GJOKË DABAJ: PROBLEMI S’ËSHTË NEXHMIA, PROBLEM ËSHTË GJYKIMI I SHBA-së

Durrës, 28 shkurt 2020: Kombi Shqiptar, në kohën e sotme, ka shumë nevojë për një përkrahës të fuqishëm. Të gjithë kombet e vegjël, ose edhe të mesëm, kanë nevojë për aleanca dhe përkrahje të njërës apo tjetrës fuqi botërore. Nisur nga kjo e vërtetë, e cila mund të mos jetë shumë e këndshme, shqiptarët, në këtë kohë, janë konjukturalisht të detyruar të kërkojnë mbëshetje, madje më shumë se të zakonshme, pikërisht dhe mbi të gjitha, te SHBA-ja.
Ndodh kjo, sepse Rusia po e mban nën sqetull Sërbinë, e cila ka bërë krime të papërfytyrueshëm mbi kombin shqiptar. Ndodh kjo, sepse Kina s’po e quan të arsyeshme as njohjen formale të Republikës së Kosovës, le më të na konsiderojë ne shqiparët aleatë të vetët strategjikë. Bashkimi Evropian po ka kontradikta në qëndrimin ndaj shqiptarëvet (që janë pjesë gjeografike dhe historike e saja), aq sa një Spanjë apo ndonjë tjetër shtet i Evropës, po ngurron ta njohë Republikën e Kosovës. Në të njëjtën kohë, po kjo Evropë, udhëhequr nga një logjikë invalidisht të cunguar, ka vite që nuk po vendos ta pranojë Republikën e Shqipërisë në BE.
Këto janë rrethanat që ne shqiptarët, në këtë shekull, jemi të detyruar të mbështetemi te forca politike, ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së. Në këto rrethana, SHBA-ja jo vetëm duhet ta dijë që ne shqiptarët jemi kombi që kërkon përkrahjen e saj, por duhet ta dijë që jemi edhe kombi që i përkrahim gjithanshëm dhe i mbrojmë fuqishëm interest e SHBA-së, në të gjithë hapësirën ku ne veprojmë si komb.

Të këtillë mendime po më shkojnë nëpër mendje, mbrëmë edhe sot, kur po qarkullon lajmi se vdiq 100-vjeçarja Nexhmie Hoxha. “Zëri i Amerikës” e dha njoftimin mbi vdekjen e saj dhe dha pastaj opinionet e një apo dy ish-të persekutuarvet të diktaturës enveriane. Merreni me mend sikur, në vdekjen e një ish-presidenti të SHBA-së apo gruas së tij, televizioni i Tiranës të sillte opinionet e pasardhësvet të një apo dy të dënuarvet me vdekje nga gjyqet e SHBA-së! Është fyerje e rëndë!
Nuk them që “Zëri i Amerikës” duhej të jepte me këtë rast mendimet e ndonjë “nostalgjiku” të së quajturës “Koha e Enver Hoxhës”. Por “Zëri i Amerikës”, në vend që ta fyente kombin shqiptar, duhej të jepte me këtë rast pamje nga ndërtimet e shumtë që qenë bërë në kohën e Enver Hoxhës në RPSSH. Pamje të ushtrisë që e kish ky shtet në atë kohë, nga më të fuqishmet në rajon, e që më vonë, nëse nuk do të ishte shkatërruar, ajo ushtri do të mund të bëhej pjesë shumë e fuqishme e NATO-s. Pamje nga sistemi shkollor që e kish RPSSH-ja nga më të përparuarit e botës. Pamje nga shërbimi shëndetësor, që RPSSH-ja e kish krejt falas për të gjithë popullsinë dhe të përhapun në gjithë territorin.
“Zëri Amerikës” në të këtillë raste nuk duhej të harronte që edhe SHBA-ja, edhe Mbretëria e Bashkuar, në vitin 1944, me përfaqësitë e tyre në Bari të Italisë, nuk i patë pranuar si aleatë as legalistët, as ballistët, por i kanë konsideruar aleatë udhëheqësit e LANÇ-it, në krye të të cilit ishte Enver Hoxha. “Zëri i Amerikës”, me këtë rast, duhej të vinte në dukje që RPSSH-ja, kur pat dalë nga Traktati i Varshavës, realisht ia pat bërë të pamundur Bashkimit Sovjetik praninë ushtarake në Mesdhe dhe kjo objektivisht i pat ndihmuar, SHBA-në edhe NATO-n.
Mirëpo, politika e SHBA-së ndaj Republikës së Shqipërisë dhe ndaj krejt kombit shqiptar, aleatit të saj më të përkushtuar në këtë rajon, fatkeqësisht sot është më pak largpamëse së në kohën e Ruzveltit. Ka 30 vjet që në Republikën e Shqipërisë zgjedhjet janë të lira. Të paktën ligjërisht janë të lira. Megjithatë, as ballistët, as legalistët, nuk kanë mundur të fitojnë dukshëm në parlamentin tonë. Ka 30 vjet që Republika e Shqipërisë është deklaruar si proamerikane, dhe këtë s’e ka bërë sa për sy e faqe, por me bindje të plotë. E prapë se prapë ata që dikur ishin arratisur nga regjimi i Enver Hoxhës, “proamerikanë” sa për të përfituar strehim, asnjë kontribut nuk e kanë dhënë, as në industrinë, as në bujqësinë dhe as në ndonjë fushë tjetër, këtu në Republikën e Shqipërisë.
Ish të persekutuarit e regjimit të Enver Hoxhës, për 30 vjet mbetën duke u ankuar PËR VETE dhe mbetën duke kërkuar që populli shqiptar t’u paguajjë “dëmshpërblimet”. A ka logjikë që ky popull, i cili me aq sakrifica e ndërtoi vendin e vet, të paguajë tani edhe burgjet e atyre që e patën kundërshtuar atë ndërtim?! Burgjet e atyre që nuk e deshën ndërtimin e vendit të vet?!
SHBA-ja duhet ta dijë, dhe sigurisht e di, që Shqipërinë nuk e kanë ruajtur e forcuar (midis tjerash, edhe për të mirë të SHBA-së), ata shqiptarë që ikën e u shpërndanë nëpër botë si mërgatë qyqesh, por e kanë ruajtur, forcuar dhe, më në fund, edhe çliruar një pjesë të Shqipërisë prej sundimit sërb, ata shqiptarë që ndenjën këtu, midis të cilëvet, nuk janë pa kontribut veçanërisht ata që e patën pranuar dhe zgjedhur Enver Hoxhën në krye të vendit. Sigurisht, nuk janë pa kontribut as mërgimtarët, por jo ata që kanë ndenjur e rrinë duke anatemuar.
Politika e SHBA-së, mendoj unë, duhet më në fund, në mos ta lavdërojë apo heroizojë Enver Hoxhën, të paktën të mos e fyejë e denigrojë, duke folur vetëm për “krimet” e tij. Komunistë kanë qenë edhe Titoja, edhe Mao Ce Duni, edhe shumë të tjerë, por SHBA-ja nuk është sjellë ndaj tyre kështu si ndaj Enver Hoxhës dhe siç po sillet “Zëri i Amerikës” ndaj së shoqes së Enver Hoxhës, duke e fyer edhe në ditën kur vdiq. Shteti kinez e ka portretin e komunistit Mao Ce Dun në monedhën e vet dhe shtetasit e SHBA-së, pa shprehur kurrfarë kundërshtie, po e përdorin atë monedhë sa herë që po u bie rasti. SHBA-ja, në kohën e Luftës së Dytë Botërore e pat pranuar për aleat kundër fashizmit e nazizmit edhe vetë Stalinin. Ruzvelti dhe Çërçilli në atë kohë bënë marrëveshje në Teheran me Stalinin. Atëherë, si shpjegohet që SHBA-ja po manifeston kaq fobi ndaj një Enver Hoxhe, i cili ka qenë aleat i tyre, si në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe në kohën kur Traktati i Varshavës i kërcënonte forcat e NATO-s mu në brigjet e Jonit e të Adriatikut?!
Si shpjegohet që ditë e natë s’po pushojnë së akuzuari RPSSH-në, sikur ajo e kish izoluar vetëveten, në një kohë kur Evropës ia kish zënë sytë urrejtja ndaj “fenerit ndriçues” dhe ia kish prerë RPSSH-së të gjitha rrugët e bashkëpunimit ekonomik?! Evropës, e cila në atë kohë ish plot e përplot me komunistë, sytë i kishin mbetur nga RPSSH-ja “komuniste”! Ndërkaq sot, po ajo Evropë, e cila është plot e përplot me popullsi myslimane, prapë sytë po i mban këndej nga ne, duke na akuzuar si komb “mysliman”! Ç’janë këto miopira, o njerëz, që veten e quani të kompletuar me dije e me kulturë!?
Është e vërtetë që regjimi i Enver Hoxhës i ka burgosur, internuar apo edhe pushkatuar kundërshtarët e vet. Por cila qeveri nuk i ka burgosur apo vrarë kundërshtarët, ose thjeshtë shkelësit e ligjevet të saj?! Ç’është Guantanamoja?! Në SHBA, a nuk po vazhdon të përdoret karrikja elekrike?!
Ish të “persekutuarit” e kohës së Enverit nuk po pushojnë së ankuari ndaj “regjimit gjakatar” të Enver Hoxhës. Nuk po pushojnë së ankuari, sepse u dhemb e u djeg lëkura e tyre. Por nuk po i dëgjojmë të shprehin pakënqësi që, në 30 vjetët mbas rrëzimit (vetërrëzimit) të regjimit enverian, janë vrarë trefish më shumë shqiptarë! Nuk po i dëgjojmë të shprehin pakënaqësi apo edhe të ngrejnë alarmin që, në kohën mbas rrëzimit (vetërrëzimit) të regjimit të Enver Hoxhës, janë burgosur dhe po vazhdojnë të burgosen trefish më shumë shqiptarë se në kohën e Enver Hoxhës. Dhe, një shumicë e tyre, janë të pafajshëm ose gjysmë të fajshëm.
Këto gjëra po më vinin në mendje këto dy ditë kur nëpër gazetat tona dhe në televizionet tanë po shkruhej e thuhej se “vdiq vejusha e zezë pa shprehur kurrfarë pendimi”. Kush duhet të pendohet?! Sigurisht, jo ish-agallarët dhe ish-bejlerët, të cilët, çuditërisht, edhe me përkrahjen e SHBA-së republikane e demokratike, arritën t’i rimarrin feudet! Ata feude që të parët e tyre i kishin “fituar” duke u shërbyer sulltanëvet të Turqisë! Si është e mundur të ndodhin të këtillë paradokse dhe në anë tjetër të anatemohet një grua, e cila gjithë jetën ia kushtoi adheut?!
Pra, nuk është problem: si jetoi, si vdiq dhe si po varroset Nexhmie Hoxha. Problemi është që SHBA-ja duhet ta rishikojë qëndrimin e vet ndaj ish-diktatorit Enver Hoxha, të cilin populli shqiptar, madje kombi shqiptar, e konsideron, jo diktator, por udhëheqës të vetin! Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi i kombit shqiptar për një gjysmë shekulli. Prandaj SHBA-ja ta rishikojë qëndrimin e vet ndaj Enver Hoxhës, sepse vetëm ashtu kombi shqiptar do të lidhet edhe më ngushtë, madje pazgjidhshmërisht, me SHBA-në!
Gjokë Dabaj, Durrës – 27 shkurt 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura