WILHELM VON WIED(*): FYTYRA E VËRTET E ESAT PASHË TOPTANIT

(Pashtriku.org, 15. 07. 2012) – Kur Fuqitë e Mëdha, me proponim të Austro-Hungarisë e të Italisë, më zgjodhën për Princ të Shqipnisë, un s’deshta më parë me e marrë mbi vedi këtë barrë. Unë e dijshme fort mirë vështirsinat e pa masë që e pritshin Mbretin e ri të këtij vendi që gjindej pothuajse dhe në një shkallë qytetënie si në kohënat e mesme. Po të gjitha, të gjitha përse ka nevojë një shtet, duheshin krijue rishtas, gati gati prej kurrgjajet. Vetëm atëherë mbasi mu lutën e më nganë sa e sa herë ato Pushtete të Mëdha që kishin ma të shumën interesë, Austro-Hungaria e Italia e tuj pasë besim të plotë në të bamunin dorënxane e në premtimet e të tanë Fuqive që kishin marrë pjesë në Kuvend të Londrës e me uzdajë që me mujtë me ndihmue në të qetësuemit e shtetit shqiptarë që qe ngrehë i ri e kështu edhe në atë të Ballkanit, u dishmova gati, në fillim të dhjetorit më 1913, me e poltisë fronin e Shqipnisë me disa kushte. Ndër këto ishin më të nevojshmet të njohunit zyrtarisht prej Fuqive të Mëdha, të pëlqyemit e popullit shqiptarë me anë të një dërgate dhe të hymit dorënxane të Pushteteve për një hua 75 milion frangash, që do të vijshin për punët botnore e për ndreqjet ma të parat e shtetit të ri.

Princi Vilhelm von Vid

……………………………………………

Të marrunit e huasë kishte më vehte një rëndësi të posaçme. Një kapital të hollash në dorë të guvernës së vendit ishte një nevojë gjallnie për një shtet që prej një të qeverisuni të keq kaq vjetësh kishte ra krejt poshtë e në të cilin s’kishte një herë, asnjë sistemë pagesash të mbarë që të mujte me i pru të ardhunat me ndopak rëndësi, as të marruna doganë të rregullta. Për ndryshe shihej qysh përpara, që edhe vullneti më i mirë e më i fortë s’mujte me sjell punë për s’mbari.
Me se të pagoheshin zyrtarët e nevojshëm të administratës, të pagesavet e të doganavet ashtu edhe xhandarmëria, që duhej ngrehë e re, e fillimi i një ushtrie të vogël? Ku me i marrë të hollat për ndërtimet më të nevojshmet të udhëve e të rrugëve të vlefshme për përparimin e industrisë, të tregtisë e të bujqësis?
Koha ime në Shqipni
Më 7 mars 1914 mbërrita në Durrës i pritun me brohoritje të madhe prej Shqiptarëve që kishin ardhë prej tana anëve të vendit. Të gjith qytetet e më të shumtit e katundeve kishin çue dërgata për me më përshëndetë, të cilat me shend më përbetojshin besnikëninë e tyne. Javët e para shkuenë me të ngrehunit e guvernës, trajtimin e një ministrie e të vumit e zyrave të vogla qeveritare, organizimin e xhandarërisë, çentralizimin e finanacave e me të pamit e vendeve e të qyteteve ma të afërmëve. Por qysh në fillim të prillit nisën me dalë vështirësitë e para e më të mëdhatë. Edhe me gjithë që udhës, me të mbërrijtun në Trieste, e pata marrë lajmin e parë, që çetat greke ishin fut afër kufijvet në fshatrat shqiptare, prap nuk qe edhe aq keq. Xhandarët shqiptarë bashkë me vendas të armatosun i nxorrën prap jashtë kufijvet. Mirë por tash hynë në Epir çeta greke edhe më të mëdha, pushtuan qytetin e Korçës dhe banë kërdinë në të e nëpër rrethinat e saj. Kundër tyne duhej çue në këmbë e tanë xhandarmëria me ata shqiptarë që ishin të shërbimit ushtarak. Këtu plasën prapë kundërshtimet ndërmjet Esatit e oficerave hollandez.

…………………………..

ARDHJA E PRINC VIDIT NË SHQIPËRI 

……………………………..

Njimend që përpara të ardhunit tem ju pat dashtë Ismail Qemal Beut i shtymun prej K.N.K-së me e lanë Shqipninë, por me e shtërngue edhe Esatin gjithashtu i mungonte K.N.K.-së fuqia e nevojshme. Kështu pra ndjej ai pat hequn dorë prej qeverie vetëm me kusht që të shkonte në Gjermani si prijës i dërgatës shqiptare për me më paraqitë mue kurorën e Shqipnisë. Si i tillë ma ka përbetue sa sa herë besnikërinë e përvujtëninë e tij. Mbasi unë e dijsha rëndësin e fuqinë e madhe që kishte në Shqipni të Mesme, u mundova me e fitue për guvernën time, tuj i ba nderime të posaçme e duke e marrë në kabinet për ministër të Punëve të Brendshme e të Luftës.
Kur pra, në fillim të prillit 1914 qe dhanë urdhni me ba një rradhue për të tanë ata burra që ishin të moshës për shërbim ushtarak, dukej që Esati ju vente me kujdes kësaj pune, aq sa zotohej, që për pak kohë do të ishte i zoti me mbledhë 20.000 shpirt, që të shkonte me ta me i ra çetave greke që kishin hy në Shqipni të Jugut. Por Grekët, të cilët me dhespotin grek në krye kishin ngritur në Durrës një sistem spiunësh të plotë dhe shumë të shkathtë, e murën vesh menjëherë këtë punë dhe dërgunë nji farë Dr. Voile, që u poq gojas me Esatin e të cilit – sikundër që kuptova më vonë – i bijte shpesh herë të holla. Lajmet që vinin thojshin tani që vetëm një pakicë e vogël ushtarësh ishte paraqitë, por që më të shumtit nuk dojshin me u nisë për në jug. Si u morë vesh më vonë, kishte dhanë Esati tinës kundër-urdhna, çka si ministër lufte e kishte të lehtë e kështu asht e dijtun që pati ndalë mos me shkue të tanë ata që deshtën. Për këtë arsye e pse ju bante pra të vështirë më të organizuemit e xhandarërisë e më të mbledhunit e vullnetarëve, oficerët hollandezë qenë zemrue shumë me Esatin, një degame e madhe u ndez ndërmjet tij e këtyne oficerëve, ashtu, që mbas kësaj zënke e patë mendjen Esati me paraqitë dorëheqjen, por në të cilën mbasandaj nuk e dha. Prej gjithë fare anësh vishin lajme që duhej ruejte prej Esatit, i cili thojshin ishte marrë vesh me Grekët e se kishte faj edhe ai në ngjarjet në Epir e që s’donte të bënte ushtrime milicie.
Mbas disa ditësh u nis Esati për në Tiranë me shkak që gjoja donte me ja mbushë mendjen popullit që ishte mbledhë atje, me shkue në Jug. Atje ndejti disa ditë. Dy ditë mbasi të ardhunit të tij u përhap lajmi që në Shijak, afër Tiranës kishte plasë një kryengritje. Të nesërmen u mundue Esati tinës meje me çue në Tiranë në qendër të çifliqeve të tij, disa mitraloza, por s’e lanë oficerët hollandezë. Esati tha, që lëvizja s’kishte ndonjë rëndësi, por prapë dha urdhën me u nisë për në Shijak që ta shtypnin. Në këtë kohë e sipër e kishin marrë vesh oficerët hollandez që Esati ishte shkaktari i kryengritjes, i cili kishte fshehë në shpi të tij pushkë e fishekë, një shumicë të madhe burrash të armatosun e kishte shpërnda dhe të tjerë në qytet. Natën e 18 majit krisi pushka ndërmjet të armatosunëve të Esatit e të xhandarëve të mij. Shpia e Esatit qe gjujtë me topa, shenjën e dha një e gjuejtun që bani më parë një prej njerëzve të Esatit ndaj ushtarëve që ishin nën urdhën të një oficeri hollandez. Esati dhe forcat e tij qenë ba rob prej oficerëve hollandezë. Të gjith të ndollunat jepnin me kuptue komplotin tradhëtor që kishte pasë ba gati Esati. Prova me të shkrueme të ndonjë farë mënyre s’u gjetën dhe as që mujtë më kurrë se si, pse Esati s’dijte me këndue aspak posë emrit të tij, të cilin mezi që mujte me e shkrue. Më dukej e pa drejtë me e qitë në gjygjë vetëm mbas të thanunave të gojës, e vërteta e të cilave s’mujte me u provue, pa lanë kurrfarë dyshimi. Përveç kësaj Esati i ra në dorë menjëherë Italisë, e cila edhe i premtoi me vrap mbrojtjen e sajë. Prandaj u vendos vetëm me e dëbue prej Shqipnie. Përpara se të nisej për udhë nënshkroi një shkresë, në të cilën u përbetonte, tuj dhanë fjalën e nderit të oficerit, mos me u kthye ma në Shqipni pa leje të veçantë timen e me ndejtë larg çdo lëvizjeje të brendëshme si edhe të jashtëme kundër meje e qeverisë sime. Esati mori udhën mbasandaj për në Itali ku qe kremtue si një martir!

Esat Pashë Toptani

……………………………..

Mbas të burgosunit të Esatit mbetën kryengritësit pa krye e tuj mos dijtë se çka me ba, nisën me u shpërnda. Vetëm atëherë, si e morën vesh që e kishin lëshu Esatin me shku në Itali e mbasi ata qenë të qetësuem e të msuem nga Italianët – automobili i të cilëve (i legatës) shkonte e vinte për ditë në Shijak e ndër rrethinat e tij – erdhën me kërkesa të reja.
Të gjithë të dërguemunit, posë atij të Italisë, më uruan për të davaritunit e komplotit që kishte ba gati Esati e për të tretunit e këtij përjashta. Prej gjithë farë anësh të vendit vijshin telegrame urimesh por në Durrës i vijte gjithëkuj keq pse qe lëshue Esati.
Se me ç’farë ndihme mu desht me i ba ballë komplotit të Esatit e kryengritjes në fillim të sajë duket prej këtyne shkoqitjeve këtu më poshtë. Veç vullnetarëve, e mbrojshin qytetin edhe 100 malsorë të armatosur, të cilët, me të marrë lajmin e kryengritjes, vrapuan me i ardhë për roje Mbretit të tyne. Për mbrojtje të kështjellës patën dalë në tokëdetare italiane e austriake. Gjithsej ishin në Durrës 300 Shqiptarë të armatosun e ndër ta 299 xhandarë. Posë këtyne kishte edhe disa mitraloza e topa fushe, por për shërbimin e të cilëve u gjindeshin fort pak njerëz, edhe ata që ishin pothuajse gati të pa ushtruem fare.
Mua çudi më bani kërkesa energjike e ministrtit italian Alioti i cili donte me i nisë për në shpi të vet 100 malsorët, për me e pakësue edhe ma tepër numrin e mbrojtësve të Durrësit, që ishin vetëvetiu mjaft të pakë. Po mos të bahej fjala e tij, mu lëvdue, që atëherë kishte për t’i marrë të gjithë detarët. Kësaj kërkese përpiqej me i vu për arsye egërsimin e madh që mujte me shkaktue tek kryengritësit po t’ju binte në vesh që kishin ardhë me më rujtë Katolikët. Unë i dëshmova që jam gati me i lanë me shkue, po të ishte që të qe dhanë urdhën me pru prej Shkodre trupa ndërkombëtare për mbrojtje të Durrësit, por ky proponim s’qe pranuar prej shumicës së përfaqësusave të Pushteteve të Mëdha.
Më 23 maj 1914 në mesditë erdhi Alioti tek unë me një furi të madhe e më lajmëroi se 8000 – 10.000 kryengritës i ishin afruar qytetit e që prej 50 xhandarësh, disa i kishin vra e të tjerët i kishin zënë rob bashkë me katër aficerë hollandezë që ju prijshin. Pak gja mbasandej e vërtetoj edhe Kolonel Thomson-i, zëvendësi i të parit të oficerëve hollandezë, që duke hetuar rrebelët, qenë rrethue e zanun rob oficerët me gjithë xhandarët, e që atij vetë, tok me 100 vullnetarë, ju ishte dashtë me u zbythë përpara shumicës së madhe të kryengritësve. Alioti më këshilloi fort me u futë në një vapor, pse për ndryshe nuk kishte për të mundur me u zotue për sigurin tonë. Pasi unë s’deshta tha, që atëherë kishte për t’i hequr prej toke të gjithë detarët e që anijet luftarake italiane nuk kishin për të qitë as një top për të mbrojtun qytetin. Vrejtjes sime për me shkue në avullore nuk më dukej se ishte nevoja, ju përgjegj Alioti duke thanë se atëherë as mua e as fëmijës sime vetë, s’kishte për të na dalë zot. Mirë, por tash mu lëshue posë të dërgumemunit dhe e tanë ministria ime, që të shkoja në vaporr, me gjithë fëmijën. Unë thashë prapë jo. Mbas pak kohe erdhi me më thanë i dërguemi i Austrisë, se edhe ai këshillonte me hy në ndonjë vaporr, se Italianët, të marrun vesht me kryengritësit e kishin mendjen me ba ndonjë send. Atëherë dhashë leje me i çue në vaporr, sa për siguri, mbretneshën dhe fëmijtë, deri sa të kalonte rreziku. Të 100 malsorët s’deshën me ikë e me u futë në vaporr pa mbretin e tyne. Mbas fjalëve të Aliotit, të gjendunit e tyne në Durrës i bante me u tërbue kryengritësit. Që mos të derdhej gjak i pa nevojshëm e mbasi s’donte edhe Mbretnesha me shkue në avullore pa mua, e përcolla me qëllim që porsa ta kisha pru gjer atje të kthehesha vetë prap menjëherë. Si mbrrita këtu mu duk vetja sikur të isha zënë rob, pse vaporri, me urdhën të admiralit, qe largue edhe ma tutje prej limani e pat nxanë vend pranë tjetrës anije luftarake italiane. Prej droje se nuk do të më ndigjohej fjala e lashë përnjëherë mos me kërkue ndonjë varkë për me dalë në tokë, të cilën pa dyshim që nuk do të ma kishin dhanë. Vetëm atëherë si pat ardhë në Durrës një prej oficerëve hollandezë të zanun rob, të cilin e kishin dërgue kryengritësit për me u marrë vesht, ia behi në një lundricë admirali italian për të më përcjellë deri në tokë. Dhe ndonëse se dija, nëse vallë mos ishte kjo një kurth që më kishin vu Italianët, unë prapë zbrita se zbrita në tokë. Me të ngrysun u kthye dhe mbretnesha anagjore në kështjellë. Mbas marrëveshjeve që u banë me kryengritësit qenë lëshue të bamunit rob. Ministri i Austrisë, i cili edhe ai kishte hypë në një vaporr me gjith grunë e vet, mu lut fort njaty kahë të errunit për me shkue të paktën natën në anijen austriake, se kishte marrë vesh që kryengritësit e kishin mendjen me ba një të mësyme natën. Më tha që detarët austriakë ishin atje vetëm për roje të dërgatës (lëgatës) austriake; me i vu në rrezik edhe për mbrojtje të Pallatit s’mujte me e marrë mbi vedi. Unë s’e pranova këtë grishim, i cili pa dyshim, që qe me qëllim të mirë. Këto pra, kanë qenë ngjarjet e 23 majit, por që nëpër gazeta qenë zmadhue e shëmtue në një mënyrë mashtruese e të pa shoqe.
Gjer në këtë ditë pata besue gjithmonë, që guverna italiane kishte me më dhanë një ndihmë të pa shterrueshme në gjendjen time të vështirë. Mbasi tashi e dija të paktën, që prej Aliotit mujte me ardhë çdo poshtërsi. Po për shkak të marrëdhënieve që kishte Trilidhja ndërmjet sajë mu deshtë edhe këtej e tutje me ba sy të mirë në lojë të keqe.
(…)
* ) Fragment nga “Monarku që u zgjodh për të drejtuar Shqipërinë në vitet e vështira”. Shkrimi është përgatitur nga Hasan Bello dhe ka të bëjë me një tekst të përkthyer nga gjuha gjermane në korrik 1917 dhe është gjetur në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura