ELIFE PODVORICA: I DASHUR PROFESOR ENGJËLL! ME JU FILLOI NJË EPOKË E RE EDHE PËR GJUHËN SHQIPE

Prishtinë, 25. 02. 2015 – (Letër me rastin e Akademisë Përkujtimore kushtuar profesorit tonë të shtrenjtë e shumë të çmuar Engjëll Berishës, 15 shkurt 2015) – Jeta e çdo qenie njerëzore vishet me një kuptimësi që merr gjatë rrjedhës së viteve! Ndërsa përfundimi i saj, lë një mesazh pas vetes, për gjithë ata që mbesin pas! Profesor i dashur! Siç duket, kuptimi i jetës suaj mori rolin e një Engjëlli, që ndriçoi në hapësirën shqiptare gjithë skutat e errëta të saj, për gati një shekull! Me ju filloi një epokë e re edhe për gjuhën shqipe, e cila gjer atëherë ishte memece, sidomos nëpër institucionet ku zhvillohej e kultivohej arti. Pra, gjuha amtare filloi të dëgjohej e të flitej ëmbël për herë të parë, me të folurën tuaj që shquhej me një elokuencë të rrallë nëpër shkollat e institucionet tona të artit muzikor! Fjalët tuaja të ngrohëta, fjalë këto që i dëgjuan dhe patën fatin ti shijojnë breza të tërë gjeneratash, duke të pasur ty jo vetëm ekspert të fushës së muzikës, por një intelektual me një dije enciklopedike, konsiderohet fat, sidomos për të gjithë ne, që udhëkryqi i jetës na takoi me ju!

Për studentët tuaj gjithmonë pate afërsinë e një prindi duke u hyrë atyre edhe në gjithë ato halle e peripeti, që jeta shqiptare sillte ndër vite! Sepse i doje njerëzit e popullin tënd, kombit i dëshiroje arsimim të niveleve botërore, duke dashur që në ato nivele të kultivohej dhe të promovohej tradita, kultura dhe historia e popullit shqiptar! Se ishte e begatshme, këtë e mësuam dhe e dëgjuam gjithmonë nga ju, sepse i dinit të gjitha labirinthet e saja që nga antikiteti ilir, edhe më parë, gjer tek pellazgët. Bukuria e rrëfimeve tuaja për historinë, mirrte trajtën e Niketë Dardanit, Jan Kukuzelit, gjer tek polifonia unike e Shqipërisë së jugut!
– Se fjala e ëmbël dhe e ngrohtë shkrinë acarin,
– se dija e gjërë grisë errësirën,
– se intelekti i njeriut mund tmerrin,
– se dashuria ndaj lirisë dhe paqes shqyen edhe prangat më të hekurta,
– se dashuria ndaj atdheut është e shenjtë,
se paqja dhe respekti i ndersjellë midis popujve e kulturave të ndryshme, ndërton ardhmërinë e popujëve të civilizuar, pjesëtar i së cilit ishit devotshmërisht ju vet, është mesazhi i jetës suaj, që ju na e latë amanet!

I dashur dhe shumë i shtrenjti Profesor Engjëll!
Kujtimi ynë për ju, do të jetë i përjetshëm, andaj shpirti juaj u prehtë në paqen e amëshuar!
Me respekt e dashuri, ish-studentja juaj Elife Podvorica, Aida Gjikolli, Antonio Gashi, Sihana Badivuku e shumë e shumë student tjerë nga të gjitha trevat shqiptare! Prishtinë, 15. 02. 2015.

***


AKADEMIK ENGJËLL BERISHA (1934 – 2015)

Më 15 shkurt 2015 pas një sëmundjeje të shkurtër, vdiq në Prishtinë akademik Engjëll Berisha, njëri ndër muzikologët më të njohur shqiptar. Engjëll Berisha lindi më 1934 në Prizren. Mësimin fillor dhe të mesëm, protogjimnazin dhe shkollën e mesme të muzikës, i kreu në Prizren. Studimet e larta për teori të muzikës i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje, ku për vite me radhë punoi si pedagog i lëndëve teorike e praktike në Shkollën e Mesme të Muzikës, në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit. Ka punuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe Akademinë e Arteve (sot Fakulteti i Arteve). Ka studiuar për muzikologji në Lubjanë, ndërsa studimet pasuniversitare në Histori të muzikës dhe Muzikologji i ndoqi në Sarajevë ku u laurua magjistër i parë shqiptar në muzikologji dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet muzikore me rëndësi për artin dhe kulturën shqiptare. Ishte anëtar i Redaksisë së Leksikonit të muzikës së Jugosllavisë. Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte sekretar i përgjithshëm i saj. Engjëll Berisha krahas punës së pedagogut botoi edhe shumë shkrime e publikime nga fusha e historisë së kulturës muzikore, para së gjithash, nga ajo shqiptare, por edhe të kulturës muzikore dhe historisë botërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura