VAXHID SEJDIU: 2 MAJI THËRRET NDËRGJEGJEN KOMBËTARE!

(Pashtriku.org, 01. 05. 2012) – Duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të populli shqiptar në IRJM dhe duke i pasur parasysh faktet se shqiptarët nuk ka kush t`i mbroj në tokën e të parëve, kërkojmë nga politikanët, nga të gjitha tarafet pa dallim, që në këtë datë të heshtin, që në këtë datë asgjë të mos thonë sepse e vërteta është se asgjë nuk kanë bërë për lirinë e këtij populli, kërkojmë që të heshtin, të mos flasin sepse dëshmorët nuk kanë nevojë për fjalët e tyre boshe, për deklaratat e tyre të zbrazëta dhe pavlerë, kërkojmë të heshtin dhe të mos flasin, të mos paraqiten në vende publike sepse familjet e dëshmorëve nuk kanë nevojë për surratin e tyre mashtrues. Mandatet e tyre politike janë shoqëruar dhe po shoqërohen me dhjetëra e dhjetëra viktima të shqiptarëve të pafajshëm, me një gjendje të rëndë të nxënësve, studentëve, punëtorëve, ushtarëve të UÇK-së dhe nëpër gjithësi popullit shqiptar.
Njëmbëdhjetë vjet më parë shqiptarët i bashkonte zëri i luftëtarëve të lirisë
     Më 2 maj 2001 Komuna e Likovës në IRJM u shpallë zonë e lirë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, zonë e cila mbeti e lirë deri në fund të luftës së lavdishme të UÇK-së, deri në nënshkrimin e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Ohrit”, kurse Sllupçani, Haraçina dhe fshatrat e Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës u shndërruan në kala të pamposhtur të rezistencës kombëtare. Por nga ajo datë dhe nga ajo ditë vuajtjet e kumanovarëve, shkupjanëve dhe mbarë popullit shqiptar në IRJM nuk kanë përfunduar. Dhe këto vuajtje sot po shoqërohen dhunshëm me projektet sllavo-maqedone, të cilave nuk iu shihet fundi. 

VERË 2001: BOMBARDIMI I SLLLAVOMAQEDONËVE NË FSHATIN SLLUPÇAN!

___________________________________

     Më 2 Maj 2012 po mbushen njëmbëdhjetë vjet nga Lufta e Lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në gjirin e së cilës dhe nën hijen e flamurit kombëtar u radhitën vetëtimthi bijat dhe bijtë më të mirë të kombit. Veprimtarët e çështjes kombëtare jo vetëm që ndihmuan UÇK-në, por ishin të gatshëm të sakrifikohen për lirinë e popullit shqiptar. Shumë kush atë datë mendoi dhe tha se tani më në fund po përfundon regjimi diktatorial i qeverive sllavo-maqedone dhe po fillon një epokë e re e bashkëjetesës së dy popujve kryesorë në IRJM- shqiptarëve autoktonë dhe sllavo-maqedonëve.
     Shumë çka u tha dhe shumë çka u bë nga ajo ditë, por e vërteta është se deri tani gjendja e popullit shqiptar është katandisur nën hijen e projekteve antishqiptare të Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Partitë politike shqiptare luajnë një skenar të gërditshëm dhe shumë prej tyre janë veshur publikisht me rrobet e servilit. Shqiptarët vuajnë në tokën e të parëve, hjekin të zitë e ullirit, kurse një klasë politike e përbërë prej disa fraksionesh, të cilat kur janë në pushtet veprojnë dhe mendojnë njësoj, por asnjëherë nuk vepruan në dobi të zgjidhjes së çështjes shqiptare në IRJM. Këto grupe politike thënë troç asgjë s`kanë të përbashkët me vuajtjet, idealet dhe kërkesat e popullit shqiptar.
     Njëmbëdhjetë vjet më parë nën hijen e flamurit të UÇK-së vinin djem dhe vajza nga të katër anët e trojeve shqiptare për t`i dalë në ndihmë shqiptarëve që bënin rezistencë kombëtare në malësinë e Kumanovës, Shkupit apo Tetovës, kurse tani me mijëra e mijëra shqiptarë në forma të ndryshme, të detyruar nga dhuna, varfëria, diskriminimi politik dhe skllavërimi partiak largohen drejt vendeve të ndryshme të botës.

_________________________________

HEROIZMI I LUFTËTARËVE TË LIRISË NË SLLUPÇAN

————————–

 

_______________________________

     Njëmbëdhjetë vjet më parë shqiptarët i bashkonte zëri i luftëtarëve të lirisë, por sot luftëtarët e lirisë, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, nxënësit, studentët, punëtorët jetojnë në një gjendje të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore.
     Dhe nënat shqiptare të mbetura në udhëkryqin e kohës shohin rrënimin total të familjeve shqiptare, të cilat kanë mbetur pa punë, pa bukë, pa jetë. Terrorizimi i familjeve shqiptare është një nga majat kryesore të platformave politike që harmonizohen në të gjitha institucionet e shtetit të quajtur “IRJM” në thonjëza.
Dhe nesër më 2 Maj 2012
     Dhe nesër, gazetat e 2 Majit 2012 do të jenë si zakonisht me plot fotografi të marra nga radhët e para të takimeve, nga konferencat e kurdisura për shtyp, nga akademitë përkujtimore sepse ata veç janë bërë gati të flasin, ashtu sikurse në çdo përvjetor do të dalin kukullat e dekorit dhe do të thonë fjalë të mëdha për dëshmorët e kombit, për rezistencën kombëtare nën emblemën e UÇK-së, por asnjë fjalë nuk do të thonë se ç`bënë ata nga viti 2001 e deri më sot, asgjë nuk do të thonë për gjendjen e familjeve të dëshmorëve, për invalidët e luftës, për popullin shqiptar. Ata nuk do të përmendin asnjë nga faktet diskriminuese të projekteve antishqiptare, politikat e tyre antikombëtare dhe përfitimet e tyre personale.
Dhe tani, ata janë bërë gati të flasin, të thonë diçka të “madhe” me rastin e këtij përvjetori, por çdo të thonë të mjerët, çdo të thonë pas këtij servilizmi të pashoq në dëm të interesave të popullit shqiptar. Çdo të thonë për dëshmorët se tani familjet e tyre janë “rehat” se për ta po “përkujdesen shokët….“ apo po “përkujdesen” partitë e pangopura shqiptare.
Po, po ata do të afrohen afër ndonjërit prej familjeve të dëshmorëve “sa me thënë se janë me ta”, si dhe në bazë të mjeteve materiale që kanë do të përvidhen dhe do të marrin fjalën dhe do të thonë disa fjalë për përmendoren e Skënderbeut në Shkup, për Universitetin Shtetëror të Tetovës, për Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, por nuk do të thonë asnjë fjalë për të përkujtuar 2 majin e 2001, forcat policore ushtarake dhe paramilitare sllavo-maqedone, të cilat për 72 ditë e bombarduan nga të gjitha anët Sllupçanin dhe fshatrat për rreth, duke vrarë dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. 

_________________________________________

KËNGË PËR LUFTËN DHE DËSHMORËT E PAVDEKSHËM TË LIRISË NË SLLUPÇAN

_______________________________

     Ata nuk do të lëshojnë asnjë zë për masakrat sllavo-maqedone, vrasjet, ekzekutimet e shqiptarëve, dënimet drakonike me qindra vjet burg në proceset e montuara politike. Ata nuk do ta përmendin fare Marrëveshjen e Marsit apo Marrëveshjen e Majit, ata nuk do të thonë asnjë germë për platformën integriste të BDI-së dhe as për kontratën politike të PDSh-së, ata nuk do të flasin për takimet me Nikolla Gruevskin dhe skortën politike sllavo-maqedone, darkat, takimet, premtimet, deklaratat e tyre dhe mashtrimet.
     Disa do të vrapojnë përsëri ta festojnë 5 Majin me qëllim që ta zbehin “2 Majin” dhe vendimet e tij, disa do të vazhdojnë të himnizojnë të arriturat e partisë së cilës i takojnë, të tjerët në kolumnet e tyre do të mundohen edhe kësaj radhe të bëjnë histori në dobi të koalicionit qeveritar.
     Por në anën tjetër duke i ditur faktet se 2 Maji i 2001 ishte rezultat i betejave të lavdishme të UÇK-së për lirinë e popullit shqiptar, në të cilat nuk u luftua me simbole partiake por me flamur kombëtar, i cili flamur sot në shumë qytete shqiptare valëvitjen e ka të ndaluar me ligj, sepse nuk arrin 23% e marrëveshjes politike, kurse kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar kanë mbetur në raftet e së ashtuquajturës “Marrëveshja e Ohrit”.
Në vend të epilogut!
     Edhe në këtë përvjetorë partitë shqiptare të përçara, duke vrapuar pas interesave personale dhe grupore dhe jo pas interesave kombëtare. Qeveritë gjatë këtyre njëzet viteve janë ndërruar disa herë por fati i shqiptarëve ka mbetur i njëjtë nën hijen e projekteve antishqiptare. 
     I madh është numri i atyre që është thirrë në emër të popullit shqiptar, i madh është numri që ka përfituar nga djersa dhe gjaku i veprimtarisë kombëtare shqiptare, por populli shqiptar sot e kësaj dite nuk mundet në IRJM të vendosë për fatin e vet dhe fajtorë për këtë janë të gjithë ata që janë thirrur në emër të tij, dhe nuk kanë punuar për të. Ajo që është më e dhimbshme, është se deputetët shqiptarë në vend që të mbrojnë interesat e popullit shqiptarë që përfaqësojnë, ata janë bërë masha të kryetarëve të partive politike.
     Dhe në fund duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të populli shqiptar nën IRJM-së dhe duke e pasur parasysh faktet se shqiptarët nuk ka kush t`i mbroj në tokën e të parëve të tyre kërkojmë nga politikanët, nga të gjitha tarafet pa dallim, që në këtë datë të heshtin, që në këtë datë asgjë të mos thonë sepse e vërteta është se asgjë nuk kanë bërë për lirinë e këtij populli, kërkojmë që të heshtin të mos flasin sepse dëshmorët nuk kanë nevojë për fjalët e tyre boshe, për deklaratat e tyre të zbrazëta dhe pavlerë, kërkojmë të heshtin dhe të mos flasin, të mos paraqiten në vende publike sepse familjet e dëshmorëve nuk kanë nevojë për surratin e tyre mashtrues. Mandatet e tyre politike janë shoqëruar dhe po shoqërohen me dhjetëra e dhjetëra viktima të shqiptarëve të pafajshëm, me një gjendje të rëndë të studentëve, punëtorëve, ushtarëve të UÇK-së dhe nëpër gjithësi popullit shqiptar.
Dhe pas gjithë kësaj zezone vetëm dëshmorët qëndrojnë vertikal, vetëm dëshmorët kërkojnë përgjegjësi sepse ata nuk falin, ata nuk heshtin, ata nuk i mbyllin sytë ndaj hileve të kohës. Shikoni, komandantët e emblemës së gjakut të UÇK-së komandant Ismet Jashari – Komandant Kumanova dhe Fadil Nimani – Komandant Tigri, presin përgjigje nga skorta politike shqiptare për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në IRJM. “Ata e dinë qëndrimin e palës sllavo-maqedone (dhe nuk befasohen) por nuk mund të pajtohen kurrën e kurrës me aktivitetin e partive shqiptare dhe liderëve politikë”.
     Dëshmorët kanë nevojë për respekt, por vetëm nga populli, nga studentët, nxënësit, mësuesit, punëtorët, bujqit, nga ata të cilët nuk i kanë të përlyera duart me nënshkrimet e marrëveshjeve antishqiptare apo gojën me jargët e premtimeve të pavlera, sepse gjaku i tyre është diell i lirisë. Dhe ky diell rrezon drejt ndërgjegjes kombëtare, sepse kjo gjendje e rëndë e popullit shqiptar e ka edhe zgjidhjen e vet. Ata të cilët aludojnë në vështirësi dhe japin alarme të ndryshme e kanë gabim dhe alarmet e tyre janë të rrejshme, sepse nuk dëshirojnë të prishin rehatinë e tyre. Shqiptarët duhet të bëhen bashkë, nën hijen e flamurit, me një platformë politike dhe me një kërkesë të vetme – të lirë në shtëpinë tonë. Pa u arritur kjo kërkesë çdo pjesëmarrje është një skenar i shëmtuar dhe nuk zgjidh çështjen shqiptare në IRJM.

_______________________

KËNGË KUSHTUAR LUFTËS SË USHTRISË ÇLIRIMTARE KOMBËTARE

———————-

______________________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura