UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (2)

Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – /Gjermanët në kontekst të Evropës/ – Modeli i Hoffmann-it për rregullimin policentrik të botës tani për tani është vetëm një pikësynim i cili po e drejton gjer diku kahjen e zhvillimit të ngjarjeve në Evropë. Ai është një projekt i zhveshur nga kundërthëniet e brendshme, por doemos e përfshin Evropën si njërën nga shtyllat e policentrizmit në fjalë. Është çështje më vete se a do të mbetet i kufizuar vetëm në Evropë, në raportet e saj me SHBA-të, apo do të zgjerohet për të përfshirë njëmend edhe polet tjera, për të drejtuar bashkarisht botën policentrike. Këto janë çështje ende të paqarta dhe nuk dihet drejtimi i zhvillimit të tyre të njëmendët, por janë çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për përcaktimin e drejtë të natyrës dhe të karakterit të proceseve integrative të Evropës.
Çështja e bashkimit të Evropës, duhet theksuar që në fillim, nuk është aspak ndonjë dukuri e re. Është bërë “çështje e re” pas Luftës së II-të Botërore për shkak të ndarjes së Gjermanisë. Duke mos hyrë në analiza të hollësishme të kësaj çështjeje komplekse tani të përfunduar, mjafton të konstatohet se çështja e bashkimit të Evropës shpesh u identifikua me çështjen e bashkimit të Gjermanisë: “Gjermania është e ndarë, sepse Evropa është e ndarë, – pohonin gjermanët, – dhe Evropa është e ndarë sepse Gjermania është e ndarë”. Porosinë politike të kësaj sintagme e shpjegonte Reinischer Merkur: “Die Deutsche Einheit kann niemals ohne und erst recht nicht gegen Evropa errungen werden” (Rheinische Merkur, Oct. 24. 1985).
Analitikët politikë të Perëndimit vlerësojnë se ndarja e Evropës zgjati aq shumë për shkak të identifikimit të interesave vitale të shtetit sovjetik me ideologjinë komuniste (shih Rusët dhe interesat vitale të shtetit sovjetik): “…për shkak se – siç shkruan CH.Bertram, -sigurimi i BRSS-së nuk e mbështeste vetëm integritetin territorial të Bashkimit Sovjetik, por edhe atë ideologjik … prezenca e regjimeve komuniste në Evropën Lindore ishte interes vital i sigurimit të Bashkimit Sovjetik (shih Christoph Bertram, The German Question, Foreign Affairs, Spring, 1990). Duke mos u lëshuar në shqyrtimin e vlerësimeve të tilla, mjafton të konstatohet se BRSS qoftë për shkak të interesave për të zënë vrapin e zhvillimit, qoftë për shkak të ngecjes së tepruar të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të vendit (fshat i madh me armatim modern), por gjithsesi për shkaqe objektive, kah fundi i viteve ’80 e ndërpreu lidhjen midis sigurimit nacional dhe konformitetit ideologjik, por gjithnjë duke mbetur superfuqi për shkak të bazës së gjerë industrialo-ushtarake dhe të resurseve të mëdha natyrale e njerëzore; i përkrahu ndryshimet e brendshme në Evropën Lindore; i tërhoqi forcat ushtarake nga këto vende, u pajtua me bashkimin e Gjermanisë dhe me shuarjen e Traktatit të Varshavës. Me faktin e pajtimit me bashkimin e Gjermanisë u pajtua edhe me bashkimin e Evropës. Kulmi i përbashkët i ndërtesës së re të Evropës (M. Gorbaçov) do të duhej t’i mbulonte edhe Sovjetikët. Kjo do të thotë se bashkimi i Gjermanisë nuk u arrit për inat të Bashkimit Sovjetik. Anne -Marie Burley, një eksperte e shquar e çështjes gjermane (Der Deutschen Frage) në Universitetin e Chicago-s në Chicago, Ilionis, e jep një pasqyrë instruktive të luftës teoriko-politike gjermane për realizimin e qëllimit në fjalë. Sipas saj, në Gjermani me kohë u kristalizuan tri koncepte të kësaj lufte: 1) Koncepti tradicionalist, që e përfaqësonin krahu i djathtë i Unionit Kristiano-Demokratik (CDU); Kristiano-Social (CSU) dhe organizatat e refugjatëve. Franz Josef Straussi ishte portparoli kryesor i tyre. Kërkesat për ribashkimin e Gjermanisë i mbështetnin në përvojën e shek. XIX, në luftën e kohës para Bismarck-ut.

Në këtë kohë, siç pohonin tradicionalistët, gjermanët nuk kërkonin një Grossedeutschland në kuptimin e maksimalizimit të fuqisë (për të luajtur rolin e fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare politike), por të kuptimit të vetë shprehjes politike të identitetit kombëtar. Me këtë nuk e synonin mjegullimin e kujtesës për të kaluarën e afërt, por për vënien e saj në kontekst afatgjatë historik. Në të njëjtën kohë i theksonin aspektet juridike të çështjes gjermane, veçanërisht mungesën e marrëveshjes së paqes, duke i përkujtuar në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha vazhdimisht me faktin se çështja gjermane mbetet e hapur. Koncepti tradicionalist insistonte në mentalitetin e viktimës: të jesh gjerman do të thoshte të jesh i vetëdijshëm se i takoje një kombi të ndarë dhe t’a pranoje obligimin për tejkalimin e një gjendjeje të këtillë. Për tejkalimin e kësaj gjendjeje nuk insistonin në ndryshimin e kufijve, por e theksonin ribashkimin e të dy shteteve gjermane në suaza të Perëndimit. Me fjalë tjera, e kërkonin çlirimin politik të Gjermanisë Lindore nga komunizmi që e mbështeste Bashkimi Sovjetik. Në këtë mënyrë çështjen gjermane e vinin në kontekst të politikës së aleatëve të Perëndimit, duke i detyruar t’a konsideronin si çështje të vet politike; 2) Konceptin evropeist e mbështesnin forcat e qendrës (të Djathtës dhe të Majtës politike). Portparoli kryesor i këtij koncepti ishte ministri i punëve të jashtme të gjermanisë Hans Ditrih Gensher (Hans-Dietrich Genscher). Këto në radhë të parë luftonin për bashkimin e Evropës me qëllim të bashkimit të Gjermanisë. Ambicjet e veta i kufizonin në theksimin e nevojës së gjermanëve për liri, pushtet dhe influencë, por jo edhe për një shtet-komb (maksimalizimi i fuqisë) me të cilin mund t’i frikësonin fqinjët. Duke e indentifikuar ndarjen e Gjermanisë me ndarjen e Evropës, rrugëdaljen e kërkonin në theksimin e një identiteti pan-evropian.
Ndërkaq, në raportet ndërgjermane e theksonin principin e unitetit dhe të vetëvendosjes, por me atë ndryshim që me të parin e nënkuptonin një vetënjohje kolektive si një popull unik me një identitet historik, gjuhësor, kultural, etnik dhe gjeopolitik, pavarësisht nga diferencat politike, ekonomike dhe sociale. Ndërkaq, në principin e vetëvendosjes nuk e nënkuptonin çlirimin e gjermanëve lindorë nga komunizmi, siç bënin tradicionalistët, por sigurimin e të drejtës për të gjithë gjermanët që lirisht të vendosin për mënyrën e qeverisjes dhe të qeverisë. Marifeti politik ishte i qartë: duke mos i theksuar kërkesat për ribashkim i theksonin vetëm ato që të çonin drejt tij; 3) Koncepti universalist. Ishte koncept relativisht i ri. E mbështeste krahu i majtë i Partisë Social-Demokratike (SPD) dhe të Gjelbërit. I jepnin përparësi vlerave universaliste (si p.sh. paqa) për të cilat besonin se i ngërthenin në vete vlerat e arsyeshme gjermane. Pozita e Gjermanisë në vijën e parë të frontit të ndonjë holocaust-i potencial nuklear në Evropë i kishte bindur në rrezikun real nga nacionalizmi. Për ta çështja gjermane kishte pushuar së qëni çështje politike. Ishte shndërruar në çështje fundamentale nacionale: duke i elaboruar dhe duke i ndihmuar vlerat e reja sociale, politike dhe ekonomike me të cilat do të duhej të formohej struktura pan-evropiane e shoqërisë civile jashtë kufijve territorialë dhe ideologjikë, i ndihmonin gjermanëve t’a transcendonin të kaluarën dhe të shndërroheshin në katalizator të transformimit të rendit ndërkombëtar të periodës së pasluftës në një strukturë të paqes permanente.
Paqja për ta nuk ishte vetëm sinonim i sigurisë, por fryt dhe farë e një gjendjeje më të lartë morale dhe intelektuale. Otto Schili (shih Reden Yber das eigene land: Deuteschland), një përfaqësues i tyre eminent, mendonte se gjermanët duhej t’a “kërkonin identitetin e tyre në jetën e lirë spirituale dhe në vendosjen paqësore të universalitetit të intelektit (Geist) dhe të kulturës” (Otto Schily, vep. cit. f. 35). Kjo gjë ishte parakusht për ngritjen e paqes në nivel kulminant, e cila pastaj do t’a mundësonte kthimin e vëmendjes drejt problemeve reale të botës së sotme (p.sh. uria); drejt konsekuencave të panjohura të shoqërisë Evropiane në periodën post-industriale dhe drejt aspektit human të modernizimit të Evropës Lindore: “Identiteti i ri gjerman”-përfundon Otto Schily- “është identitet Evropian, human” (ibd.). Në këtë mënyrë, duke e vënë Gjermaninë në shërbim të idealeve më të larta, universalistët në të vërtetë i shërbenin qëllimit të njëjtë -ribashkimit gjerman, sepse nuk mund të ndërtohej ndonjë Evropë më e mirë, pa eleminimin e problemit gjerman që ishte thelb i saj.
Evropa dialogjike
Sovjetikët, por edhe partnerët gjermanë të Perëndimit, sinqerisht i druanin bashkimit të Gjermanisë. Gjermania e bashkuar do të numëronte rreth 76 milion banorë; do të kishte 1.5 bilion dollarë bruto të ardhura nacionale dhe rreth 660.000 mijë ushtarë (dy herë më tepër se Britania e Madhe). Sovjetikët druanin nga fakti se Gjermania e tillë, fuqi reale industriale-ushtarake, mund të militarizohej, të armatosej me armë nukleare, dhe eventualisht të ndiqte ndonjë drejtim revanshist në politikë. Ndërkaq, për fuqitë tjera, ato të Perëndimit, Gjermania e ribashkuar dukej se do të ishte një partner tejet i madh për të bashkëpunuar me të në mënyrë të barabartë. Ky ishte njëherit edhe shkaku që pothuaj të gjitha rrymat dhe drejtimet e mendimit politik gjerman vazhdimisht e theksonin, qoftë identifikimin e ndarjes së Gjermanisë me ndarjen e Evropës, qoftë universalizimin e vlerave gjermane në funksion të atyre gjithënjerëzore dhe gjithëpolitike. Problemi megjithatë u zgjidh për shkak të gjykimit të shëndoshë politik: edhe pa atë Lindore, RF Gjermane ishte fuqi e madhe ekonomike dhe ushtarake (pa Gjermaninë Lindore numëronte rreth 60 milion banorë dhe merrte pjesë me 26% në aktivitetin e gjithëmbarshëm ekonomik të Evropës) /shih the Economist, Jun 17.1989/. Mirëpo, për t’u siguruar për çdo rast, ribashkimi i Gjermanisë u vu në kontekst të proceseve integrative të Evropës. Mekanizmi që do t’a siguronte një gjë të tillë përbëhej prej: a) integrimit të Gjermanisë së bashkuar në sistemin politik të Evropës Perëndimore; b) integrimin edhe të pjesës lindore në Paktin NATO. Sikur BRSS të insistonte në të drejtën për mbajtjen e forcave ushtarake në pjesën lindore, atëherë do të duhej të vendoste qeveria Gjermane; c) të transformimit gradual të mekanizmit të Helsinkit (Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian) në sistem të sigurimit kolektiv të Evropës; dhe d) të forcimit të lidhjeve të një Evrope të bashkuar me SHBA, qoftë përmes reformimit të nevojshëm të paktit NATO, qoftë në mënyra të tjera. Në këtë mënyrë Lidhja e pasagjerëve në “autobusin” e Hoffmann-it do të forcohej me Evropën e bashkuar, në të cilin Gjermania do t’a lozte rolin prioritar. Mirëpo, si do të dukej Evropa e bashkuar?
Edgar Moren kur flet mbi këtë çështje është i mendimit se Evropa tani ka arritur të krijojë një civilizacion origjinal të bazuar mbi një kulturë ebreito-kristiano-greko-latine dhe të cilën e karakterizon humanizmi, racionaliteti dhe demokracia. Identiteti evropian është një unitas multimplex (një unitet i të shumtave) gjer te i cili arrihet në saje të parimit të dialogjikës dhe të rekursionit: “parimi ideologjik konsiston në faktin që dy ose më tepër “logjika” janë të lidhura në një unitet në mënyrë komplekse (komplementare, garuese, antagoniste) me ç’rast dyfishmëria nuk humbet në atë që është unike. Kjo do të thotë se ajo që e krijon uniteti i kulturës evropiane nuk është veçse sintezë ebreito-kristiano-greko-latine, jo vetëm lojë komplementare, por edhe lojë antagoniste e këtyre instancave nga të cilat secila e ka logjikën e vet: pikërisht aty qëndron dialogjika e tyre. Parimi i rekursionit do të thotë se proceset gjeneruese dhe regjeneruese duhet kuptuar si zgjedhë të pandërprerë produktive në të cilat çdo moment, komponentë ose instancë e procesit, në të njëjtën kohë është prodhim, por edhe prodhues i momenteve, i komponentave ose i instancave tjera” (shih Edgar Moren, Kako zamisliti Evropu, Sarajevo, 1989). Për ndryshim nga parimi i dialektikës, me parimin dialogjikës dhe të rekursionit, E. Morin dëshiron në të vërtetë të propagojë ruajtjen e identiteteve nacionale në Evropën e bashkuar. Sipas tij, në një Evropë të tillë askush nuk do të humbte asgjë, por të gjithë do të fitonin.
Epilog: Republika në funksion të bashkimit
Çështja e bashkimit politik të shqiptarëve nuk është e njëjtë me atë të Gjermanisë. Ndryshimet reduktohen thelbësisht në faktin se shqiptarët, për ndryshim nga gjermanët, realisht nuk ishin në gjendje t’i kontribonin krijimit të çështjes shqiptare. Gjatë historisë atë ua krijuan të tjerët. Mirëpo doemos duhet të jenë në gjendje që t’i kontribuojnë zgjidhjes së saj të drejtë. Dhe zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare është bashkimi i tyre në kontekst të proceseve integrative të Evropës. Sot asnjë faktor i pjekur politikisht nuk mund ta kontestojë këtë të drejtë. Si komb i viktimizuar në funksion të barazpeshës midis Fuqive të Mëdha dhe të ruajtjes së paqes (e cila edhe ashtu nuk u ruajt) në të kaluarën, me suprimimin e ndarjes ideologjike të Evropës do të duhej të mundësohej realizimi i interesave vitale të kombit -bashkimi me qëllim të zhvillimit dhe të kultivimit të idenditetit kombëtar, të renditjes në rendin e popujve të barabartë dhe të avancuar në Evropë. Mirëpo problemi i çështjes shqiptare nuk qëndron te bashkimi, por te rrugët për realizimin e këtij qëllimi. Kur thuhet se bashkimi duhet të vihet në kontekst të proceseve integrative të Evropës, mund të konsiderohet se është thënë gjithçka, por edhe asgjë. Për këtë shkak kërkohet një shqyrtim pak më i thelluar i çështjes.
Në vitin 1981 u shtrua kërkesa për konstituimin e Kosovës në Republikë. Në prapavijën e kërkesës qëndronte besimi se problemi shqiptar në Jugosllavi esencialisht reduktohej në të drejtën për t’u konstituuar si plotësisht i barabartë me të tjerët, si shtet me të gjitha të drejtat idividuale dhe kolektive që i gëzonin republikat (shtetet) në bashkësinë e republikave (shteteve) Jugosllave. Politika zyrtare, atëbotë, kërkesën e tillë e shpalli si kërkesë kontrarevolucionare, duke shpjeguar, ndoshta jo tërësisht pa bazë, se Kosova, me t’u konstituuar në Republikë, do t’a ushtronte të drejtën e vetëvendosjes dhe do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Ndërkaq, Republika e Kosovës shihej edhe në funksion të zhvillimit të shpejtuar; të barazimit me të tjerët; të kultivimit dhe të zhvillimit të identitetit kombëtar, por edhe në funksion të zhbllokimit të kufirit me Shqipërinë dhe të rolit të theksuar të Kosovës në raportet Jugosllavo-Shqiptare (shih “Gishti i trashë i Vëllait të madh”, dhe “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë”). Fillohej nga premisa se “përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta: 1) se nuk do ta shkaktonte acarimin tej mase të raporteve ndërnacionale (ato megjithatë u acaruan); 2) se do të ishte solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, pos për shovenizmin serbomadh; dhe 3) se nuk do t’a lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve në funksion të interesave të huaja globale apo regjionale (shih “Shteti dhe interesat vitale të kombit”). Besohej se e drejta e konstituimit të Kosovës në Republikë, logjikisht do të duhej t’i paraprinte bashkimit të kombit dhe njëherit do të ishte në funksion të stabilitetit politik të Jugosllavisë dhe të Ballkanit në përgjithësi. Përse? Përgjigja është e pranishme në premisën e tretë të citatit të shënuar, por duket se janë të nevojshme edhe ca shpjegime plotësuese.
Nga shembulli i zgjidhjes së çështjes gjermane është e qartë se sanksionimi i saj i plotë kërkohet në kujdesin për moscënimin e interesave të sigurimit të shtetiti sovjetik, ndonëse komunizmi si model i zhvillimit dhe si parakusht i interesave të sigurimit dështoi edhe në Bashkimin Sovjetik. Integrimi i sovjetikëve në “autobusin” e Hoffmann-it, simbolikisht shpreh vazhdimin e njohjes së Bashkimit Sovjetik si superfuqi. Për këtë shkak bashkimi i gjermanëve nuk u bë mbi baza të antisovjetizmit dhe as për inat të Bashkimit Sovjetik. Në analogji me këtë shembull qëndron edhe çështja e konstituimit të Kosovës në Republikë (tani e jetësimit të saj të plotë) dhe çështja e bashkimit, e cila duhet të realizohet në kontekst të proceseve integrative të Evropës, jo për inat, e as përkundër të tjerëve, por sepse ajo (Republika) ishte e drejtë elementare e konstituimit të kombit në Jugosllavi dhe e zhvillimit të tij të barabartë me të tjerët.
Nga ana tjetër, fjala është për bashkimin e Evropës. Në të vërtetë, jo vetëm që e besonin gjermanët, por edhe shumica e analitikëve të tjerë politikë ishin të mendimit se bashkimi i Evropës ishte nus-produkt i nevojshëm dhe i domosdoshëm i ribashkimit të Gjermanisë. Një Evropë e bashkuar, në të cilën fuqia gjermane do të ishte në funksion të interesave të saj (Evropës), e jo vetëm në funksion të interesave partikulare gjermane përmes mekanizmave të krijuar dhe në ndërtim e sipër të bashkëpunimit dhe të forcimit të sigurisë, do t’a frenonte fuqinë gjermane në mënyrë që të mos kërcente shumë përtej mesatares së të tjerëve. Kjo komponentë e Evropës së bashkuar është recidiv i politikës së dikurshme britanike (që të mos lejojë forcimin e ndonjë fuqie në kontinent e cila do të shndërrohej në një rival të rrezikshëm për interesat e saj) dhe tani e shpreh kujdesin e përbashkët anglo-saxon për strategjinë e ndryshimeve në harmoni me qëllimet globale të politikës së tyre. Ky është gjithashtu çmimi që Gjermania ia paguajti Evropës për të drejtën e ribashkimit të vet.
Historikisht, trojet shqiptare (fjala është për procesin e konstituimit të shteteve në Ballkan), por edhe më gjerë, ishin vend-ndeshjeje dhe vend-thyerjeje i interesave të fuqive të Evropës. Fakti se populli shqiptar globalisht u nda në dy e më tepër shtete, por në njërin i pavarur, e në tjetrin mbeti në fillim si pakicë kombëtare, e cila në periodën midis dy luftërave botërore kontestohej, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u njoh herë si pakicë, e herë si kombësi, këtë e dëshmon më së miri. Austro- gjermanët e përkrahën formimin e shtetit viabël shqiptar të cilin në bisedat diplomatike e kontestonin rusët, kurse në terren serbët. Pozita e tanishme shqiptare esencialisht është rezultat i thyerjes dhe i kompromisit midis këtyre dy etnikumeve (austro-gjermanëve dhe sllavëve), por edhe i presioneve të mëdha nga jashtë që e pengonin vlerësimin e drejtë dhe real të faktorit ndërkombëtar dhe bile pjekjen e faktorit shqiptar, i cili duhej ta bënte një gjë të tillë në favor të interesave shqiptare. Të tjerët, si Italia, Franca dhe Britania, më tepër mbanin qëndrim pritjeje, duke u marrë në të njëjtën kohë me negociata të ndërsjella, me qëllim të instalimit të interesave të veta. Ato, d.m.th. interesat e tyre, vinin në shprehje paralelisht me rënien e ndikimit gjerman në politikën evropiane, por themelet e vëna në Konferencën e Londrës nuk u lëkundën qenësisht, pos gjatë periodës së luftërave, kur këto troje shndërroheshin në teatër të operacioneve ushtarake, sepse esencialisht, edhe raportet e interesave të fuqive në Evropë mbeteshin të njëjta, pavarësisht nga ndryshimet që i shkaktonin luftërat.
“Evropeizimi” i interesave gjermane dhe “gjermanizimi” i interesave të Evropës, duket se tani për tani akoma është mbulesë për vazhdimin edhe për një kohë të caktuar të raportit të njëjtë të interesave. Nga aspekti i raporteve strategjike, “evropeizimi” i tillë i interesave gjermane realisht e shpreh edhe kujdesin, ndoshta në rend të parë këtë, për moslejimin e interesave të shtetit Sovjetik, ose të interesave të sovjetizuara ruse. Është pak e besueshme se rusët do të lëshonin pe edhe nga ky aspekt, përveç atij ideologjik. Për këtë shkak, problemi i tanishëm i proceseve integrative të Evropës konsiston nga përgjigja korrekte që do t’i jepet pyetjes se në çfarë mënyre dhe si do të arrihet “evropeizimi” edhe i interesave të shtetit Sovjetik dhe i rusëve në te? Kjo njëherit e shpjegon edhe intransigjencën serbe, por edhe luhatjen e të tjerëve, si në raportet gjithëjugosllave, poashtu edhe në ato me shqiptarët. Serbët do të dëshironin t’i ruanin tokat e pushtuara në rrethana të tjera historike, si minimum të dhënë për integrimin e tyre në Evropë, me çmimin e provokimit të luftës në Ballkan. Kjo do të thotë se ata shprehin gadishmërinë për instrumentalizimin e vetes në funksion të mosndryshimit të politikës sovjetike ndaj gjithë situatës në Evropë dhe të ruajtjes së statusit prioritar të etnikumit sllav në politikën ndërkombëtare.
Nga ky aspekt, politika serbe natyrisht se e ka të qartë se, së paku në raport me shqiptarët, nuk është fjala për toka serbe. Argumentimi historik në këtë rast është dubioz dhe në instancën e fundit i paqëndrueshëm. Fjala është më tepër për shpresën se, sikurse në të kaluarën, komponenta religjioze e argumentimit politik do t’a luajë rolin e vet në vendimet përfundimtare të rregullimit të çështjes. Politika e Fuqive të Mëdha në Ballkan në të vërtetë u formësua duke qenë e ndikuar edhe prej kësaj komponente. Operacionet luftarake dhe konferencat diplomatike në Ballkan dhe rreth tij Fuqitë e Mëdha i arsyetonin si luftë interesash në Perandorinë Otomane dhe jo si copëtim të tokave shqiptare. Për to formimi i një shteti relativisht të fortë shqiptar me popullsi kryesisht të besimit islamik do të paraqiste, shprehur simbolikisht, një pykë aziatike në tërësinë e krishterë të Evropës. As atëherë dhe as sot komponenta religjioze nuk u konsiderua si relevante për diskutime në argumentimin politik, por kjo nuk do të thotë se ishte më pak prezente në refleksionet dhe në motivet e nxjerrjes së vendimeve politike: “Ekziston një seri kolosale e kontesteve të mundshme tradicionale në një botë, -shkruan Stanly Hoffman, -ku akoma ekziston së paku një ideologji e konflikteve të dhunshme -fundamentalizmi islamik, dhe ku zhdukja ose rënia e ideologjive sekulare e lejon nacionalizmin në pjesën më të madhe të planetit si të vetmin indikator të lojalitetit” (S.Hoffmann, vep.cit.). Me fjalë të tjera, relevanca e këtij faktori në raportet ndërkombëtare politike, për shkak të një vargu motivesh, po sidomos për shkak të burimeve të energjisë, pavarësisht nga avancimet në fusha të ndryshme të shkencës, është ngritur. Andaj, ndonëse shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me fundamentalizmin islamik, është fare lehtë, ndonëse jo korrekte, t’u mvishet ai si hipotekë. Këtë hipotekë nuk mund t’a heqim vetëm duke e theksuar areligjiozitetin e njohur shqiptar, (religjioni konsiderohet si arritje e qytetërimit), por duke u mbështetur në traditën e rrallë të tolerancës fetare, duke e kërkuar vendin e vet në pikat e afërta ose të përbashkëta kristiano-islamike dhe duke e avancuar rolin e vet në afirmimin e mentaliteteve dhe të botëkuptimeve të të dy sistemeve të mendimit religjioz dhe politik.
Në kontekst të argumenteve të theksuara, për politikën globale të fuqive, fakti se jashtë kufijve të shtetit amë ndodhen më tepër se gjysma e popullit, ndërsa në Jugosllavi jetojnë rreth 40% të popullsisë së gjithëmbarshme shqiptare, është një problem që duhet zgjidhur. Mënyrën fatlume të zgjidhjes së tij do të duhej t’a gjenin vetë shqiptarët, por duke mos e rrezikuar paqen, interesat e baraspeshës dhe orientimin global politik. Për këtë shkak përkrahja eventuale e Shqipërisë për bashkimin e tokave shqiptare vetëm nga njëra palë e multipolaritetit (e bëri Gjermania gjatë Luftës së Fundit) ose e bipolaritetit të forcave (supozohet se e bëri Stalini në funksion të anti-amerikanizmit), nga pala tjetër u konsiderua instrumentalizim i Shqipërisë në funksion të interesave globale të palës së kundërt. Në kontekst të proceseve të tanishme integrative të Evropës, bashkimi shqiptar, në mbështetje të ndonjë roli të theksuar eventual gjerman në Evropë, do të thotë bashkim via-gjerman. Ndërkaq, situata e kundërt -përkrahja eventuale e shqiptarëve në Jugosllavi që ta bashkojnë Shqipërinë, dhe jo të bashkohen me Shqipërinë, objektivisht do të thotë bashkim via-Beograd. Kjo poashtu nuk është gjë e re. Ekzistonte si projekt i mundshëm i federatës ballkanike para (vetëm teorikisht) dhe gjatë Luftës së II-të Botërore. Në qoftë se një bashkim të tillë hipotetikisht do t’a mbështesnin forcat ose regjimi properëndimor politik në Beograd, në instancën e fundit, bashkimi i tillë do të konsiderohej si cënim i interesave të sovjetizuara Ruse dhe Serbe me supozimin se një Shqipëri e tillë do t’ishte via-facti anti-Ruse e anti-serbe dhe jo vetëm anti-komuniste. Këmbëngulja serbe që në çfarëdo rrethanash Kosova të mbetet me Serbinë realisht është shprehje e frikës se një gjë e tillë mund të jetë objektivisht e mundshme.
Marrë globalisht që të dy qasjet e bëjnë minimizimin e rolit të faktorit politik shqiptar në përcaktimin dhe në realizimin e qëllimeve të veta nacionale. Për këtë shkak, ngjarjet e vitit 1981 që i karakterizoi kërkesa e theksuar fuqimisht për Republikën e Kosovës, në esencë e nxorën në sipërfaqe pikërisht rolin e këtij faktori. Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesëshme, paliative e çështjes shqiptare. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre. Objektivat politike shqiptare kanë karakter të të drejtave të natyrshme dhe demokratike dhe jo të maksimalizimit të fuqisë me qëllim të instrumentalizimit të saj në lojën e vjetër të fuqisë dhe të ligjit të xhunglës. Mundësitë tona për të kapur hapin e botës së zhvilluar në avancimet teknologjike, të bioshkencave, të megashkencës, të shkencës mbi materialet, të informatikës etj., janë të vogla por kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga përpjekjet maksimale për tejkalimin e pazhvillueshmërisë në të cilën ndodhemi dhe për krijimin e infrastrukturës së nevojshme që do t’a mundësonte akceptimin dhe aplikimin e inovacioneve nga fushat e përmendura të shkencës, pa të cilat nuk mund të paramendohet jeta në shekullin e XXI. Andaj, lufta politike për realizimin e kërkesave legjitime është e motivuar nga nevojat reale të popullsisë shqiptare për zhvillim. Ajo nuk është e orientuar në mohimin e nevojave të ngjashme të serbëve. Përkundrazi. Duke u ndodhur në nivele të ngjashme të madhësisë demografike, të shkallës së zhvillimit, të orientimit civilizues, të pozitës historike dhe gjeografike, për kah përmbajtja e brendshme thërret për përfundimin definitiv të raporteve të subordinacionit dhe të dominacionit, kërkon heqjen dorë nga instrumentalizimi i vetes në funksion të interesave të huaja, implikon vënie të raporteve kualitativisht të reja, evitim të ndikimeve negative të huaja dhe është shpërthim i energjisë së re kreative, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha palët e ngatërruara në krijimin e pengesave për fitorën e së resë. Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive.

Krushë e Madhe, 22 maj, 1991

***
(Shkëputur nga libri: “UKSHIN HOTI: FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE)

_____________
PJESA E PARË:
UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4038
***
PJESA E DYTË:
UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4039

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura