UK LUSHI: KRONIKË E VETËPROMOVIMIT FINOK TË GËNJESHTARIT CRAIG JURISEVIC

(New York, 31. 03. 2012) – “Blood On My Hands: A Surgeon At War” është libër me kujtime nga lufta e Kosovës i Craig Jurisevic, një kirurg australian me prejardhje sllovene, siç deklarohet dendur ai kur flet për mediat shqiptare. Memoaret e Jurisevicit janë botuar për herë të parë në anglisht nga Wild Dingo Press diku kah mesi i vitit 2010 në Melbourne të Australisë, ndërsa në janar të këtij viti ato janë nxjerrë në shitje nën titullin “Gjak në duart e mia” edhe në shqip nga shtëpia botuese e Prishtinës KOHA.
     Narratorin dhe personazhin e librit “Blood On My Hands”, Craig Jurisevic, për herë të parë e kam takuar në maj të vitit 1999 në Helshan. Ky takim ka ngjarë përafërsisht një javë para fillimit të ofensivës “Shigjeta” në Bjeshkët e Pashtrikut. Nga kjo kohë e parafrontit unë mbaj mend një Jurisevic të frikësuar jashtë mase. Bashkë me vullnetarët tjerë të UÇK-së disa herë e kemi vënë në lojë australianin delikat për drojën e tepruar duke e përkujtuar që ai si mjek nuk do të ishte në vijën e parë të zjarrit dhe nuk bënte mirë që lemerisej aq hapur, ngase kjo mund të shkaktonte panik të panevojshëm ndër ushtarët e rinj. Prej ndeshjes së parë në maj e deri kah midisi i qershorit 1999, kur edhe mbaroi lufta e Kosovës, me Jurisevicin na janë kryqëzuar udhët disa herë, nga të cilat vetëm dy në vijën e parë të frontit, sepse ai si doktor qëndronte në prapavijë të dytë, te Stanet nën Varrin e Pashtrikut, ose në prapavijën e thellë të UÇK-së, në Cahan dhe Krumë. Këto dy hera, ndërsa Jurisevici ka vizituar pozicionet ku kam qenë unë në front, nuk ka pasur luftime. Është e vërtetë që Jurisevici ka mbajtur një kallashnikov me vete, mirëpo për të gjithë ata që dinë gjërat elementare për luftën, çdo anëtar i skuadrave mjekësore afër frontit mban armë, kryesisht për vetëmbrojtje në rast të ndonjë inkursioni të armikut. Jurisevici në librin e tij dëfton të ketë vrarë civilë shqiptarë (shih përshkrimin prej faqes 273 deri në faqen 277) dhe ushtarë serbë (shih rrëfimin nga faqja 297 deri në faqen 300), por unë personalisht nuk e kam parë asnjëherë të vetme duke përdorur automatikun apo ndonjë armë tjetër.

Kopertina e librit: „Craig Jurisevic – Blood On My Hands: A Surgeon At War”

botuar nga Wild Dingo Press.

_________________________________________

     Me 10 qershor 1999 lufta fatmirësisht përfundoi, shqiptarët e Kosovës hoqën qafe zgjedhën serbe, dhe, si pas çdo luftimi, ushtarët dhe kontribuuesit e lirisë u shpërndanë secili në kërkim të shtegut të jetës individuale. Në ndërkohë, për mbi një dekadë, unë nuk e sillja ndër mend Craig Jurisevicin aq shpesh, derisa papandehur në shkurt të vitit 2010, mësova që ai kishte shkruar një libër dhe njëkohësisht ishte në kërkim të producentëve për realizimin e një filmi në Hollywood, i cili do të bazohej në botimin e kujtimeve e tij nga koha e luftës në Shqipëri dhe Kosovë. 
     U gëzova që kirurgu australian do t’i tregonte botës për vuajtjet e popullit shqiptar dhe katrahurën e luftës. Pasi e gjeta adresën e tij elektronike nisëm të shkëmbejmë e-maile dhe që në fillim të dërgim-pranimit të mesazheve tona Jurisevici e bëri të qartë se kishte shkruar dhe do të publikonte një libër kritik. Vendosmëria e tij që të ishte i sinqertë dhe i ndershëm më bëri të ndjehem mirënjohës. Si popull në lulëzim e sipër, ne shqiptarët, vetëm sa përfitojmë nga venerimi shqyrtues dhe nga analizimi dhe vlerësimi objektiv i gabimeve dhe dështimeve në çdo përpjekje tonën, e aq më tepër në projekte gjigante siç ka qenë çlirimi i Kosovës.
     Duke supozuar se ai ishte i zënë me projektin e librit dhe filmit u ndala së komunikuari dhe preokupuari më me Jurisevicin, përveç se kur habitesha ndërsa aty-këtu lexoja shkrime superledhatuese dhe reklamuese për librin dhe protagonistin e tij australiano-slloven në mediat shqiptare dhe shihja që gazetarët i jepnin falënderime me përvuajtjen më të thellë njerëzore edhe për librin edhe për filmin, pa çka që nuk e kishin lexuar librin, i cili as nuk kishte dalë në publik, e as e kuptonin se si funksionon biznesi i bërjes së filmave në Hollywood. 
    Nuk më pëlqente ky lloj informimi joprofesional dhe naiv, mirëpo isha i bindur që, pavarësisht se do t’na kritikonte, Jurisevici do të ishte besnik në prezantimin e fakteve dhe realitetit përreth tij. Për të ditur më shumë për projektin e tij, i cili po bënte bujë të paparë në mediat shqiptare, në njërin nga e-malet, unë e pyeta: “Mediat shqiptare e kanë paraqitur librin tënd si libër për UÇK-në dhe filmin si film mbi UÇK-në. A mendon që ato janë duke informuar gabim apo të kanë keqkuptuar?” Jurisevic ma ktheu: “Është film për mua kur kam qenë në Shqipëri dhe Kosovë”. Përkundër përgjigjes arrogante dhe egoiste, megjithatë nuk e humba besimin në Jurisevicin duke menduar që ai mbase do të zbukuronte dhe zmadhonte veprimet e tij dhe rëndësinë e tyre, por për zhvillimet tjera do të tregonte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
     Mëdyshjet e para serioze mbi kirurgun nga Australia dhe besnikërinë e tij ndaj të vërtetës m’i ndezi një veteran i UÇK-së, që kishte blerë dhe lexuar librin. Një grimë më shumë se një vit pasi kishte dalë libri, ish-bashkëluftëtari më tregoi që Jurisevici në kujtimet e tij kishte paraqitur veten si një superhero, ndërsa palët në luftë, shqiptarët dhe serbët, si dy popuj liliputë, të prapambetur dhe të rrumbullt me armiqësi për njëri-tjetrin. I premtova ish-bashkëushtarit që do ta lexoja librin sa të gjeja rastin e parë.
     Zotimin e realizova tek në shtator të 2011-tës dhe sapo e përfundova leximin e “kujtimeve jurisiciane” u telefonova shumë ish-bashkëluftëtarëve të “Atlantikut” që munda t’i arrij dhe që kishim qenë në luftimet kundër ushtrisë serbo-jugosllave në Malet e Pashtrikut në kohën për të cilën shkruante Jurisevici. U tregova shkurtazi mbi disa nga gënjeshtrat më të trasha të Craig Jurisevicit dhe i luta të lexonin xhevahiret e tij. Tronditja dhe zhgënjimi im me deformimin, gjymtimin dhe keqinterpretimin e ngjarjeve në të cilat kemi qenë dëshmitarë me qindra ushtarë të UÇK-së, ishin aq të rënda, sa që, një ditë pasi që lexova librin me vëmendje, duke ia pas zbuluar fytyrën e vërtetë, i shkrova krejt pa dorëza Jurisevicit: “Craig, më në fund e lexova librin tënd. Gënjeshtrat, hiperbolat, ekzagjerimet, gjysmë të vërtetat, mania e jote e sëmurë dhe mjerane për madhështi si dhe racizmi yt janë tmerruese. Ti je një rrenacak patologjik dhe një racist i ndyrë “. Jurisevici nuk reagoi kurrë ndaj e-mailit tim.
     Dy-tri javë më vonë, pasi librin e përfunduan edhe disa pjesëtarë tjerë të “Atlantikut,” kontaktuam dy zyra të avokatëve në New York City për të shqyrtuar mundësinë e hedhjes së Jurisevicit në gjyq për shpifje dhe përgojim. Kaluan vetëm katër ditë dhe avokatët na kumtuan që Jurisevic kishte përgatitur grepin për këdo që eventualisht do ta padiste, sepse në hyrje të librit ai dhe botuesi kishin vënë një shkarkesë nga përgjegjësia legale në të cilën mes tjerash shkruanin: “…Kemi pasur kujdes të verifikojmë emrat, datat dhe detajet në tërë librin, po përderisa shumë gjëra varen nga kujtesa, disa gabime të paqëllimta mund të kenë ndodhur… Botuesi nuk merr përsipër asnjë detyrim apo përgjegjësi legale për pasaktësitë…”
     Shkurt dhe trup: nëse do të ballafaqoheshim në gjykatë me Jurisevicin, ne mund të detyronim atë të bënte ndryshime aty ku ishin anashkaluar faktet dhe të cilat mund t’i vërtetonim pa asnjë problem, por ai do ta kthente rastin në platformë për publicitet. Pra, në vend se të ndalonte maskaradën, padia kundër Jurisevicit do të ndihmonte qëllimin e tij për promovimin e personit dhe librit të tij.
     Prej mesit të shkurtit të këtij viti, pakëz javë pasi libri doli në shitje në Prishtinë, fillova të marr me dhjetëra mesazhe elektronike dhe telefonike në të cilat shprehet habi, hidhërim dhe trazim. “A e thotë të vërtetën Jurisevici? A është e vërtetë që Jurisevici ka qenë një superkomando siç mëton ta paraqesë veten në libër?”- janë dy nga pyetjet që të njohurit dhe të panjohurit më kanë drejtuar më së shpeshti. Ndërsa i lexoja këto letra dhe vazhdoja të pranoja të reja, megjithatë nuk reshtja së besuari që njerëzit, të cilët janë marrë nëpër gojë dhe disa nga të cilët Jurisevici i ngarkon me akuza të rënda në librin e tij, do të kundërshtonin dhe provonin që pohimet dhe pandehmat e mjekut nga Australia janë fjalë për hava dhe pasqyrim i epshit dhe deliriumit të tij për nam dhe vanitet.
     Shpresat e mia i kisha varur sidomos në njerëzit që e kanë për detyrë të reagojnë ndaj njollosjes së UÇK-së dhe shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, si fjala vjen shoqatat e veteranëve të Luftës Çlirimtare apo agjencitë shtetërore përkatëse. Isha i sigurt që aludimet e Jurisevicit do të mohoheshin dhe përgënjeshtroheshin. Por deri më sot kjo nuk ka ndodhur dhe siç thotë një proverb kinez- në vend se të shash errësirën, më mirë është që së pakut të ndezësh një qiri.
   Nuk kam asgjë personale me Craig Jurisevicin, bile e them botërisht që i jam falënderues, pa marrë parasysh cilat ishin dhe po dalin të jenë qëllimet e tij, që ju bashkëngjit UÇK-së në ditë të vështira. Porse si njeri me ndërgjegje, si pjesëtar i UÇK-së, si dëshmitar dhe si pjesëmarrës në shumicën e ndodhive nga periudha maj-qershor 1999, të cilat rrëfehen në libër, e kam obligim moral dhe historik të njoftoj publikun për pasaktësitë, fabrikimet, sajimet dhe kualifikimet raciste që i kam hasur në librin e kirurgut nga Adelaide e Australisë.
     Pasaktësia e parë e Jurisevicit të përplaset për turiri që në kapak, akoma pa e hapur librin, ku si autor është vënë vetëm emri i tij, pa u shënuar afër apo përfundi edhe emri i autorit hije – Robert Hillman, ndërkaq që Hillman është artizani i stilit dhe, siç e pranon vetë Jurisevici në parahyrje, zhvilluesi i narratives së librit. Ende pa u shkruar asnjë germë e vetme, ashtu si u përmend më herët, në fletët e para të librit vendoset me dinakëri një shkarkesë legale, e cila u nevojitet Jurisevicit dhe botuesit si mburojë juridike dhe shfajësim ligjor, në rast se njerëzit në dijeni të fakteve apo të apostrofuar në libër do të reagojnë dhe do t’u kërkojnë gjykatave që të vlerësojnë nëse ajo që transmetojnë memoaret e Jurisevicit është e rrejshme. Bazuar veçse në këtë veprim preventiv, lexuesit me dy palë mend në kokë do të duhej ta kuptonin që Jurisevici ka përgatitur terrenin për histori dhe rrëfenja të cilat nuk janë në përputhje me të vërtetën.

Craig Jurisevic (bjondi) nga e majta,  duke pirë birra në prapavijën e frontit në Pashtrik!

____________________________________

      Klishetë dhe skematizmi të bombardojnë prej kapitujve të parë dhe deri në faqen e fundit të librit. Lexuesit e edukuar do ta hedhin librin në koshin e plehrave vetëm për të metat e stilit, ritmit dhe gjuhës së shkrimit, e lëre më për gënjeshtrat dhe mashtrimet e Jurisevicit. Lloji i tekstit që përdoret është një sforcim dramatik hileqar, i cili aplikohet në literaturën e verdhë kur autori do të përshkruajë një ambient stereotipik për interesin e lexuesve të etur për ekzotizmin, varfërinë dhe paditurinë moderne të botës së pazhvilluar. Kjo është arsyeja kryesore pse p.sh. aeroporti i Tiranës portretizohet si një dështim i pashmangshëm gjenetik i shqiptarëve për rregull (edhe pse Jurisevici e di që aeroporti më i madh i Shqipërisë atëbotë ishte nën kontrollin e trupave të NATO-s dhe ata duhej të ishin përgjegjës për çorganizimin) apo pse Shqipëria paraqitet si një vend i mallkuar i mbushur dëng me taralleqë, drogaxhinjë, psikopatë dhe vrasës. Lexuesit duhet të shokohen dhe mbahen nën tensionin e një skenografie të rrezikshme, përndryshe shablloni i këtij lloj shkrimi nuk funksionon.
     Para se të nisë aventurat e tij Jurisevici gjen një përkthyes prej shqipes në anglisht dhe anasjelltas. Ai është Milaimi, një djalosh hajvan dhe vetëurrejtës, për të cilin si për shumicën e personazheve të librit nuk ka mbiemër e as informacion prej nga vjen. Ky Milaimi, në faqen 28, i thotë Jurisevicit: “Shqiptarët, shumica prej tyre, mendojnë që kosovarëve është duke u ndodhur ajo çfarë kanë merituar. Kjo është marrëzi, por ja që është kështu. Refugjatët që vijnë [në Shqipëri] trajtohen si qentë”.
     Fjalët e teveqelit Milaim mund të jenë të shpikura apo të vërteta, por si t’i interpretohet Jurisevicit shënimi i tyre në libër, kur Jurisevici e dinte atëherë sikur e di edhe sot që Republika e Shqipërisë, prej fillimit të luftës së Kosovës dhe deri në maj të vitit 1999, kur gjoja Milaimi kuvendon me doktorin, kishte strehuar dhe po ushqente mbi gjysmë milioni të ndjekur shqiptarë nga Kosova, e të mos flasim për lejimin e bazave të UÇK-së në tërë territorin e saj londinez. Jurisevici nuk ndalet me kaq në yshtjen e shqiptarëve kundër shqiptarëve, por mundohet të vë zjarr mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë edhe në disa vende tjera. Arsyet pse e bën këtë mund t’i dijë ekskluzivisht Jurisevici.
     Paragjykimet dhe keqinterpretimet mbufaten e pëlcasin paturpësisht dhe pandërprerë nëpër tërë fabulën e memoareve. Sa për ilustrim, ja një fjali në faqen 57: “Strategjia serbe është të ndjekë të gjithë myslimanët kosovarë në Shqipëri”. A nevojit koment një fjali e këtillë?! A e di Jurisevici që në Australi nuk thuhet mysliman australian apo hebre australian apo katolik australian apo ateist australian, por thuhet vetëm australian, e çështja e besimit është mesele private e individit? A e di Jurisevici që shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi kanë fe të ndryshme, gjegjësisht janë myslimanë, por janë edhe katolikë, edhe ortodoksë dhe – për korrektesë – janë edhe ateistë? A e di Jurisevici që shqiptarët jemi shembull në mbarë botën për harmoni fetare mu pse nuk e lejojmë besimin të veçojë njerëzit? Unë e di që Jurisevici i di këto sepse ai kur na ka takuar neve – ushtarëve shqiptaro – amerikanë të “Atlantikut”- ka takuar edhe ushtarë katolikë dhe ateistë, përpos ushtarëve myslimanë. Pse Jurisevici e përdor përcaktimin fetar për shqiptarët si myslimanë përgjatë gati çdo kapitulli kur vetë në faqen 133 shkruan: “Ky përdorim periodik i referimit të kosovarëve si myslimanë (në vend se kosovarët shqiptarë) ka qenë një mjet efektiv propagandues i regjimit të Miloševićit”? A nuk e bën Jurisevici pikërisht atë për çfarë e akuzon Miloševićin?
Jurisevici nuk ka të ndalur në pallavrat e tij. Kështu, pasi ka etiketuar shqiptarët në aspektin fetar, ai, vetëm tetë faqe më vonë, lëshon një rrenë absurde, që as regjimi serb vetë nuk ishte kujtuar ta bëjë. Në faqe 65 ai shkruan: “Po, serbët janë duke u shkaktuar shqiptarëve të Kosovës tmerre të papërshkruara, por ata janë duke vepruar kështu me urrejtje në zemër për tmerre të ngjashme të shkaktuara mbi ta për shekuj. Së fundmi, serbët iu nënshtruan gjenocidit dhe dëbimit nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore nën okupimin e Fuqive të Boshtit”.
     Kush ua paska shkaktuar serbëve tmerret? Shqiptarët? Kur paskan bërë shqiptarët gjenocid kundër serbëve ndërkaq që Kosova ishte nën okupimin serb prej vitit 1912 kur ishte shkëputur nga trungu i shtetit shqiptar që shpalli pavarësinë me 28 nëntor të po atij viti? Dhe nëse gjenocidin nuk e shkaktuan shqiptarët, pse u dashka shqiptarët të bien pre e urrejtjes serbe? 
     Jurisevici nuk do ta shprehë të vërtetën singulare që shqiptarët dhe UÇK-ja ishim duke luftuar pushtimin disa dekadash serb dhe regjimin e kasapit Slobodan Milošević, jo popullin serb. Kuazihumanisti Jurisevic nuk do ta dijë që përgjatë historisë shqiptarët dhe serbët kemi edhe periudha kur nuk jemi përgjakur me njëri-tjetrin, por përkundrazi, disa herë kemi luftuar kundër armiqve të përbashkët. Jo nuk do, dhe për më turpshëm ai e fsheh këtë, sepse për lexuesit e painformuar dhe për ata që nuk kanë njohuri për gadishullin tonë, paraqitja e dy popujve ballkanas si dy grupe njerëzish primitivë dhe të cilët luftojnë dhe kanë neveri të përjetshme me njëri-tjetrin ad infinitum, e bën Jurisevicin të duket si hero shpëtimtar dhe ilimunist. Ai në faqen 73 e zbulon paditurinë e tij cipridon cullak ndërsa shkruan me padjallëzi: “Krejt çfarë di për shtetet e Ballkanit është abstrakte dhe teorike…”. Ama, nëse jo para lufte, atëherë pas lufte, a nuk kishte Jurisevici një dhjetëvjeçar të mësonte për raportin shqiptaro – serb para se të shkruante librin e tij apo – më drejt thënë – manifestin e tij vetëpromovues?
     Nuk e vlen të ndalem më tepër në pjesën a parë të memoareve, pjesë e cila është e mbushur me faqe të katranosura me hidhësi sulmuese dhe në të cilat Jurisevici akuzon drejtuesit e spitalit të Kukësit, pjesëtarët e UNHCR-së dhe shumë njerëz që ndërveprojnë me spitalin për krime, prej atyre ordinere si vjedhja e medikamenteve, pajisjeve dhe veglave mjekësore, e deri te ato më çnjerëzore si vrasja e refugjatëve pacientë. Këtë nuk do ta bëj sepse nuk kam qenë në Kukës kur Jurisevici ka qenë atje. Porse njerëzit e cituar dhe të ndërlidhur me akuzat përreth spitalit të Kukësit duhet ta kuptojnë që janë bërë me gisht dhe nëse nuk reagojnë ndaj pohimeve të Jurisevicit heshtja e tyre do të duhej të zgjonte dyshime të mjaftueshme për të mobilizuar organet e hetuesisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë, nëse pohimet e Jurisevicit vërtetohen të jenë false dhe shpifarake, të dy shtetet, edhe Shqipëria edhe Kosova, duhet të procedojnë dhe ndjekin Jurisevicin për akuza të rrejshme dhe përfolje në bazë të ligjeve penale dhe civile si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Nuk është liri e shprehjes kur i quan njerëzit vrasës pa pasur evidencë dhe vetëm pse shpreson që do llokoçisësh publikun duke bërë deklarata bombastike dhe pompoze.
     Duke pas qenë në skenën e tragjedisë së luftës ato ditë të zeza për gjithë Ballkanin jam në dijeni të plotë të situatës së kaosit, rrëmujës, dobësive dhe papërgjegjësisë së shtetit shqiptar dhe UÇK-së dhe nuk druhem aspak të deklaroj që janë bërë lëshime dhe shkelje të rënda, e me gjasë edhe krime. Mirëpo të gjithë ata që dinë dhe kanë të dhëna për kundërvajtje dhe krime, përfshirë Jurisevicin, është dashur dhe duhet të procedojnë akuzat e tyre në prokurori dhe gjykata. Nëse Craig Jurisevici ka qenë dëshmitar i vrasjes së të ndjekurve nga Kosova, aktiviteteve të mafies, korrupsionit lokal dhe atij ndërkombëtar, dhe, nëse ka dyshuar dhe dyshon në drejtësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, ai ka mundur dhe mundet të deponojë dëshmitë dhe provat fizike në gjykata ndërkombëtare dhe australiane. Madje Kombet e Bashkuara Jurisevici ka mundur dhe mundet t’i shtrëngoj t’i përgjigjen drejtësisë në qytetet ku gjenden selitë e OKB-së, në New York dhe Geneva. Jurisevici nuk e ka bërë këtë. Athua mos ngase i nevojitet sfondi sa më i errët, ashtu që drita shkëlqyese e protagonistit Jurisevic të mund të kontrastohet dhe duket sa më epike dhe atraktive për makinerinë e Hollywood-it, e cila gjithmonë është në kërkim të të pabesueshmes dhe asaj që tejkalon edhe kufirin e fantazisë?
     Përpara se të dal te ngjarjet në front ku kam qenë prezent fizikisht është me rëndësi t’i parashtrohet publikut për inspektim logjik edhe një gjë e çuditshme nga pretendimet e Jurisevicit: frika për jetën e tij, pasi që ka denoncuar drejtuesit e spitalit të Kukësit, autoritetet lokale dhe qeverinë shqiptare për vdekjet e refugjatëve që nuk kishin para të paguanin për shërbime të domosdoshme shëndetësore. Fjala është për artikullin në faqet 103-106, “Refugee Death Trap” (Kurthi i vdekjes për refugjatët), botuar me 24 maj 1999 në The Stars and Stripes, gazetë e cila operon përbrenda Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, por që ka pavarësi redaktoriale nga ushtria amerikane. Në shkrim nuk theksohet shkoqur nëse Jurisevici apo doktori kanadez Roger Lake denoncojnë vdekjen e tre refugjatëve pacientë sepse nuk kanë mundësi të paguajnë. Mirëpo është shumë thelbësore të merret parasysh që Jurisevic nuk është personi i vetëm që flet për akuzat morbide sepse në libër arsyen pse ai futet në UÇK e justifikon me frikën nga hakmarrja për shkak të guximit të tij të ekspozojë aktivitetet kriminale në spitalin e Kukësit. Pyetjet që nuk mund të mos shtrohen këtu janë: si quheshin personat e vdekur; pse Jurisevici nuk i shkruan në një copë letër emrat e të vdekurve; ç’ndodh me Dr. Roger Lake sepse edhe ai duhej të ishte i kërcënuar dhe cak i revanshit; pse nuk u arratis dhe pse nuk ju bashkua UÇK-së edhe mjeku kanadez Lake si Jurisevici – ata të dy janë bashkë në denoncim dhe bile bashkërisht edhe vjedhin të gjitha furnizimet dhe materialet medicinale nga magazina e International Medical Corps (IMC) në Kukës siç shkruan vetë Jurisevici në faqen 120; dhe natyrisht pyetja e paevitueshme – pse Jurisevici nuk u kthye për Australi në qoftë se jeta e tij ishte në rrezik? Apo mos ndoshta, po të largohej pa i vënë vetes aureolën e ushtarit të UÇK-së dhe pa bërë ca foto të rralla nga zonat e luftës, doktor Jurisevici nuk do të mund ta bindte botën e botuesve të memoareve dhe Hollywood-it, që jeta e tij ishte e jashtëzakonshme dhe e pashembullt dhe kështu nuk do të “meritonte” të ekranizohet në film?
     Ndonëse të torturuar dhe të llomitur, pasi kalojnë barazhin e akuzave më bizare, lexuesit do të arrijnë në kapitullin e 12. Jurisevici vesh uniformën e UÇK-së në Helshan dhe jeta e tij nuk është më nën kërcënim. Këtu ai pohon që takon dy persona përgjegjës për rekrutim, emrat e të cilëve i shkruan si Hosnje Hoxha dhe Ajvet Misini. Kam qenë në Helshan pikërisht kur doktor Jurisevici flet për këto takime, por unë nuk mbaj mend dhe e sfidoj mjekun nga Australia dhe këdo të më gjejë dy persona me këta emra që Jurisevici thotë se kanë qenë komandantë të UÇK-së dhe përgjegjës për rekrutët. Në po këtë kapitull, në faqe 136, Jurisevici thotë se ky Misini i drejtohet atij me këto fjalë: “Kemi dhe batalionin e tretë, doktor. Më i vogli. Ata bëjnë shumë zhurmë. Ne i thërrasim Batalioni Atlantik. Djem nga Amerika, kosovarë dhe shqiptarë. Kanë ardhur të luftojnë për vendin e tyre. Disa të lindur në Amerikë. Ata janë nga New Yorku dhe shteti që ata e thërrasin Massachusetts. E di këtë vend, Massachusetts”? E them me siguri absolute që asnjë ushtar i vetëm nga Batalioni “Atlantiku” nuk ka qenë nga shteti Massachussets. 
     Kapitulli 13 është i pari i pjesës së dytë të librit, pjesë në të cilën gënjeshtrat dhe interpretimet e realitetit nga Jurisevici shtrembërohen deri në shkallën që të bëjnë edhe të qeshësh edhe të qash. Në këtë pjesë të kujtimeve apetiti i Craig Jurisevicit për protagonizëm është aq i pangopshëm sa që ngrit dyshime se ai ndofta vuan nga ndonjë çrregullim delirant. Në këtë kapitull Jurisevici shkruan që takohet me ne – ushtarët e “Atlantikut”, të cilëve në faqen 143 na përshkruan kështu: “Ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, për shembull, janë djem të mirë, shumë të dedikuar, pasionantë për kauzën, por në përgjithësi, tmerrshëm të pastërvitur. Ata i përdorin armët e tyre sikur fëmijët që luajnë me lodra; ata nuk dinë gati asgjë për luftimet dhe janë plotësisht naivë lidhur me aftësinë e tmerrshme të armikut të tyre”. Në çka i mbështet Jurisevici këto konstatime? Në asgjë! Jurisevici sapo ka kaluar disa orë me ushtarët e “Atlantikut” dhe nuk e di se kush na ka përgatitur dhe sa gjatë jemi stërvitur dhe nuk e di që 44 për qind e shqiptaro-amerikanëve të “Atlantikut” kanë shërbyer në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), Ushtrinë Shqiptare dhe në Ushtrinë Amerikane. Jurisevic lapërdhari nuk e di apo nuk do ta dijë që tre komandantët kryesorë të Batalionit “Atlantiku” ishin me përvojë luftarake nga lufta dhe dy prej tyre ishin të plagosur në luftime të mëhershme me serbët.
     Sajimi i ardhëm vjen një faqe më tutje, në atë 144, ku ai na quan luftëtarëve të “Atlantikut” rekrutë ndërsa ne të gjithë ishim vullnetarë dhe për më turpshëm po aty ai fyen të gjithë shqiptarët e Amerikës kur shkruan se ne vinim nga Brooklyn-i dhe Bronx-i, ku shqiptarët etnikë jetojnë në geto. Me lehtësinë më të madhe vërtetohet që 10 për qind e ushtarëve të “Atlantikut” kanë qenë milionerë kur jemi nisur për luftë dhe si ata si pjesa tjetër e ushtarëve kishim lënë prapa punë dhe biznese që kanë paguar dhe gjeneruar mijëra e mijëra dollarë në javë të ardhura. Ç’është më me rëndësi të përmendet është që deklarimet e këtilla të Jurisevicit reflektojnë tërë racizmin dhe terrin paragjykues të karakterit të tij sepse shqiptarët e Amerikës, shumica absolute e jona, në SHBA kemi arritur sukses të jashtëzakonshëm financiar dhe edukativ dhe vetëm sa për sqarim ilustrues në tre-shtetëshin – New York, New Jersey dhe Connecticut – ka mjekë shqiptarë gati sa ka në krejt Tiranën.

     Por pse i paraqet Jurisevici shqiptarët e “Atlantikut” dhe Amerikës me ngjyra të errëta? Pse nuk tregon Jurisevici që ne kishim hedhur prapa tërë luksin e jetës amerikane dhe pse nuk tregon Jurisevici për milionat dhe forcën lobuese të shqiptarëve të Amerikës prej Kongresit, Senatit e deri te Shtëpia e Bardhë? Sepse ai e di që në gjininë e shkrimit sensacional, sa më ulët të tjerët, aq më lartë legjenda e Jurisevicit.
Kapitullin e 14 Jurisevici e mbush me historinë për heroizmat dhe sensin e humanizmit të gjyshit të tij! Mozaikut të vetëpromovimit dhe historisë madhështore i nevojitet edhe një copëz lavdie familjare. Jurisevici dhe autori i tij hije janë në dijeni të komponentëve për të cilat Hollywood-i vdes, kur merr vendim të bëjë jetëshkrimin e dikujt film për kinematë e botës. Një nga to është vija zig-zag e vuajtjeve dhe triumfeve përgjatë disa gjeneratave të familjes. Jurisevici i bën krejt hapat e duhur që të bëjë historinë e tij të duket sa më dramatike dhe sa më e jashtëzakonshme.
     Kur njeriu fillon të mendojë që imagjinata juriseviciane do të arrijë limitin, në kapitullin e 15 ndodh diçka e padëgjuar: kirurgu (vetë)ngjitet në hierarki dhe fillon të stërvitë ushtarët e UÇK-së për betejat që i presin. A mund ta merrni me mend se cila është përgatitja ushtarake e Jurisevicit? E thotë ai vetë në faqen 164: “Me vitet e eksperiencës sime si qitës dhe gjuetar, dhe si tërheqës i të plagosurve në Gaza, e ndjej obligim moral t’i trajnoj këta burra dhe këto gra”.
     Çfarë ushtaraku i forcave speciale ky gjahtari dhe gjuajtësi i poligoneve, apo jo? Më ka mbetur peng në zemër që Jurisevici nuk na tregon në është gjahtar patash apo rosash. Doni më për Jurisevic komandon? Mirë, ja edhe një broçkull nga faqja 166, që, sipas Jurisevicit, e rrezaton tërë madhështinë e tij: “I afrohem rekrutit të parë, një çun adoleshent. Ai më buzëqesh si një këlysh i vogël. Nëse do të kishte bisht, sigurisht do ta tundte”. Vendosni personalisht si të ndiheni me kualifikime të tilla për një të ri që ofron të bëjë theror jetën e tij për lirinë njerëzore!
     Margaritarët e marrëzisë janë aq të shumtë në librin e Jurisevicit sa që është vështirë të zgjedhësh cilët të kapish më përpara, mirëpo një në kapitullin 16 është vërtetë unik. Tingëllon e pabesueshme që Jurisevici me shkollim akademik sipëror mund të bëjë gafa të tilla, megjithatë ai e bën këtë në faqen 176 ndërsa shkruan këtë fjali: “CIA, stafi konsullor i SHBA-së në New York, Romë dhe Tiranë, si dhe operativët e Forcave Speciale të SHBA-së në Shqipëri aranzhojnë transportin [e armëve] prej pikës së blerjes në bazën e Helshanit”.
     Nuk është e rëndësishme të diskutohet në këtë shkrim mënyra e bartjes së armëve të UÇK-së, sepse, si ish-ushtar i UÇK-së nga Amerika, ia lë historisë dhe arkivave të zbulojnë disa sekrete kur t’u vijë koha, por ju lutem, a mund ta besoni që Jurisevici të mos e dijë që SHBA nuk mund të ketë konsullatë në territorin e SHBA-së?! A është e mundur që një doktor të mos ketë njohuri që stafi konsullor përbëhet nga zyrtarë të emëruar nga një qeveri të banojnë dhe punojnë në një shtet të huaj për të përfaqësuar interesat komerciale të asaj qeverie dhe për t’u ndihmuar qytetarëve të tyre në atë vend të huaj me dokumente dhe nevoja tjera? Asnjë shtet nuk ka konsullatë brenda territorit të vet; si mundet SHBA të ketë konsullatë në New York? Nëse doni përgjigjen në këto pyetje lexojeni fjalinë e Jurisevicit edhe njëherë. A mund t’i besohet një njeriu të këtillë çfarëdo qoftë? Një njeriu që nuk di gjëra kaq elementare dhe që do të njollosë edhe Amerikën për transportim klandestin armësh!
     Ka aq shumë për të kontestuar në librin “Blood On My Hands”, mirëpo për respekt të kohës që do të merrte kjo si për mua si për lexuesit e durueshëm dhe të interesuar për të vërtetën, unë do të përmend vetëm edhe pesë të pavërteta që i thotë Jurisevici për Atlantikasit.
     Së pari, ai në libër deklaron që ka trajnuar rekrutë me Arbër Muriqin. Zoti Muriqi, ushtar shembullor i Batalionit “Atlantiku” në mënyrë kategorike mohon që ai ndonjëherë të ketë trajnuar ushtarë së bashku me Craig Jurisevicin. Bile Arbërit nuk i kujtohet as të ketë folur më shumë se vetëm një herë me Jurisevicin.
     Së dyti, në faqen 180, Jurisevici përmend njëfarë Sherifedin Dema nga New Yorku, sipas tij ushtar i “Atlantikut”, i cili në vitet 1980-ta, gjatë okupimit sovjetik, gjoja paska qenë në Afganistan dhe paska luftuar në anën e muxhahedinëve. E them me siguri të plotë që Batalioni “Atlantiku” kurrë nuk ka pasur një ushtar me atë emër. 
     Së treti, vrasja e një ushtari të panjohur nga një infiltrim serb, që përshkruhet në kapitullin e 22-të, për mua dhe të gjithë ish-ushtarët shqiptaro-amerikan është një gënjeshtër e pakripë. Aty Jurisevici thotë që ai dhe katër ushtarë tjerë e hedhin trupin e ushtarit të vrarë të UÇK-së në humnerë. Jurisevici bile nuk druan të shkruaj që dy nga ushtarët me të ishin nga Batalioni “Atlantiku”. Asnjë ish-luftëtar i “Atlantikut” nuk është në gjendje të kujtojë të ketë qenë me mjekun australian në një aksion të tillë. Përderisa Jurisevici nuk tregon se kush ishin ushtarët e “Atlantikut” apo UÇK-së me të, logjika e fakteve dhe mungesa e pranisë së Atlantikasve pranë tij thonë që ai rren sa ka kilogramë. Jurisevici e di që kodi i nderit të UÇK-së ka ndaluar rreptësishtë hedhjen e kufomës së shokëve poshtë shkrepave të Maleve të Pashtrikut.
     Së katërti, Jurisevici shpif në mënyrën më të ndytë të mundshme ndërsa shkruan në faqen 295: “Vetëvrasjet janë duke u bërë të zakonshme”. Unë dhe të gjithë shokët e mi nuk dimë një rast të vetëm të vetëvrasjes së ushtarëve të UÇK-së në Malet e Pashtrikut. Ushtarët e UÇK-së kanë mundur të largohen dhe janë larguar nga fronti. Askush dhe asnjëherë, sa kam parë unë në vijën e frontit, nuk ka detyruar vullnetarët të rrinë në front kundër dëshirës së tyre, prandaj insinuatat për vetëvrasje të ushtarëve të UÇK-së sepse ndiheshin të pashpresë përpara ushtarëve dhe paramilitarëve serbo-jugosllavë fyejnë gjithë dinjitetin e njerëzve që vullnetarisht i janë bashkuar përpjekjes për liri të UÇK-së.
     Dhe së pesti, Craig Jurisevic në faqe 321 të librit gënjen që Gani Shehu, ushtar dhe komandant i “Atlantikut” ka lexuar manuskriptin e tij. Gani Shehu hedh poshtë pohimin e Jurisevicit dhe tregon që kurrë nuk ka marrë manuskript nga Jurisevici dhe as sot e kësaj dite nuk ka lexuar as librin e tij.
     Sidoqoftë, rrenat, burracakëria dhe keqinterpretimet që të fusin krupën janë njëra anë e medaljes së librit të Jurisevcit. Ana tjetër është gracka e mashtrimit jurisevician në të cilën kanë rënë praktikisht të gjitha mediat shqiptare në Ballkan dhe diasporë. Libri pra, është gati asgjë krahasuar me projektin e tij për vetëpromovim. Doktor Jurisevici ka planifikuar me shumë dinakëri dhe shkathtësi publicitare imazhin për vetveten si një hero me përmasa mbinjerëzore afër të cilit heronjtë e vërtetë të lirisë së Kosovës janë xhuxhmaxhuxhë. Duke parë naivitetin, mungesën e dijes profesionale dhe jo rrallë edhe idiotësinë e një duzine redaktorësh dhe gazetarësh në mediat shqiptare në Ballkan dhe në diasporë, Jurisevici, pa asnjë grimë mëshire, i ka bërë ata të riprodhojnë skenarin e tij sipas të cilit në skenën e luftës së Kosovës kishte dy anë. Në njërën, dy palë ndërluftuese, që urrejnë njëra-tjetrën kafshërisht: shqiptarët qyqarë dhe budallenj dhe serbët egërsira, por të fortë. Kurse në tjetrën, ai – trimi Craig, i gjithëdijshmi Craig, arbitri Craig.
     Në dhjetëra intervista dhe shkrime lavdëruese mbi librin dhe veçanërisht mbi profkat e Jurisevicit se libri është përshtatur dhe do të bëhet film në Hollywood, përfaqësuesit e medias shqiptare, le që nuk kanë bërë asnjëherë asgjë të verifikojnë pretendimet dhe gjoja heroizmat e tij apo intervistojnë një person të vetëm prezent me të gjatë luftës, por asnjëherë nuk i kanë bërë atij një pyetje të vetme mbi ngjarjet në libër. Vallë është e mundur sepse as nuk e kishin lexuar librin dhe nuk e dinin dhe dinë të vërtetën universale për gazetarinë që kurrë nuk duhet të shkruash për një temë pa bërë hulumtimin e duhur dhe pa kryer detyrat e shtëpisë? Njerëzit e mediumeve shqiptare kanë rënë në kurthin e doktorit australian në mënyrën më të turpshme të mundshme sidomos kur himnizuan librin, ndërkaq që ai ende nuk kishte dalë në shitje as në anglisht dhe me këtë neglizhuan parimin themelor në bazë të së cilit profesionistët e gazetarisë nuk do të duhej të shkruajnë pa e kërkuar një kopje të librit nga botuesi, edhe nëse libri nuk është në treg akoma.
     Gati dy vjet pas daljes së origjinalit dhe një vërtiku të paparë propagandistik për ndonjë libër si për këto gjoja kujtime, vepra e Jurisevicit ekziston në shqip. Nëse shtëpia botuese KOHA ka bërë mirë me ndonjë gjë duke botuar këtë paçavure, ajo ka bërë mirë që ka publikuar librin. Së pari sepse, tani, çdo njeri që nuk flet anglisht mund ta lexoj atë dhe së dyti, prej tash e tutje, çdokush që do të ketë ndërgjegje të pastër duhet bërë atë që e bëjnë njerëzit e ndershëm – të lexojë akuzat juriseviciane dhe të gjurmojë e të ftillojë deri sa ta gjendet e vërteta për çdo pretendim të tij. Askush nuk ka më arsye të vazhdojë promovimin e rrenave, shpikjeve trilluese dhe gjysmë të vërtetave të të uriturit për famë dhe lavdi nga Adelaide e Australisë të quajtur Craig Jurisevic.
     Memoaret janë gjini subjektive dhe nuk është e pazakontë që njerëzit i stolisin të bëmat që i përshkruajnë, mirëpo memoaret shndërrohen në koleksion të gënjeshtrave nëse mbi gjysma e pretendimeve që paraqiten aty nuk janë të vërteta. Unë kam lexuar me qindra vëllime me kujtime, por nuk mbaj mend një libër të vetëm sikur ky i Jurisevicit ku autori apo personazhi i memoareve ndryshon faktet dhe realitetin thuajse të ishte duke shkruar një triler të letërsisë fantastiko – shkencore.
     Ndoshta trullimin shqiptar me Jurisevicn më së miri e paraqet mesazhi i mëposhtëm që kam marrë pak pasi kishte dalë libri në shqip: “E lexova librin e Jurisevicit… Po më dhimbsen 7 euro që pagova ta blej… Shumë helaq ky njeri… Por fajet i keni edhe ju që keni qenë me të, sepse deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim… Krejt kanë vrapuar pas Jurisevicit duke e përqafuar dhe promovuar… Unë vetë ja kam bërë “like” në faqen e tij në facebook si një dele duke ndjekur çfarë bënin të tjerët…”
     Craig Jurisevic mund të shesë me miliona libra, mund të bëjë film për vetveten si hero që kalon të gjithë heroizmat e heronjve prej atyre antikë e deri te më të rinjtë e modernitetit, mirëpo unë dhe të gjithë njerëzit që e duan të vërtetën duhet t’i themi që është marre dhe çnderim të përfitosh nga tragjedia, fatkeqësia, vuajtja, mjerimi dhe gjaku i popujve çfarëdo qoftë etniciteti apo niveli i tyre i zhvillimit. Lavdia nuk arrihet me gënjeshtra; duke gënjyer arrihet turpërimi!
(Uk Lushi jeton dhe punon në SHBA. Lushi ka qenë luftëtar dhe zëdhënës i Batalionit “Atlantiku” gjatë luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Ky vështrim bazohet në versionin anglisht të librit të Jurisevicit “Blood On My Hands: A Surgeon At War” botuar nga Wild Dingo Press.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura