REXHEP KASUMAJ: INTERANTI POLITIK

Berlin, 9 maj 2018: (Mbi pedagogjinë e zezë) – Nëse dielli terron, hëna zhduket e zjarri nuk flakëron – aherë është gjuha që bën dritë.
Rilexoja këtë margaritar nga libri “Upanishadat, urtia lashtoinduse”, e vetishëm ndjeja vendin tim.
Dhe, jo i patrishtë, në heshtje do thoshja: mijëra vjet e fjala, sado e mirë dhe Un-i i shpirtësuar, sado kristalor, akoma nuk ndrijnë. Udhërrëfejnë të diturit naltësisë a ofshâjnë të mundurit e lirisë – por shpresa shtyhet rrokullimës kotnare. Sundtarët mbeten të pailuminuar. Të errtë e obskurë. Të vrazhdë e primitiv. Të padedikim e hajnorë.
Ndërkaq, në kërkim të prehjes mespërmes shtegut me emrin deshpërim, kujtesa ndalon tek një analogji dhe përvojë e vjetër.
E pra, Kosova, sferat e epërme që i prijnë jetës, sikur ngjajnë me një internat kolosal politik. Dhe si kudo e përherë, veç lëndësh të tjera, ligjërohet dhe pedagogji. Mirëpo, me ç’është parë, nxënësit, kjo klasë e përçudshme nomenklaturëse, do të dëshmojnë pak zell për dijenxënje. Aq më pak prirje karakteriale për notën e gjentilencës.

Vjedhin, mashtrojnë, gënjejnë e sfidojnë. Dhe secili tyresh tjerrë një histori të veten mitike: fabula prrallore mbi rendimentet e arritura në plojën e kamjes përtej çdo planizimi real apo ëndrre të fantazisë. E, gjithçka të stolisur nga qëndismat krenare dhe diadema e lavdisë. Kultura e turpit, aq e zhvilluar tek japonezët, si shkruan i magjepsur antropologu amerikan, Ruth Benedickt (viti 1946), është e panjohur, madje shkallmuese për tharmin moral të tyre.
Rrjedhimisht, Mësonjës e Edukatorë, ardhur nga larg, andej ku dielli perëndon mbi botë, në ekspeditën e bukur të Shtëpibërjes, mundohen, besojnë, lodhen… Pastaj, vjen një çast e hutohen, kapen në beft dhe gati çojnë duart dorëzimtare.
Megjithatë, vullneti i hekurt dhe fismëria e misionit, i bëjnë të qëndrojnë. Ngadalë evokojnë dhe nga pluhnaja arkivore nxjerrin metodikën e sprovuar: pedagogjinë e zezë. Tani është kultura e frikës që ata shohin të jetë e plotëngjizur, e njëshbërë me qenien dhe instinktin ekzistencial të tyre.
Atëherë, papritur, ndodh mrekullia. Kthesa magjike. Internatorëve iu bien veshët në tokë. Zbuten, përulen, disiplinohen e bashkëpunojnë. Deri në plangprishjen e radhës dhe orën e re të pedagogjisë së zezë…
A nuk është ky, vërtetë, një rotacion ciklor endemik? Gjithësesi. Që këtej dhe tepër i domosdoshëm. Por, njëkohësisht, sa i zorshëm e i paparë në kartat e Dhéut të madh Europë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura