Pashtriku.org, 13. 05. 2015 – Brenda 80 vitesh, dy herë u vendos në Londër rreth Ballkanit dhe kufijve të tij. Se si u vendos herën e parë, me 1912-13, u pa gjatë këtyre 80 viteve. Ç’mund të thuhet për herën e dytë, meqë herën e parë më duket se nuk ishim në margjina por në qendër të vëmendjes? Cili ishte vendi ynë në këtë konferencë, dhe meqë shpesh dëgjohet të flitet për suksesin dhe për mossuksesin e “Londrës 2”, ku qëndron ai sukses, nëse ka pasur, dhe ku mossuksesi?
HOTI: Vendi ynë në këtë konferencë në njëfarë mënyre u tregua edhe në vetë pyetjen. Pra ishte në margjina fatkeqësisht dhe me sa shihet, po aty ka mbetur, pasiqë nuk e kemi vendin e duhur as në Konferencën e Londrës dhe as në atë të Gjenevës.
Tani për tani, me sa po shoh unë, nuk po paraqiten objektivisht në shtyp rezultatet e kësaj konference të cilat janë në disproporcion me qëllimin politik të shqiptarëve. Unë nuk pajtohem me vlerësimin se ka pasur sukses. Për të pasur sukses duhet të themi se jemi të përfaqësuar në mënyrë adekuate në Konferencën e Londrës, dhe se kemi arritur vendin që e kemi synuar. Mirëpo edhe ndaj kësaj duhet pasur rezervë, sepse nuk i dihet. Ndoshta gjatë procesit të përfundimit të kësaj konference do të ndryshojnë gjërat dhe ndoshta aty do të dalë ana pozitive e pjesëmarrjes sonë. Fakti se ne jemi prezentë si problem, si një çështje që duhet zgjidhur, fakti se vetëdija për nevojën e zgjidhjes së këtij problemi është prezente te forcat që marrin pjesë në konferencë, është pozitive. Mirëpo sërish, ana negative del aty se ne nuk jemi të kënaqur vetëm me faktin se dihet për ne. Ne si faktor i brendshëm, si shqiptarë, nuk jemi të organizuar në atë nivel që çështjen tonë ta inicojmë në nivelin më të lartë të prezencës sonë.
– Me sa u vu re, delegacioni i Kosovës, me t’u kthyer nga Londra, ashtu si dhe herat tjera kur kthehej nga Evropa, solli optimizëm, ndërsa delegacioni i Shqipërisë jo vetëm që nuk solli optimizëm, por përkundrazi, kishte një dozë bukur të madhe pesimizmi. Ç’mendoni për këtë?
HOTI: Për këtë mendoj se duhet pyetur delegacionin e Kosovës se ku e mbështet optimizmin e vet. Ne si dëgjues të rëndomtë, ose si përcjellës të ngjarjeve, si të interesuar për atë konferencë, ma merr mendja se nuk jemi mjaft të informuar se ku mbështetet optimizmi i tillë i delegacionit të Kosovës. Ndërkaq ma merr mendja gjithashtu se, me sa po shoh unë nëpër gazeta, nuk po shpjegohet edhe se ku po mbështetet pesimizmi i delegacionit të Shqipërisë.
Në ndonjë intervistë që po lexoj kohët e fundit, si ajo e Pjetër Arbnorit etj., po shoh se ata në mënyrë kategorike po pohojnë se qëndrimet janë të koordinuara mes përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Nëse ato raporte i kanë të koordinuara, atëherë nuk do të duhej të kishte ndryshime në vlerësime. Mirëpo në qoftë se megjithatë ka ndryshime në vlerësime, ndërsa në anën tjetër pohojnë se qëndrimet i kanë të koordinuara, atëherë diçka nuk është në rregull dhe për këtë opinioni nuk është i njoftuar, ashtu si edhe unë. Prandaj këto pyetje le të shkojnë në adresë të tyre.
Unë si dëgjues i rëndomtë mund të konstatoj se nuk po i shoh arsyet në të cilat mbështetet optimizmi i delegacionit kosovar, mirëpo nuk po shoh as mjaft arsye të bindshme në të cilat do të mbështetej pesimizmi i delegacionit nga Shqipëria, por po përfundoj se në raportet e tilla nuk është diçka e qartë.
– Ndryshe nga “Londra 1”, ku nuk kishte ndonjë përfaqësues nga trojet shqiptare, “Londra 2” i kishte thirrur madje 4 delegacione nga trojet etnike shqiptare. A mund të shpjegohet kjo si një përligjie, si një pranim i një ndarjeje të trojeve shqiptare?
HOTI: Këtë unë do ta shpjegoja me qëndrimet e mëparshme të subjekteve politike shqiptare për mundësitë optimale të zgjidhjes së problemit shqiptar. Ka qenë njëfarë qëndrimi i përgjithshëm që Kosova të ketë statusin e Republikës, që shqiptarët në Maqedoni të figurojnë në kushtetutën maqedonase si element shtetformues dhe që shqiptarët në Mal të Zi të kenë të drejta njerëzore e individuale të garantuara me dokumentet e Helsinkit. Mbase pikërisht në kuadër të këtyre orientimeve kanë shkuar 4 delegacione në vend të një delegacioni.
Është çështje tjetër nëse momenti i tanishëm politik dhe një konferencë e tillë, kanë lejuar ose jo mundësi të tjera. A ka qenë më mirë që në një konferencë të tillë këto delegacione të merren vesh mes tyre për ndonjë opcion tjetër apo qëndrimi i tyre ende është që të mbeten në një opcion të zgjidhjes kësisoji, kjo është një çështje të cilën ato vetë duhet ta sqarojnë.
Unë si dëgjues, si përcjellës i këtyre ngjarjeve, nuk i di arsyet se përse nuk është shkuar me një opcion tjetër, por mund të theksoj se plotësisht pajtohem me vlerësimin e Prof. Qosjes se një shkuarje e tillë në një konferencë ku shqyrtohet çështja shqiptare, në njëfarë mënyre shënon një përligjie të coptimit të trojeve të tyre nga vetë shqiptarët. Është kjo pasojë e mos-unitetit të tyre, të mos-zgjidhjes komplete, por të një zgjidhjeje të parcializuar të problemit shqiptar.
– A do të thoni se kjo përligjie është e vetë shqiptarëve dhe jo edhe e organizuesve të Konferencës?
HOTI: Jo, por e vetë shqiptarëve. Shqiptarët, sipas mendimit tim, është dashur të shkojnë në një konferencë të tillë me një kërkesë maksimale. Kërkesa maksimale teorikisht do të impononte një delegacion të vetëm të shqiptarëve. Mirëpo këta e kanë parë të arsyeshme që të shkojnë me 4 delegacione, gjë që do të thotë se qysh më parë janë pajtuar me një status, me një zgjidhje të tillë që do të ishte zgjidhje parciale e problemit shqiptar.
A kanë pasur arsye të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë, apo kanë pasur mundësi të tjera, këtë unë nuk e di. Për këtë duhet pyetur ato subjekte që kanë marrë vendime të tilla. Unë vetë nuk kam qenë në ato rrjedha dhe nuk i di arsyet e vërteta se pse është vepruar kështu. Por e di se Qosja teorikisht ka të drejtë kur thotë se vetë shqiptarët në këtë mënyrë e kanë përligjur ndarjen e vet. Ndërkaq arsyet se përse është vepruar kështu duhet t’i tregojnë vetë ata që e kanë bërë veprimin.
Ne si popull, si njerëz që i përcjellim këto, kemi të drejtë të kërkojmë shpjegimin e arsyeve. Ne nuk mund të sjellim gjykime pa i ditur arsyet e vërteta.
– Meqë në Londër, me sa po duket, edhe një herë iu vu vula ndarjes së popullit shqiptar, madje kësaj radhe me vetë praninë e shqiptarëve, a u bë diç që kjo të mos ngjante?
HOTI: Kjo mund të lidhet si me pyetjen, ashtu dhe me përgjigjen e mëparshme. Por duhet qenë i kujdesshëm në vlerësimin se a iu vu vulë ndarjes sonë ose jo? Konferenca ende nuk ka përfunduar dhe akoma nuk mund të flitet për vënien e ndonjë vule. Por mund të flitet lidhur me atë që thashë më parë, se vetë ne shqiptarët nuk jemi mjaft agresivë në kërkesat e duhura optimale, kërkesa të mundshme.
Kërkesa kapitale e popullit është një: për të qenë bashkë. Populli s’ka orientim tjetër. Tani çështja mbetet te vlerësimi i subjekteve politike. At duhet të vlerësojnë nëse është e mundshme një gjë e tillë ose jo. Në qoftë se ato kanë vlerësuar se është e mundshme një gjë e tillë në këtë moment, dhe megjithatë kanë shkuar 4 delegacione në vend të njëshit, atëherë së paku kanë borxh t’i shpjegojnë këtij populli se përse kanë vepruar kështu, në mënyrë që edhe ne të kuptojmë. Por në qoftë se kanë vepruar ashtu për shkak të ndonjë arsyeje subjektive, ose të pozitave politike, apo të mosnjohjes së mjaftueshme të proceseve politike në Evropë, atëherë këto janë arsye që populli duhet t’i dijë për të reaguar në mënyrën adekuate.
Nëse ti nuk i njeh proceset e Evropës dhe ke marrë pjesë në një konferencë ku vendoset për fatin e popullit tënd, atëherë është e udhës që të japësh dorëheqje. Do të thotë, duhet vetë populli të kërkojë prej teje që ta lëshosh atë vend dhe të mos ua zësh rrugën të tjerëve.
Mirëpo përderisa nuk i dimë saktësisht arsyet se përse është vepruar ashtu, nuk mund të veprohet ndryshe, pos që të kërkohet shpjegimi i atyre arsyeve. Unë për veten time po kërkoj që të më shpjegoj dikush se përse është vepruar ashtu, dhe të më bindë se është dashur që të veprohet pikërisht ashtu. Po ta merrja përgjigjen, mund të propozoja edhe se ç’duhet bërë.
– Konferenca e Londrës vazhdon punën në Gjenevë me programin e miratuar në Londër, në të cilin na është caktuar statusi i komunitetit etnik, përkatësisht i minoritetit. A kemi bërë mjaft që në këtë program të mos futeshim si minoritet dhe të mos e kishim statusin e njëjtë si të Vojvodinës e të Sanxhakut, por më të avancuar? A mund të ndryshohet ky status, dhe nëse po, ç’duhet bërë për ta ndryshuar?
HOTI: Unë vazhdimisht jam i preokupuar me këtë pyetje. Çka mund të bëhet që shqiptarët të jenë subjekt politik ndërkombëtar dhe jo vetëm objekt? Gjithë biseda që zhvilluam buron nga fakti se ne jemi duke u trajtuar më tepër si objekt politik se sa si subjekt, dhe pyetja në esencën e saj do të reduktohej në atë se çfarë mund të bëhet që të trajtohemi si subjekt politik. Kjo është në duar të popullit dhe nga kjo del se mund të bëhet një organizim më aktiv dhe më i madh i faktorit të brendshëm. Mund të rregullohen raportet, nëse nuk janë në rregull, brenda atij faktori, dhe rezistenca të jetë aktive dhe më e madhe e faktorit të brendshëm. Ndërsa që rezistenca të jetë më aktive, kjo nënkupton se duhet të jesh më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapësirën informative. Kjo do të thotë që t’i shqyrtosh problemet më haptas dhe të mos kënaqesh me atë që është. Se ne të gjithë po konstatojmë se ka shumë gjëra për të ndryshuar dhe se ekziston një hapësirë e madhe për të ndryshuar shumëçka.
Duke i pasur të gjitha këto parasysh, kam frikë se do ta pësojmë ashtu siç e kemi pësuar në vitin 1913. Gjë që do të thotë se do të jemi rezervë e forcave politike të Evropës për qetësimin e shpirtrave të Ballkanit, etj., por jo edhe për qetësimin e shpirtrave të shqiptarëve.
Dihet se ministri britanik i punëve të jashtme, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i Konferencës së Londrës më 1913, ka deklaruar përafërsisht kështu: “Për fat të keq, e viktimizuam një popull për ta ruajtur paqen e Evropës”. Pas përfundimit të konferencës, ai ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se populli shqiptar është ndarë për hir të ruajtjes së paqes në Evropë, por çfarë ka ngjarë më vonë? Konferenca ka përfunduar më 1913, Lufta e Parë Botërore ka filluar më 1914. Dmth. nuk ka pasur kurrfarë ruajtje të paqes por ka pasur viktimizim të shqiptarëve për plot 80 vjet. Unë po i frikësohem sërish kësaj dhe sinqerisht po them se a mos në fund të konferencës së Gjenevës do të deklarojë sërish ndonjë ministër i punëve të jashtme, ose ndonjë kokryetar si Sajrus Vensi, ose Lordi Oven: “Le të na falin shqiptarët se i viktimizuam pak për t’i qetësuar jugosllavët.” Prej kësaj duhet të frikësohet çdo subjekt i vetëdijshëm politik shqiptar.
A kemi bërë mjaft ne që të mos ngjajë një gjë e tillë, sepse mu tani jemi duke u trajtuar si rezervë, si objekt për qetësimin e situatës gjithë-jugosllave, gjithë-ballkanike, për vendosjen e një rendi ndërkombëtar ku po bëhet lufta? A kemi bërë mjaft që të mos mbetemi rezervë, por të jemi një subjekt aktiv? Për këtë secili duhet ta pyesë vetveten. Përgjigja ime është kategorikisht negative. Nuk kemi bërë asgjë. Aq më tepër, janë bërë gabime të tilla të rënda që kanë shkuar në shkeljen e faktorit të brendshëm dhe në disperzimin, përkatësisht, në shpërndarjen e forcave të cilat kanë qenë të interesuara që të rezistohet aktivisht.
– Shpeshherë dëgjohet të flitet për rezistencën aktive dhe atë pasive prej njerëzve të ndryshëm. Cila është, sipas jush, ajo rezistenca aktive, që ju e përmendët më parë, që do të ndikonte më shumë në rezultatet e konferencës së Londrës?
HOTI: Çështjes së definimit të rezistencës aktive dhe asaj pasive njerëzit i qasen në mënyra të ndryshme. Unë nënkuptoj në rend të parë që subjektet politike të Kosovës, që e kanë marrë bajrakun dhe që ndodhen në krye të proceseve politike që po zhvillohen në Kosovë, duhet ta marrin edhe përgjegjësinë për atë që po ndodh në Kosovë. Dmth. jo vetëm të manipulojnë me ngjarjet, por ta marrin përgjegjësinë edhe për udhëheqjen e asaj rezistence.
Çdo rezistencë politike nënkupton atë që e merr përgjegjësinë për punën e kryer. Në qoftë se popullit i thuhet se do të zhvillojmë këtë dhe atë aktivitet, atëherë duhet folur haptas: ne do të zhvillojmë këtë aktivitet me qëllim të arritjes së këtij qëllimi politik. Po në qoftë se populli vetë e zhvillon një aktivitet, dhe pastaj ti del e thua se po e zhvilloj unë, atëherë nuk jemi fare në rregull. Kjo do të thotë se përgjegjësia e subjekteve politike për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë nuk ekziston. Ekziston vetëm përgjegjësia a posteriori. Gjithçka nuk mund t’i lihet popullit. Populli duhet orientuar. Ai është nganjëherë një grumbull i padefinuar. Në kuptimin politik, populli gjithmonë orientohet.
Në këtë drejtim, rezistenca aktive nënkupton thjesht kristalizimin e përgjegjësisë së forcave politike të këtij populli. Ky kristalizim është mungesë kardinale te ne dhe kjo po vazhdon që prej 3 vitesh. Dmth. nuk është se po ngjan vetëm sot.
Pastaj, rezistenca aktive nënkupton edhe definimin e qëllimeve politike. Ne qëllimet politike i kemi definuar me opcione, por nuk e kemi definuar se kush është ai që do t’i realizojë ato opcione. Po, kush është në krye të popullit? E kemi zgjedhur. Në rregull. Mirëpo është çudi se kur duhet orientuar populli, kurrkush nuk e merr përgjegjësinë për ta orientuar në mënyrë të drejtë. Kurrkush nuk po e merr përgjegjësinë as për fitoret dhe as për humbjet. Ç’është e vërteta, për fitoret po e marrin ata që s’e kanë përnjëmend. Në këtë pikë kërkohet që të definohet rezistenca aktive. Rezistenca aktive nuk nënkupton, të themi, pasivitetin, pritjen. Këtu nuk është fjala për rezistencë aktive. Kjo që po bëhet te ne nuk është kurrfarë rezistence. Është fjala për një durim të popullit, durim i imponuar nga forca tjetër, nga mungesa e orientimit politik të popullit, po nuk është fjala për rezistencë aktive. Rezistenca aktive nënkupton një forcë të caktuar politike, nënkupton një udhëheqje të caktuar, nënkupton një përgjegjësi të caktuar. Ne këto nuk i kemi, dhe jo vetëm që nuk i kemi, por as që i kemi diskutuar ndonjëherë. Madje as që po e hapim një mundësi të tillë të diskutimit nën pretekstin se mos po përçahemi apo mos po shkaktojmë farë problemi të padëshirueshëm, nën farë preteksti se jemi në kushte të jashtëzakonshme e gjepura të ngjashme.
Mendimi im është se momenti historik i popullit shqiptar është i tillë që imponon doemos organizimin e shumë çështjeve. Në qoftë se nuk sqarohen çështjet sot, në qoftë se nuk kërkojmë që gjërat të kristalizohen, që populli të dijë se ku është dhe nga duhet t’ia mbajë, atëherë më nuk mund të flasim se jemi duke bërë ndonjë punë të madhe.
Mund të flasim për stihinë e këtyre gjërave, mund të flasim për ndonjë spontanitet, mund të flasim se qysh do të na lërë Evropa kështu e ashtu, për ndonjë shpresë se nuk do të na lërë në baltë Amerika ose Gjermania, por këto janë çështje shprese, nuk janë çëshje politike. Çështje politike do të ishte psh. sikur t’i tregonim atij amerikani, evropiani ose aziatiku se unë dëshiroj të arrij këtë qëllim me këto kushte dhe me këto mundësi. Ti e akcepton ose nuk e akcepton dot, është një çështje për të cilën ne tash do të përlahemi atje në konferencë. Por ta reduktosh ti tërë aktivitetin e një populli, gjithë pakënaqësinë e një populli, në një lëvizje spontane, qysh t’ia merr mendja gjithkujt, pastaj të bësh konferencë atje, pastaj të kërkosh që aktivitetin tënd ta reduktosh në lutje të thjeshta drejtuar faktorit të jashtëm që të na merrë parasysh, kjo mund të jetë shaka politike por jo edhe politikë. Është politikisht joserioze dhe pa përgjegjësi historike.
– Nga sa u tha më lart ndër të tjera rezulton edhe një gjë që më parë nuk ka qenë aktuale ose të paktën nuk është thënë publikisht: kontaktet e subjekteve politike me popullin dhe të qeverisë së Kosovës me popullin mungojnë. Pastaj ju thatë në një farë mënyre se ç’është rezistenca aktive, por nuk thatë se kush duhet ta organizojë atë?
HOTI: Është interesant ai relacioni midis udhëheqjes dhe popullit. Populli, dihet, e kam theksuar edhe më parë, se e ka orientimin të qartë, por nuk e ka të qartë se qysh duhet arritur atje. Mirëpo këtë duhet t’ia tregojnë subjektet politike. Sipas mendimit tim, jo vetëm se ka mungesa të mëdha në komunikimin: subjekte politike-qeveri-popull, por ka edhe mungesa rreth koordinimit të qëndrimit midis vetë subjekteve politike në Kosovë. Ka mungesa të tilla të cilat shihen qartë, dhe tani mund të shtrohet pyetja se përse po mbyllen sytë përpara një fakti objektiv? Është e vërtetë se për këto nuk është biseduar dhe nuk po bisedohet.
Ka vlerësime të tilla që unë po i ndëgjoj të thuhen përafërsisht kështu: “Sot në kushte të demokracisë ekziston një cenzurë e tillë e shtypit që nuk ka ekzistuar as në kushtet e fashizmit më të rëndë”. A ka bërë ndonjëherë ndonjë subjekt politik protestë kundër një cenzure të tillë? A i është treguar popullit ndonjëherë se me të vërtetë nuk i kemi shqyrtuar problemet në mënyrë të hapur? Se çfarë jemi duke bërë në të vërtetë unë nuk po e kuptoj. Pastaj nuk po e kuptoj se përse në të vërtetë unë u izolova, për çfarë arsyesh? Të gjitha ato që unë i thosha sot dolën qartë. Tani po i thonë edhe më troç. Përse atëherë nuk po izolohen edhe të tjerët? A mos u mor dikush në përgjegjësi për këtë? A do të bartë dikush konsekuenca për çështje të tilla?
Thuhet se këto çështje nuk po i bisedojmë thjesht me pretekstin se “gjendemi në kushte të veçanta”. Mirëpo kushtet e veçanta mund të imponojnë vetëm luftë të veçantë, një tempo më të shpejtuar të zgjidhjes së problemeve, dhe jo të shërbejnë si pretekst për prolongimin e moszgjidhjes së problemeve.
Kur jemi te Qeveria e Kosovës, dhe jo vetëm te Qeveria, po edhe te raportet e saj me popullin, mund të konkludohet se edhe këtu ka shumë mungesa dhe parregullsi.
Qeveria e Kosovës, së pari, me sa po shoh unë, nuk është në Kosovë. Unë nuk e di se ku është dhe nuk e di se kush është anëtar i qeverisë. E di një kryetar, por nuk e di se kush janë anëtarët, kush është ministër i asaj apo kësaj ministrie. Dhe përderisa këto nuk i dimë, atëherë si do të veprojmë politikisht? Pastaj e dimë bie fjala, se ti je i zgjedhur deputet i kuvendit, ndërsa kuvendi i vjetër, i cili gjithashtu nuk është mbledhur kurrë, vazhdon të veprojë. Cilit kuvend i duhet besuar në këtë rast, të vjetrit apo të riut?
Shumë çështje te ne nuk po funksionojnë, por duhet t’i rregullojmë, sepse përndryshe nuk ka ecje përpara. Të paktën unë nuk po shuh ndonjë rrugëdalje. Thuhet se s’paska pasur mundësi që kuvendi të mblidhet në kushte të këtilla. Pallavra. Si s’paska mundësi? Ka pasur mundësi të mbahej në Shkup, ka pasur mundësi të mbahej në Tiranë, ku kurrkush nuk do t’i kishte ndalur. Mund të ishte mbajtur madje edhe në Krushë të Madhe. Po po, mund të mbahej edhe në Krushë, sepse pikërisht këtu janë thyer shumë gjera, e pranuan këtë të tjerët ose jo.
– U larguam pakëz nga Londra. Le t’i kthehemi sërish asaj.
HOTI: Ne biseduam rreth organizimit, rreth marrjes së përgjegjësisë, rreth intensifikimit të rezistencës aktive etj. Është demagogji, sipas mendimit tim, që sot të flemë gjumë me parullën se më vonë do t’i zgjidhim problemet. Gjatë 2.500 viteve kemi luftuar duke i lënë problemet të zgjidhen më vonë. Por gjithmonë kemi mbetur të shtypur për shkak se s’kemi pasur ndonjë guxim t’i zgjidhim problemet e brendshme paralelisht me zgjidhjen e pozitës ndërkombëtare.
Zgjidhja e pozitës sonë ndërkombëtare doemos kërkon zgjidhjen e pozitës sonë të brendshme. Këto të dyja shkojnë bashkë dhe nuk e di se çfarë teorishë të reja politike po na zbulohen tani! Njëherë kështu, e pastaj ashtu. Njëherë po e çlirojmë Kosovën e pastaj… Po qysh deshe ti ta çlirosh Kosovën? Duke i lutur hallkun a? Qysh deshe të ngrihesh në nivelin e subjektit politik? Vetëm duke thënë se, valla, edhe unë jam subjekt politik? Jo more! Për të qenë subjekt politik duhet luftuar.
Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull manipulohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm.
– Në fillim u paraqitëm me tri opcione për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë. Tani na intereson mendimi juaj rreth qëndrimit tonë. I kemi definuar qartë kërkesat tona për Londër dhe Gjenevë apo ende jemi në konfuzion?
HOTI: Këtu mund të thirremi pakëz në një artikull timin të botuar kohë më parë në formë fejtoni me titull “Republika dhe lufta në kontekst të Evropës”. Unë këtu e kam paraqitur mendimin tim, dhe qëndrimin tonë zyrtar e kam quajtur politikë joserioze, politikë që publikisht orientohet me mundësi dhe opcione të ndryshme të zgjidhjes së problemit. E kam thënë qartë: një popull ose është i gatshëm të luftojë për një opcion të caktuar ose nuk është i gatshëm. Është çështje e vlerësimit të subjekteve politike se për cilën çështje je i gatshëm të luftosh. Tani, nëse njëherë i thuhet popullit se duam referendum e duam sovranitet, ndërsa herën tjetër as republikë, po duam autonomi, atëherë nuk ja vlen të bisedohet për këtë. Në këtë nivel nuk mund të bisedohet sepse nuk është fjala për një politikë serioze.
Duhet t’i shqyrtojmë hesapet në mes veti. Përderisa nuk zgjidhen këto çështje, nuk mund të ecet përpara. Këto tregojnë se çështja shqiptare, ose e Kosovës, është lënë ekskluzivisht në duart e faktorit të jashtëm, dhe për këtë shkak jepen deklarata herë kështu e herë ashtu. Pra nuk ka mbështetje në faktorin e brendshëm por vetëm në atë të jashtmin, sepse vetëm ai i jashtmi mund të bëjë shaka e të të thotë në këtë moment kështu e në atë moment ashtu, për shkak se ai i ka interesat tjera dhe jo vetëm interesin tënd.
Faktorit të brendshëm duhet t’i bëhet e qartë se çka dëshirojmë të arrijmë në të vërtetë. Duhet t’i bëhet e qartë edhe se si arrihet ai qëllim. Duhet t’i bëhet e qartë edhe se a është e mundshme arritja e atij qëllimi. Vetëm pas analizës së këtyre mundësive komplekse duhet të caktohet ajo që është optimale dhe e realizueshme.
– E kemi bërë ne këtë?
HOTI: Në bazë të deklaratave po shoh se kjo nuk është bërë, por duhet të bëhet. Madje janë çastet e fundit. Po qe se kjo nuk bëhet, dhe po qe se edhe më tutje do të jemi rezervë e kalkulimeve të ndryshme politike të faktorit të jashtëm, situata do të zhvillohet në një drejtim tejet të pakëndshëm, tejet të pavolitshëm për ne.
Është ky një mendim i imi i zi, por s’mund të jetë i bardhë, gjersa ekzistojnë indikacione që tregojnë vetëm zi.
– Çfarë do ta pyesnit më në fund ju vetë Ukshin Hotin?
HOTI: Po. Do t’ia kisha bërë një pyetje të thjeshtë: në çfarë cilësie po flisni për Konferencën e Londrës, edhepse nuk jeni i informuar ashtu qysh duhet të jeni dhe ashtu siç janë të tjerët të informuar? Dhe unë do të isha përgjegjur se nuk e di as njërën dhe as tjetrën. Duhet pyetur ata që më kanë izoluar këtu.
Shtator 1992
Bisedoi: Ibish Neziri
(Marrë nga “Spektër shqiptar – intervista” Biel/Bienne, Zvicër, 1994)