XHAFER DURMISHI: “IBRAHIM KELMENDI KA ARDHUR RASTËSISHT” THOTË HYSEN GEGA!

Pashtriku, 26 shkurt 2021: Sadik Blakaj, Hysen Gega dhe vizita e rastësishme e Ibrahim Kelmendit

 

 

 

 

Banesa dhe adresa e Nami Ramadanit, prej të cilës Hysen Gega niset drejt e në kurthën e UDB’së Serbe, më 19 dhjetor 1980.
(Fotografoi Faridin Tafallari)
Nami Ramadani / Karlsbaderstr. 12 7300 Esslingen

Të gjitha citatet jashtë kornizave janë marrë nga libri “Terror Dhimbje Qendresë” i Faridin Tafallarit në mes faqeve 20-26. “Ndërkohë, ndërsa po përgatitnim dramën (Procesi të Jusuf Gërvallës – shën. i Xh.D.), na erdhi një shok i Demës, i cili në kontakte me ne përdorte pseudonim. Por mua Dema më tregoi se ky ishte Sadik Blakaj. Një mbasdite Dema erdhi në shtëpinë time dhe më tha se ka ardhur një shokë nga Kosova, i cili është shumë i aftë. “Për të të kam folur dhe tani ke rastin ta takosh”, por mua nuk më kujtohej që Dema të më kishte folur më parë për Sadikun. Dema më kishte folur shpesh vetëm për dajën e vet, të quajtur Nezir Gashi. Për të më kishte thënë se ishte njeri i mirë.” (f. 20)
“Nesimi menjëherë ishte shqetësuar se mos Sadiu po dërgohej nga UDB’ja për t’i bërë ndonjë paudhësi Miranit. Ai dinte për veprimtarinë e Miranit, sepse mbante lidhje të fshehta me te. Por, më përafër ishte informuar nga një vizitë befasuese që Mirani ia kishte bërë atij në fshat, në vitin 1979, shoqëruar nga Vasili.” (Ibrahim Kelmendi, Atentatet f.176) “Gjatë vitit 1979 hyri ilegalisht në Kosovë… …Ibrahim Kelmendi ishte takuar me Hysen Gegën, njërin ndër militantët më të fuqishëm që kishte patur Kosova, pastaj ishte takuar edhe në Pejë me veprimtarin e dalluar Nezir Gashi.” (Mr.Ethem Çeku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, f. 201).

Hysen Gega – Vasili

“Hyseni ashtu siç e kishte zakon, lëvizi kapelën nga koka dhe më tha: ‘Faridin ne kemi besim tek ti dhe prandaj po të drejtohem. Unë me Sadik Blakën kemi vendosur të shkojmë në Kosovë, por na duhen ca të holla. Aq sa ke mundësi të na japësh, se këto do të të kthehen prap. Ne po t’i kërkojmë ty si shok, që udhëtimi ynë të mos merret vesh. Kemi venedosur që askush të mos e dijë.’
“Mirë Hysen, – i thash. Nuk është problemi tek të hollat, ato do t’i jap. Por mua më habit shkuarja jote me Sadikun. Unë, për veten time, tek ai nuk kam aspak besim. Me të kurrë nuk kisha për t’u nisur për të marrë një rrugë, sidomos për Kosovë. Unë pata rastin ta njoh pak e veçanërisht biografinë e tij. Për mua veprimtaria e tij nuk ka vlerë.”
Hyseni m’u përgjegj: “Unë i besoj Demës, se ky po më garanton që Sadiku nuk mund të tradhtojë. Unë e njoh Demën, se Sadikun nuk e njoh.” Dema përsëriti ato që i kishte thënë Hysenit: “Sadiku nuk është tradhtar dhe mos e ruaj shpinën kurrë prej tij, se ai nuk të pretë në besë. Sadiku ka të meta tjera, por sa për patriotizëm është patriot; unë prej tij e kam marrë për herë të parë flamurin kombëtar.” Dhe Dema vazhdoi me lavdërimet për Sadiku siç e kishte zakon.
“Mirë”, – i thash unë, megjithëse nuk po më vinte aspak mirë. “E keni bërë planin dhe e keni vendosur, po Sokolit (Jusuf Gërvalla – shën i Xh.D) nuk do t’i tregoni për këtë punë? Do të bënit shumë mirë po të njoftonit edhe Sokolin.”..

Por kur përmenda Sokolin, ndërhyri Hyseni dhe tha: “Jo nuk do t’i rrëfejmë Sokolit. Po ta marrë vesh Sokoli, nuk do të na lejojë dhe kështu për këtë punë përveç teje, Demës dhe Sadikut nuk ka për ta ditur askush tjetër.”
Duke parë se kjo punë kishte mbaruar e ishte vendosur, unë i thash: “Po t’i jap 2000 marka gjermane dhe po që se janë të pamjaftueshme, më thuaj Hysen, do të jap edhe më.”
“Jo më tha Hyseni, bile janë shumë dhe të faleminderit për gatishmërinë tënde.”
….
Pastaj Hyseni i telefonoi një shoku të cilit i besonte shumë (ky ishte Nami Ramadani nga Tenova e Tetovës). I tha: “Kam një shok me të shoqen, a pranon që ajo të qëndrojë tek ti një javë apo dhjetë ditë.”
“Po si nuk e pranojmë shokun tënd, jo një e dy javë po sa të doj.” Dhe kështu u bë. Sadiku me Dianën u vendosën te Nami Ramadani në Esslingen. Hyseni kishte shumë besim te shokët…

Pa u nisur për Kosovë, Sadiku një mbrëmje udhëtoi për diku. Dema nuk më tregoi se për ku. Unë dhe Dema e përcollëm Sadikun deri te stacioni i trenit në Nagold. Para se të nisej Sadiku i tha Demës: “Shikoi duartë e mia; këto nuk punojnë si duartë e tua e të Faridinit, por fitojnë, ja kështu të paprishura.” Kur treni u nis, Sadiku i tha: “Demë, për atë bisedë mos ta dij askush veç ti dhe unë.”
“Dema nuk më tregoi se përse e kishte fjalën Sadiku….

Ditët po kalonin dhe unë nuk pata rastin të takohesha më as me Sokolin (Jusufin), as me Besnikun (Bardhoshin). Dhe ja më 19 dhjetor 1980 Sadiku u kthye nga udhëtimi i tij, unë dhe Dema u nisëm për Esslingen për ta takuar dhe përshëndetur atë dhe Hysenin.

Arritëm në Esslingen, lamë makinën jashtë dhe hymë në banesën qëndronin Hyseni dhe Sadiku. U përshëndetëm të gjithë, edhe me “Rrustemin” (pseudonimin e Sadik Blakajt në banesën e Nami Ramadanit-shën ynë). Ajo që më habiti më së tepërmi qe se aty pash edhe Ibrahim Kelmendin. Më pas e pyeta veçmas Hysenin se si kishte mundësi që Ibrahimi ta dinte punën e udhëtimit për Kosovë, kur fjalët ishin që as ky të mos e merrte vesh nisjen. Hyseni më tha: “Po as Ibrahimit nuk i kam treguar; ai ka ardhur rastësisht.”
Unë i besova.
Ishte nata e fundit; koha për t’u përshëndetur erdhi. Unë dhe Hyseni i zgjatëm dorën njëri-tjetrit dhe duke i shtrënguar u përqafuam. Na u lagën sytë nga lotët, tani po ndaheshim dhe nuk e dinim se kur dhe ku do të mund të takoheshim përsëri. Hyseni ma la mua makinën e vetë, një makinë e vjetër, që pas një kohe të shkurtër m’u desh t’a braktisja; m’u dhimbs shumë kur e hoqa nga dora makinën e Hysenit, nga e cila mora librat e shumta që kishte aty. Hyseni na la porosi që sa më parë të lajmëronim Sokolin dhe Besnikun për nisjen e tij në Kosovë. Bashkë me Demën shkuam te Sokoli dhe i treguam për udhëtimin e Hysenit. Sokolit i erdhi shumë keq dhe e quajti atë një veprim të gabuar dhe kurrsesi nuk po mund ta besonte. Por kjo ishte një gjë e vërtetë.” (f. 24-26)
***
“Aktgjykim
…Nezir Gashi, mësues nga Grabovci, KK-ës së Pejës, i lindun më 1938 në Mamurras-Shqipëri, e ka krye Shkollën Normale, në burgun hetues gjendet prej 13 korrikut 1964.
…c) I pandehuni Neziri:
Mbas bisedave me të pand., Ramadan Shalën, e cili e ka njoftue për ekzistimin e grupi armiqësor ilegal të Pejës dhe me qëllimet e tij, në prill të vj. 1964, ka hy në atë grup dhe e ka pranue statutin e tij, si dhe detyrën e masovizimit të grupit dhe mbledhjen e armëve, qëllim për të cilin ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit në Pejë më 24 maj 1964, në të cilin simbas propozimit të të pand., Ramadanit, asht zgjedhë për sekretarë të udhëheqësisë lokale të Pejës.
…DËNON
…6) Të pandehunin, Nezir Gashin, me 5 (pesë vjet) burgim të randë, porse në dënimin e dhanun ja llogaritë kohën e kalueme në burgun hetues prej 31 korrikut të vj. 1964. … Gjyqi i Qarkut të Pejës, 21 gusht 1964.” (Nga aktgjykimi i LRBSH-Dega në Pejë. Marrë nga Ethem Çeku, Shekulli i ilegales, Prishtinë 2004, faqe 336-348)

© Pashtriku.org – 09. 10. 2010

_____________________________

XHAFER DURMISHI: SADIK BLAKAJ SIPAS IBRAHIM KELMENDIT „JE I PASTËR SI LOTI“!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10932

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura