VALBONA NATHANAILI: PETRO ZHEJI, EKSPLORUESI MESIANIK I ROLIT TË GJUHËS SHQIPE

Pashtriku.org, 14. 12. 2016: Vepra e Zhejit “Roli mesianik i shqipes. Rënia e Kullës së Babelit” ka qëllim, sikundër shprehet vetë autori:
• Të tregojë (provojë, demonstrojë) praninë e rrënjëve të stërlashta (operatorëve të lirë) të shqipes në të tërë gjuhët e botës, pa përjashtim.
• Të vërtetojë se të gjitha gjuhët (duke e zgjeruar këtu në maksimum termin “gjuhë”, sa të përfshijë çdo veprimtari mendore, çdo shkencë e degë të dijes) i “binden” Algoritmit Simbolik, si një artikulim logjik i vizionit të lashtë e të stërlashtë të realitetit, i asaj që njihet nga dija e kohës sonë si “Philosophia Perennis”. Mund të themi se Algoritmi Simbolik, me grupin gjithmonë të njëjtë të ekuacioneve simbolike përbën Invariantin e çdo transformimi gjuhësor. Me fjalë të thjeshta, kur kalohet nga një sistem gjuhësor në një tjetër, shumë e shumë gjëra ndryshojnë (fjalë, shprehje etj.), por prapë diç mbetet domosdoshmërisht pa ndryshuar dhe ky është pikërisht Algoritmi Simbolik, i cili mund të nxirret, në një mënyrë a një tjetër, nga çdo gjuhë, si një “ndëngjuhë e fshehtë dhe e shifruar” dhe së cilës i përmbahet çdo gjuhë.
Libri mund të klasifikohet si një lloj “testamenti i ri” për gjuhën shqipen, rrjedhojë e një pune titanike dhe mendimi të shkëlqyer të autorit. Në këtë libër, Petro Zheji shfaqet si përfaqësuesi i vetëm shqiptar i filozofisë mesianike, një karakteristikë për shumë filozofë liberalë modernë të Europës së sotme e të djeshme, nga të cilët do veçoja Martin Heidegger, ndërkohë që vetë Zheji citon Leibniz e Huxley. Pavarësisht kundërshtarëve a ndjekësve që ka kjo lloj filozofie, vlera e saj qëndron në faktin se është në gjendje të na nxisë të mendojmë e vlerësojmë ndryshe sistemet tona të besimit. E thënë ndryshe, filozofia mesianike është një lloj testi për teoritë e modernitetit.

Petro Zheji (Gjirokastër, 16 tetor 1929 – Tiranë, 14 Mars 2015)

Por në dallim nga përfaqësuesit e “pastër” të kësaj lloj filozofie, vepra e Zhejit ngrihet jo mbi kanon, por mbi një metodologji të përsosur. Akoma, është konkrete, e mbështetur në argumente e fakte shkencorë, me shtrirje të pafundme në kohë e në hapësirë. Termi kohë lidhet me faktin se shembujt e sjellë fillojnë me veprat epike të autorëve të lashtësisë e shtrihen deri në konceptet e fizikës moderne, por të sistemuar jo kronologjikisht, pasi e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë një në libër; ndërsa termi gjeografi lidhet me 863 shembuj të marrë nga gjuhët kryesore dhe që fliten më shumë sot në botë (ose janë folur): kineze, sanskrishte, anglisht, rusisht, hindisht, turqisht, greqisht, latinisht, hebraisht, gjermanisht, protogjermanisht, italisht, japonisht, indonezisht e persisht.
Sipas Zhejit, gjuhët diferencohen nga njëra-tjetra vetëm në nivelin e përciptë konceptual, kurse e kundërta ndodh me to në nivelin e thellë simbolik, në të cilin të gjitha janë strukturalisht (simbolikisht) e njëjta gjuhë. Me këtë argument bazë, teoria e Zhejit e sheh gjuhën shqipe të aftë të tregojë lidhjen e ngushtë të fjalës me kuptimin e saj dhe në gjendje të superojë vijën e ndarjes që dallon një gjuhë nga një tjetër, vijë e ndërtuar si një bashkësi pikash (në rastin tonë fjalësh) me dy koordinata: emërdhënës dhe i emërtuar, një teori e bukur e tërheqëse, “dyshuese” e bindëse, e afërt dhe e largët. Mjetet që përdor janë të kufizuara: disa numra, algoritmin simbolik e formula dhe, vetëm me ndihmën e tyre, të udhëheq në të gjithë labirintin që ka ndërtuar, “me shkallën më bindëse që të jetë e mundur”- sikundër shprehet në faqet e para të librit, për të treguar fuqinë e jashtëzakonshme motivuese të shqipes.
Rrugëtimin e fillon me një fjalë nga sanksrishtja, faqe 11, të zgjedhur “ad libitum”, i pafajshëm, dhe e mbyll në faqen 784, me një fjalë nga kinezja, fshij, por gjithmonë ndjek të njëjtën metodologji: fjala në gjuhën e huaj, e përkthyer më tej, në anglisht/frëngjisht për pjesën më të madhe të tyre, zbërthimi i fjalës në elementë përbërës; për të bërë lidhjen me shqipen bashkëngjit ose operatorin shqip përkatës, ose simbolikën që marrin sipas shqipes, ndryshe “motivimin e shqipes”.
Shembulli 206: Pers. Duŝ =ingl. Bad, evil (e keqe). Fjala shqipe motivuese është dysh=2, sepse 2= • = e zeza, e keqja, materia, djalli…
Në shumë nga shembujt, të njëjtës fjalë, i referohet në disa gjuhë, si për shembull f. 266, shembulli 239.

Kur mendon se duhen më shumë fakte, ose duhet të jetë më bindës, shprehet “Zgjerojmë bisedën”, e cila do të thotë përfshirje konceptesh e teorish nga filozofia, gjuhësia, historia, letërsia, matematika, logjika e fizika.
Në këtë aspekt, po sjell si shembull trajtimin që i bën konceptit të “Paradoksit”. Nëse në jetën e përditshme paradoksi shihet si gënjeshtër, si rrjedhim i një gabimi logjik, për Zhejin një kuptim krejt tjetër ka në shkencë: “shkenca është e mbushur me paradokse, shprehje të një të vërtete të thellë absolute”. Për të na bindur, në libër Zheji i referohet Bohr, fizikan dhe fillon me një klasifikim ndryshe të gjykimit: të cekët dhe i thellë. Gjykimi është i cekët kur e kundërta nuk është e vërtetë, ose e shprehur simbolikisht x ≠ – x (kodi F i logjikës, ose kur gjykimi, x-i, nuk përputhet me mohimin –x-in, ose gjykimi x është i barabartë vetëm me x-in); gjykimi është i thellë kur e kundërta e tij është po aq e vërtetë, ose e shprehur simbolikisht x = -x (kodi E i logjikës, ose kur gjykimi x lë shteg si për pohimin x, ashtu edhe për të kundërtin e tij, -x, ose kur të dy, pohimi e kundrapohimi, kanë të njëjtën peshë dhe kanë pro një numër të njëjtë argumentesh). Gjykimet e para, për Zhejin, janë relative, ndërsa të dytët absolutë. Aryeja njerëzore është në përgjithësi e tipit F.
Për të qëndruar te fizika e filozofia, edhe logjika aristoteliane është e tipit F: lënda (x) është e ndryshme nga vala (-x) thuhet në jetën e përditshme, ose është paradoks të vemi shenjën e barazimit ndërmjet valës dhe lëndës. Pra lënda është vetëm lëndë sa kohë është një shumë e thjeshtë grimcash elementare dhe mund të gjendet në të gjitha vlerat e mundshme që mund të marri x: ujë, ajër, bakër, pemë, por kurrsesi valë. Njëlloj sikundër vala elektromagnetike mund të paraqitet si ultravjollcë, infra e kuqe, valë radio etj. Pra, gjithmonë x=x: lënda = lëndë, vala = valë. Ky është gjykim i cekët, ose paradoks në jetën e përditshme, pasi për shumë njerëz vala është e ndryshme nga lënda/ materia. Në shkencë është ndryshe (tipi E i gjykimit). Gjykim i thellë është kur vala=lëndë, e shprehur ndryshe vala shndërrohet në lëndë dhe lënda në valë: e−(elektron) + e+(pozitron)→ γ (rrezatim gama) + γ (rrezatim gama).
Algoritmin simbolik e trajton me hollësi nga faqet 785-860, që fare mirë mund të quhet si pjesa e dytë e librit. Libri mbyllet me një listë glosave dhe indeks.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura