Pashtriku.org, 5 qershor 2017: Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.
Derisa të gjithë, me të drejtë, po flasin për rrënimin e demokracisë nga turma euforike mu në hapësirat prej nga do të duhej të buronin gjedhet më të shëndosha të saj, më bie ndërmend se në sulmet e fundit ndaj Kuvendit të Maqedonisë, si një ujë nëntokësor, mund të ndihet edhe rrjedha e fshehtë e gjithë kulturës politike të vendit, rrjedha e ngjarjeve të panumërta që ravijëzojnë historinë e këtij vendi e që gjithherë pleksen me raportet e brishta ndëretnike, që burojnë nga represoni sistematik institucional dhe joinstitucional i njërës palë ndaj tjetrës.
Në radhë të parë aty mund të lexohet qartë gatishmëria e maqedonasve për t’i shkuar në fund edhe rrënimit të shtetit, që vetëm e vetëm të parandalohet hapërimi i të drejtave bazike të shqiptarëve si komb shtetformues në këtë vend. Përtej orkestrimeve partiake për marrje të pushtetit, që mund të jetë qëllim i drejtpërdrejtë i një grupi të caktuar interesi, në sulmin e pashembullt të institucionit ligjdhënës mu në ditën kur për herë të parë në krye të këtij institucioni do të vinte një shqiptar, si shenjë e “zgjidhjes” së ngërçit te vjetër që e tejkalon moshën e këtij shteti, lexohet qartë urrejtja, mosdurimi i shtresuar thellë në qenien maqedonase ndaj shqiptarëve, urrejtje kjo që ndër dekada ka prodhuar ngjarje nga më të rëndat dhe më irracionalet që ka njohur Evropa.
Bir i së njëjtës urrejtje ka qenë acarimi i maqedonasve sa herë që përmendeshin Kosova e Shqipëria nga shqiptarët e këtyre anëve. Kushedi ç’mendime ogurzeza u ndillte shqetësimi apo bashkëndjenja me ta (sidomos me Kosovën), mendime që rrënjët i kishin thellë në ndërgjegjen e tyre, siç rëndojnë kurdoherë në ndërgjegjen e popujve faje të vjetra të pariparueshme. Ç’logjikë e mbrapshtë e vinte këtë popull të vogël të vihej në mbrojtje të vëllait të madh serb, duke urryer Kosovën, duke dënuar përpjekjen e saj për liri dhe duke e mbajtur tmerrësisht inat shqiptarin – që jetonte në një pallat me të, që shkonte në të njëjtën shkollë me të, që shihte të njëjtat programe televizive me të (pasi të vetat nuk lejohej t’i kishte), që edhe historinë e vet kombëtare e mësonte nga libra të hartuar keq, plot fyerje e gabime të qëllimshme, duke e dënuar rëndë ndjenjën e tij për ta dashur, për të bashkëndjerë me pjesën tjetër të trupit të vet që drejtohej nga e njëjta zemër e që në tavolina të mëdha konferencash, si një personazhi episodik, i qe shkruar shkarazi fati të ndahej me kufij të rreptë e të kuq hartash dhe jo vetëm?!
Nga po këto mëri të pashpjegueshme, si një atavizëm, vijnë edhe protestat maqedonase sui generis për MOSlejimin e përdorimit të gjuhës shqipe si të barabartë në shtet, si të ishte ajo një bishë që do t’i hante së fundmi të gjithë apo një sëmundje e rëndë ngjitëse që s’do t’u shqitej e do t’i bënte ta flisnin me patjetër të gjithë. Kjo rezistencë irracionale dhe ky qëndrim protestues ndaj një lirie elementare të Tjetrit, liri kjo që s’cenon të drejtën e askujt, është tregues i qartë se sa thellë e sa pa kuptim është ngulitur dëshira për ta mbajtur shqiptarin qytetar të rendit të dytë, madje edhe në kohërat kur kambanat bien nga të katër anët për nevojën e patjetërsueshme të elementit shqiptar në ruajtjen e shtetit në perspektivë, madje edhe kur subjekti që përfaqëson mandatari i ri i qeverisë, në emër të atdhedashurisë, i ka hedhur pas shpine veset e vjetra të urrejtjes së hapur dhe presionit.
As goditjet mizore me grushte, shqelma e gjësende të forta, prodhim i patologjisë psikike të një grupi njerëzish të mëkuar me urrejtje që në vegjëli dhe të një grupi tjetër kriminelësh të amnistuar nga burgu vetëm për përdorim të përkohshëm në gjakpirje, nuk mund ta befasonin e ta tronditnin thellë shqiptarin që është mësuar të goditet sistematikisht, në mënyrat më të ndryshme dhe më të veçanta, ndër dekada, me të vetmen arsye: që ishte shqiptar (Po a s’është ky përkufizimi i pranuar ndërkombëtarisht mbi gjenocidin!?).
Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.
Shqiptarin e sotëm e godasin pamundësitë për ta regjistruar popullin e vet (mosnjohja e saktë e numrit të popullsisë në vendin e vet), vështirësitë e pakuptimta që i dalin në marrjen e nënshtetësisë për shqiptarët e ardhur edhe pasi të jenë plotësuar kushtet më të larta, të cilat në gjithë Evropën pranohen si të mjaftueshme për të qenë nënshtetas.
Shqiptarin e godasin grushtet e ndarjes së padrejtë të buxhetit të shtetit, paçka se janë kontribues të barabartë me maqedonasit në të, moskthimi i parave në infrastrukturën e qyteteve të tyre, në arsimin, kulturën e shëndetësinë e tyre.
Shqiptarin e godasin fyerjet e shfrenuara, e godet pesha e rëndë e të jetuarit me njerëz që përditë mendojnë se si t’ia zënë frymën, me njerëz që përditë i ngjyrosin muret e tyre me parulla të egra që kërkojnë vdekjen e tij, pasi shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur, me njerëz që i mësojnë të urrejnë fëmijët e tyre, me njerëz që e kanë shndërruar në instinkt mosdurimin ndaj tij, ndaj gjuhës së tij, ndaj kulturës e historisë së tij, me njerëz që e mbajnë mëri edhe Evropën, e s’e kanë për gjë t’ia kthejnë shpinën, vetëm pse në kriza të mëdha ka ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës kur po e masakronin e përdhunonin pamëshirshëm.
Grushtet që iu dhanë barbarisht deputetit Sela, ngaqë i artikulonte qartë kërkesat dhe nevojat akute të shqiptarëve, nuk e befasojnë shqiptarin. Atij vetëm sa ia lëndojnë ndjenjën më shumë, njësoj sikurse ia kanë lënduar gjithmonë me cilëndo shkelje a fyerje që i është bërë. Shqiptari nuk ka nevojë të shohë vetëm gjak për t’u irrituar. Ai është irrituar e lënduar që nga brohoritë e para përpara Kuvendit, që nga nismat e para të zërit protestues kundër përdorimit të gjuhës së tij, kundër pasjes së një posti udhëheqës në shtet… Ai është irrituar kur, duke e ndjekur betimin e Kryeparlamentarit të parë shqiptar, të bërë në rrugë, teksa në sfond (ose më mirë thënë që vetë betimi ishte sfondi, pasi zërat protestues dëgjoheshin më fort), dëgjoheshin këngë nacionaliste, brohoritje protestuese të pothuajse gjysmës së trupit parlamentar, të përfaqësuesve të popullit, të të zgjedhurve të tij. E populli gati sa s’e shpërthente derën e të futej brenda. E populli, e shpërtheu derën dhe u fut brenda, sepse populli është ai që do dhoma gazi për shqiptarin, që kërkon shqiptari të mos e flasë gjuhën e vet, ta harrojë kulturën e vet, e mundësisht edhe ëndrrat t’i shohë në në njërin nga dialektet sllave.
Midis kësaj hullie, është krejtësisht e natyrshme ta ndjesh se ai që do ta pësojë më së shumti, se ai që do të goditet për vdekje do të jetë shqiptar, e goditja do të jetë vetëm jehona e goditjeve të veçanta që janë bërë gjithmonë mu në palcë të tij, me modele të njohura sllave: te të rinjtë e sapomaturuar, te gratë, te pjesa e shëndoshë, te intelekti, te potenciali… aty ku dhemb dhe dënon më shumë. Edhe kësaj radhe e njëjta gjë: s’goditet deputeti, por politikani i paharxhuar, politikani i artikuluar, politikani që e flet dhe e shkruan drejt gjuhën amtare, politikani që del nga një shkollë e formuar kombëtare politike. Me një fjalë, goditet intelektuali shqiptar.
Duke i njohur mirë këto mjete të represionit e të dhunës, shqiptari s’befasohet. Ai e ka ditur që turma e shfrenuar është produkt i qasjes institucionale ndaj tij. Ajo s’është turmë e pakokë, që, si të gjitha turmat, i udhëheq euforia, ajo është turmë e organizuar, e cytur, e ushqyer me urrejtje ndër breza, turmë dëshmitare e shtypjes sistematike të Tjetrit nga institucioni, turmë që i ka parë ndërrimin emrave të qyteteve, të përdhosjes së simboleve të Tjetrit, të hartimit të teksteve fyese shkollore, të fshirjes së emrave me shkronja latine nga tabelat e rrugëve, vetëm pse edhe shqipja (për dreq!) shkruhet me po këto shkronja, si vazhdimësi e Evropës, si pjesë organike e saj.
S’do mend që mosbefasimi nga të tëra këto nuk ka shkaktuar një qëndrim të plogët te shqiptari, as një qetësi si e atij që është mësuar dhe e ka humbur sensin e kundërshtimit. Përkundrazi, ai është fyer e pezmatuar, por pezmi i tij përsëri ka rënë viktimë e kulturës politike, e largpamësisë dhe e mungesës historike të ndjenjës raciste. Sado që të të duket rrahahagjoks, sado që mburrjet e tij të jenë proverbiale, ai prapë se prapë e di se ku duhet ndalur, ku duhet mosturbulluar ujin në të mirën e përgjithshme. Edhe ky vetëkontroll që shprehën shqiptarët për të mos sulmuar e hakmarrë për deputetin e rrahur mizorisht, qe pjesë e maturisë, që flet se shqiptarët e kanë kaluar moti fazën e të qenit turmë. Ata mendojnë dhe veprojnë politikisht dhe politika e tyre ndahet nga politika e atyre me të cilët rastësisht bashkëjetojnë në shumë pika: në mungesën e racizmit, në tolerancën e kultivuar kujdesshëm, në konceptin mbi lirinë dhe, më kryesorja, në qasjen që kemi ndaj Perëndimit, ndaj Evropës së Bashkuar, rrugën drejt së cilës na e kanë prerë deklaratat e politikat kinseatdhedashëse të maqedonasve, duke na bezdisur e duke na lënë larg Evropës, andej nga prore i mbajnë sytë të gjithë shqiptarët.