USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, ALEATE E NATO-s

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, ALEATE E NATO-s

Nga Prof. dr. Hysen MATOSHI, Pashtriku 15. 01. 2023

Drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë/

Formati shkencor i këtij aktiviteti vjen pas përpjekjes disaplanëshe në vitet e fundit për ta deligjitimuar të drejtën elementare të secilit komb që të jetë i lirë dhe të vendosë vetë për fatin e vet. Intenca e barazimit të aspiratës shekullore të shqiptarëve për të qenë zot në tokën e tyre me formulimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke e përgjithësuar në këtë mënyrë të veçantën e mundshme të çdo lufte dhe duke mëtuar ta ndryshojë rrënjësisht konceptimin mbi karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës, vjen si një prapavajtje në historinë e njerëzimit. Këtë ridimensionim të pazakontë e ahistorik, të paktën, shkenca e ka për detyrë që ta vlerësojë në mënyrë kritike. Në vështrimin tim do të përpiqem të them diçka mbi karakterin përtejkombëtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sidomos doli në pah në fazën finale të kësaj lufte, kur bota demokratike e liridashëse u bë faktor për çrrënjosjen e robërisë nga Kosova, duke u dalë në krah aspiratave e sakrificave të shumë brezave të shqiptarëve.

Kundruar historikisht aleancat politiko-ushtarake kanë ekzistuar që në periudhat e hershme të zhvillimit të njerëzimit. Nuk është i panjohur as fakti se lidhja e tyre bëhet mbi baza të një interesi të përbashkët ndërmjet palëve që e pranojnë faktin e të qenët aleatë të njëri-tjetrit dhe kuptohet se sa më të shprehura të jenë interesat e përbashkëta të aleatëve aq më funksionale do të jenë aleancat.

Kosova përbënte njërën ndër ato zona ku autoriteti i forcës së përbashkët ekonomike, politike dhe sidomos ushtarake i ShBA-së dhe i partnerëve të saj, krahas faktorit të brendshëm kosovar, solli përfundimin më të shpejtë të robërisë gati njëshekullore nën okupatorin serb. Edhe pse përmasat e tragjedisë kosovare, e cila përjetohej nga banorët e saj (shqiptarët) për vite me radhë, për Aleancën Veriatlantike kanë qenë të njohura edhe më herët, intervenimi ushtarak ngjau shumë vjet më vonë, pra vetëm në momentin kur kjo aleancë u bind se do të mund t’i realizonte synimet e saj më lehtë, më me pak sakrifica, a thënë më drejt vetëm atëherë kur në tokën e Kosovës e kishte aleatin e saj politik e ushtarak – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Reagimi vetëm deklarativ i shumicës së udhëheqjes politike të shqiptarëve ndaj terrorit dhe dhunës gjenocidiale të pushtuesit serb në Kosovë, në mënyrë të barasvlershme, te bashkësia ndërkombëtare nxiti vetëm dënimin deklarativ të saj, i cili në rastin më të mirë realizohej përmes ndonjë rezolute joobligative, që miratohej në ndonjërin nga organizmat dytësorë të saj, por që autoriteti i tyre ishte shpërfillur nga serbët aq shumë në krizat e në luftërat e mëhershme të ish-Jugosllavisë. Vetëm dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i rezistencës së armatosur të shqiptarëve kundër Serbisë i krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për një përgjigje adekuate nga ana e NATO-s e që për rezultat përfundimtar pati dëbimin e okupatorit nga Kosova. Dhe ishte tërësisht e pakuptimtë të pritej që Aleanca Veriatlantike ta trajtonte seriozisht çështjen e Kosovës dhe aq më pak që ta konsideronte Kosovën për aleate të saj në kohën kur ajo s’kishte ushtri, përkatësisht një forcë të caktuar ushtarake. Në këtë kuptim Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbën një kusht të domosdoshëm.

Tashti, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, nuk janë të paktë ata zëra, madje edhe mes shqiptarësh, që e kontestojnë luftën çlirimtare të faktorit vendës, duke ia njohur të gjitha meritat për fitore ushtarake Paktit Veriatlantik. Ata ia mohojnë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rolin të cilin ia pranon edhe bashkësia ndërkombëtare. Kështu, në dokumentin “Marrëveshja për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së”, në pikën 25 të tij, pasusi i parë, thuhet: “… komuniteti ndërkombëtar duhet ta ketë parasysh kontributin e UÇK-së gjatë krizës së Kosovës…”. Sipas këtij vlerësimi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ishte aleate e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht e NATO-s, në krizën a luftën në Kosovë (pavarësisht sesi do ta quajmë atë), por me faktin se duhet të merret parasysh kontributi i saj, dëshmohet se ajo qe një aleate aq e rëndësishme saqë ndihmesa që dha duket e padiskutueshme edhe për organizmat politikë e ushtarakë ndërkombëtarë. Sot në botë askund nuk shtrohet pyetja se kush fitoi më shumë dhe kush më pak, se kush kishte merita dhe kush jo për fitoren e Koalicionit Antihitlerian gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte më shumë merita Britania e Madhe, Franca, Amerika, apo BRSS-ja, kjo është një pyetje që mund të shtrohet vetëm nga pozita të nihilizmit dhe të naivitetit ngaqë, logjikisht, kur fiton aleanca, fitojnë aleatët që kanë marrë pjesë në të dhe s’do mend që frytet e fitores ata do t’i gëzojnë në përputhje me ndihmesën që e dhanë në luftën e përbashkët. Kjo vlen edhe për humbësit. Kanë pësuar disfatë të gjithë ata që, në një mënyrë a në një tjetër, u ngritën kundër NATO-s dhe kundër sulmeve të saj mbi Serbinë. Disfata e tyre, pos ushtarake e politike, është edhe morale e historike. Të rralla janë aleancat të cilat kanë funksionuar me aq përpikëri sikundër e kemi rastin e NATO-s dhe të UÇK-së. Të parët,

të përkrahur nga mbarë bota përparimtare, u vërsulën me makinerinë ushtarake nga qielli për ta shkatërruar aparatin e shtetit më gjenocidial në botën e këtij mileniumi, ndërsa të dytët qenë faktori i vetëm që luftoi atë ballë për ballë në tokën e Kosovës. Pra, pavarësisht se a luftohej kundër Serbisë nga ajri, nga deti, apo nga toka, një fakt është i pakontestueshëm: ata të cilët në cilëndo nga këto mënyra e luftonin këtë kreaturë shtetërore, me premisa kriminale të organizimit të saj, ishin aleatë ndërmjet vete dhe se të gjithë së bashku e fituan luftën.

Sukseseve të cilitdo nga këta faktorë u gëzoheshin dhe i trumbetonin të gjithë aleatët. Në këtë kuptim, zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shia, gjatë fushatës ajrore kundër Jugosllavisë, një të katërtën e kohëzgjatjes së konferencave të shtypit ua kushtonte luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezultateve pozitive të tyre kundër forcave serbe, sikundër që radiostacioni “Kosova e lirë” dhe agjencia e lajmeve “Kosovapress”, zëdhënëse të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të vetmet burime shqiptare të informimit nga Kosova atëbotë, flisnin me admirim për rezultatet e goditjeve ajrore të NATO-s mbi makinerinë serbe. Pra, është krejtësisht e qartë se NATO-ja nuk shënoi fitore historike vetëm me sulme ajrore dhe pa asnjë ushtar në tokën e Kosovës sikundër provojnë të dëshmojnë kolumnistët dhe aktivistët tanë të “rezistencës paqësore”, përkatësisht të rezistencës së paqenë, duke e mohuar kështu faktin historik se ajo i kishte mijëra ushtarë aleatë në mbarë Kosovën, se i kishte për aleatë ata që donin t’i vinin pikën zgjidhjes së çështjes shqiptare, por kuptohet assesi ata që donin të zgjidheshin në nivele pushtetore papërfundimisht në kurrizin e kësaj çështjeje.

Intencat e këtilla zhvlerësuese të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në raport me kontributin e saj për lirinë e Kosovës, për fat të keq, në diskursin tonë publik, që e kultivuan qarqe të caktuara politike e mediale të Kosovës, me kohë, do të evoluonin në akuza ndaj pjesëtarëve të kësaj ushtrie, për të arritur në një situatë të ngritjes së aktakuzave ndaj tyre.

Fakti i të qenit aleat a besëlidhës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga shumë funksionarë të Paktit Veriatlantik, përkatësisht përfaqësues të shteteve që bëjnë pjesë në të, nuk është mohuar ndonëse kanë munguar nënshkrimet e saj ceremoniale e pompoze. Megjithatë, një gjë është e sigurt: aleancat nuk i lidhin vetëm nënshkrimet, ngaqë ato lidhen, në rend të parë, dhe më fort për interesat e përbashkëta, të cilat në këtë rast u puqën në një objektiv të vetëm: dëbimin e Serbisë nga Kosova, me çka iu hap perspektiva e ndritshme lirisë, pavarësisë e demokracisë në Kosovë, që edhe ishte qëllimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa NATO-ja, pos që e ka fituar luftën kundër dominimit sllav në Ballkan, duke e zgjeruar në këtë mënyrë sferën e interesave dhe të ndikimit të saj, në këtë luftë e ka dëshmuar forcën dhe aftësinë e saj për ta luajtur rolin e faktorit të vetëm me rëndësi për zgjidhjen e krizave të ngjashme në përmasa globale.

Përfundimisht, liria nuk është më pak e vlefshme vetëm për faktin se ajo u fitua në luftën e përbashkët me aleatët tanë ngaqë, ta zëmë, francezët, po edhe anglezët, në saje të aleancave të mençura dhe parimore, e rifituan lirinë në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjithsesi aleanca me NATO-n nuk duhet parë si hendikep, si pasojë e dobësisë sonë, përkundrazi ajo është arritja më e madhe që e ka shënuar kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, përgjithësisht, shqiptarët e Kosovës, duke zgjedhur më parë se “miqtë” dhe “dashurinë” e tyre për ne, aleatët dhe interesat tona të përbashkëta me ta. NATO-ja, përtej dimensionit historik të bërjes së lirisë, edhe sot e gjithë ditën mbetet rruga më e sigurt e një të ardhmeje prosperuese (paqësore dhe zhvillimore) për Kosovën, për shqiptarët, për rajonin dhe për mbarë botën.

__________

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

***

HALIL ALIDEMA VEPRIMTAR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR (VIDEO)

Nga Prof. dr. Hysen Matoshi, Pashtriku 15.01.2023

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura