VASIL VASILI: TRE UNGJILLORË TË POEZISË

Patra, Greqi, 29. 02. 2016: Pas trinisë… poetike Kadare – Agolli – Arapi, kanë ardhur tre ungjillorë… Rreshpja – Zeqo – Kacalidha. Një brez pasardhës po s’e “vrau”… brezin paraardhës nuk shungurohet si brez pasardhës. Rreshpja, e kërkonte brezin paraardhës, në zanafillë të poezisë shqipe. Ai, me dhembjen e tij të kristaltë, kapërceu kangjellat e Milosaos dhe u bë Rreshpja.
Moikomi, për t’u bërë e ardhme, më e saktë do ishte, për t’u bërë e shkuar memoriale, testamentare, se atje janë strehuar të mëdhenjtë, e ka kërkuar dhe ende e kërkon me këmbëngulje brezin paraardhës, në bashkohësi të poetikës botërore dhe të thellësive.
Paraardhësi i Kacalidhës ka qenë kozmolirika. Lirizmi i lindur s’vret dot, por poeti e ka të domosdoshme” të vrasë “mësuesin për t’a rigjallëruar lirizmin e tij.
Të tre ungjillorët i kanë brenda vetes” të vrarët”, që janë bërë zëri i dytë i tyre.
Të tre ungjillorët janë të ndryshëm nga Kadare, Agolli, Arapi.
Moikomi, rravgon fuqishem , atletik, si akademik mistik pranë shenjtërisë së Rreshpjes.
N. Kacalidha, pranë shenjtërisë së Rreshpjes, ngron vezët e zanafillës.
Poezia e tre ungjillorëve ka këndvështrime të brendshme. Ajo ka pajtuar utopitë (e tyre) me një realitet dhe ka krijuar vetveten.

Frederik Reshpja, Moikom Zeqo dhe Niko Kacalidha.

Këndvështrimi i brendshëm është risi e poezisë. Risitë kthehen në ligjërime.
Të tre ungjillorët kanë ligjërimet e tyre.
Shpesh, kritika, s’i kap e s’i hap dot ligjërimet, se ato janë shumë hapa para saj. Ato presin një ditë t’u çelen zërat e fjalëve.
Për fenomenin Rreshpja, lexuesi ka ushtruar trysni mbi kritikën. U desh të kalonte një brez, që të kuptohej Rreshpja.
Për fenomenin Moikom, kritika sqimatare dhe lexuesit përzgjedhës kanë ushtruar trysni mbi kritikën dhe lexuesin e plogët. Pasi kaloi një brez, Moikomi ka filluar të kuptohet, madje me shpejtesi, ndonëse përsëri me habi dhe etje elitare.
Për fenomenin Kacalidha, kritika ka qenë e vakët. Lexuesit përzgjedhës ushtrojnë trysni mbi kritikën për t’a bërë me shqisa. Ende Kacalidha s’është kuptuar ç’i ka sjellë kozmolirikës. Ndërsa në Greqi është i vlerësuar si poet njohur i saj.
Kritika, për tre ungjillorët, do të mbetet përherë në borxh. Për Moikomin borxhi do rritet pambarimisht, sepse Moikomi është më i pangjashmi dhe më i çuditshmi.
Midis kujtesës kronikore dhe kujtesës krijuese, çmohet kujtesa krijuese, sepse është e lidhur me kodet e fshehta të krijimit. Ajo e ushqen me trajta kujtesën dialoguese të unit estetik. Çdo kujtesë krijuese buron nga një kujtesë psikike e cila është ama e estetikës.
Te Rreshpja, kujtesa krijuese është e lidhur me kodet e dhembjes. Kodet e dhembjes janë në poezitë e Rreshpjes. Kodet e dëlirësimit, që përjeton lexuesi, janë perceptim shoqëror. Ato, Rreshpja, s’i ka përfillur.
Te Moikomi, kujtesa krijuese është e lidhur me kodet e pazbuluara, misteret e mëdha dhe enigmatike të kohës. Ai operon “gungat” e kohës dhe merr hua kohë nga tërë kohërat për kohën e tij. E sotmja (e tij) është nervi inkandeshent i së përjetshmes.
Te Kacalidha, kujtesa krijuese është e lidhur me kozmolirikën. Në ngazëllimin e shndërrimit kozmolirik sython lumturia me paqe, që s’e njeh rekuiemin.
Edhe Rreshpja është kozmolirik, sepse ai ka kodet e estetikës së dhembjes, që janë qenie të ndjeshme ikumenike. Kozmolirika është një nga degët e pemës filozofike të njeriut “e shtypur” nga muzat e luftës.
Moikomi është poet qytetar i klasit të parë. Ai është edhe më tepër se poet qytetar, ai është poet universal i qytetërimeve.
Të tre ungjillorët, që erdhën pas trinisë poetike, paraardhese, kanë vetëdije për talentin. Ligjërimet e tyre janë prova.
Të tre ungjijtë janë shkruar nga muza e dhembjes, e kohës dhe e kozmolirikës. Ata janë ungjij paganë, po një degë e tyre është ngjyer në gjakun e Krishtit.
Të tre janë të lidhur me të veçantat e tyre. Dhembja është një peshë mbi një kohë, koha është një ëndërr mbi një dhembje dhe kozmolirika është një gjendje, që duhet të vijë mbi një dhembje dhe mbi një kohë.
Ungjillori Rreshpja ka lindur me shenjën e dhembjes. Dhembja i ka përcaktuar figurën. Gjithë shenjat e poezisë i ka vënë në shërbim të saj. Dhembja është një kozmos. Por jo një kozmos i mundur. Këtë e thotë ungjilli sipas Rreshpjes. Këtij ungjilli duket sikur i është dhënë për të shprehur pjesën, jo të tërën. Atij i është dhënë plaga e trupit për të ndërtuar trupin. Ai është ungjilli i dhembjes (së plagëve).
Ungjillorit Moikom, ritmi kozmik i kohëve, i përcakton dendurinë, vertikalitetin konceptual dhe cilësinë e posaçme, tronditëse të figurës, e cila është fanta-figurë, metaforizëm i sublimuar si tek askush.
Fantastika e lidh Moikomin me alkimistët, shkenca e lidh me qytetërimet, por kodet e kohës janë kyçur, për një superkohë të tjetërllojtë. Kjo është një poetikë trancedentale, utopike ose poetikë e dëlirë. Ne shkojmë te koha si fli rituale dhe mitike të kozmogonisë së saj.
Kodi i kohës është më mistiku, gati i paparashikueshëm – këtë e thotë ungjilli sipas Moikomit. Koha dhe qytetërimet i kanë dhënë cilësitë e veta ungjillit sipas tij.
Tani ai është bërë një pllakë magjike kujtese. Moikomi shkon te pjesa (hollësia) nëpërmjet së Tërës. Imagjinata është ungjilli moikomian i të Tërësishmes për të ruajtur kujtesën sepse është vetë substanca dhe shpirti i kujtesës.
Ungjillori Kacalidha, rizbulon zanafillën e kozmolirikës si rend i harmonisë muzikale të fjalës. Çdo poezi e tij është një pemë fjalësh të përafërta. Përafëria e fjalëve dhe, pas tyre qëndrojnë përafëritë e dukurive, është një mënyrë bashkëjetese. Ende harmonia e mendimit s’e ka ngritur kozmogoninë e vet. Ungjilli, sipas Kacalidhës, është më i brishti, por ai thotë një të vërtetë, që s’e gjen te ungjijtë e tjerë. E ka thënë duke mos e thënë shprehimisht dhe ky është nervi i fuqisë së këtij ungjilli.
Kozmolirika ka qënë një herë, kur shërbente pemën e fjalës, ciklet e natyrës dhe urtësinë. Ajo është e përjetshme. Pastaj erdhën kodet e dhembjes dhe më pastaj, kodet e kyçura të kohës.
Në emër të Rreshpjes, të Moikomit dhe Kacalidhës, sipas ungjijve të tyre, po vjen… ose do të vijë ungjilli i katërt.
*) Vasil Vasili, shkrimtar, poet dhe prozator, autor i disa librave me eseistikë dhe kritikë letrare, jeton dhe punon në Patra të Greqisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura