Kukës, 17 Korrik 2019: Vendose në vazon e vogël të qelqit këtë kafe!
Ishte kjo fjalia që nëna ime thoshte çdo fillim muaji kur merrnim të vetmen pako të kafesë nga dyqani ushqimor në ato vite
Ishte një ritual thuajse familjar dita kur përgatitej kafeja.
Pasi babai kishte pjekur me shumë kujdes kokrrat e kafesë, të cilat pushtonin me aromë gjithë shtëpinë, ishte nëna ime ajo që vijonte me kujdesin për shpërndarjen e kokrrave të kafesë në një tabaka të posaçme, të cilën e vendoste në mes të tryezës dhe ulej aty për ta ruajtur se mos motrat e vëllezërit e mi më të vegjël e trazonin.
Pasi ftohej kafeja, me mullirin që e merrnim te familja e komshiut tonë, Mëhill Tanushi, herë babai, herë nëna dhe herë unë, përfundonim proçesin e bluarjes së kafesë.
Së fundmi, unë e ndaja në dy vazo prej qelqi, një më të vogël dhe një pak më të madhe.
Vazon e vogël e ruanim vetëm për një person të veçantë, pasi nuk kishim më mundësi të kishim sasi tjetër kafeje.
Dhe siç iu thashë më sipër, çdo muaj, nëna më porosiste:
-Vendose në vazon e vogël të qelqit këtë kafe!
Kaq shumë merak e kishte nëna ime disponimin e kësaj kafeje në këtë vazo!
Në atë vazo qelqi ishte kafeja për një person të veçantë për nënën time, për të gjithë ne si familje.
Ishte nëna e Nikollë Markut, një plakë mirditore me veshje tradicionale, veshje në të cilën në mënyrën më të veçantë kontrastonte ngjyra e bardhë me të zezën.
Ajo banonte në të njëjtin pallat me ne, në të njejtin kat
Vinte, (jo aq shpesh sa disa komshinj të tjerë), ulej me nënën time në divan dhe unë përgatisja kafenë.
Nëna ime gjithmonë merrte qëndrim dëgjuesi para saj dhe përcillte me nderim çdo lëvizje, çdo fjalë, çdo gjest të kësaj plake të veçantë.
Rrallë, kur babai im mund të kthehej nga puna (sepse punonte me turne), i zgjaste kutinë e duhanit kësaj plake fisnike.
Bisedat e tyre ishin të qeta, gati-gati të pakuptueshme për mua në atë kohë (isha më pak se 14 vjeçe)
Me djalin e saj, Nikollën, babai im punonte në ish-uzinën e shkrirjes së bakrit. Edhe Dila, gruaja e Nikollës, ishte një zonjë, e cila gjithmonë të përshëndeste në shkallë, gjithmonë e buzëqeshur. Dy vajzat e Nikollës, të cilat ishin shumë më të mëdha se unë në moshë, reflektonin vetëm mirëkuptimin, qetësinë.
Më kujtohen dhe dy djemtë e Nikollës, të cilët ishin më afër me ne në moshë.
Ishin familje e rregullt, të gjithë punonin. Në shtëpinë e tyre gjithçka shndrinte nga rregulli e pastërtia.
Janë model për pastërti, janë fanesha të zonjat – thoshte komshia jonë në katin e parë, një grua plakë, e cila termin “faneshë” nuk e thoshte aspak me konotacion negativ apo selektues.
Sidoqoftë, ishte vetëm nëna e Nikollës ajo që kishte marë përsipër “veprimet diplomatike”, fqinjësore, me familjen tonë. Ajo kishte vend të veçantë në familjen tonë, vëmendje të veçantë, përkushtim të veçantë.
Sot mund të duket qesharake kjo që po them, por askujt nuk mund t’i servirej kafeja e taksur për nënën e Nikollës në ato kohë. Kaq!
Kur kjo plakë e veçantë vinte në shtëpinë tonë, tjetërsoj i binte një tis shtëpisë. Një tis qetësie, një tis miqësie, një tis përkujdesjeje, një tis madhështie.
Një ditë e pyeta nënën time:
-E ke shoqe nënën e Nikollës?
Nëna ime vuri buzën në gaz dhe nën pushtetin e mendimeve më tha:
– Bijë, ajo është një njeri i veçantë, plot mend e plot dhimbje!
Kaq mund të thoshte nëna ime për këtë grua të cilën e vlerësonte kaq shumë.
E kam ndër sy prezencën e saj në momente të vështira për nënën time, kur gjithë kujdes kuronte vëllain tim Arianin me një pendë për shkak të një problemi në lëkurë.
Po kështu, kur vinte dhe i shtrëngonte duart nënës time pas vdekjes së vëllait të vogël, Xheladinit!
Edhe kur na vinin miq nga zonat e largëta (qëllonte që babai im ishte në turnin e dytë apo të tretë të punës), nëna e Nikollës vinte në shtëpinë tonë, ulej në vendin e saj të zakonshëm në divan dhe kuvendonte me miqtë në vend të babait tim.
Kur ne sëmureshim dhe babai nuk ishte në shtëpi, ishte nëna e Nikollës ajo që i gjendej pranë nënës time për çdo gjë.
Kohët rrodhën dhe në vitin 1990 ne ndërruam shtëpinë, ikëm në një lagje tjetër. Në të njëjtën kohë u transferua nga Kukësi edhe familja e Nikollë Markut.
Unë edhe sot e kësaj dite nuk mund ta përcaktoj veçse të qelqtë marrdhënien e nënës time me nënën e Nikollës. Them të qelqtë sepse ishte delikate, ishte e qartë, e kthjellët, e bukur. Njëherësh, me dukej e tillë sepse nuk kam njohur mardhënie të tillë asnjëherë tjetër. Ishte një mardhënie ku kishte pak fjalë, shumë mendime. Shumë përkushtim, aspak tendencë për identifikim. Kishin shumë diferencë në moshë, ndaj në gjestet e nënës time kishte shumë nderim.
Ajo plakë mirditore, ashtu në heshtje, ashtu ftohtësisht në dukje, ashtu mistershëm, ishte bërë një njeri kaq i rëndësishëm për familjen tonë.
Gati-gati ishte si të thuash stolia më me vlerë që kishim në atë gjendje ku ndodheshim si shumica e popullsisë. Ishte vërtetë një stoli shpirtërore që të jepte siguri, të ndizte trurin me mendime, të pushtonte ndjesinë me nderim.
Kam kaq shumë vite që nuk kam informacion për familjen Marku.Vijoj t’i kujtoj me respekt dhe tisi i nderimit për plakën fisnike më rri kujtesës
Ajo vijon të jetojë në mendjen time. Ka mbetur në kujtesë ashtu e veçantë, me kostumin e saj tradicional, me vëthët e veçantë prej zonje fisnike, me tymin e duhanit që i pështjellonte protretin, me rrufitjen e veçantë të kafesë, kafe të cilën aq shumë merak e kishte nëna ime.
Kur takohem apo informohem për gratë mirditore, e gjej të gjallë nënën e Nikollës në çdo portret, në çdo vlerë, në çdo arritje të tyre.
Ajo plakë fisnike ka mbjellur herët në qënien time fidanin e respektit dhe mua më vijnë aq natyrshëm mardhëniet e vjetra apo të reja me të gjithë mirditorët.