UKSHIN HOTI: JANË KRIJUAR KUSHTET PËR KRIJIMIN E NJË FILOZOFIE POLITIKE, E CILA DO TË PUNONTE NË SHËRBIM TË PAJTIMIT DHE BASHKIMIT KOMBËTAR

(Pashtriku.org, 15. 05. 2013) – Ukshin Hoti u lind në vitin 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në Prizren dhe në Prishtinë. Fakultetin e Shkencave Politike e mbaroi në Zagreb, ndërkaq studimet posdiplomike – drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare politike dhe ekonomike në Beograd. Specializoi në Universitetin e Çikagos, Harvardit, Bostonit, Uashingtonit dhe të Kembrixhit. Disa vite ka kryer detyrën e sekretarit në Sekretariatin për marrëdhënie ndërkombëtare në KE të KSA të Kosovës si dhe ishte ligjërues në Fakultetin Juridik të UP’së. Më 21.XI.1981 arrestohet, pas një aktiviteti politik legal e ilegal dhe në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë dënohet me 9 (nëntë) vjet burgim, në grupin e intelektualëve. Aktualisht punon në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.

(Bisedën e zhvilloj: Sheradin Berisha, kryeredaktor i revsitës “Gurra”)

*  *  *

GURRA: Nga historia e largët dhe e afërt, mësojmë se lindja e shteteve të reja kalon nëpër sprova të rënda. Duke pas parasysh rivalitetet në politikën ndërkombëtare, ku gjindet Kosova sot, drejt synimit për shtetësi?
UKSHIN HOTI:
Ndodhemi atje, ku pata thënë edhe në tryezën e organizuar në Billushë (në shtator të vitit 1991). Atëherë sa më kujtohet, u shfaq mendimi i tillë që të formohet Qeveria, të formohet policia, ushtria, mbrojtja territoriale, të legalizohet lëvizja…dhe gjëra të ngjashme. Qeveria është formuar, por akoma vepron në ilegalitet e do të duhej të vepronte legalisht, që të njiheshim me autorët e saj dhe ata të qëndrojnë në ballë të proceseve, por në vend, jo jashtë Kosovës. Me fjalë të tjera, Republikën e Kosovës e konsideroj të formuar, por që duhet akoma shumë punë për të bërë, që të shihet realisht nëse është e pranuar edhe prej të tjerëve. Kjo punë do të mund të rezymohej si rezistencë aktive e jo pasive. Mendoi se faktori i jashtëm nuk ka ndonjë arsye reale, të refuzojë obsekimin e Republikës dhe se faktori i brendshëm duhet të tregojë po aq gatishmëri për rrezikimin e stabilitetit sa edhe kundërshtari. Këtë gatishmëri nuk është duke e treguar, por pritet ta tregojë.
GURRA: Ndonëse jetojmë në kohë të modernizmit…, në Evropë e gjetiu luhen akoma lojëra të vjetra dhe ne shqiptarët mund të pësojmë përsëri si në të kaluarën historike. Çka mendoni, a ekziston rreziku për marrjen e vendimeve të gabuar nga BE’ja dhe ç´duhet bërë ne për t´u evituar kjo gjë?
UKSHIN HOTI:
Shtetet nuk vendosin në mbështetje të emocioneve, por të interesave. Interesi primar i momentit për Evropën është vënia e themeleve të reja dhe për këtë shkak ajo nuk është duke i luajtur lojërat e vjetra. Përkundrazi po përpiqet t´i evitoj konfliktet. Interesi ynë është pikërisht i njejtë – evitimi i konflikteve të vjetra, por jo në dëm të kombit.

Kushtrim (Ish’Billushë), Shtator 1991: Ukshin Hoti,

në Tryezën Shkencore “Kosova, dje – sot dhe nesër”.

*  *  *

GURRA: z. Hoti, dihet mirëfilli se Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës ka hartuar tri opsione për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe këtë projekt e kanë paraqitur në Hagë. A janë formuluar drejtë këto opsione, dhe cili është mendimi juaj për këtë çështje?
UKSHIN HOTI: Nuk janë formuluar në mënyrë të drejtë, për shkak se detyrë e forcave politike ka qenë të përcaktuarit preciz të opsioneve të mundshme, e jo kalkulime me to. Megjithatë, tani mbeten vetëm dy opsione: ai i Republikës dhe i Bashkimit Kombëtar. Dhe, përsëri faktori i brendshëm do të duhej të vlerësonte, se cili opsion është i mundshëm për momentin. Në situatën e krijuar rreth problemit të ish’Jugosllavisë, na duket prioritare dhe i pashtyeshëm konstituimi i menjëhershëm i Republikës së Kosovës dhe pastaj ajo le të merret me çështjet tjera.
GURRA: Tashmë LDK’ja ka paralajmëruar se deri në fund të majit do të organizohen zgjedhjet e lira në Kosovë. A do të jenë të suksesshme këto zgjedhje?
UKSHIN HOTI:
Varet nga përmbajtja e tyre, rezultati dhe nga ajo se çka dëshirohet të arrihet me to. Në qoftë se synohet rregullimi i çështjeve të brendshme ende të parregulluara në favor të Republikës, në mënyrë të sinqertë, atëherë mund të kenë sukses. Por, nëse synohet avancimi i interesave partikulare të grupeve brenda partive apo partive në llogari të partive tjera, atëherë s´do të arrihet asgjë.
GURRA: Në revistën “Zëri“ Jonathan Eyal deklaroi, se:“…atë që duhet evituar populli shqiptar është situata e kurdëve“. A ekziston një rrezik i tillë?
UKSHIN HOTI:
Ndryshimi me kurdët është, se ne ndodhemi në Evropë dhe nuk mendoj se z.. J. Eyal i merr parasysh konsekuencat, që do të dilnin nga një imponim i tillë i situatës së kurdëve.
GURRA: Pas fitores së Partisë Demokratike në Shqipëri, fitohet përshtypja sikur më parë (në të kaluarën) në Shqipëri është ndjekur një kurs i gabuar politik, që për pasojë pati varfërinë e theksuar dhe eksodin e shqiptarëve jashtë vendit. A ka mundur udhëheqja e atëhershme të ndryshojë gjendjen e krijuar?
UKSHIN HOTI: S´ka dashur, për hir të interesit të ndryshimeve të brendshme në favor të demokracisë.
GURRA: Pse BE’ja heziton ta pranojë Maqedoninë si shtet të pavarur?
UKSHIN HOTI:
Kjo lidhet me faktorin e jashtëm dhe me reagimin eventual të Serbisë ndaj një akti të tillë. Hezitohet komplikimi i mëtejmë i situatës në Ballkan. Megjithatë kjo do të tejkalohet. E shqiptarët doemos do të jenë në nivelin e situatës, përndryshe nuk shoh se ka ndonjë rrugë tjetër.
GURRA: z. Hoti, janë hedhur hapat për mbajtjen e Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar. Për këtë qëllim janë organizuar edhe disa takime të intelektualëve shqiptarë, në të cilat keni marrë pjesë edhe ju. Ta zëmë, çfarë pikëpamjesh keni paraqitur në simpoziumin e mbajtur në Shkup?
UKSHIN HOTI:
Në fund të vitit të kaluar (1991) në Shkup u mbajt një simpozium mbi shqiptarët në Maqedoni, dhe në punimin tim „Republika dhe lufta“, kam thënë se janë krijuar kushtet për krijimin e një filozofie politike, e cila do të punonte në shërbim të pajtimit dhe bashkimit kombëtar. Mendoj se kuvendi i tillë, do të duhej të ishte ndër instrumentet e qenësishme për realizimin e këtij qëllimi, po nuk mund të paraqitet (ky kuvend) në ndonjë funksion, kompetencat e të cilit – pastaj (për shkak të kësaj paraqitjeje) do të tejkaloheshin. Çështjet e këtilla janë çështje të shtetit, dhe, prandaj kuvendet e tilla janë instrument i shtetit, por jo vet shteti.
GURRA: Si e shpjegoni dorëheqjen tuaj nga LDK’ja?
UKSHIN HOTI:
Do të doja që LDK’ja të jap shpjegime të duhura e jo unë. Meqenëse ata po e konsiderojnë të arsyeshme që të mos jepen shpjegime, edhe unë do të heshti deri në momentin, kur do të jetë e domosdoshme t´i sqarojmë gjërat.
GURRA: Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri fitoi PD’ja, a besoni se kjo parti është e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza e përgjithshme?
UKSHIN HOTI:
Stabiliteti i Shqipërisë është i lidhur me stabilitetin e raporteve në Ballkan, e ato raporte nuk mund të stabilizohen pa Republikën e Kosovës. Andaj, edhe suksesi i demokracisë në Shqipëri varet nga shkalla e koncensusit të arritur rreth zgjidhjes së problemit shqiptarë. PD’së mund t´i urojmë sukses në përpjekjet e duhura.
GURRA: Si e shikoni të ardhmen e Evropës së Bashkuar?
UKSHIN HOTI:
Evropën e Bashkuar nuk e shoh si mbështetje të diktatit të një apo dy fuqive, por në mbështetje të popujve të saj. Evropa do të duhej të ishte në funksion të vetvetes, e jo në funksion të dominimit të jashtëm.
GURRA: Si ekspert i politikës, çfarë do t´i këshillonit politikanët e rinj?
UKSHIN HOTI:
Të jenë të vetëdijshëm për interaksionin, ose lidhjen midis faktorit të brendshëm dhe të jashtëm. Dhe kur këtë ta kenë të qartë, atëherë nuk do të ketë frikë për interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve…
GURRA: Po çfarë do t´i këshillonit drejtuesit e revistës ”Gurra”?
UKSHIN HOTI:
Bashkimin e të gjitha revistave lokale, për të nxjerrë një revistë të nivelit republikan, përndryshe do e feudalizoni Kosovën (qeshet) dhe feudalizimi i Kosovës gjithmonë ka qenë rrezik dhe pengesë reale për evropianizimin e saj. Puna është që të luftohet feudalizimi e jo të avancohet. Poenta e evropizimit është që Kosova të ngritet në nivelin e Evropës, e nuk mund të jetë e tillë shpërngulja prej saj e as imitmi i Evropës. Kosova ka resurse të mjaftueshme dhe rini të mrekullueshme, e cila do të duhej të martohej me Kosovën në Evropë, e jo me Evropën në Kosovë.
GURRA: Ju faleminderit për këtë bisedë!

– Intervista është botuar në: Revistën “Gurra” – e përmuajshme kulturore – letrare dhe informative për regjionin e Vërrinit – Prizren / Nr. 2 viti I, Maj 1992, faqe 7 – 9. Këtë intervistë me Ukshin Hotin e kam zhvilluar në Krushë të Madhe, në shtëpinë e tij tashmë të djegur e të shkrumuar nga njësitë barbare serbe, në fund të marsit 1999.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura