një muaj më vonë. Mungesa e entuziazmit për hetimet zyrtare, madje edhe kur dyshohet për UDB-në, pasqyron perceptimin e Perëndimit se Titoja ishte një aleat i dobishëm kundër sovjetikëve.

Shumë operacione të UDB-së i kaluan limitet e moralitetit, siç qe vrasje nnë 1972 e terroristit kroat Stjepan Shevo në Itali dhe vrasja e ekstremistit serb Dragisha Kashikoviç në Chicago. Vrasje që lane të vrarë kalimtarë të rastit, përfshi edhe fëmijë. Misione të tjera qenë dukshëm më të justifikueshëm, si në rastin e vrasjes së vitit 1969 e ish komandantit ustash Vjekoslav Luburiç në Spanjë. Luburiçi kishte mbikëqyrur kampin e përqëndrimit të Jasenovacit në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku qindramijëra serbë dhe hebrenj qenë vrarë.

UDB-ja e konsideroi penetrimin e saj të ngadaltë e të durushëm në enturazhin mërgimtar të Luburiçit si një operacion tejet profesional. Gjatë viteve’90, Jugosllavia u zhyt një sëri luftërash të përgjakshme sipas vijave etnike dhe fetare. Personeli i shpërbërë i UDBA-së i drejtoi strukturat e sigurisë të shteteve të tyre në formim e sipër, duke bashkëpunuar me kolegët e tyre të mëparshëm nëpër kufijtë e sapoformuar. Në një kohë të luftës së parregullt dhe sanksioneve ndërkombëtare, pati kërkesa të konsiderueshme për ata që njihnin vendet e fshehura të depove të armëve të vjetra ose që mund të linin rrugë kontrabandë të naftës dhe mallrave të tjera thelbësore përmes vendkalimeve kufitare pak të njohura. Pra, në thelb, UDB-ja u bë një subjekt kriminal i decentralizuar – një shoqëri e fshehtë e fshehur në sytë e thjeshtë. Edhe sot në mesin e popullatave të ish-Jugosllavisë mund të gjenden ish-vrasës që mbledhin pensione, politikanë “nacionalistë” me rrënjë komuniste, biznesmenë me pasuri të dyshimtë dhe ish agjentë që veprojnë si merrcenarë për fuqitë e huaja. Me pasuri të përftuara nga dekada privilegjesh dhe, ndonjëherë, edhe aktivitetesh kriminale, familjet e zgjeruara të UDBA-së ka gjasa të vazhdojnë të përparojnë mirë edhe në të ardhmen.

Mungesa e interesit të Perëndimit për trashëgiminë e UDB-së ishte parasëgjithash për shkak të imperativit kryesor për stabilitet rajonal pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo kërkonte një tolerance të njerëzve që futeshin në establishmentin e sigurisë dhe atë politik të shteteve suksesore të Jugosllavisë. Pavarësisht thirrjeve të rastësishme për hetime apo një historie medie lokale rreth ish informatorëve të UDB-së, ka kaluar tashmë shumë kohë. Momenti për “pastrimin” e elementëve ish komunistë ka kaluar prej shumë kohësh. Për mire ose për keq, shërbimi sekret famëkeq i Jugosllavisë duket i destinuar të mbetet enigma, edhe pse aktivitetet e tij vazhdojnë të rezonojnë.

***

CIA, KGB-ja, Mossadi dhe MI6 janë emra shërbimesh sekrete familjare, edhe pse pashmangshmërisht opakë, që luajtën role të mëdha në Luftën e Ftohtë. Megjithatë, midis agjencive të spiunazhit që dolën nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, ODB-ja e ish Jugosllavisë është aspak e njohur. Formalisht e shkrirë pas shpërbërjes së Jugosllavisë Federale komuniste, trashëgimia e saj jeton në formën e spiunëve  të devijuar, manjatëve të biznesit, politikanëve dhe njerëzve të gjeneratës tjetër me lidhje familjare me ish regjimin  titist në Ballkan. Rivalët politikë akuzojnë kundërshtarët e tyre se kanë lidhje me agjencinë e mëparshme, ndërsa “komisionet e lustracionit” në ish-republikat jugosllave – Slloveni, Kroaci, Bosnje Hercegovina, Serbi, Mali të Zi, Maqedoni dhe Kosovë – kanë mbledhur lista voluminoze të informatorëve të dyshuar, pseudonimet dhe misionet sekrete. Qëllimi i këtyre komisioneve nuk ishte që të arrestonin njerëzit, por të identifikonin informatorët në mënyrë që t’u mohoheshin vendeve të punës në të ardhmen. Megjithatë, përpjekjet për të shkëputur lidhjet dhe marrëdhëniet e vjetra në ish-Jugosllavi nuk kanë pasur kurrë sukses krahasuar me përpjekjet e bëra në vendet e Traktatit të Varshavës, sidomos në mesin e shqiptarëve.

VIJON …

——————————–

UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (5)

Nga Nafi Çegrani, Pashtriku 24 Prill 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura