MAJLINDA NANA-RAMA: ARTI I FJALËS MUND TË RRËZOJË PUSHTETE

Pashtriku.org, 18. 11. 2015: “Që të merresh me politikë, të bësh edhe letërsi, nuk besoj se ka gjë të keqe. Ato, edhe teorikisht, nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën. Madje, mendoj se një politikan që shkruan, ka më shumë shanse për të qenë politikan i suksesshëm. Kjo, për faktin se bota shkrimore paraqet te lexuesi i tij atë pjesë të shpirtit, që politika s’ia lejon ta shpalosë. Të merresh me artin e të shkruarit, është magji. Së pari, ajo të pasuron si individ dhe, së dyti, të bënë protagonist të zhvillimeve sociale, ekonomike e politike në vend. Arti i fjalës mund të rrëzojë pushtete. Por, nëse për politikën do shprehesha: “Pas secilit sukses, gjendet një dëshpërim i fshehur”, për letërsinë do të thosha: “Çdo arritje ka një kosto dhe një gëzim”. Besoj që, këto të dyja, kanë ndryshim të madh.” – kështu thotë, Majlinda Nana-Rama (autorja e romanit të ri, “Zonja me të kuqe”) – në një intervistë me Elisabeta Ilnica.
***

E kuqja tërheq gjithmonë, edhe kur bëhet fjalë për një titull libri. Pas një vargu botimesh në poezi, eseistikë, studime letrare etj., Majlinda Nana Rama, i rikthehet romanit. Gazetarja dhe shkrimtarja Rama sapo ka sjellë librin e ri “Zonja me të kuqe”, ku në qendër të tij është një “damë e lajthitur”, që quhet Jasmina. Pse autorja mendon se, kush më shumë e kush më pak, është pak Jasminë…
***
E.ILNICA: Pas një vargu botimesh në poezi, eseistikë, roman, studime letrare, i riktheheni romanit. Pra, vjen së fundmi për lexuesin “Zonja me të kuqe”, që në fakt tanimë e dimë që Zonja është Jasmina. Cila është kjo grua, në roman?
M.N.RAMA:
Jasmina e romanit “Zonja me të kuqe” është rasti më flagrant i fatit të nëpërkëmbur të një gruaje, e cila nuk shihet përtej pamjes së leckosur. Për këdo, ajo mund të jetë një lypëse, një varfanjake dhe as më shumë e as më pak, se sa një e çmendur. Por, Jasmina është çdonjëra nga të shumtat femra, që etiketohen, paragjykohen, anatemohen nga masa, pa kurrëfarë vrarje ndërgjegjeje. Ajo bëhet një botë e trazuar dhe mbetet e tillë, pikërisht për shkak të gjurmëve, që i lë e shkuara dhe e tashmja. Pra, Jasmina është si Jozef K. i “Procesit” të Kafkës, tepër e pavetëdijshme për fajin e saj, që jeton në një botë të mbuluar me velin e fasadës së moralit fals.
E.ILNICA: Thuajse përherë, edhe në jetën reale, njeriut i shfaqet një mbështetje, që e ngushëllon. A i gjendet Jasminës një e tillë, apo mbetet e vetme në sfidën e madhe të njerëzimit, sfidën e përballjes me jetën?
M.N.RAMA:
Romani “Zonja me të kuqe” ka në qendër një romancë dashurie, në përmasa të ethshme, mes Jasminës dhe Iliazit. Pra, në gjithë atë zallamahi etjesh për të poshtëruar një qenie të pambrojtur, shfaqet një burrë, një njeri që merr përmasat e mbi-Himalajeve, që kapërcen telin me gjemba të paragjykimit të thellë shoqëror dhe depërton në thellësi të kësaj krijese. Ai i zbulon, gurë më gurë, thesaret e një bote pambarim… Dhe, imagjinoni, të botës së flakur tej, të botës së lënë në rrugë, të botës së vrarë çdo ditë, të botës pa ëndrra. Ky është “superburri”, një kryeprokuror që i dëshmon botës mbarë, se vlerat ndër burra ekzistojnë.


Majlinda Nana-Rama

E.ILNICA: Ky roman, a ka një shtrat real apo është produkt imagjinate, siç ndodh përherë nga njerëzit e letrave, që përdorin imagjinatën, për të dhënë mesazhin, që duan për botën në përmirësim?
M.N.RAMA:
Çdo gjë, që shndërrohet në rrëfim, buron ngapak nga realiteti i secilit prej nesh dhe realiteti i njërit ndryshon me realitetin e tjetrit, për shkaqe të ndryshme, si: vendosjeje, perceptimi, botëkuptimi, mënyre jetese, lidhje me njerëzit, fuqi socializimi etj. Romani “Zonja me të kuqe” është, në fakt, produksion realo-imagjinativ, për vetë arsyen se ka patur një personazh real, nga i cili ka marrë spunto, për të vijuar më tej me thërrmija të imagjinacionit autorial. Sepse, tek e fundit, kjo është magjia e artit të shkruar. Ajo të rrëmben dhe pastaj autori bëhet vasal i rrjedhës. Pra, shkruesi gjendet shpesh brenda një rrethi vicioz, i zënë në kurthin e narracionit, gjatë shtjellimit të fabulës.
E.ILNICA: Prandaj i keni dhënë një mbyllje gati – gati tragjike romanit! Pse kjo zgjidhje? Ndoshta, lexuesi do të donte një mbyllje tjetër, më të lumtur.
M.N.RAMA:
Unë e thashë, pak më parë, që rrëfimi të ikën nga duart. Nuk mund ta kontrollosh subjektin, për aq kohë sa subkoshienca jonë vepron në bazë të asaj, që shpirti ynë, arsyeja jonë, sheh dhe do. Pra, në këtë kontekst, unë, për t’i dhënë frymëmarrje kësaj gruaje, me fëmijëri të palumtur, me rini që s’e jetoi kurrë, pra, me jetë të palumtur në rritje, kam rënë në atë grackën e dëshirës për ta parë të lumtur me vajzën e saj dhe gjërat, që i kanë munguar gjithë jetën. Nuk mund ta mbyllja me happy end, asesi. Me këtë mbyllje të rrëfimit, kërkoj që shoqëria të lëvizë, pasi mbyllja e romanit, ashtu sikurse drama e personazheve, janë copëza të së përditshmes sonë. Janë me mijëra ato gra, që vuajnë, sepse bota përtej tyre s’do t’i njohë, s’do t’i pranojë, s’i konsideron. Pra, edhe kur gruaja është e gatshme të prijë për t’u përballur me sfidat shoqërore, kjo shoqëri nuk është gati ta pranojë, sepse udhëhiqet nga paragjykimi.
E.ILNICA: Sa e vështirë është që ta strukturosh një roman? Kam parasysh edhe romanin e parë tuajin “Perandorët”, që bëri jehonë të madhe, një vit më parë dhe që kishte një mori personazhesh, ngjarjesh, situatash, fabulash?
M.N.RAMA:
Struktura romanore, sipas meje, nuk ka skema, porse atyre individuale, që bëjnë dallimin e një stili të shkruari nga një tjetër. Romani “Perandorët” ishte i vështirë për t’u shkruar, sepse ndërtohej mbi një linjë qendrore, që ishte shtyllë kurrizore e romanit dhe shumë linjave dytësore, që mbaheshin lidhur mes vetes, nëpërmjet një konstruksioni të brendshëm. Ndërsa romani “Zonja me të kuqe” është krejt tjetër. Ka një linjë, rreth së cilës vërtiten zhvillimet. Ka më pak personazhe. Ka shtjellim me të thjeshtë. Në të jepen natyrshëm: ndjenjat, emocionet, përjetimet, nuancat e ditës, inspirimet, dëshirat. Në këtë roman nuk ka vend për zbukurime, për aq kohë sa vetë libri, në tërësinë e vetë, është një kushtrim për një reformim të metalitetit shoqëror, për mënyrën se si e sheh gruan, si qenie, së pari.
E.ILNICA: Në përvojën romaneske shihet që vetëm njëri personazh është ai, që e mbulon gjithë romanin. Në fakt, si mundet që një emër ta tërheqë lexuesin, për ta “zhytur” në libër?
M.N.RAMA:
Secili nga ne, është “Një”. Edhe personazhi i qendërzuar në roman mund të jetë vetëm një, i cili jep e merr në rrethana të shumta, mjafton që këtij personazhi t’i gdhenden tipare të detajuara, pra të penelohet portreti. Me një përshkim psikologjik në thellësi dhe raporte të skicuara qartë me të tjerët, që janë personazhet episodikë apo në hije, del në pah gjithë kumti i prozës së gjatë. Por, sipas meje, asnjëherë nuk mund të ecet në bazë të modaliteteve karakteriale, të përcaktuara nga autori. Personazhi lind dhe bëhet.
E.ILNICA: Pra, thënë me fjalë të tjera, ky libër është një “Roman për Gruan”?
M.N.RAMA
: Në këtë rast, mendoj, do shkonte për shtat motoja “Gruaja, për gruan”. Unë i kam besuar gruas si qenie. I kam besuar shpirtit të saj, botës së pafundme, që ajo bart dhe, në shumë raste, e kërkoj zgjidhjen te gruaja. Duke e ditur që është një zë përfaqësues, dëshiroj ta kthej atë në promotore të lëvizjeve dhe, për këtë, revolucioni duhet të fillojë mes nesh (grave). Në një shoqëri, ku mungojnë politikat sociale për ta mbrojtur të drejtën e secilit, por sidomos gjinisë së brishtë, duhet që vetë këto të fundit t’ua imponojnë të tjerëve statusin e tyre, në këtë ujëvarë të mjegullt shkëmbore.
E.ILNICA: Çfarë mendimi keni për letërsinë sot? Po për lexuesin?
M.N.RAMA:
Shkruhet dhe, kur shkruhet, ka edhe inflacion. Siç shprehej poeti spanjoll Visente Aleihandre: “Nëpërmjet qenies së vet, poeti bën thirrje për komunikim… sepse poezia parakupton të paktën dy njerëz”. Pra, letërsia, si e tillë, nëkupton dualitetin autor-lexues. Mendoj se duhet gjetur “thembra e Akilit”, së pari, nga autori; pastaj lexuesi, sidomos ai elitar, di të gjejë shtigjet e depërtimit te letërsia e fisme.
E.ILNICA: Që të shmangen dhe të mos implikohen në tema aktuale të ditës, shumë autorë marrin në shqyrtim temat e së shkuarës… Po ju, a keni menduar t’i referoheni kësaj skeme?
M.N.RAMA:
Nuk e kam menduar, po këtë punën e “implikimit” do ta kisha përligjur para 20 e kusur vitesh. Në letërsinë socrealiste, mund të bëhej praktikë letrare, marrja me emra e personalitete të së shkuarës, për arsye madhore, që kishin të bënin me ideologjitë e kohës e të tjera, si këto (megjithëse, edhe pikëpamjet historike, sido që të ishin, duheshin interpretuar në vijën e inspirimit të teorive të atij sistemi). Por, sidoqoftë, mbetej e përligjur letërsia e padokumentuar e aktuatitetit. Por sot, kur bota demokratike është e hapur, do të ishte mëkat që të mendohej, po njësoj. Sot janë rrugët e lira, për ta lëvruar atë letërs, që ndien se duhet ta lëvrosh. Mendoj se, t’i trembesh të vërtetës, është njësoj si t’i fshihesh çdo çast jetës. Në besimin tim ka qenë e ngulitur ideja që, nëse je konformist me atë që të ofrohet, nuk mund të bëhesh shkrimtar, as gazetar.
E.ILNICA: Meqë dolëm te gazetaria, përveç jetës shkrimore, ju mbani lidhje ende me gazetarinë. A varen nga njëra-tjetra, këto dyja? E ndihmojnë apo e dëmtojnë?
M.N.RAMA:
Unë besoj se janë fusha, që ndërveprojnë. Letërsia, arti krijon mundësi komunikimi; ndërsa gazetaria bëhet urë komunikimi për komunitetin. Pra, në thelb, të dyja janë prodhimtari, që komunikojnë me masën, duke u bërë pjesë e së përditshmes njerëzore, me gëzimet, ndjenjat e dhimbjet e gjithësecilit. Por, është mirë, kur gjenden të dyja bashkë. Sepse atë, që s’e thua me njërën, e thua me tjetrën, sidomos në një vend, ku absurdi, vërtet, nuk njeh kufij.
E.ILNICA: Shkrimtarët dhe politika. Si i shihni këto raporte?
M.N.RAMA:
Që të merresh me politikë, të bësh edhe letërsi, nuk besoj se ka gjë të keqe. Ato, edhe teorikisht, nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën. Madje, mendoj se një politikan që shkruan, ka më shumë shanse për të qenë politikan i suksesshëm. Kjo, për faktin se bota shkrimore paraqet te lexuesi i tij atë pjesë të shpirtit, që politika s’ia lejon ta shpalosë. Të merresh me artin e të shkruarit, është magji. Së pari, ajo të pasuron si individ dhe, së dyti, të bënë protagonist të zhvillimeve sociale, ekonomike e politike në vend. Arti i fjalës mund të rrëzojë pushtete. Por, nëse për politikën do shprehesha: “Pas secilit sukses, gjendet një dëshpërim i fshehur”, për letërsinë do të thosha: “Çdo arritje ka një kosto dhe një gëzim”. Besoj që, këto të dyja, kanë ndryshim të madh.
***


Jetëshkrimi: KUSH ËSHTË MAJLINDA NANA-RAMA

Majlinda Nana Rama ka lindur në Tepelenë, më 27 maj 1980. Në vendlindje ka marrë dhe mësimet e para e ato të mesme. Gjatë viteve 1998 – 2002, ka kryer studimet e larta për Letërsi e Gjuhë Shqipe dhe më pas, në vitet 2009-2012 ka kryer fakultetin e dytë, atë të Shkencave Politike, në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Më vonë, përfundon studimet “Master Shkencor”, për Shkenca Politike dhe Juridike. Ka punuar Administratore e Shërbimit Social. Më vonë, ka punuar mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Prej vitit 2004 dhe aktualisht jep ndihmesën e vet në mediat pamore dhe ato të shkruara, ku evidentohet puna disavjecare, drejtore Informacioni në TV Rajonal “Apollon”, Fier. Ka punuar gazetare e TV “Ora Neës”, Tiranë. Nga viti 2006 dhe aktualisht, punon gazetare e gazetës “Panorama”, Tiranë. Është themeluese dhe botuese e gazetës “Ora Juaj”. Është autore, skenariste dhe drejtuese e qindra emisioneve sociale, kulturore dhe politike. Nga viti 2011, po ashtu, punon në Bashkinë e Fierit. Është Presidente e Fondacionit Kulturor “HARPA”.
Librat e botuar:
1- “Merrma lotin peng”,(poezi, 2004), red. Izet Culi
2-“Hënë e qiellit tim”,(poezi, 2006),red.Xhezo Cane
3-“Por gjyqi vazhdon”,(prozë,2006),red.Bujar Rama
4- “Perandorët”, (roman, 2014), red. Behar Gjoka
5-“Kritika Letrare”,(Studime, kritikë,2014), red.Ali Aliu
6-“Zonja me te kuqe”, (roman,2015), red.Kim Mehmeti
Ka në proces:
1-“Kina, në ekonominë globale”, (studim)
2-“Gjeopolitika e Kosoves, si shteti më i ri në rajon”,(studim)
3-“Shënime Letrare”, (kritika, ese, recensione, publicistikë).
4- “Lirika erotike, në vargun popullor”, (Studime, analiza).
Të tjera:
*Është përfshirë në “Enciklopedia”e Tepelenës, në vitin 2006. Më vonë, në dy Antologjitë Poetike Ndërkombëtare, “Korsi e hapur”, me 270 autorë nga vendi e bota; njëri botim i vitit 2008 dhe tjetri botim i vitit 2010. Në vitin 2015, në Antologjinë e krijuesve tepelenas.
*Majlinda është anëtare e Ë.P.S. (Lidhja e Poetëve Bashkëkohorë të Botës).
*Eshtë redaktore dhe recensente e dhjetëra librave të autorëve të ndryshëm, në prozë, poezi dhe, së fundmi, në studime.
*Është pjesëmarrëse në disa Konferenca Shkencore, Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
*Është themeluese dhe Drejtore e “Panairit Mbarëkombëtar të Librit”, në Fier.
* Është themeluese dhe drejtore e veprimtarisë “Personalitetet e Vitit” dhe çmimit “HARPA”.
*Krijimtaria e Majlindes është vlerësuar nga kritika letrare, ndërsështë promovuar në mbi 10 shtete te Europes, si: Kosove, Maqedoni, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Poloni, Holandë, Hungari, Spanjë.
Vlerësime:
*Është fituese e Çmimit Special Letrar, në Konkursin Ndërkombëtar “Muza Poetike-2012”.
*Është vlerësuar me Çertifikata Nderi, nga Lidhje Ndërkombëtare te Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve.
*Është vlerësuar me “Çertifikatë Mirënjohjeje”, nga Unioni i Gazetarëve.
*Ka fituar çmimin ‘’Njeriu i Vitit 2014’’, nga një votim, i organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore ‘’Treva e Krahësit”.
*Është fituese e Çmimit të Lartë ‘’Naim Frashëri’’, i dhënë në Institutin Albanologjik, Prishtinë, në vitin 2014.
*Është fituese e disa trofeve dhe Anëtare Nderi e disa organizmave dhe lidhjeve letrare, në botë.
Tiranë, nëntor 2015
***

JETA DHE VEPRA MAJLINDA NANA RAMA

Ballinat e romanit të ri…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura