Shkup, 22. 04. 2015 – Shkupit i ka ra një hije e rëndë. Jeta shqiptare është rënduar nën hijen e bronzit, nën hijen e figurave vrasëse të shekullit XX dhe XXI. Çdo gjë lëvizë nën hijen e projekteve qeveritare të cilat miratohen jo vetëm nga qeveria sllavo – maqedonase por edhe nga kasta politike shqiptare, kurse prona e nobelistes Gonxhe Bojaxhiu (nënë Terezë) është zhdukur pothuajse fare, ashtu siç janë zhdukur me mijëra prona shqiptare gjatë shek. XX. Në qendër të Shkupit sundon absolutisht me gjithë forcën Car Dushani, me shkopin drejtuar drejt shqiptarëve duke na e përkujtuar Kumanovën, Shkupin, Prizrenin… e vitit 1913.
“Dimri i Madh” ngadalë po ia lëshon rrugën pranverës. IRJM merr frymë rëndë në mes antikitetit falso dhe modernitetit të pakuptimtë. Një botë areale e mbuluar me një pëlhurë të dizajnuar në vitin 2013- 2014 në kabinetet e qeverisë, qeverisë-shtet, qeverisë VMRO-BDI, e cila jeton me përpilimin dhe zbatimin e platformave antishqiptare.
Realiteti politik në këtë vend na detyron të kuptojmë se kjo qeveri ka ç’pikur botërisht një histori areale si dhe ka përqafuar një politikë skajshmërisht antishqiptare. Arealja dhe realja janë ngulfatur nga kasta politike sllavo-maqedonase, e cila jeton duke e skllavëruar popullin autokton shqiptar. Mjerisht jemi të detyruar ta themi në formë definicioni se kjo kastë tërë kohën shoqërohet nga kasta politike shqiptare BDI-PDSH, e cila në të gjitha veprimet e saj dëshmohet tepër servile, e pangopur, e paaftë për ta mbrojtur popullin e pafajshëm shqiptarë nga sulmet grabitqare. Një nga pamjet më të gërditshme në këtë lloj politike padyshim janë deklaratat e pamatura të politikanëve shqiptarë, se gjoja aktivitetin e tyre politik e bazojnë në hyrjen e IRJM në Aleancën e NATO-s, se janë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, se gjoja do ta detyrojnë partnerin e koalicionit të pranoj se kryetari i shtetit do të jetë shqiptar apo se gjoja kryetari parlamentit do të flas shqip dhe harrojnë të mjerët se të gjitha ndryshimet politike në vend i garanton Kushtetuta. Dhe sipas kushtetutës së IRJM-s shqiptarët llogariten si qytetarë të dorës së dytë, kurse në realitet shqiptarët fare nuk merren si faktorë për kërkesat e të cilëve qeveria duhet të organizoj çdo javë nga një mbledhje të jashtëzakonshme. Nuk mbahet mend që në historinë e krijesës së IRJM-s që është mbajt ndonjë mbledhje qeveritare apo shtetërore dhe që ka pasur për qëllim të vë në rend dite kërkesat e shqiptarëve. Preambulës së kushtetutës së IRJM-s (e cila është diskriminuese në të gjitha pikëpamjet) i bashkëngjiten edhe klasa politike shqiptare, emërimet e njerëzve të paaftë, analfabetë, të paditur dhe tepër mercenarë, të cilët sëbashku na japin realitetin e sotëm politik. Kjo “pamje dimërore” e rënduar nga përmendoret plotësohet me aktivitete partiake, të cilat shqetësojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Këta janë njerëzit e Dërzhavës!
Nën tymin e Jugohromit (2) të Tetovës zë vend dhuna politike, e cila trazon politikanët shqiptarë të mbulojnë marrëzitë e servilizmit të skajshëm politik. Ata, të cilët me vite janë nënshtruar ndaj qeverisë sllavo-maqedonase të Shkupit, luajnë lojën e fundit të vitit kalendarik 2014 duke u mbyllur në rubrikën e turpit, duke lëshuar një mori arsyetimesh politike, si dhe duke përgatitur një mori gënjeshtrash, me qëllim që të mbulojnë servilizmin dhe paaftësinë e tyre, edhe në vitin 2015. Lëvizjet e tyre dëshmojnë rolin e liktorit ndaj urdhërdhënësit, sepse ata, të cilët kanë shërbyer me vite nuk mund të ndërrojnë rrugë për t`i shërbyer popullit që i takojnë.
Shkupi- kryeqyteti i IRJM-s është shndërruar në një qytet fantazmë të një politike antishqiptare, e cila zë në thua në Parlamentin e IRJM-s, me miratimin e votave të klasës politike sllavo-maqedonase dhe asaj shqiptare. Të gjithë ata deputetë, ministra, zv. ministra, drejtorë dhe zv. drejtorë, funksionarë të lartë, të mesëm, të ulët janë rreshtuar drejt një mercenarizmi të pa shoq, të cilët nëpërmjet politikave dhe projekteve antishqiptare e morën në qafë popullin shqiptar.
Shkupit i ka ra një hije e rëndë. Jeta shqiptare është rënduar nën hijen e bronzit, nën hijen e figurave vrasëse të shekullit XX dhe XXI. Çdo gjë lëvizë nën hijen e projekteve qeveritare të cilat miratohen jo vetëm nga qeveria sllavo-maqedonase por edhe nga kasta politike shqiptare, kurse prona e nobelistës Gonxhe Bojaxhiu (nënë Terezë) është nëpërkëmbur apo zhdukur pothuajse fare, ashtu siç ka ndodhur me mijëra prona shqiptare gjatë shek. XX.
Në qendër të Shkupit sundon absolutisht me gjithë forcën Car Dushani me shkopin e drejtuar drejt shqiptarëve duke na e përkujtuar Kumanovën, Shkupin, Prizrenin… e vitit 1913.
Por ç`bëjnë ata – njerëzit e dërzhavës? – Shkupi është shndërruar në varrezë masive ku vrasësit e shqiptarëve ia kanë zënë frymën qytetit. Kastat politike e ndëshkojnë popullin e pafajshëm. Ata të cilët u zgjodhën me votën shqiptare, po atë votë e shitën në pazarin e Shkupit. Ata që premtuan zgjidhje politike ndaj kërkesave të shqiptarëve na ofruan procese të montuara politike, si Tanusha, Sllupçani, Brodeci, Radusha, Monstra, Radishani etj. Ata të cilët premtuan liri, përdorën “çizmet” e pushtetit në të gjitha legjislaturat politike duke e dënuar gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve, si dhe masakruan gjeografikisht dhe politikisht Shkupin dhe vendbanimet tjera shqiptare. Ata të cilët vranë Bit Pazarin, çarshinë e Shkupit, Hasanbegun dhe Haraçinën, ata të cilët helmuan Tetovën, Gostivarin, ata të cilët Likovën dhe Kumanovën e shpallë zonë krize, ata të cilët i dogjën shtëpitë e shqiptarëve në lagjet e Shkupit, në Prilep, në Veles, në Ohër, në Manastir etj., ndihmuan vazhdimisht projektet antishqiptare si ato në asimilimin ose dëbimin e popullsisë, eliminimin e toponimeve shqiptare deri në zëvendësimin e tyre me emra sllavë. Po këta i lanë nën mëshirën e fatit apo edhe më keq nën thundrën e hekurt të pushtetit shqiptarët e besimit ortodoks, ata të cilët komunën e Dollnenit ia dhuruan partnerit të koalicionit edhe pse e fituan në vitin 2002, ata të cilët thirreshin në emër të dëshmorëve gjatë fushatave elektorale, ata të cilët thoshin se do ta bëjnë ligjin për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës për gjashtëdhjetë ditë, i burgosën, i ndëshkuan ushtarët e UÇK-së dhe zhvleftësuan vlerat e luftës. Ata të cilët e bënë “Monstrën”, ata të cilët aq shumë dëme i shkaktuan popullit shqiptar kanë vetëm një emër – njerëzit e dërzhavës.
____________
(1) Njerëzit e shtetit (sintagmë që personifikon njerëzit-servilë, që i shërbejnë një aparati shtetëror në dëm të popullit)
(2) Fabrikë në Tetovë, e cila edhe për kundër reagimeve të qytetarëve po bën kërdi në ndotjen e ajrit.