VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (I)

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (I)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Duke u nisur nga parimi se shoqëria jonë sapo ka dalë nga një proces që mund të quhet KTHESË në perceptimin e përvojës historike, shtrohet si domosdoshmëri përballimi me tri fenomene: Me dukurinë e trurit të shpëlarë, me dukurinë e shkarkimit të urrejtjes së akumuluar dhe me dukurinë e ndjesës, të pendesës dhe të faljes. Nisur nga përvoja personale, thënë pa modesti, goxha e begatë, nga leximet dhe përvojat e popujve me histori shëmbëllyese, do ta përvijoj opinionin tim, gjithnjë me konsideratën se nuk duhet vonuar dhe as shpërfillur gjykimin për çështjet që shtrohen. E zura ngoje më herët çështjen e kohës, me pretendim zbutjeje, sado që nuk është i pakët as intervali prej pesëmbëdhjetë vjetëve. Kualifikimi TRANZICION i këtij intervali na përballë me rrezikun e adaptimit të pafalshëm me status quon. Pashmagshëm shtrohet impakti i një fundi: sot dhe këtu! Në çdo variant këmbëngul: Jo hakmarrje dhe revanshizëm!

Edhe konkretizimi i angazhimit të UDB-së në emigracion mund të dëshmojë se sa të vështirë e ka shoqëria jonë ta përpunojë të kaluarën e afërt. Edhe më të vështirë e ka të marrë qëndrime konkrete, ndëshkuese, sidomos ndaj ish-nomenklaturës komuniste dhe ish-UDB-së së KSA të Kosovës. Për ta argumentuar këtë konstatim do të sjell fragmente nga ballafaqimet, informimet, (ç)vlerësimet dhe përjetimet, të ndodhura në të kaluarën. Ndihem i detyruar t’i ofroj këto shpjegime sepse, kur paraqita opinionin për një si catarsis (pastrim shpirti), rrjedhimisht për një pajtim kolektiv, ose paqësim kolektiv, në komentet e shumta publike në “rrjetin social” (FB) pati edhe kundërshti serioze, disa prej të cilave përmbanin fuqi argumentuese. Ende më interesante qenë reagimet përkrahëse ose kundërshtuese, të shprehur në komunikim intern, që të mos mund t’i dijë publiku. E vetëkuptueshme, tematikë e rëndë, prandaj individë të rezervuar e konformistë, o zgjedhin heshtjen, o shprehin opinione që nuk duhet t’i di publiku i gjerë.

Me dëshirë do të kisha filluar t’i ofroj edhe rrëfimet e prindërve si, ta zëmë, se çfarë peripecish ka pasur babai im për të mbijetuar për shkak të angazhimeve të tij çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Por, ajo që më ka drithëruar akoma më shumë është dhjetori i vitit 1956, kur nëna i është lutur Zotit që të më vdiste, duke mos mundur t’i përballonte tmerret e fatkeqësisë sime. Pra, në atë dhjetor të kobshëm, në moshë rreth 15-muajsh, bie në vatër të oxhakut dhe digjem i tëri nga beli e sipër. Kjo ndodh kur babanë e kishte arrestuar UDB-a famëkeqe dhe e mbante të lidhur për trup të kumbullës në oborr të stacionit të policisë në Kliqinë (Pejë). Ndodhi në atë dhjetor të mallkuar që, si për inat, ishte tepër i acartë. Në pamundësi të më dërgonin menjëherë për mjekim, sëmundja nga ajo djegie zgjat gati tre vjet.

Për atë kohë e ato vuajtje që i ka shkaktuar UDB-a popullit tonë është shkruar goxha shumë, por nuk janë ndriçuar të gjitha. Kujt t’i kërkoj tani llogari për ato krime dhe të tjerat, të mëvonshme, ndaj nënës, vëllezërve e motrave, kushërinjve, popullit, që i ka bërë UDB-a!? Unë ndihem i plotësuar: Çlirimi i Kosovës ishte hakmarrja më e vyer.

Meqë u përcaktova ta paraqes veprimtarinë e UDB-së në emigracion, duke sjell ballafaqimet, përjetimet dhe informimet që kam mbledh nga të tjerët, po kapërcej gjithë ato që di e kam përjetuar deri në qershor të vitit 1976, në prag të arratisjes. Paraprakisht po informoj edhe për një ndodhi, nga e cila do të shihet se përpunimi i së kaluarës sonë të afërt vetëm në dukje është i lehtë.

Protesta aksidentale! kush ishin mbrojtësit dhe dënuesit e protestës?

Më 26 ose 27 nëntor 1975 rreth 40 studentë të fizikës, viti i 3-të, bëmë një protestë të vockël, pothuajse aksidentale. Kërkuam që në vend të profesorëve serbë nga Beogradi e Nishi, të na silleshin profesorë nga Tirana, sipas marrëveshjes mes dy universiteteve tona. Shkak ishte një diskriminim që na pat bërë një profesor serb. Ajo protestë u politizua panevojshëm nga nomenklatura e atëhershme komuniste, e cila me nxitim e gjykoi si protestë nacionaliste, në prag të festës së 28 Nëntorit, edhe pse asnjëri nga protestuesit as që e kishte menduar që protesta të ketë karakter patriotik e politik.

Për dënimin e protestës si më të zellshëm u shquan prof. Rexhep Gashi, shef i katedrës së Fizikës, Mahmut Alidemaj, kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore (FSHMN), Gani Jashari, sekretar i asaj Lidhjeje. Politizimi eskaloi deri në atë nivel, sa Lidhja Komuniste e FSHMN-së, në qershor të 1976-s, të mbante mbledhje për të marrë vendim dënues, që pastaj të angazhohej UDB-a. Në mbledhje mori pjesë edhe Dragan Cvijiq, kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të KSA të Kosovës, rektori Dervish Rozhaja dhe funksionarë të Lidhjes Komuniste të Prishtinës. Mbledhjen e kryesonte sekretari i Lidhjes Komuniste të FSHMN, prof. Muhamet Bicaj. Në mbledhje po merrja pjesë edhe unë, si një nga të fajësuarit për organizim të protestës. Gjatë diskutimeve filluan të përvijohen dy fraksione, ai mbrojtës, tjetri dënues. Në mbrojtje na dolën rektori Rozhaja, prof. Asllan Pushka, prof. Mustafë Bacaj etj., kurse dënues prof. Rexhep Gashi, prof. Muhamet Bicaj, Gani Jashari, Mahmut Alidemaj etj.

Nga frika se në fund të mbledhjes do të operonte UDB-a, dola sikur po shkoja në banjë, por ika pa u përshëndet me njeri, shkova në Fushë-Kosovë, i hipa trenit për në Gjermani.

Konstatime: E para, edhe ajo mbledhje dëshmon se Lidhja Komuniste e ushtronte pushtetin monist. E dyta, të dyja palët e konfrontuara në atë mbledhje i kishte dhe i kanë ithtarët e tyre, bile pjesëtarët e palës dënuese ndoshta kanë më shumë ithtarë sesa pjesëtarët e palës mbrojtëse. Prandaj nuk ia vlen të konfrontohemi tani mes nesh, edhe për faktin se mund të dalin të fituar komunistët më të angazhuar shqiptaro-jugosllavë dhe ithtarët e tyre. Akoma më e konkretisht: më i fituar doli dhe është, ta zëmë, prof. Muhamet Bicaj sesa prof. Mustafë Bacaj, sepse i pari u katapultua në kreun pushtetit monist, por edhe në qeverinë virtuale “demokratike” (1990-1998) dhe po të garonin edhe tani mes tyre për vota, do të dilte i fituar prof. Muhamet Bicaj. Ja, fatkeqësisht, këtë mendësi duhet të ketë shoqëria jonë tani.

Sikur rezulton se nuk kishim të bënim vetëm me një ish-Lidhje Komuniste homogjene, monolite, dhe as me një UDB homogjene, e cila komandohej nga kreu i LKK-së. Ato përbëheshin nga pjesëtarë të tyre, që dallonin mes tyre. Kjo bën që njerëzit të rezervohen për t’i gjykuar njësoj të gjithë pjesëtarët e ish-strukturave të atij sistemi monist e pushtues. Pason edhe e vërteta tjetër: të gjithë pjesëtarët e asaj nomenklature komuniste nuk e kanë përzgjedhur me dëshirë atë sistem, ai ishte i imponuar edhe përdhunshëm. Ky fakt të detyron të mendosh njerëzishëm, se shumë pjesëtarë të hallkave të atij sistemi ishin njëkohësisht viktima, edhe pse të privilegjuara materialisht.

***

Në vazhdim do të sjell shembuj nga pala e të përndjekurve, për të parë se edhe kjo palë nuk ishte gjithaq homogjene, për të pasur të drejtë morale të trajtohet kolektivisht si e përndjekur dhe prandaj, si palë, të kërkojnë hakmarrje e revanshizëm ndaj nomenklaturës së atij sistemi. Një shumësi e madhe e pjesëtarëve të kësaj pale madhëron disa individë, me arsyetim se kanë qenë kundërshtarë politikë e çlirimtarë kundër atij sistemi e regjimi, që do të thotë se kanë qenë veprimtarë çlirimtarë por, në fakt, rezulton të mos kenë qenë të tillë.

Hasan Hoxha në gosti me ish-shefin e UDB-së së Malit të Zi

Në verë të vitit 1974 ose ’75 isha për vizitë në fshatin Vuthaj (buzë Gucisë), meqë nga ai fshat ka prejardhje familja jonë). Duke qenë vizitor te kushëriri Jusuf (Zeqir) Bruçaj, vendosim të shkojmë për vizitë te kushërinjtë e tjerë, që verës rrinin në bjeshkë, e quajtur Fusha e Cirme (pranë kufirit me RPS të Shqipërisë). Një motiv më tepër për të shkuar ishte edhe prania e mysafirit Hasan Hoxha atje. Me origjinë ai ishte nga rrethi i Tropojës, i arratisur nga Shqipëria në Mal të Zi pas LDB-së. Në ndërkohë ishte bërë dhëndër yni. Jusufi e njihte atë nga vizitat e mëparshme. Nga ai kishte marrë libra “të ndaluar”, që i kishte botuar emigracioni politik “djathtistë”. Gjatë vajtjes Jusufi ma prezantoi Hasanin, duke e lavdëruar si kuadër patriot, meqë ishte kryetar i Partisë Legaliteti, Dega në Belgjikë. Kur arritëm atje së pari ia mësymë dëbanit (stanit) të kushëririt më të moshuar, Sokol (Avdi) Bruçaj. E gjetëm buzë vatre, të mërzitur, edhe pse shquhej si plak i hareshëm dhe orator. Ofshani kur na pa: “Keni ardhur në një ditë të zezë për familjen tonë, sepse sot kemi mysafir ish-shefin e UDB-së së Malit të Zi. Ka ardhur për ta nderuar dhëndërinë tonë, Hasan Hoxhën. Ata po bëjnë kokrrën e sefasë nën hijen e horomoçit, para stanit tjetër, ku është shtruar gostia…”. Jusufi turfulloi: “Hasanin e dija për patriot…”. Mixha Sokol na informoi për angazhimet e shumë shqiptarëve të arratisur nga Shqipëria, të cilët i kishte përvetësuar UDB-a nëpërmjet shantazhit, o të angazhoheshin t’i shërbenin asaj, o do t’i kthente në Shqipëri.

Jusufi pastaj rrëfeu edhe për të motrën e vet, të martuar për vëlla të Hysen Prushit në fshatin Prush të Gjakovës (buzë kufiri). Ajo familje shquhej si bazë e UDB-së. Bile rrëfeu se kishte provuar ta bindte motrën ta vriste kunatin Hysen Prushi për krimet që kishte bërë, por ajo nuk kishte pranuar.

Takimi me Muharrem Bajraktarin dhe jo vetëm

Në vitin 1978 shkova për vizitë në Bruksel me Hysri Rekën (Nerodime e Ferizajt), sepse ai e kishte atje vëllain, Basriun. Unë ndeja disa ditë aty, kurse Hysriu u kthye, sepse duhej të punonte. Kishim me vete edhe material propagandistik që t’ua shpërndanim bashkatdhetarëve. Nëpërmjet Basriut njoha shumë bashkatdhetarë, kryesisht shqiptarë nga Turqia. Njoha edhe dy luftëtarë veteranë të LDB-së: Gjelë e Hysen (Xhelili) Kalishta, nga rrethi i Tetovës. Gjela kishte qenë disa vjet kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Dega në Belgjikë. Prej tyre dëgjova shumë për emigracionin politik në Belgjikë, dëgjova edhe për dhëndrin Hasan Hoxha, kryetar i Legalitetit aty. Secili me keqardhje thoshte se emigracionin politik në Belgjikë e kontrollonte dhe e dirigjonte UDB-a.

Një ditë me Basriun shkuam në një kafe, e cila përflitej si vendtakim i zogistëve. Aty gjetëm Muharrem Bajraktarin, për të cilin kisha lexuar se ka komanduar vrasjen e Bajram Currit, duke qenë mercenar i Mbretërisë Jugosllave. Tani isha kureshtar për të dëgjuar nga gojë e tij për atë krim. Ai rrëfeu me krenari se kishte komanduar vrasjen e “komunistit” Bajram Curri. Përbetohej se do ta përjetonte çlirimin e Shqipërisë (edhe pse dukej se nuk kishte rrojtje të gjatë) me ndihmë edhe të Beogradit. Posa mbaroi rrëfimin, i thash se brezit të ri në Kosovë nuk i intereson lufta për pushtet në Shqipëri, por çlirimi i Kosovës nga pushtimi jugosllav. Ai dhe të tjerët që ishin aty më bombarduan me marrëzitë: “Ju kuçaloshët e Enverit nuk jeni të vetëdijshëm se më të mirë e keni jetën në Jugosllavi sesa në Shqipëri…”.

Po në atë kafe pata takuar dhëndrin Hasan Hoxha. E rikujtuam vizitën e tij në Vuthaj. Ai me fodullëk fliste se me ndihmën e Beogradit do ta çlironin Shqipërinë nga diktatura komuniste, siç e kishte çliruar Ahmet Zogu nga “revolucioni bolshevik” i Nolit. Në akuzën time se kishte mik ish-shefin e UDB-së republikane të Malit të Zi, ai qe arsyetuar: “Edhe Nderim Kupi, kryetar i Partisë Legaliteti, ka studiuar e jetuar shumë vite në Beograd, bile gjithnjë ka banuar në hotel ‘Slavia’, sepse Beogradi ndihmonte dhe e ndihmon Legalitetin për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura komuniste…”. Ai nuk turpërohej se partia e tij, Legaliteti, kishte poltron një regjim të njëjtë komunist, monist, pos kësaj edhe pushtues e sundues të trojeve shqiptare.

Tani, të gjithë këta individë, kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime në kohë të tanishme.

“Besëlidhja Shqiptare” e Emin Fazliut dhe vrasja e Vebi Ibrahimit

Në semestrin veror të vitit 1977, me ndihmë të albanologut kroat dr. Lazar Dodiq (nga Janjeva e Kosovës), u regjistrova në Universitetin e Bochumit. Aty pata rast ta takoj veprimtarin kroat Damir Petriq, ish-udhëheqës i lëvizjes studentore të Splitit në vitin 1971. Ai më informoi për organizatën “Besëlidhja Shqiptare” dhe kryetarin e saj Emin Fazlia, alias Emil Kastrioti (nga rrethi i Mitrovicës). Më dha edhe materiale propagandistike të asaj organizate. Më shumë se dy të tretat e shkrimeve u dedikoheshin kampeve e diktaturës në Shqipëri, vetëm tek-tuk ndonjë shkrim i vogël për Kosovën.

Duke i frekuentuar veprimtaritë e emigracionit kroat, u informova akoma më shumë. Në një protestë të tyre, në vitin 1978, takova Eminin. Nga ai u (dez)informova se “kryesisë” së asaj organizate i përkisnin edhe Vebi Ibrahimi (Unglar, Gjilan), Maliq Cakaj (ish-nëpunës i konsullatës jugosllave në Dortmund, Gjermani), Fekë Dautaj (Kodrali, Deçan), Avdullah Jusufi etj. Në ndërkohë u informova se Emini, Vebia, Maliqi, ndoshta edhe Avdullahu i kishin bashkëshortët serbe. Për mua ishte argument i mjaftueshëm për të krijuar dyshime fillestare, sepse në atë kohë patriotët shqiptarë nuk martoheshin me serbe, aq më pak ata që pretendonin të kishin themeluar një organizatë patriotike me emër aq pompoz. Dyshimet në atë organizatë u përvijuan me shumë kur u informova se Fekë Dautaj, edhe pse gjysmanalfabet, ishte caktuar redaktor i broshurës “Besëlidhja shqiptare” (organ i asaj organizate). Për Fekën dija qysh në vitet e ’60-ta, se kishte qenë bashkëpunëtor i UDB-së në Pejë dhe si i komprometuar i ishte bërë gjyq. Kishte qenë bashkëveprimtar edhe me një farefis timin me nofkën “sialica”. Emini më kishte gënjyer se kishte studiuar filozofi në Zagreb. E zbulova nëpërmjet zv/rektorit të atij Universiteti, që ishte një vit profesor mysafir në Universitetin e Bochumit. Në ndërkohë çfarë nuk (dez)informonin njëri kundër tjetrit, sa herë që i takoja veç e veç.

Për t’u hakmarrë kundër meje për kërcënimin që i kisha bërë Fekë Dautajt, në vitin 1979 Emin Fazlia boton një shkrim dezinformues në gazetën “Hrvatska Drżava” (e botonte një organizatë kroate), se unë isha pjesëtar i RAF-it gjerman (Rote Army Fraktion / Fraksion i Ushtrisë së Kuqe). Pason tentativa për të më arrestuar policia speciale gjermane GSG9, por bllokohet nga studentët e konviktit. Në fund rezulton se ai aksion ishte ndërmarrë duke u bazuar në atë shkrim.

Për Vebi Ibrahimin, pos që isha informuar nga bashkatdhetarët në Bruksel, se ushtronte tregti me gjëra inkriminuese, ai u identifikua në një flagrancë kriminale konkrete. Në qershor të 1981-s në Bruksel shkuam Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Hisri Reka dhe unë për t’u marrë me organizimin e demonstratës së planifikuar. Njerëz të sojit të Vebi Ibrahimit kishin shpërndarë kërcënimin se do të derdhej gjaku, po të guxonim të organizonim demonstratë. Shkuam me makinë të Bardhit. Ishim vendosur në banesë të Basri Rekës. Në një moment, duke ardhur aty bashkëveprimtari, sa mbaj mend Xhemë Haxhijaj (nga Uça e Istogut, i cili jetonte në Bruksel) sheh Vebiun duke u marrë me makinë me targa të Gjermanisë. E pyet nëse e kishte blerë në Gjermani. Ai, në vend se t’i përgjigjet, merr vrapin e ik. Xhema sapo hyri në banesë të Basriut, pyeti nëse ishte makina jonë me targa gjermane, e parkuar rreth 50 metra larg hyrjes. Kur ia pohojmë, rrëfen se si e pa Vebiun që i ishte afruar dhe po bënte diç në atë makinë.

Megjithatë, demonstrata u bë dhe kishte më shumë pjesëmarrës sesa çdo demonstratë që ishte organizuar më herët në Bruksel (pavarësisht se Reshat Sahitaj me ca shokë të tij thirri demonstratë tjetër sabotuese, por në atë demonstratë morën pjesë ndoshta vetëm rreth 30 vetave). Asnjë incident nuk ndodhi.

Vebi Ibrahimi është vrarë në Bruksel më 10 tetor 1981, por jo për veprimtari patriotike e çlirimtare. Mbrapa la të ve bashkëshorten serbe. Atëherë gjykuam se edhe ai ishte pjesëtar i një bande, e quajtur për kamuflim “Besëlidhja Shqiptare”, që komandohej nga UDB-a nëpërmjet kryetarit Emin Fazlia.

Tashmë emrin e Vebiut e mban shkolla në Uglar dhe në oborr të shkollës i është ngritur përmendore e madhe. Për të janë sajuar lavde e këngë heroike.

Në vitin 2007 m’u botua romani “Atentatet”. Pos shumë të tjerëve, m’u kishin hidhëruar Emin Fazliu dhe disa fshatarë të Uglarit. Për botim të romanit kishte dhënë ndihmë 500 SFr një ish-bashkëveprimtar nga ky fshat, që jeton në Zvicër. Ndaj tij kishin shfaqur hidhërimin disa bashkëfshatarë, pse kishte ndihmuar botimin e romanit që baltoste heroin e tyre, Vebi Ibrahimin. Ai u ishte përgjigj: “Nuk e kam lexuar romanin, por po të dija se ka shkruar keq për Vebiun, do ta kisha ndihmuar edhe më, sepse unë di më shumë sesa Ibrahimi për prapësitë e Vebiut”. Më pyeti nëse isha i gatshëm të shkoja në Uglar për të biseduar me ata që ia kishin shfaqur hidhërimin. Shkuam. Biseduam. Më erdhi keq për ato viktima të dezinformimeve e mashtrimeve flagrante.

Atëherë kisha bindjen se ky sojë i individëve ishin pjesëtarë të UDB-së, prandaj ishin komanduar të merreshin me këso veprimtarish konkrete kundër emigracionit të organizuar patriotik e çlirimtar. Vetëm spiunimi nuk u mjaftonte, meqë ne e ushtronim publikisht pjesën më të madhe të veprimtarisë sonë. Ishin përcaktuar edhe për operacione fizike.

Tashmë të gjithë këta individë kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime tani.

Konfrontimet e Klubit Shqiptar në Dyzeldorf me UDB-në

Në vitin 1978 nëpunësi i konsullatës jugosllave në Düsseldorf (Dyzeldorf) Zenel Syka (nga Gjakova) ndërmerr nismën për formim të një klubi të emigrantëve tanë. Atë nismë e kuptuam si masë preventive të UDB-së për t’i kontrolluar bashkatdhetarët tanë. Në mbledhjen e parë themeluese ai imponon Enver Maliqin (biznesmen i madh e me influencë në Shkup) për kryetar, kurse shumica e pjesëmarrësve votojnë Rrahman Begën (Jezerc, Ferizaj). Mbledhja përmbyllet me konflikt. Në mbrëmje dy veta sulmojnë Rrahmanin në banesën të tij, e plagosin me thikë dhe e kërcënojnë të mos pranonte të bëhej kryetar. Pason mbledhja tjetër, ku kryetar zgjidhet Nebih Reka (Nerodime, Ferizaj), sekretar Qazim Shala (rrethi i Suharekës), arkëtar Samedin Iljazi (Tetovë) etj.

Plas konflikti rreth emërtimit: “klub shqiptar” ose “klub jugosllav”. Konsullata jugosllave kërcënonte. Në ndihmë të saj u paraqitën edhe “korrespondenti” Jusuf Buxhovi dhe Mitalip Çoça (kryetar i Qendrës Kulturore Jugosllave në Köln (Këln). Nebih Reka e Qazim Shala kërkojnë ndihmë nga Shefqet Hashani (sekretar i parë i Ambasadës Jugosllave në Bonn). Me përkrahjen e tij fiton emërtimi Klub Shqiptar. Në vitin 1981, meqë Klubi u konfrontua sërish me konsullatën, sepse nuk pranoi t’i dënonte demonstratat në Kosovë dhe doli hapur me kërkesën “Kosova Republikë”, Nebih Reka, Qazim Shala, Samedin Ilazi e shumë të tjerë u burgosën kur erdhën për vizitë në vendlindje. Po në maj të vitit 1981 u burgos në aeroport të Beogradit edhe Shefqet Hashani, gjatë ardhjes për pushime, ai u dënua me tetë vjet burgim.

Për t’i minimizuar pasojat, taktizuam zgjedhjen për kryetar të Hamdi Tubës (Rrethi i Gjakovës) dhe shokëve të tij, të cilët ishin informatorë të “diplomatit” Zenel Syka. Por pas disa muajve zgjedhëm kryesi tjetër, të përbërë nga veprimtarë patriotë, si Sylejman Haxhijaj (Llabjan i Pejës), Malush Ademaj (Katun i Ri, Pejë) etj. Edhe këta u burgosën e maltretuan kur ishin për vizitë në vendlindje.

Të gjithë këta individë kanë njerëz që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime në kohë të tanishme.

UDB-a: Jusuf Gërvalla është dërguar nga UDB-a…

Sapo Jusuf Gërvalla ia doli të arratiset dhe u vendos në Gjermani në dhjetor të vitit 1979, filluan shpifjet e dezinformuese kundër tij. Më konkretja dhe më e zëshmja: “UDB-a e ka dërguar për t’i spiunuar veprimtarët patriotë dhe për ta përçarë emigracionin”. Këto shpifje i përhapnin të gjithë nëpunësit e përfaqësive diplomatike jugosllave dhe spiunët e padukshëm. Por, më i zëshmi dhe më aktivi ishte Riza Salihu, i cili, në ndërkohë, ishte afirmuar si udhëheqës i “Grupit Komunist ‘Zëri i Kosovës’” (në Stuttgart).

Kur Jusufi arrin në Ludwigsburg, Bardhi, vëllai më i vogël i tij, më telefonon. Ai më njofton se Jusufi ishte arratisur dhe m’u lut të shkoja në vizitë sa më shpejt.

Me Bardhin isha njohur fizikisht një vit më herët (verë 1978), kur isha te dhëndëri për të punuar, pas ishte përmbyll semestri i studimeve. Duke qenë atje, Bardhi u erdhi në vizitë bashkëvendësve të tij, që të informohej si i kishin hallet dhe nëse kishin nevojë për ndonjë ndihmë të tij. Ai ishte i angazhuar pranë Arbeiterwohlfahrt (organizatë kjo gjermane, që përkujdesej për të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve). Deri në atë takim nuk njiheshim. Pak ditë më vonë me Hysen Gegën e vizitojmë Bardhoshin. Atë ditë ai po bënte muzikë me një band gjerman, si kitarist, pranë sheshit qendror të Shtuttgartit. Hyseni e furnizonte Bardhin me libra që i porosiste nga Tirana, ose i merrte nga Ambasada Shqiptare në Vjenë, që Bardhi t’i fuste ilegalisht në Kosovë.

Kur shkova për vizitë në Ludwigsburg në dhjetor 1979, te zyra ku ishte i angazhuar Bardhi, gjeta edhe Hysen Gegën dhe dy-tre veta të tjerë. Edhe ata i kishte informuar Bardhi. Ata informuan se Riza kishte filluar të përhapte shpifje, se “Jusuf Gërvallën e ka dërguar UDB-a për t’i spiunuar veprimtarët patriotë dhe Grupin Komunist Zëri i Kosovës…”. Këtë e bënte me zell të sforcuar, duke kaluar kohë të gjatë në stacion të trenit në Shtuttgart, i cili frekuentohej shumë nga emigrantët shqiptarë. Të gjithë u habitëm, nga ishte informuar Riza aq shpejt për arratisje të Jusufit. Hyseni na tha se ishte informuar nga Amnesty International (ai) e Londrës, siç i kishte thënë Riza. Meqë unë kisha njohje me zonjën Melani Anderson, përgjegjëse e ai për të burgosurit politikë në Jugosllavi, i telefonuam. Ajo sqaroi se ai ende nuk dinte për arratisje të Jusufit.

Meqë për Rizën kisha krijuar dyshimin qysh në takim të parë (verë 1978), se mund të ishte kuadër i UDB-së, tani analizuam këtë angazhim të tij, kush e kishte informuar, përse shpifte dhe dezinformonte. Rëndom, unë u mundova t’i bind se duhej të ishte informuar dhe komanduar nga eprorët e tij të UDB-së. Këtë qëndrim timin nuk e mirëpriten Hyseni, Maksuti, sepse ata ishin të angazhuar në atë grup, bile Riza u kishte thënë se i kishte kooptuar në Kryesi. Vendosëm të bëjmë informim mbrojtës, duke e paraqitur Rizën se shpif e dezinformon meqë vuan nga paranoja UDB dhe nga frika e konkurrimit që do t’i bënte Jusufi.

Meqë UDB-a nuk ia doli ta bindë emigracionin nëpërmjet Rizës, atëherë atij duhet t’i jetë dhënë urdhri ta likuidonte fizikisht Jusufin, sepse shumë shpejt Jusufi ishte afirmuar si kuadër intelektual, i mirëpritur. Ndoshta në mars 1980 (e mundshme edhe në shkurt ose prill) Riza ia komunikon Hysen Gegës urdhrin “në emër” të grupit për vrasje të Jusufit. E kishte përzgjedh Hysenin si më trimin e më konspirativin. Por, meqë Hyseni ishte shokë me Bardhin, në ndërkohë edhe me Jusufin, nuk e zbatoi atë urdhër. Përkundrazi e dekonspiroi, duke na informuar. Pasoi skenari simulues, që Hyseni ta zvarriste “atentatin”, me arsyetime që i sajuam. Donim të zbulonim kush qëndronte prapa Rizasë. Tek në korrik 1980 e përmbyllëm atë ngjarje të kobshme, me pleqërimin se Rizai duhej ta ndërpriste fushatën shpifëse dhe të mos guxonte të urdhëronte njeri tjetër për vrasje. Pjesëmarrës në atë ballafaqim e pleqërim ishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Hysen Gega, Maksut Saramati, unë dhe një koleg i Hysenit, me të cilin banonin në të njëjtën dhomë të konviktit të punëtorëve të firmës ITT në Esslingen.

Në verë të po atij viti (1980) Riza vodhi dërgesat që na vinin nëpërmjet poste (Jusufit dhe mua, ndoshta edhe dy vetave, që tani nuk po më kujtohen). Këtë vjedhje ai e realizoi nëpërmjet falsifikimeve, sikur gjoja në kishim bërë kërkesë në postë, që dërgesat të na transferoheshin përkohësisht në postfah në Shtuttgart, të cilin e kishte hapur Riza në emër të tij. Meqë aty po shkonin dërgesa postare të shumë vetave, nëpunësit e postës informojnë policinë. Policia gjermane e arreston Rizën në flagrancë.

Meqë Riza nuk po i përmbahej pleqërimit dhe për shkak të angazhimeve të reja të tij, në nëntor 1980 u mor vendimi që “Grupi Komunist Zëri i Kosovës” të shpërbehej. Në atë vendimmarrje morën pjesë vetë anëtarët e simpatizantët e atij grupi, ku asistonim si mysafirë Jusufi e unë.

Edhe pas kësaj vendimmarrje Riza vazhdonte të përhapte shpifje, sidomos kundër Jusufit e Bardhoshit.

Edhe Riza Salihu ka rreth njerëzish që e admirojnë, prandaj është e dëmshme të ndodhin tani konfrontime.

(Uroj që ish-anëtarët e atij grupi të mos ngurrojnë të japin informata, ku, kur dhe nga kush është themeluar “Grupi Komunist Zëri i Kosovës”, si u udhëhoq, çfarë veprimtarie ka bërë. Mendoj se distanca kohore është e bollshme për të pasur informata më konkrete e më të sakta. Edhe për grupe, organizata e parti të tjera do të duhej të jepen tani të dhëna e informata, ku, kur, kush i themeloi, si u udhëhiqen, çfarë veprimtaria kanë bërë etj.)

Jusuf Gërvalla irritohet nga spiunët e UDB-së

Pos këtyre operacioneve që kreu UDB-a nëpërmjet Riza Salihut, ajo angazhoi spiunë të tjerë për të futur huti e dyshime në radhët tona të organizuara. Gjatë vitit 1980, nga organizimet e “majta” vepronin vetëm dy subjekte: Fronti i Kuq Popullor dhe Grupi Komunist Zëri i Kosovës (i shpërndarë në nëntor të vitit 1980), ndërsa si subjekt i “djathtë” ishte Besëlidhja Shqiptare. Pra, nuk ekzistonin shumë grupe staliniste, kriminale, siç dezinformoi Jusuf Buxhovi.

Gjatë verës së vitit 1980 angazhohen kryesisht Xhevat Ramabaja (Kamenicë, prezantohej si “Xhavit”), Besim Rexha (Gjakovë, prezantohej si “Shpati”), Nuhi Sylejmani (Kumanovë) etj. Ata përpiqeshin ta bindnin Jusuf Gërvallën se unë bashkëpunoj me “reaksionin” kroat, se nga ai kam marr ndihma financiare për të blerë armë për luftën çlirimtare në Kosovë, por që i kam investuar për të ndërtuar hotel “Kalanë” në Zahaq (duke e kamufluar si objekt të dajës) etj. Në fakt, unë kisha huazuar nga zotëri Knezoviq (vëllai i Vinkos, koleg studimesh, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore në Zagreb në vitin 1971) 50 mijë DM (25 mijë euro), meqë na kishte mashtruar Hysen Muhaxheri (Ferizaj), të cilin e kishte dërguar Elektroekonomia e Kosovës në studime postdiplomike në Gjermani. Mashtrimi perfid i Hysen Muhaxherit ishte: i duheshin 50 mijë DM si kaucion për eksperimente laboratorike në Universitetin e Duisburgut. Rezultoi se Hyseni nuk na mashtroi vetëm mua, kroatin Knezeviq, por edhe disa farefise të tij dhe kolegë gjermanë. Rreth 300 mijë DM u identifikuan se i kishte “huazuar” gjithandej, por i kishte humbur në bixhoz. Këtë të vërtetë të hidhur e dinte Besim Rexha nëpërmjet Vinko Knezeviq.

Për Xhevatin e Nuhiun kisha filluar të dyshoja se janë bashkëpunëtorë të UDB-së. Xhevati ishte anëtar i Partisë Komuniste Gjermane (marksiste-leniniste), kishte marrë pjesë bashkë me Besimin dhe Idriz Bajrën (Istog) në themelim të Frontit të Kuq Popullor (FKP) në verë të vitit 1978. Sjelljet e Xhevatit ngjanin në sjellje UDB-ashi, sjelljet e Besimit i ngjanin dogmatit maniak (prezantohej si anëtar i KQ të PPSH-së). Ato na shtynë që formën organizative të FKP-së ta ndryshonim, ndërsa Xhevatin dhe Besimin i dezinformuam se Fronti nuk ekzistonte më. Nuhiut i frikësoheshin si spiunë shqiptarët e punësuar në fabrikë të Mercedesit (Siendelfingen), meqë jetonin bashkë në konvikte të fabrikës. Këta dhe të tjerë e dezinformonin Jusufin edhe për sabotim nga ana ime të shpërndarjes së revistës “Lajmëtari i Lirisë”.

Kjo dhe ndonjë diversion tjetër bënë që Jusufi të hidhërohej shkurtimisht ndaj meje, por shumë shpejt u sqaruam. Edhe në vitet e pastajmë ai hidhërim kalimtar i Jusufit u shpërdorua, sikur Jusufi më paskësh përzënë nga shtëpia, sikur ai ka dyshuar ndaj meje, sikur nuk ishim bashkëveprimtarë etj.

Edhe këta individë kanë njerëz që i admirojnë, prandaj është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

  • VIJON – 

VEPRIMTARIA E UDB-së NË EMIGRACION (II)

Nga Ibrahim Kelmendi, 07 tetor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura