BEJTULLAH KRASNIQI: ALI BABA DHE 40 HAJDUTËT E PRIZRENIT

Prizren, 07. 11. 2015: Ka së paku 4 vjet që denoncimet kundër Nexhat Çoçajt, në hetuesi e prokurori, janë të vazhdueshme. Është marrë ai dhe stafi i tij, me dhjetëra herë në pyetje dhe organet përkatëse gjoja nuk paskan gjetur fakte. Këto organe ia kanë zgjatur jetën institucionale këtij dëmtuesi të qytetit dhe ia kanë mundësuar që ai të vazhdojë me kontaminimin e vendit. Prandaj organet e ndjekjes konsiderohen po aq përgjegjëse sa edhe vetë Nexhat Çoçaj.
Lajmin për arrestimin e Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit të Prizrenit, shumëkush e ka pritur për vite me radhë.
Se Drejtori i Drejtorisë së Arsimit Nexhat Çoçaj e ka degraduar arsimin e Prizrenit deri në nivel të pariparueshëm, këtë e ka ditur i gjithë qyteti, përveç Ramadan Mujës i cili si për inat të qytetarëve vazhdonte ta përkrahte.
Na ka rënë të dëgjojmë për njerëz të korruptuar të cilët materialisht e kanë dëmtuar Kosovën. Ka prej tyre që veprojnë në fusha të ndryshme të shoqërisë si: në energjetikë, në PTK, në Polici, në ekonomi, tregti, industri etj. etj. Sektori i arsimit është i veçantë për çdo popull e çdo shtet. Arsimi është epiqendra e shoqërisë. Çdo njeri është i lidhur me arsimin. Arsimi është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë. Çfarë e kemi arsimin sot, ashtu do ta kemi shtetin nesër, ndërsa çfarë e kemi shtetin sot, është pasojë e arsimit të djeshëm.

Është e çuditshme se sa fort e sulmojnë këtë segment jetik të shoqërisë sonë. Si lugetër i janë vërsulur dhe sikur bëjnë gara se cili do të ia thith gjakun më shumë.
Në këtë drejtim, padyshim është shquar Nexhat Çoçaj. Zakonisht njerëzit korruptohen pasi të vijnë në pozitë, ky ka ardhë i përgatitur dhe i trajnuar për ta dëmtuar qytetin e Lidhjes. Që në fillim të karrierës së tij si Drejtor i Arsimit në Prizren, para gati 6 vjetësh, filloi me shantazhe. Në opinion doli me informatën, se në shkollat e Komunës së Prizrenit ka shumë arsimtarë me diploma false dhe së shpejti do t’i largojmë e do ti denoncojmë për vepra penale. Asnjë prej tyre as u largua as u denoncua, sepse një nga një shkonin te Nexhati. Athua për çfarë negociuan?!
Asokohe dola në opinion me një shkrim përmes të cilit e pata paralajmëruar edhe opinionin e gjerë, edhe Ministrinë e Arsimit, edhe Kryetarin e Komunës, por edhe strukturat partiake, sa për t’i vënë në dijeni se për çfarë soji bëhej fjalë dhe sa më parë të merrnin masa për largimin e tij. Mendja ime naive mendonte se ata nuk e njihnin! Ky soj njeriu veç të ligave tjera që bënte, kandidatët për punësim, ka ndodh t’i intervistonte në gjuhën serbe. Athua kush e solli dhe kush e mbajti për kaq vjet në krye të arsimit të Prizrenit? mendja po më shkon gjithkah. “ALI BABA” DHE 40 HAJDUTËT nuk ishin aty me pahir.
Ka së paku 4 vjet që denoncimet kundër Nexhat Çoçajt, në hetuesi e prokurori, janë të vazhdueshme. Është marrë ai dhe stafi i tij, me dhjetëra herë në pyetje dhe organet përkatëse gjoja nuk paskan gjetur fakte. Këto organe ia kanë zgjatur jetën institucionale këtij dëmtuesi të qytetit dhe ia kanë mundësuar që ai të vazhdojë me kontaminimin e vendit. Prandaj organet e ndjekjes konsiderohen po aq përgjegjëse sa edhe vetë Nexhat Çoçaj.
Të painformuarit mund të mos e din se sektori i arsimit jep shumë mundësi përfitimi, natyrisht në dëm të shkollave dhe të nxënësve tanë.
Njëra prej shumë mundësive për përfitim janë ekskursionet e maturantëve në Shqipëri, që tashmë është bërë traditë të cilën askush nuk guxon ta ndërpresë, sepse një akt i tillë do të quhej blasfemi!
Sa për ilustrim. Prizreni ka rreth 3000 maturantë. Të gjithë ata paguajnë nga 120 euro. Po i shumëzuam del se ky është një projekt prej 360.000 euro. Për këtë pagesë maturantët vendosen nga 4-5 vetë nëpër dhoma me dy shtretër dhe katër ditë hanë oriz me kofshë pule. Pra ky është një projekt që do ta dëshironte çdo qëllimkeq. Qëllimkëqijtë lidhin miqësi me agjensionet turistike.
Korrupsioni me rastin e punësimeve në sektorin e arsimit është kulmi i të gjitha fëlliqësirave. Në shkollat e Prizrenit ende punësohen njerëz me shkolla të mesme, madje pa konkurs! Pranohen student të padiplomuar të kolegjit Fama dhe refuzohen kuadrot me master të Universitetit publik të Prishtinës.
Mbi 60 shkolla furnizohen me lëndë djegëse. Çmimin dhe sasinë e lëndëve që shpërndahet nëpër shkolla askush nuk e di. Ngrohja nuk fillon pa rënë temperatura nën zero dhe ndërpritet posa të kalojë mbi zero.
Mirëmbajtja e objekteve shkollore është një tjetër vrimë prej nga mund të nxirren përfitime. Riparimi apo zëvendësimi i një brave të derës dhe disa poçe elektrike faturohen si shpenzim mbi 950 euro, sepse deri në 1000 euro mund të shpenzohen pa tender (me ndërgjegje!). Drejtorët e shkollave asnjëherë nuk i raportojnë të hyrat e të dalat financiare para Këshillit të Shkollës.
Shumica dërmuese e drejtorëve të shkollave kanë pasur një bashkëpunim prej vasali me këtë epror, natyrisht jo pa përfitime sepse gjahu i mirë premtonte gosti të majme. Kjo mund të vërtetohet shumë lehtë përmes xhirollogarive të shkollave, po kush ta vërtetojë se?!
Ministrat tanë të deritashëm të arsimit nuk kanë shumë hapësirë për mburrje. Ata që nuk mund të mburren, nuk din as të skuqen.
Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja duhet t’iu kërkoi falje qytetarëve për faktin se e ka mikluar një drejtor babëzi si “Ali Baba”, madje të njëjtin (Nexhat Çoçajn) e ka pasur edhe këshilltar personal për çështje të vetëqeverisjes lokale!!!
Psikologjia na mëson se njerëzit rrahin gjoks dhe thirren në vetitë që nuk i kanë psh: gënjeshtari betohet për sinqeritet, hajni për ndershmëri etj.
Ky njeri, që shpesh betohej në gjakun e dëshmorëve, themeloi manifestimin “Java e Remzi Ademajt”. Për këtë manifestim, ku garojnë nxënësit e Komunës së Prizrenit, Komuna për çdo vit ndan nga 12000 euro, dhe sa mblidhen prej donatorëve këtë askush nuk e di. Dhe kur një qytetar i ndershëm zbuloi keqpërdorimin e atyre mjeteve, duke menduar që me luftimin e korrupsionit e ndihmon vendin e vetë, për habinë e dynjasë, drejtësia jonë e dënoi.
Nexhat Çoçaj për 12-13 vjet me radhë e udhëhoqi këtë manifestim. Ai që betohej në gjakun e dëshmorëve, “nuk paska pas faj”, sepse mbi gjakun e tyre paska përfituar!!! Nëse i referohemi psikologjisë, themelimin e këtij manifestimi e paska bërë për hallin e vet e jo të dëshmorëve.
Vonesa e organeve të drejtësisë ia ka mundësuar ALI BABËS DHE 40 HAJNAVE TË TIJ që misionin shkatërrues ta përfundojë me sukses. Kështu shkatërrohet shteti, që prej njerëzve të tillë, nuk po mund të mëkëmbet.
Kjo fali e fundit po ma kujton një ngjarje të hidhur.
Në pranverën e vitit ’97, në njërën nga kafenetë e shatërvanit të Prizrenit, po pinim kafe me një shokun tim të fëmijërisë dhe po bisedonim për ngjarjet e trishtueshme që zhvilloheshin në Shqipëri.
Unë: Çfarë mileti janë këta shqiptarët e Shqipërisë, si e katandisën shtetin e vetë në këtë gjendje. Ne, (Kosovarët) nuk jemi si ata.
Shoku im: Ne jemi edhe më të këqij se ata, veç po na mban të bashkuar frika nga dhuna e Millosheviqit.
Natyrisht se nuk u pajtova, dhe fjalë pas fjale debati u acarua aq shumë sa për javë të tëra nuk jemi takuar për kafe.
Tani, duke parë “ALI BABËN”…, dhe shumë Ali Baba tjerë nëpër Kosovë, që fatkeqësisht, të tillët po shtohen çdo ditë e më tepër, shokut tim i dhashë të drejtë se ishte më largpamës se unë dhe i kërkova falje tash për atëherë.
Në njërën prej dramave të Rexhep Qosjes ai thotë: kriminelët hyjnë mbrapsht në histori, si gaforrja.
Bejtulla KRASNIQI, Prizren 07. 11. 2015.
***
Skandaloze: Ja Për Çka Akuzohet Nexhat Çoçaj në Aktakuzën e Re
http://live.kallxo.com/sq/MTL/Skandaloze-Ja-Per-Cka-Akuzohet-Nexhat-Cocaj-ne-Aktakuzen-e-Re-3687

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura