UK LUSHI: LIRIA NUK ËSHTË LIRI PA DINJITET DHE PA PAVARËSI

 New York, 09. 12. 2013 – Ky është eseu që gabimisht nuk e ka përfshirë një pjesë te rubrika “7 Shkronja” në gazetën “Koha Ditore” sot. Duke e pranuar kërkimfaljen e gazetarit që përgatit rubrikën, Uran Krasniqi, ju kërkoj falje të gjithë lexuesve që nuk kanë pasur mundësinë ta lexojnë eseun origjinal në gazetë. Eseu i shkruar nga unë është ky:
JUNIKU: Në fillim është vendlindja. Aty ku nisin bashkëjetesën trupi, shpirti dhe fryma. Unë kam kaluar vetëm fëmijërinë e hershme në Junik, por aty kam kontaktuar natyrën në formën e saj origjinale dhe sapo kam bërë hapat e parë kam zënë të ndërveproj me institucionet e nderimit ndërnjerëzor dhe ndërkozmik që janë domosdoshmëri në çdo odë të kullave të Junikut. Oda e Junikut është koncept dhe realitet i pagjetshëm diku tjetër. Kam jetuar në qytete të ndryshme: në Prishtinë, Stuttgart të Gjermanisë dhe New York të SHBA-së, mirëpo Junikun nuk e kam gjetur në asnjërin prej këtyre vendeve deri më tash. Ndërkohë kur jam në Junik i gjej aty të gjitha qytetet në të cilat kam rrojtur dhe ato që i kam vizituar. Vendlindja është universi i vogël në formën e konit që noton në eterin e një universi më të madh në formën e një cilindri të quajtur familje. Këto të dyja notojnë në eterin e një universi më të madh në formën e një paralelopipedi të quajtur komb. Këto të tria bashkë notojnë në eterin e një universi më të madh në formën e një oktahedroni të quajtur njerëzim. Të gjitha këto universe në raporte të përkryera me njëra-tjetrën notojnë sensualisht me gjithë trupat qiellorë në eterin e universit të jashtëm që ka formën e sferës dhe që e quajmë rruzull. Vendlindja gjegjësisht Juniku, pra, është zanafilla dhe është me mua çdo kund.

– Uk Lushi – 

 DIJA: Sapere aude – guxo të jesh i dijshëm. Dija ka qenë gjithmonë e rëndësishme, megjithatë në kohën e tanishme kur informacioni është më i bollshëm se kurrë më parë dhe kur është më vështirë se asnjë herë në histori të dallosh informacionin e dobishëm prej të padobishmit, dija është bërë jashtëzakonisht e rëndësishme. Të dy manifestimete dijes – dija propozicionale, (si fjala vjen të dish që toka sillet rreth diellit), dhe dija e aftësisë, (si p.sh. të dish si udhëhiqet një shtet), sipas filozofëve nga antika që të konsiderohet dije duhet të plotësohen tri kushte. Që të dish duhet të besosh për diçka; besimi duhet të jetë i vërtetë; dhe ky besim duhet të justifikohet duke ofruar arsye të forta në mbështetje të tij. Por, në vitet 1960-ta, Edmund Gettier, publikoi një punim vetëm dy faqe e gjysmë të gjatë dhe bindshëm solli shembuj që provonin se dija nuk mund të jetë vetëm besim i vërtetë dhe justifikueshëm. Ka raste kur diçka mund të besohet dhe justifikohet, mirëpo është e rreme. Një ilustrim për këtë është rasti i orës së prishur, e cila mund të tregojë kohën e njëjtë dy herë brenda 24 orëve, por njëra nga to është e pasaktë. Pas definicionit të dijes, çështja tjetër e vështirë e disiplinës që merret me dijen, epistemologjisë, është sasia e asaj se sa dimë. Sa dimë është situatë fluide që duhet shprushur me skepticizëm të vazhdueshëm sepse ajo që mendojmë që dimë mund të jetë mashtrim. Duke qenë qenie të gabueshme dhe kryesisht të paditura ne duhet të mësojmë vazhdimisht, qoftë përmes dijes që të tjerët na servojnë qoftë përmes përvojës vetjake, dhe gjithherë, patjetër, duhet të testojmë ato që kujtojmë që i dimë. Duke ditur aq sa dimë jemi gati asgjë, pa ditur jemi gjithsesi asgjë. Nuk duhet harruar që ne nuk dimë aq sa zakonisht besojmë që dimë, prandaj të guxosh të bëhesh sa më i dijshëm duhet të jetë përpjekje e pandërprerë primare në jetë.
LIRIA: Njeriu i cili di është më afër lirisë. Liria rezulton prej (vetë)dijes. Nëse dija është kushti i nevojshëm i të jetuarit si duhet, liria është kushti i domosdoshëm për të jetuar tërësisht. Liria është e brendshme dhe e jashtme. Liria e brendshme nuk mund të imponohet: ajo buron nga brendia. Liria, ashtu si dija, nuk është e lirë, por ka çmim të shtrenjtë. Liria kërkon angazhim dhe vigjilencë të vazhdueshme, përndryshe humbet. Ama humbja e lirisë krijon paradoks. Individi apo grupi që i merr lirinë individit apo grupit tjetër në thelb nuk është i lirë as vetë. Liria mund të ekzistojë si oazë, mirëpo ajo që të jetë liri e vërtetë duhet të jetë totalitet universal. Imagjinoni, një lejlek mund të shkojë nga Prishtina në New York dhe nuk çan kryet për vizë e kufij njerëzorë, ndërsa një prishtinas me shtetësi të Republikës së Kosovës duhet të heqë të zitë e ullirit për të marrë një vizë amerikane – nëse arrin ta merr – për të shkuar për të parë Statujën e Lirisë në Liberty Island. Liria moderne është nën sulm sidomos nga posedimi. Njerëzit të cilët lejojnë posedimet t’i posedojnë ata dhe nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga to pa frikë së humbin lirinë nuk kanë liri. Liria nuk është liri pa dinjitet dhe pa pavarësi: shqiptarët do të duhej ta dinin më së miri për çfarë e kam fjalën.
DASHURIA: Është misteri më i madhi jetës. Nuk e vlen të tentohet të kuptohet sepse nuk mund të demistifikohet. Nëse jeta jetohet pa dashuri nuk është jetë – nuk mund të jetohet. Dashuria e drithëron trupin si ndjenjë, porse ajo është matematikë e shpirtit të ekzistencës së gjithësisë. Dashuria nuk duron kushte dhe kushtëzon të ndodhurit e saj me hapje të zemrës, e posaçërisht të mendjes. Njerëzit që dinë dhe janë të lirë (brenda) dashurojnë vendlindjen, familjen, kombin, njerëzimin dhe kozmosin.
IDENTITETI: Çështja më intrinsike e natyrës njerëzore nuk është çështje vetëm për ata që nuk dinë, nuk janë të lirë dhe nuk duan. Mendoj dhe lexoj sa më shumë që mundem për identitetin. Identiteti në matematikë përkufizohet si relacion i barazisë. (x + y)2 = x2 + 2xy + y2ose cos2(x) + sin2(x) = 1 janë secila identitet ashtu që x dhe y përmbajnë disa variabla dhe variablat japin të njëjtin rezultat kur zëvendësohen me çfarëdo vlerash (zakonisht numra). Vini re që variablat mund të ndryshojnë, porse rezultati nuk ndryshon. Identiteti nuk duhet përzier me identifikimin, sepse kjo e fundit është etiketë. Njerëzimi ka shumësi identitetesh që unifikojnë njëri-tjetrin në identitetin suprem human. Njerëzit përballen me luhatje identitare kur kanë kriza dhe i nënshtrohen dhunës. Kushdo që shpreh komplekse lidhur me identitetet e veçanta, siç p. sh. kanë bërë një duzinë shqiptarësh viteve të fundit, dëmton tautologjikisht identitetin e përgjithshëm njerëzor. Identiteti i çdo qenie është pjesë e identitetit kozmik.
PROGRESI: Përgjatë historisë kemi ditur më pak se dimë tash, p.sh. kemi menduar që toka është e rrafshët. Kemi qenë më pak të lirë, p. sh. kemi skllavëruar qeniet njerëzore dhe nuk na ka bërë syri tërr të arsyetojmë këtë. Kemi dashuruar më pak, p. sh. kemi zhdukur grupe të tëra njerëzish sepse kemi menduar që nuk kanë qenë të mirë sa ne. Kemi lozur me identitetin sikur të ishte armik i yni dhe jo fat. A kemi arritur progres? Deri diku! Para dy-tre mijë vitesh një njeriu mund t’i merrte disa javë të vriste apo miqësonte le të themi dhjetë njerëz të tjerë. Sot, një njeri mund të shtyp një sustë të një arme nukleare apo kimike dhe mund të shkatërrojë ndoshta me mijëra njerëz, por me shtypjen e një suste, njeriu po ashtu mund të flasë në Skype dhe mbase miqësohet me mijëra njerëz kudo në planet. Njerëzimi është një. Të gjithë ata që kanë jetuar, që jetojnë dhe të gjithë ata që do të jetojnë. Unë dhe ti jemi përdorues por edhe përgjegjës për frytet e shëndosha po edhe helmuese që prodhon njerëzimi. Progresi është udhëtim që ka një qëllim. Caku i progresit njerëzor është arritja te të kuptuarit që nuk kemi ku e çojmë njëri- tjetrin dhe për të gjithë ka vend në kozmos.
VDEKJA: Është fund potencial. Si pjesë e jetës, për disa është fundi i fillimit, ndërkaq që për disa është fillimi i fundit. Se në cilin grup do të të përkojmë varet nga mënyra si e kemi kaluar jetën dhe sa kemi qenë në gjendje të dimë, sa shumë e kemi realizuar lirinë, sa kemi dashuruar, sa kemi qëndruar stoik me identitetin tonë dhe sa kemi kontribuar për progresin njerëzor. Kozmosi mbetet kozmos – as nuk lind as nuk vdes.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura