GJOKË DABAJ: SA SHQIPTARË TË ULQINIT VOTUAN PËR ADRIAN LULGJURAJN?!

Durrës, 18. 05. 2013 – Problemi që dua të ngre në këtë shkrim, është një problem shumë i madh. Është problemi i unitetit, i përbashkësisë së shqiptarëvet pa dallim feje. Adrian Lulgjuraj konkuroi me këngën e tij “Identitet” në Euroson. Këndoi bukur, por nuk u kualifikua për në finale. Adrian Lulgjuraj është një djalë, me prejardhje nga Malësia e Mdhe, por lindur dhe rritur në Ulqin. Që është një djalë patriot, nuk ka nevojë të vihet në dukje, përderisa arrin të paraqitet në një festival aq të madh të Evropës, me një këngë që titullohet “Identitet”. Ata që e njohin personalisht, dinë të flasin edhe më shumë për patriotizmin e tij.
Tani unë, ndonëse nuk kam asnjë statistikë në dispozicion (dhe për këtë, kërkoj ndjesë), dua të shtroj një varg pyetjesh.
Adriani është katolik për nga përkatësia konfesionale. Qyteti i Ulqinit banohet në shumicë prej shqiptarësh myslimanë. Sa ulqinakë votuan për Adrianin? Ata kishin të drejtë të votonin për Adrianin, sepse kënga përfaqësonte Rep.e Shqipërisë. A pat, pra, një përkrahje masive kjo këngë prej popullsisë dhe veçanërisht prej rinisë ulqinake? Sa u pasqyrua kjo ngjarje muzikore në mediat e Ulqinit para se të këndohej në Euroson? Sa u pasqyrua në gazetën “Koha javore”, në radiot e në TV-të vendorë? Dhe, përmbledhtas, prapë shtrohet pyetja: Sa e votuan ulqinakët këtë këngë?

– ADRIAN LULGJURAJ – 

Në Tivar jeton një numër jo i vogël shqiptarësh katolikë. Sa tivaras e votuan këngën e A.Lulgjurajt? Unë kam një dyshim të zymtë që këtë këngë s’e ka votuar askush prej katolikëvet të Tivarit dhe kjo ka ndodhur, sepse Adrian Lulgjuraj këndon shqip, ndërsa shqiptarët katolikë të Tivarit janë fatkeqësisht të orientuar drejt sllavizimit, drejt asimilimit të tyre të plotë, pra, janë një popullatë shqiptare, e cila po vetasgjësohet në mënyrën më të palogjikshme, në kohën kur mund dhe duhet ë mbijetojë.
Ulqinakët nuk e votojnë (në masë) Adrian Lulgjurajn, sepse ai është katolik. Shqiptarët katolikë të Tivarit nuk e votojnë Adrian Lulgjurajn, sepse ai këndon shqip e jo sllavisht.
Pyetjet që vazhdojnë, janë: Sa shqiptarë të Shkupit e votuan këngën e A.Lulgjurajt? A pat në mediat e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Dibrës e Kumanovës, një popullarizim të kësaj kënge, para se t’i kërkohej vota rinisë së këtyre trevave? Një djalë nga Kumanova e gjen me vend ta sulmojë, madje ta anatemojë rëndë Ismail Kadarenë, për arsye se ky, pra Ismail Kadareja, na e paska shpjeguar disi gabim procesin e islamizimit të shqiptarëvet. Nëse zotëron kjo frymë në Kumanovë, është vërtet vështirë të mendohet që rinia e atij qyteti të votojë këngëtarin A.Lulgjuraj.
Për Rep.e Kosovës nuk do të mund të thoshim të njëjtën gjë, por, sidoqoftë, do të mund të bëhej pyetja: Sa u propagandua pjesëmarrja e këtij këngëtari në Euroson? Për pasojë, sa fansa nga Rep.e Kosovës, tashmë jo të A.Lulgjurajt, por të një kënge, e cila përfaqësonte shqiptarët, votuan për këtë këngë?
Sa u dëgjua kjo këngë në Turqi dhe sa shqiptarë të atjeshëm e votuan këtë këngë?
Dhe, përfundimisht, e gjithë kjo, është e nevojshme të lidhet me njërën nga tragjeditë tona më të mëdha, me tragjedinë e Çamërisë. Çamëria iu dhurua Greqisë, midis tjerash, edhe për arsyen se atje nuk funksionoi si duhej ideja e bashkimit të shqiptarëvet pa dallim feje. Qe bërë në Margëlliç, diku rreth vitit a në vitin 1880, një tubim me nja 3000 burra, ku, myslimanë e të krishterë u vëllamëruan, duke prerë gishtat e vet me jataganë dhe duke pirë gjakun, myslimani te gishti i ortodoksit dhe ortodoksi te gishti i myslimanit. Por ky vëllamërim nuk u shndërrua dot në lëvizje mbizotëruese, siç ndodhi psh në trevat e Korçës, Përmetit, Gjirokastrës apo Bregut. Kështu, në vitin 1913, nuk kemi asnjë tubim shqiptarësh të krishterë të Çamërisë, që t’u dërgonin peticione Fuqivet të Mëdha, me kërkesën për të mos iu aneksuar Greqisë. Shqiptarët e krishterë të Çamërisë nuk kërkuan kishë autoqefale shqiptare, siç kërkuan, ndonëse me vonesë, shqiptarët ortodoksë brenda shtetit shqiptar. Shqiptarët e krishterë të Çamërisë nuk kërkuan, as nuk kërkojnë, shkolla shqipe për fëmijët e vet. Në këtë mënyrë, është kotë të bëhet pyetja: Sa të rinj, çamë të krishterë, votuan për këngën e Adrian Lulgjurajt? Është e kotë të bëhet pyetja, por vetëdija jonë kombëtare nuk ka si të mos trazohet, nuk ka si të mos tronditet, nuk ka si të mos shqetësohet, prej të këtilla të vërtetave, tepër të hidhura, të clat dalin në shesh, qoftë edhe në rastin e një kënge.

……………………………………………

Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko – Identitet (Albania) 2013 Eurovision

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura