Albert HABAZAJ
VJESHTA E ZOGJVE QË IKIN DHE E KËNGËVE QË VIJNË…
Poemë
2023
PJESA I
Motive me diell Çike
Moj fletorkëz vjershërore,
Vargun s’e mbështjell me shall;
Moj fletëzarta vjeshtore
Kupa mjalti zbraz me mall…
Vjeshtës së parë për Tërbaçin
Një qiell urimesh i solla:
Që mëhallat diell paçin,
Në çdo portë diell mbolla.
Në Tërbaç, vjeshta e parë
Si molla, të bën të ëmbël,
Me dritë floriri i larë
Si ato zanat në ëndërr…
Rrush e dardhë e ftoj e shegë,
Lumë e fushë e mal e pyje;
Blerim bujar në çdo degë,
Merr e jep shporta me yje.
O Tërbaç, sa shumë të dua,
Gurrë e kulluar drite;
Mbushem me këngët e tua,
Motive me diell Çike.
Fshat i madh për valle, këngë,
Përshëndet Çika mbi krye,
Si malet rrotull në këmbë,
Jep e merr shporta me yje.
Të fala nga Vlora
Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës
Për në vise të largëta guxoj të nis;
Druhem nga tetori, muaji i vjershës,
Se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks …
Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,
Nga Vlora e Lasgushit, në Pogradecin e Asllanit;
Një det me të fala po nis me gjithë mend,
Se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit …
Është shpirti i pastër si vesë prilli
Që dritëron për çka Zoti ka bekuar;
Të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin
Me rruaza diellore vlorërisht zbukurar.
Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,
Të kam rrush, shegë dhe pjeshkë …
Pikturë poetike
Mirë se ardhe bukuroshe, vjeshtë buzëarta,
Me ëmbëlsinë dashamirëse sa butë më zgjove;
Si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,
Pasaportë dashurie në krahë të zogjve.
Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën,
Herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;
Është aroma e saj që ma deh vjershën
Kur rrebelohet si një Petro Marko me gërsheta.
Me Monalizën e Da Vinçit, më duket
Se janë dy motra të kapura për dore;
Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;
Do të zihem me të, po korri hamullore …
Shirat e vjeshtës
Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor,
Vjeshtës nuk i bëra dot karantinë;
E pakos si shami, kur fshij lotët,
I zbuloj personalitetin, psikologjinë .
Natës, turbullohet hëna pas shiut,
Pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme;
Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,
Hoje mjalti nga Universi derdhen.
Në vjeshtë dhe plaku flokëborë duket
Thinjur më bukur nga të tjerët;
Shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje,
Zgjas duart të këpus yjet e ndezur.
Është e pjekur vjeshta, s’mban inate,
Era e ftoit këndshëm i del pragut;
Kur poetët e imitojnë nëpër vargje,
Vjen papritur dimri-princ i akullt.
Në vjeshtë hapen buzët e paputhura si sythe
Të shuajnë etjen e verës që shkoi;
Nën çukitje shirash faqet e vajzave
Feksin si llambushka nate…
Legjendave tona u ranë gjethet,
Iu thanë ato fletët e verdha,
Nuk u thanë legjendat,
Rrënjët e tyre ishin aq të thella.
Rrënjët e tyre janë thellë nën tokë,
Nën dheun e babës, nën dheun e nënës,
Atje ku këngës i buron ëmbëlsia,
Atje ku marrin ritmin rrahjet e zemrës.
Ranë gjethet e legjendave tona,
Lëshuan sythe, lastarë të gjelbër,
Të ecim në këmbë, edhe pse është vonë,
Për të mos rënë qorrsokakëve nesër.
Zogu i vjeshtës
Vjeshta, kjo kupë e bukur, e begatë,
Ç’ më qenka veshur me triko trishtimi!
Fjala vjen, ky zog që sapo kam kapur
Pse kërkon shtigje të tjera fluturimi?
Më vështron i hutuar, ka merak,
Nuk më shfaq asnjë shenjë admirimi;
Mos vallë iu bë ujë ai pak gjak?
Mos vallë tek unë i ka humbur besimi?!
Më çukit në dorë dhe pak nga pak
Pulit sytë me nota qortimi;
Por zogu nuk ditka të mbajë inat,
Zogut të bukur i takon fluturimi.
Dhe më duket se e humba shoqërinë…
Kaluan dy stinë me të bukurin zog!
Të tjera cicërima me lule pres të vijnë,
Si në një simfoni trëndeline do të jemi tok.
Flamingot e Agron Dines
Sinqerisht, i quajta të vërtetë
Aq të bukurit Flamingo në Nartë!
Thashë t’u qasem, me dorë t’i prek…
M’i pruri peneli i perëndishëm ngjyrëartë.
Tek bëjnë balet uji zogjtë lozonjarë,
Në shtëpinë e tyre, në lagunë,
Më bënë për vete dhe si i marrë
Pikturës iu turra, Flamingot të kap unë.
Të bukur ma dha imazhi tronditjen
Dhe përse mos ta quaj veten me fat,
Që njoh, e kam mik Agron Dinen,
Piktorin aristokrat të zogjve aristokratë.
Në parvaz me dallëndyshen
Hapa dritaren dhe derën,
Mëngjes i pastër, i gjelbër.
Pikturon gëzime dielli,
Me vesh me kaltrinë qielli.
Pylli me zogj ndez orkestër,
Mua ma bën ditën tjetër.
Në ballkon, ku rri si mbret,
Një zog vjen, po nuk troket…
Më ulet në sup si ëngjëll,
Cicëron ëmbël si ëndërr.
Zog i vogël, dallëndyshe,
Ma zbukuron ditën ndryshe.
Me këmbë e krahë merr e jep,
“Çvit-çvit” më flet me sqep…
Më sillet rrotull për gushe
Dallëndyshja vogëlushe.
Unë e përkëdhel me dorë,
Më ngjan si princeshë e gjorë.
Ma fali fatin e bardhë,
E lëshova nga ka ardhë.
Dallëndyshe e vogël-o,
Nëpër qiej fluturo!
***
PJESA II
Vjeshta në Shqipëri ka ngjyrë lirie
Me një fisnik të lartë, bujar të njohur
Më shëmbëllen dhembshurisht Atdheu im,
Si një plak i urtë, betejash lodhur
Dhe përsëri e përsëri në udhëtim.
Të dashur shumë sa tjetër kënd s’dua,
E kam në frymë vendin tim të ri e të vjetër;
Siç i ngjet Mëmëdheut, më ndodh mua,
Më ngroh dëlirësia, më ngjeth bot’ e egër.
Bota e egër, e ligë, hipokrite
Kërkon të na fëlliq fisnikërinë;
Prodhon Hallemadhja energji drite,
Hapësirash shpërndan bukur mirësinë.
Bie dhe ngrihem, përplasem shkëmbinjsh,
Neveris llumin, hipokrizinë s’e fal;
Lajkat kauçuke ia përplas për turinjsh,
Kam udhë unë, do të ngjitem në mal…
Dhe antikja ime me kostum modern
Ka për udhëtimin një qiell me yje,
Me krenari të malltë nëntori po them:
Vjeshta në Shqipëri ka ngjyrë lirie.
Malli për çlirimtarët
Kam njohur unë një burrë me dinjitet,
Kur qe i ri, e quanin lulja e djalit;
Matej në zjarr me rrufetë që çanin retë,
Në shpirt i çelte bërthama e idealit.
Bërthama e idealit i çelte në shpirt,
I lulëzonte bukur drita e besimit;
Nga shkëlqimi i besës i diellonin sytë,
Rritej në imazhin tim profili i trimit.
Profili i trimit në imazhin tim rritej –
Sinonim i karakterit dhe i besnikut;
Si shqipe lirie qiellit shqiptar ngjitej,
Qëndronte kështjellë te shtegu i rrezikut.
Te shtegu i rrezikut kështjellë qëndronte,
Dhe kishte forcën e zjarrin e djalit;
Më dukej si shqiponjë që fluturonte
Se shoqërohej me shqiponjat e malit.
PJESA III
Bartësi i folklorit
B. D
Thesaret nuk gjenden vetëm në minierat e mineraleve,
Gjeneratori s’lëviz veç nga turbina e hidrocentraleve;
S’fluturojnë vetëm shqiponjat mbi majat e maleve,
Nuk pret në breg vetëm vajza e valave.
Nga shpirti dallgëdritë populli ynë
Thur fisnikërisht filigranë me frymë;
Ashtu heshtur, hijshëm e padukur,
Ka plot thesare që vezullojnë bukur.
Mirënjohje deri në përulje për këto prurje,
I thjeshtë në madhështinë tënde pa mburrje.
Vjeshta e zogjve që ikin dhe e këngëve që vijnë,
Si në stinën e vajzave ma lundrojnë synë…
Iku si vjeshtë e bardhë
Baladë për poetin Fatos Arapi
I
Iku me guximin e heshtjes,
Të lundrojë yllësisht mes yjesh,
Me ecjen e dritës që s’ndalet …
Iku Fatos Arapi ynë në krahë balade..
Mbijnë ullinj të gjelbër në Zvërnec,
Në kodrat e buta mbi Vlorë,
Pikon lotë zie Lirika Shqiptare
Pa të bezdisshmet funerale gjigante.
II
Ju lutem, “më jepni një gjysmë ëndrre”…
Si lule t’ja thur refren një kënge.
Më iku Poeti, ai më i miri,
E qan Zvërneci me lot ulliri.
Zëdhembshuruari si pak të tjerë,
Si fije bari e njomë në erë.
Zëri i tij drithërimë që s’pritet,
Klithmë e pikëlluar drite.
Fije e pakëputur bari në furtunë
Rebelohet: “Fatos jeni ju a unë”?!
Është emri i Tij imazh i detit,
Trajektore trishtimi – udha e Poetit.
Dhe i dridhet zëri si shpirt shenjtori,
Sa shumë që dha, sa pak që mori…
Te Vëllai i madh, i dashuri Fatos,
Në thjeshtësinë e dukjes njoha një kolos.
Fatos Arapi, sa ullinjtë e Mesdheut
Ia mori apo ia dha zjarrin Prometheut?!
Në det të keq me valë
Iku si vjeshtë e bardhë.
Iki më i miri, më i miri,
Qaj e qaj me lot ulliri…
Kafe deti me poetët
Kjo kafe e mëngjesit vjeshtor me poetët,
Është mall dhe pastërti e flokut të bores;
Është det i thellë, i gjerë me të Vërtetët,
Përkarshi detit të bukur të Vlorës.
Nuk njoh ndonjë baron, princ, kont a mbret
Që kafen e detit ta pijë me kaq shije;
Kjo kafe e mëngjesit me Poetët
Ç’marrka një dritë me ngjyra poezie!…