AVZI MUSTAFA: VEPRIMTARIA E REXHEP VOKËS – SINTEZË FETARE DHE KOMBËTARE

Shkup, 19. 06. 2014 – Brezi ynë e ka për nder dhe për detyrë që t’i respektojë në shkallën më të lartë rilindësit tanë të lavdisë, ndër të cilët bën pjesë edhe iluministi nga Shipkovica e Tetovës, Rexhep Voka. Ai lindi më 1874. Fëmijëria e parë përmblidhet në katundin e tij, në Shipkovicën malore. I ati i Rexhep Vokës, Nuredini, jetonte në një shtëpi të ndërtuar me gurë dhe qerpiç dhe me dritare fare të vogla. Pajisjet e shtëpisë qenë të nivelit më të varfër, me një magje druri, ku mbahej buka, me një rrogoz e jastëk dushku, por me zjarr të vazhdueshëm në netët e dimrit të gjatë ku bora mbërrinte edhe mbi çati. Kjo shtëpi mbahej me disa lope dhe një gomar, ngase delet babai i Rexhepit i kishte shitur për të paguar borxhet që i kishte bërë për ta blerë shtëpinë dhe kasollen e të vëllait.
Rexhepi nuk kishte dele që t’i kulloste nëpër bjeshkët e Shipkovicës. Prandaj, për të mos humbur kohë, i ati i Rexhepit e dërgoi te hoxha i fshatit për të mësuar, që një ditë të bëhet hoxhë. Kështu Rexhepi shumë shpejt i përvetësoi harfet dhe u dallua si talebe në mejtep.
Kur një ditë xhaxhai i Rexhepit kishte ardhur për vizitë në familjen e vet, anëtarët e familjes e lavdëruan Rexhepin dhe kërkuan që në praninë e xhaxhait dhe të tjerëve të thotë përmendsh disa pjesë nga Kurani. I frymëzuar nga kjo Ali Voka, xhaxhai i Rexhepit, e mori përsipër që Vokën e vogël ta regjistrojë në medresenë e Sahat-Xhamisë në Tetovë, te mualimi i njohur Behxhet Efendiu, që ishte edhe mik i ngushtë i Ali Vokës. Meqenëse kjo medrese nuk ishte e reformuar, Rexhep Voka mësimet i vazhdon në medresenë e Prizrenit, ku fitoi të drejtë për të vazhduar mësimet e larta teologjike në Stamboll. Atje i kreu me sukses të dalluar studimet dhe mori ixhazetnamen (diplomën) për myderriz.

Rexhep Voka (1847-1917) 

Si student në Stamboll u bë anëtar i klubit “Mahfel” që ndodhej në Aksaraj, i cili ishte formuar kryesisht nga shqiptarët e këtyre trevave. Në vitin 1895 Voka kthehet në Tetovë dhe punon si mualim në medresenë e ulët pranë xhamisë së Sahatit. Për shkak të autoritetit që gëzonte në popull, Rexhep Voka në vitin 1903 nga qarqet e qeverisë turke emërohet myfti në Manastir.
Megjithatë me formimin e kabinetit të Haki Pashës, shkolla dhe gjuha shqipe filloi të mos shihej me sy të mirë. Ndërkaq Klubi “Mahfel” u vu në mbrojtje të alfabetit arab për gjuhën shqipe, edhe pse në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit ishte dhënë një zgjidhje e mirë e çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Por, të pakënaqur nga këto vendime, xhonturqit e filluan propagandën e tyre dhe s’kaloi asnjë muaj pas Kongresit të Manastirit dhe ata e organizuan Kongresin e Dibrës, ku gjoja u mor vendimi që alfabeti për gjuhën shqipe të lihej në pëlqimin e vet popullsisë së çdo krahine, d.m.th. se mund të përdorej edhe alfabeti arab.
Për këtë qëllim njerëzit e klubit “Mahfel” në krye me Arif Hiqimetin nga fshati Llojan i Kumanovës u angazhuan gjoja se shqiptarët e këtyre trevave janë për alfabetin turko-arab. Dhe kështu, duke njohur intelektin e rrallë të Rexhep Vokës e bind dhe ve në lojë për të botuar një Abetare dhe dy libra këndimi me alfabetin turko-arab, kurse vetë u angazhua për propagandë verbale.
Me botimin e abetares, Rexhep Voka u kritikua nga shtypi i kohës dhe me shumë protesta me këto pyetje: Pse e përfaqëson Ittihadve terraki Xhemijetin dhe në emër të kujt flet? Atij i drejtoheshin me epitete fyese si ’’faqeziu’’, ’’fanatiku i Manastirit’’, ’’kryelidhuri’’, ose i bënin lutje sarkastike që fjalët ’’mot’’ dhe ’’buk’’ t’i shkruaj me shenja turqishte dhe t’i mbaj për vete.
Pas botimit të abetares shkroi edhe një ilmihal në gjuhën shqipe dhe librin filozofiko-letrar ’’Mendime’’dhe një gramatikë.
Siç kuptojmë nga gazeta “Lajme”, që botohej në gjuhën turke, për qëndrimin e tij ndaj alfabetit turko-arab ai do të pendohet dhe publikisht do të kërkojë falje, duke sqaruar se qëllimi i tij ka qenë vetëm të dëshmojë se gjuha shqipe mund të shkruhej edhe me këso germash.
Më vonë ai e braktis Manastirin dhe Tetovën dhe kthehet në Stamboll, ku punësohet në një shtëpi botuese në sektorin e fetvave (çështje fetare). Në të vërtetë, nëse Rexhep Voka ishte kundër alfabetit latin, ai nuk ishte edhe kundër gjuhës shqipe dhe kundër arsimit në gjuhën amtare. Këtë e shohim kudo te Voka, si në veprat e botuara, ashtu edhe në mbledhje, kuvende, në oda, në takime të ndryshme. Në to ai është përpjekur t’i shpjegojë faktorët themelorë që pengojnë prosperitetin e popullit shqiptar në të gjitha sferat e jetës shoqërore.´
Faktor më të rëndësishëm për zhvillimin kulturor dhe arsimor ai e konsideronte gjuhën amtare. Lidhur me të thotë: “Historia na mëson se asnjë komb nuk ka mundur të zhvillohet pa përvetësimin e gjuhës… Nëse nuk e mësojmë gjuhën tonë, nuk mund të përhapim dije dhe edukatë”.
Pastaj ai bën një krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit e të Europës dhe i befasuar pyet: “Pse populli shqiptar, që është një ndër më të vjetrit, është një ndër më të prapambeturit”. Pastaj thotë: “A s’po na shohin sytë se bota është e veshur me kadife e kumashe, e ne s’kemi brekë edhe këmisha, madje ku as qeni s’ka ku t’na kap. Të gjitha këto ligësi që i ka populli shqiptar janë rezultat i mungesës së shkollës dhe i mosdijes. Mosdija dhe trimëria sot nuk kanë kurrfarë dobie… Ç’vlen që fëmijët tanë janë si shqiponja, por nuk kanë dije… Pastaj ç’dobi kemi… Kemi veshë e s’dëgjojmë, kemi sy e nuk shohim, mendje kemi e s’mendojmë, pa mësim e fe jemi si egërsira. Bota sot nuk përparon më thikë e pushkë, por me dije”.
Duke e shikuar pozitën e vështirë të popullit, ai thotë: “Mileti gjenden n fund të detit”. Ai disa here i bën apel popullit shqiptar të mos presë ndihmë nga sundimtarët, por vetë të fillojë e të punojë dhe të mos rrijë duarkryq. Rexhep Voka edhe punën e kupton si dije. Prandaj thotë: “Nëse më pyetin mua, puna e pare (detyra e parë) që duhet të bëjmë është hapja e shkollave. Nëse s’mund të ndërtojmë shtëpi të mëdha, të ndërtojmë kolibe me kashtë vetëm e vetëm fëmijët ti m’sojmë”. Gjithashtu porosit të mos humbim asnjë minutë e çast që çdo fëmijë ta çojmë në shkollë dhe t’i tregojmë botës se ç’është njerëzia.
Mosdija dhe përçarja mes besimeve fetare për Vokën janë preokupime kryesore. Ai merr qëndrim të qartë rreth këtyre çështjeve dhe përpiqet për unitet kombëtar, gjuhësor e kulturor. Ai i porosit shqiptarët se feja dhe kombi janë dy kategori të veçanta që s’duhet ngatërruar. Ndërkaq, çështja e respektit del nga vet Islami që posedon një nga parimet e mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve pa dallim feje e gjuhe. Për fat të keq te shumica e besimtarëve për shkak të interesave personale ndodhë përzierja e kombëtares me fetaren. Për këtë ai thotë: “Të mos themi ky musliman e ky krishter, ky grek e ky tosk, sepse të gjithë jemi shqiptar nga një fis e një fare”.
Në kushtet dhe rrethanat e atëhershme Voka, përveç me veprimtari botuese, vepronte edhe me oratori popullore. Për te besimi dhe dija ishin faktori kryesor për të dale nga gjendja e vështirë. Ai gjithkund theksonte se popullit i duhen jo vetëm hoxhallarë, por dhe kategori të tjera njerëzish të ditur, andaj nga bashkëqytetarët kërkon që fëmijët e tyre t’i dërgojnë të marrin zanate të ndryshme.
Rexhep Voka udhëtonte disa kilometra për të pajtuar gjaqe, ndërsa kërkonte që paratë të mos derdhen në synete dhe dasma të tepruara, por me to të ndihmohen të varfrit.
Aktiviteti i tij, sidomos botimi i librit “Mendime” bie nën sy të pushtetit xhonturk. Pas ardhjes së një komisioni të formuar nga xhonturqit në krye me haxhi Adil Beun dhe dhënies së informatës nga Ali Hoxha dhe Arif Hiqimeti, Rexhep Voka dëbohet nga puna dhe mbetet në mëshirën e rrugëve të Stambollit. Ai u akuzua për pjesëmarrje në Kongresin e Bukureshtit bashkë me Ismail Qemalin, në mbledhjen e Ferizajit si përfaqësues i shqiptarëve të Tetovës, si dhe për informatat gazetareske të botuara në gazetën që e udhëhiqte shqiptari nga Manastiri Ismail Hakiu.
Edhe pse në moshë, vitet e fundit i kaloi në skamje të thellë. Sa për të mbetur gjallë shiste lule dhe pemë nëpër tregjet e Stambollit. Vdiq më 1917 në një dhomë të një shtëpie në Stamboll, duke lënë mbi tavolinë një copë buke dhe një gotë sherbeti.
Tërë jeta dhe veprimtaria e Rexhep Vokës është sintezë më vete e synimeve fetare dhe kombëtare. “Duhet të kujtoheni e ta dini shumë qartë se për komb do të përgjigjeni edhe do të vijë një ditê do të pyeteni”. Rexhep Voka me mësimet dhe vizionet e tij u bashkohet rilindësve të tjerë, siç janë Sami e Naim Frashëri, Zef Jubani, Pashko Vasa etj.
Rexhep Voka i dha vulë kohës së vet, ndërsa veprat e tij mbetën të gufojnë me ide pozitive humane e pedagogjike, që duhet t’i sigurojnë atij një vend të merituar si iluminist i Rilindjes Kombëtare nga treva e Tetovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura