VERA ISTREFAJ: NUSËROJNË PISHAT PËR GAZIN FËMIJËROR

Kukës, 29 janar 2019: Pishat paskan veshur vellon e bardhë dhe po nusërojnë të vëna ashtu rrjesht para gardhit që bën kontrast me dëborën. Kokëulurat pisha nën kurmin e tyre të bukur heshtin. Ndonjë shpend i rrallë u jep një prekje a një puthje sqepore, gjithmonë në drojë.
Vrapon një fëmijë me slitën primitive drejt pishave, si fëmija në prehrin e nuses kur vjen ditën e parë.
Gazi në fytyrën e fëmijës të mahnit! Sa pak i duhet njeriut për të qenë i lumtur, e sa shumë kërkon ai për të arritur lumturinë.
Ky gaz fëmijëror përqafohet me mundimet për të skijuar dhe ja… Nisen bashkë me krahet e fëmijës si zogu në fluturim.
Është një fluturim i çuditshëm, madhështor !
Është fluturimi sfidues i ftohtësisë, i halleve të jetës së këtij fëmije që jeton larg zhurmave të jetës moderne.
Një panoramë e bukur në ashpërsi! Një gurgullimë uji dëgjohet, por sytë nuk arrijnë të shquajnë rrjedhën e ujit, të cilën vetëm e merr me mend tatëpjete luginës.
Një ulërimë dëgjohet dhe unë nuk arrij ta percaktoj e cilës kafshë është.
Fëmija vijon aktivitetin e tij edhe pse dhunshëm përplaset disa here me tokën e bardhëruar.
Duket kaq i hareshëm dhe i dërrmuar njëherësh. Është fëmijë triumfues.
Ndoshta pikërisht për këtë pishat nusërojne para tij, ashtu kokëulura.
Òªfarë aplikacioni madhështor kjo sekuencë natyrore e hyjnore njëherësh. Kjo sekuencë jetësore plot bukuri e ashpërsi, kjo sekuencë plot lumturi e dhimbje.
Pulis sytë tek shijoj e vuaj këtë copëz jete larg modernitetit të zhurmshëm e vezullues.
Nxitoj të shquaj sa më shumë të mundem tek nata bie herët, por zaptueshëm.
Slita primitive përfundon në supet e fëmijës ndërsa ai njëherësh shkund gjunjët nga dëbora.
Shkunden mendimet e ndjesitë e mia tek nxitoj të hyj brenda makinës.
Paskam mbetur fëmijë tek konstatoj se jeta ka forma e shprehje që më japin ndjesi të çuditshme.
Tashmë nga xhami i makinës nuk e shoh fëmijën, por diçka ashpërsisht e bukur më mbeti në shpirt.

KUSH ËSHTË VERA ISTREFAJ
Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.
Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë.
Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.
Ka botuar librat:
“Shiu i fundit”,
“Nënqeshja e ëmbël”,
“Në akuj digjem”,
“U jepem udhëve”,
“Qielli i shpirtit tim”,
“Vese shpirti” dhe
“Lirikat e Pikellimes”
Është juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje eksperiencë 20- vjeçare.
Është koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarje” për Qarkun Kukës.
Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.
Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku është kryetare e “Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqiperise” – Dega Kukës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura