XHAFER DURMISHI: JUSUF GËRVALLA NË VITIN 1980

Pashtriku, 22 shkurt 2021: Ibrahim Kelmendi ia tregon Hysen Gegës historinë e formimit dhe pagëzimit të ”Frontit të Kuq” respektivisht ”Frontit të Kuq Popullor”
I. Kelmendi: “- Organizimi ynë fillimisht, në shtator të viti 1978, zuri fill si tepër konspirativ. Tubimin themelues e mbajtëm në dhomën time në konvikt. Ndërkohë e shndërruam në organizim popullor, siç do ta karakterizoja. Ishim katër veta kur themeluam Frontin e Kuq Popullor.

Kështu duket koka e Bashkimit nga vera 1979 si Organ i Frontit të Kuq (pa mbaresën “Popullor”)
Miratuam Program e Statut. Asnjëri nga ne nuk e njihte anën teorike të këtij organizimi, prandaj unë e luta një profesor gjerman që të na ndihmonte për përpilimin e këtyre materialeve.”( Atentatet, f.39)
I. Kelmendi: ”Më vonë vendosëm për organizim legal, me bashkatdhetarë të tjerë, duke anashkaluar Xhavitin, meqë për te krijova përshtypje se ishte informator i UDB-së, i urdhëruar për t’u anëtarësuar në PKGj/M-L, që të informonte për veprimtarinë e kësaj partie komuniste sigurimet e fshehta jugosllave dhe gjermane. Kurse për Proletarin formova përshtypjen se ishte një dogmat primitiv.” f.40

I riu Jusuf Gërvalla

”Meqë u përcaktova për organizim ndryshe, siç ta thashë, një si organizim popullor, u interesova të gjejë bashkatdhetarë patriotë, të cilët do të ndihmonin për nxjerrjen e gazetës Bashkimi. Këta të interesuar duhej se pari të mësonin që të lexonin, meqë ishin gjysmanalfabetë. Doemos duhej një ngritje për organizim më vonë.
Nëse nuk je mërzitur, po të tregoj edhe gjëra të tjera.
– Të lutem, vazhdoje!-u përgjigj Vasili me një përqendrimin maksimal për të dëgjuar.
– … sa për emërtimin, në tubimin themelues, unë pata propozuar ta quanim “Fronti Popullor Demokratik”, meqë më pëlqente emërtimi i përafërt i organizimit të masave në Republikën e Shqipërisë, i cili, siç e di edhe ti, quhet Fronti Demokratik.
Unë i shtova “popullor” vetëm sa për të bërë dallim me atë emërtim.” (Atentatet, f.41)
Xhahili (Xhaviti), informatori i UDB-së propozon emërtimin “Fronti i Kuq”
I. Kelmendi:” Xhahili propozoi ta emërtonim ’Fronti i Kuq’, duke arsyetuar se duhet të ndjekim shembullin e organizatave çlirimtare “Brigada Rosa”, “Rote Army Fraktion”, etj. Proletari propozonte ta quanim “Partia Komuniste e Kosovës /Marksiste-Leniniste”, duke arsyetuar se vetëm komunistët mund të bëjnë revolucion të vërtetë proletar. Isa ishte çdo herë për ato që thosha unë, meqë thuaja përditë pas pune vinte tek unë për të kaluar kohën e lirë. Kur votuam ishim dy me dy. Meqë Proletari hoqi dorë nga propozimi i tij dhe përkrahu propozimin e Xhahilit, duke ia shtuar atij mbiemrin ’popullor’.

Për të fituar varianti i tyre, Proletari përdori demagogjinë, duke thënë se ju intelektualët nënçmoni proletariatin.Them demagogjinë, sepse më drejtohej mua, e unë isha vetëm një student. Me këtë demagogjit të Proletarit, ata dolën fitues, sado që edhe unë avullnetshëm u dakordova me propozimin e tyre. Edhe tani mendoj se emri që kemi miratuar është tepër bombastik e provokues.” (Atentatet , f.41-42)
Eshtë interesantë si e shpjegon Ibrahim Kelmendi historinë, gjenezën e organizatës së vetë. Sipas Ibrahimit, në mbledhjen themeluese ka qenë e pranishme UDB-a, përmes Xhahilit (Xhavitit), dhe është UDB-a, ajo që (përmes Xhavitit) e ka pagëzuar (ia ka ngjitë emrin) ”Fronti i Kuq”, ndërsa Proletari, një dogmat primitiv apo Ibrahim Kelmendi ia kanë dhënë mbaresën ”Popullor”. Pra që në mbledhjen themeluese organizata e Ibrahim Kelmendit ka marrë emrin tepër bombastik dhe tepër provokues ”Fronti i Kuq Popullor”.
Kështu duket koka e numrit të dytë ë gazetës Bashkimi, nga fillimi i shkurtit 1980, si Organ i Frontit të Kuq (pa mbaresën “Popullor”) i përgatitur nga Jusuf Gërvalla. Risia në kokën e gazetës është se Jusufi mbi titullin Bashkimi e vendosë parullën “Për një Shqipëri Socialiste të të gjithë shqiptarëve!”
Jusufi, si anëtarë i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi (LNÇKVSHJ), pas konsultimit me Bashkim Prishtinën (Sabri Novosellën) arratiset nga Kosova më 14 dhjetor dhe mbërrin në Ludwigsburg, pas një jave, më 21 dhjetor 1979. Nuk vonon shumë dhe Ibrahim Kelmendi merr vesh për arratisjen e Jusufit. Ai (I. Kelmendi) i ofron bashkëpunim Jusufit dhe “shpreson se Jusufi do të pranoj” të mirret, me përgatitjen e gazetës Bashkimi. Jusufi pranon që me mundin dhe dijenin e tij ta bëjë të mundshme daljen e gazetës Bashkimi. Jusuf Gërvalla e gjen gazetën Bashkimi, si Organ të Frontit të Kuq. Ai (Jusufi) nuk e din atë që e di I. Kelmendi, se emri “Fronti i Kuq” është i zgjedhur nga UDB-a, “përmes dikujt” apo pa kurrfarë ndërmjetësi. Pa ia ndryshuar emrin, por vetëm duke ia shtuar një parullë (“Për një Shqipëri Socialiste të të gjithë shqiptarëve!”), Jusufi e përgatitë numrin e dytë të Bashkimit.
Tri ditë pas arritjes së Jusufit në Ludwigsburg, më 24 dhjetor 1979 Bashkimi Sovjetik ndërhyn ushtarakisht në Afganistan. Pas një kohe gazeta shqiptare “Zëri i Popullit” shkruan një artikull kundër invadimit të Afganistanit, ku në mes tjerash thuhet diçka në stilin: Nëse Bashkimi Sovjetik e sulmon Jugosllavinë ashtu siç ka bërë me Afganistanin, populli shqiptar së bashku me popujt jugosllav do të luftojnë kundër agresorit. Pas daljes së numrit të numrit të dytë të Bashkimit nga shtypi (të parit të përgatitur nga Jusufi), në klubin Emin Duraku në Dussledorf, bëhet një fushatë kundër Shqipërisë, me një arsyetim, që i përmbledhur mund të shprehet kështu: Shqipëria na tradhtoi e u mashtrua nga jugosllavët gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të njejtin gabim, të njejtën gjë është e gatshme ta përsëritë prap. Jusufi thirret në Dusseldorf për ta sqaruar artikullin e “Zërit të Popullit”.
Kështu duket koka e numrit të tretë të gazetës Bashkimi, të përgatitur nga Jusuf Gërvalla, nga prilli i vitit 1980, si Organ i Frontit të Kuq (pa mbaresën “Popullor”).
Si pasojë e kësaj rruge Jusufi, kah fundi i shkurtit shkruan kryeartikullin “Zëri i Popullit – zë i të gjithë shqiptarëve” që botohet në numrin vijues të Bashkimit, në prill 1980. E kësaj kohe është edhe kjo letër që Jusufi ia dërgon Ibrahim Kelmendit, prej të cilës është marrë ky citat:
Jusuf Gërvalla: “Jam mirënjohës që të bie ndër mend edhe të më shkruash letër. Unë sa për letra jam shumë dembel. Mirëpo, në letrën e fundit ti kërkon ndonjë mendim prej meje lidhur me vargjet që ke shkruar. Prandaj, më duhet të të përgjigjem pa tjetër. S’ka dyshim se, sikur të mos kisha diktuar tek ti një shpirt që energjinë e vet mund ta zbrazë për së mbari duke shkruar vargje (kjo është një nga mënyrat më fisnike të shfytëzimit të energjisë së njeriut në përgjithësi), do t’i bija shkurt dhe të të thosha të mos lodhesh më. Po realiteti, fatbardhësisht, po flet ndryshe: me një përkushtim më të madh dhe me konsultim pak më të ngulmët edhe të teorisë së artit, për sa kam arritur unë të vërej, ti mund të na dhurosh vjersha shumë të qëlluara.
Ja se, pse i zura ngoje angazhimin më të madh dhe konsultimin e teorisë.
Së pari, në art, gjatë procesit të krijimit, është e domosdoshme që, pos të tjerash, të kemi një besim të madh në vete dhe një bindje të fortë, një sugjestion se jemi duke bërë punë shumë fisnike. Më duket se ti kemi diçka tjetër: një provë që, krahas punëve të tjera, të merresh edhe me diçka joserioze! Ky është një mëkat ndaj artit dhe deri sa të mbash qëndrim të tillë ndaj tij, edhe ai do të mbajë qëndrim adekuat ndaj teje, do të të përbuzë, dhe kështu mendimi i vërtetë artistik kurrë nuk do të zhveshet i tëri përpara teje në gjithë bukurinë e vet të fuqishme.” (Letër Ibrahim Kelmendit, rreth prillit 1980. Marrë nga Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 280-281)
RRETH PROGRAMIT E STATUTIT TË FRONTIT TË KUQ POPULLOR
Ibrahim Kelmendi: “- Organizimi ynë fillimisht, në shtator të viti 1978, zuri fill si tepër konspirativ. Tubimin themelues e mbajtëm në dhomën time në konvikt. Ndërkohë e shndërruam në organizim popullor, siç do ta karakterizoja. Ishim katër veta kur themeluam Frontin e Kuq Popullor. Miratuam Program e Statut. Asnjëri nga ne nuk e njihte anën teorike të këtij organizimi, prandaj unë e luta një profesor gjerman që të na ndihmonte për përpilimin e këtyre materialeve.”( Atentatet, f.39)
Ibrahim Kelmendi: “Shokë!
Mendojmë se kaloi një kohë e mjaftuar që kur morët në duartë tuaja Programin dhe Statutin e Frontit të Kuq Popullor me material përcjellës. Ai që ka dashur ka mundur të vendosë nëse është dakord që të jetë i organizuar në radhët e Frontit. Dhe ende nuk është hasur në të atillë që nuk janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në radhët e Frontit, pasi kan studiuar programin e punës dhe Statutin.” (Letër dërguar Faridin Tafallarit më 4 qershor 1980. Marrë nga Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, 1998 Tiranë, f.154)
Letra e I. Kelmendit, e datës 4 qershor 1980 është dokumenti i parë që flet për ekzistencën e Programit dhe Statutit të Frontit të Kuq Popullor. Është dokumenti i parë që Ibrahim Kelmendi përmend emrin “Fronti i Kuq Popullor”.

PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TE KUQ POPULLOR
LOGOJA – ME PUSHKË E PENË

Kështu duket kopertina e Programit të Frontit të Kuq Popullor, i shkruar nga Jusuf Gërvalla në maj të vitit 1980. Për herë të parë emrit Fronti i Kuq, nga Jusufi i shtohet mbaresa Popullor. Pas shkrimit të këtij Programi, për shkak të dyshimeve të veta në Ibrahim Kelmendin, Jusufi nuk ka kurrfarë angazhimi në Frontin e Kuq Popullor deri në muajin nëntor 1980.
E kësaj kohe është ngjarja e hidhur e një takimi të Jusufit me Riza Salihun në Shtutgart. Xhafer Durmishi: “Në fillim të vitit 1980 në Kosovë ka qarkulluar një fletushkë e “Grupi komunist Zëri i Kosovës” që është nxjerrë nga Riza Salihu në Shtutgart. Në verën e vitit 1980 Sabri Novosella lajmërohet në Stamboll për fletushkën e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës” për çka ai dëshiron t’i sigurohet shpejt një kopje që ta dërgoj në konsullatën shqiptare të Stam­bolit dhe t’ua dëshmoj atyre tetekëve se shokët e Sabrisë dhe Komiteti Qendror me Kryetarin e vetë nuk hanë bukë badihava. Po në verën e 1980 Jusuf Gërvalla takohet me Riza Salihun. Në bisedë e sipër Rizahu e pyet Jusufin se çfarë organi nxjerr organiza­ta e juaj. Kur Jusufi i përgjigjet se organ i LNÇKVSHJ është “Zëri i Kosovës”, Riza Salihu dëshpërohet e revoltohet shumë dhe e prishë bisedën me Jusufin. Më vonë kur Jusufi merr kontakt me Sabriun, në një ndër letrat e para i thotë se emri “Zëri i Kosovës” nuk është i përshtatshëm për organizatën tonë pasi të njëjtin emër e përdorë Riza Salihu për grupin e tij.” (Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985, maj 1992, www.pashtriku.org)
Riza Salihu, pas bisedës me Jusufin, ia shpreh inatin e vetë në mënyrën e vetë Hysen Gegës. Hysen Gega, shok i Riza Salihut, por edhe i Ibrahim Kelmendit, me të cilin në verën e vitit 1979 ilegalisht, në Pejë, e kanë takuar veprimtarin e njohur Nezir Gashin, thotë se është i gatshëm me krye detyrën, vrasjen e Jusufit e Bardhoshit, por kurrsesi pa e takuar Jusufin. Jusufi nuk ka qenë njeri paranoid që e ka ekzagjeruar rëndësinë e punës së tij, apo rrezikimit të tij. Se kjo punë nuk ka qenë punë mahie e ka dëshmuar vetë Jusufi. Hysen Gega me iniciativën e vetë takohet me Jusufin, dhe që në takimin e parë personal, pa praninë e askujt tjetër ia tregon të vërtetën Jusufit. Pas atij takimi, raporti i Jusufit me Hysen Gegën është i përjetësuar në shkrimet e Jusufit në letra dhe në Lajmëtarin e lirisë. Shpifjet dhe insinuatat kundër Hysen Gegës janë pesha që do të rëndoj mbi ata të cilët janë marrë e ushqyer me to për vite e dekada. Në pranverë të këtij viti, në kohën kur lufta shantazhuese kundër Jusufit në Shtutgart intensifikohet përmes provokatorëve të UDB’së, të cilët kurdisnin edhe atentate e kërcënime të ndryshme, duke shpresuar se Jusufi do të izolohet, më 4 qershor 1980, Gjykata e Qarkut në Prishtinë (në bazë të aktakuzës PP.nr.180/79 datë 9 maj 1980) në ”emër të popullit” i dënoi tetë anëtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ).
AKTGJYKIMI I GJYKATËS SË QARKUT NË PRISHTINË
P – nr. 137/80, datë 4 qershor 1980:
“Prandaj gjykata në bazë të neneve të lartcituara si dhe neneve 5, 33, 38, 41 dhe 50 të LPJ si dhe nenit 351 të LPP I
GJ Y K O N
Të akuzuarin Shefqet Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh.
Të akuzuarin Ramadan Pllanën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdi Kelmendin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdyl Lahun me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Skender Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.
Të akuzuarin Isa Demaj me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Sylejman Qyqallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Hysen Gërvallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.”
Atmosferën e asaj kohe e shohim shumë mirë edhe në letrën e Ibrahim Kelmendit dërguar Faridin Tafallarit më 4 qershor 1980, pikërisht në ditën e gjykimit të anëtarëve të Lëvizjes-LNÇKVSHJ.
I. Kelmendi: “Veprimtaria e till diversioniste ka lënë pasoja. Shoku Isuf ndoshta me arsye, ka vendosur të mbyllet në lëkurë të vet, ose të themelojë apo edhe ka organizatë në vete. Kryesorja ai ka distancuar veten nga shokët tanë, të cilët mbanin kontakt me të dhe konsultoheshin.” (Letër Faridin Tafallarit, 4 qershor 1980; FT, Dhimbje krenare, Tiranë, 1998, f. 159)
Çka tregon letra e mësipërme?
Shoku Isuf ndoshta me arsye, ka vendosur të mbyllet në lëkurë të vet.
Ibrahim Kelmendi shpreson se rasti me Riza Salihun do ta frikësoj, pa e kuptuar përkrahjen e besimin e paluhatshëm që ia jep Hysen Gega – Jusufit, qysh në takimin e parë. ose të themelojë apo edhe ka organizatë në vete
Fjalia e mësipërme tregon se edhe përkundër faktit se Jusufi i nxjerr dy numra të Bashkimit, e shkruan Programin dhe Statutin e Frontit të Kuq Popullor, me asnjë fjalë të vetme nuk i tregon Ibrahim Kelmendit se a është i organizuar në ndonjë organizatë apo jo, e lere më të bisedoj për ndonjë person të rëndësishëm apo më pak të rëndësishëm të saj. Fjalia e mësipërme e I. Kelmendit rrezaton dyshime e pasiguri ashtu siç rrezaton qartësi e vendosmëri çdo fjalë e shkruar nga Jusufi. Citati i mësipërm është krejtësisht i mjaftueshëm për të hetuar dhe rrënuar të gjitha gënjeshtrat e falsifikimet e gjysmës së librit Atentatet. I. Kelmendi: ”Kjo gjendje vazhdoi derisa Jusufi e Mirani u takuan në festën e 28 Nëntorit, në Nürnberg. Në manifestim Jusufi bëri një diskutim, jo fjalim, por shumë përmbajtësor. Që të dy kishin presion nga Vasili e Maksi për të rivendosur bashkëpunimin. Ata me të dy mbanin lidhje dhe iu bënin përherë lutje që të pajtoheshin e të bashkëvepronin.” (Atentatet, f.174-175)
Pikërisht në këtë ditë, (më 4 qershor 1980) Jusuf Gërvalla kishte nisur përgatitjet për botimin e ”Lajmëtarit të lirisë”, një revistë Kombëtare që solli, shpresë, guxim e vetëbesim tek shqiptarët në mërgim dhe në gjithë etnikumin kombëtar në ish’Jugosllavi.

 

Kadri Rexha: ”Gjatë kësaj kohe, pra në muajt e parë të vitit 1980, në jetën politike të Jusuf Gërvallës hyn edhe një ngjarje tjetër shumë me rëndësi, e cila në aktivitetin e tij të palodhshëm do t’ia plotësoëj një boshllëk, do ta angazhojë edhe më tepër, sidomos kur të kihet parasysh se në mes Jusuf Gërvallës dhe organizatës së tij LNÇKVSHJ ende nuk ishin vënë kontaktet e pritura. Ismail Haradinaj, arsimtar i edukatës fizike, nga fshati Glloxhan, KK i Deçanit, përndryshe burrë i ndershëm nga një derë e njohur për tradita të larta patriotike, me anë të një letre, të cilën ia dërgon përmes një studenti, e njofton Jusuf Gërvallën se në rrethin e Deçanit ekziston një grup patriotik revolucionar mjaft aktiv. Ai përmes letrës shpreh gatishmërinë e vet dhe të shokëve të tij për luftë të pakompromis për atdhe. Prandaj, në mes tjerash, e lut Jusufin që të jetë në kontakt të vazhdueshëm me ta, në mënyrë që t’u gjendet sa më pranë me këshilla dhe udhëzime. Kësaj lutje dhe kërkesave që i erdhën nga ky grup, Jusuf Gërvalla u përgjigjet pozitivisht dhe menjëherë fillon nga puna. Sa për fillim ai atyre ua ofron Statutin, materialet e LNÇKVSHJ dhe mënyrën e organizimit të saj, të cilat ata i pranojnë me entuziazëm të madh. Pas përqafimit të Statutit, ky grup, më parë gjysmë i organizuar, i riorganizon radhët e veta dhe fillon një aktivitet me hov të ri. Tash e tutje ky krah i ri i LNÇKVSHJ do të quhet ’Komiteti i Deçanit’ dhe pothuajse të gjitha territoret e Rrafshit të Dukagjinit si dhe Universiteti i Prishtinës pikërisht nga kjo degë do të mbulohen me trakte, si dhe me materiale të tjera patriotike. Nga puna dhe aktiviteti i suksesshëm i këtij krahu, Jusuf Gërvalla do të marrë impulse të reja, edhe pse me vështirësi të mëdha materiale dhe pa bashkëpunëtorë, do t’i hyjë punës individualisht dhe gjatë verës së atij viti do të fillojë me nxjerrjen e revistës së përdymuajshme ’Lajmëtari i lirisë’.” (Fati i luleve, Prishtinë, 1993, f. 162)
Në gusht 1980 del numri i parë i Lajmëtarit të lirisë.
Diku në këtë kohë, Riza Salihu, përmes metodave të tij, dhe padjallëzisë së punëtorëve të Postës Gjermane, regjistron disa emra personash, posta e të cilëve duhet t’u vij në një kuti postale (Posfach) në qendër të Shtutgartit. Në këtë mënyrë ai vjen në posedim të dërgesave postale të Jusuf Gërvallës. Në këtë ngjarje palë e dëmtuar na del edhe Ibrahim Kelmendi. Riza Salihu, ashtu siç më ka tregua Jusufi, e paguan një kuti të vogël apo mesatare postale. Në te vijnë paketa e libra e dërgesa të ndryshme. Pas disa ditësh, në Kutin postale (Postfachun) e Rizahut vijnë dërgesa më shumë se sa ajo i zenë. Kur e njejta gjë përsëritet disa herë, punëtorët e postës dyshojnë dhe e kontaktojnë policinë. Policia e heton këtë rast, dhe ia bënë një pyetje direkte Jusufit:
Policia gjermane: Amundeni me thënë se ai këtë punë e ka bërë si agjent jugosllav, a mund ta akuzosh ti për këtë punë?
Jusuf Gërvalla: Jo nuk mundem. Për këtë punë që e ka bërë nuk mund ta akuzoj se e ka bërë i nxitur nga shteti jugosllav!
Interesante është letra e Ibrahim Kelmendit dërguar Jusufit për këtë punë.
I. Kelmendi: “Do të kishte qenë mirë të më ndihmoni, pasi jeni më afër ngjarjes, për rastin e arrogantit Rizah. Sigurisht që Bardhi ka mundur të mësoj më shumë gjëra se unë, pasi unë pos çfarë më thanë të KRIPO-s, nuk di tjetër. Një gjë di se jam i revoltuar shumë me Rizahun për konfiskimin e postës që më ka bërë. Është kjo vepër prej udbashi. I poshtri! Sigurisht që më ka munguar posta. Për këtë kam bërë sa herë fjalë me udhëheqësit e konviktit.” (Letër Jusuf Gërvallës, 16 shtator 1980, botuar në: Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 117)
Në tetor 1980 përgatitet numri i dytë i Lajmëtarit të lirisë.
Në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit Jusuf Gërvalla i përgjigjet në këtë formë ofendimit më të madh të Ibrahim Kelmendit.
Jusuf Gërvalla: “E marr me mend (e kjo spikat edhe në letrën tënde) ç‘mundime (e vuajtje-shën ynë) ke pasur të më shkruash në “nivelin” tim, sikur thua se vetëm në “nivelin” tim të shkrimit paska për mua afrim, respekt e dashuri për njerëzit! E çka do të kish qenë “niveli” im, sikur t‘u jepej flirteve absurde narcisoide me vetveten dhe të injoronte faktin, se ka pa numër virtute të tjera, që mund ta marrin vizën e njerëzisë para se një aftësi mesatare e të shkruarit?! Ky është ofendimi më i madh, që më ke bërë ndonjëherë: të më zhveshësh nga gjithçka njerëzore dhe të më identifikosh me një aftësi gati-gati mediokër të shkrimit! (Ti këtë se thua konkretisht, po del nga qëndrimi yt.) (Letër I. Kelmendit, fundi i tetorit 1980, Marrë nga Faridin Tafallari, Me tre yjet e pabdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 282)
Gjatë një ndeje me Jusufin, Hysen Gega dhe shokët e Shtutgartit, në bisedë e sipër në kohën kur bëhet planifikimi i organizimit të festës së 28 Nëntorit 1980, ia kërkojnë Jusufit një dramë. Jusufi, i gatshëm si çdo herë për t’iu dalë në përgjigje bashkluftëtarëve të vet, ulet dhe brenda tri-katër ditësh e kryen këtë punë. E përfundon dramën “PROCESI” që e ka si personazh kryesor Sabri Novosellën, shokët e tij dhe gjeneratën e tij. Në këtë dramë përshkruhet qëndrimi superior i Sabri Novosellës dhe shokëve të tij në burgjet e UDB-së Serbe. Në mesin e aktorëve të kësaj drame është edhe Nuhi Sylejmani, luftëtari i pathyeshëm dhe më superior në rrethin e Jusufit. Rrethanat do të sillen më vonë që Nuhi Sylejmani, Luani superior, në mënyrë të mahnitshme e njofton Dezertorin apo Dordolecin superior të UDB-së Serbe dhe Vëzhguesin superior të Dezertorit të UDB-së Serbe, se ai ka qenë i angazhuar në dramën kushtuar Sabri Novosellës dhe superioritetit të tij në burgjet e UDB-së. Edhe më mahnitëse do të del tablloja apo skena, kur Dezertori apo Dordoleci i UDB-së Serbe, Abdullah Prapashtica dhe Vëzhguesi superior i Dordolecit të UDB-së Serbe, Osman Osmani, do ta njoftojnë Luanin e tyre superior, se si edhe ata janë takuar me Sabri Novosellën në Turqi, dhe ai nuk është askush tjetër por pikërisht postjeri më inferior i cili kulmin e karrierës së tij e ka arritur kur i është dhënë rasti me i shpërnda pozifat e Dezertorit, apo Dinastisë Dordolece-Kim il Sungiste të shkolluar nga UDB-a Serbe.
Kjo dramë nuk vihet në skenë atë vit. Kjo punë bëhet më vonë.
Kështu duket koka e numrit të katërt të gazetës Bashkimi, të përgatitur nga Jusuf Gërvalla. Risia në kokën e këtij numri është se për herë të parë në kokën e gazetës, nën emrin Bashkimi shkruhet emri i Organizatës “Fronti i Kuq Popullor”, pra emrit ‘Fronti i Kuq’ nga Jusufi i shtohet mbaresa ‘Popullor’.
Ky numër dorëzohet në shtyp para 19 dhjetorit 1980, pra para ditës kur Ibrahim Kelmendi e nisë Hysen Gegën në Kosovë së bashku me Sadik Blakajn. Ky është numri i fundit i Bashkimit. Jusufi përfundimisht e përjetësisht heq dorë nga përpjekja për ndreqjen e stilizimin e kokës dhe përmbajtjes së gazetës Bashkimi pasi dyshon me baza të forta se në kokën e Frontit të Kuq qëndron vetë UDB-a dhe filiala e saj TANJUG-u. Rreth çështjes së Lajmëtarit të lirisë, fakte mjaftë të plota dhe informative gjenden në dy letra të Jusufit dërguar Nuhi Sylejmanit, në fund të janarit dhe më 10 shkurt 1981.
Jusuf Gërvalla: “Me I. (Ibrahim Kelmendin-shën i Xh.D.) dhe H. (Hysen Gegën-shën i Xh.D.) kemi pasur një marrëveshje konkrete, që unë të shkruaj për “Bashkimin”, t’i përpunoj (do me thënë jo redaktoj por ndryshoj e rishkruaj për 90 për qind-shën i Xh.D.) materialet e shkruara prej të tjerësh dhe ta shtyp gjithë materialin në makinën time të shkrimit. Unë i jam përmbajtur marrëveshjes, ata jo. Deri më tash, ata më kanë dhënë vetëm 200 DM për shtypjen në shtypshkronjë të “Lajmëtarit të Lirisë”, kurse marrëveshja ka qenë që të hollat për shtyp t’i sigurojnë ata, meqë unë nuk jam në gjendje të paguaj nga xhepi im. (Deri më tash, dy numrat e revistës i kam paguar me të hollat e mia, sikurse edhe makinën e shtypit, gjithsejtë mbi 9.000 DM, kurse kontribute nga shokët kam marrë gjithsejtë 1.300 DM.) Për këtë arsye, numri i parë (për këtë vit) më ka ndenjur qe më se dy javë i gatshëm, sepse nuk kisha të holla ta dërgoja në shtyp. (…)
P. S. Po të dërgoj edhe numrin më të ri të “Bashkimit”, nëse nuk e keni marrë ende. Por, ju lutem të ma ruani, sepse është e vetmja kopje që e kam.” (Letër Nuhi Sylejmanit, kah funi i janarit 1981, faqe 30-32)
Marrëveshja të cilën e përmend Jusufi më posht me Ibrahim Kelmendin dhe Hysen Gegën duhet të jetë e muajit nëntor 1980, sepse Jusufi e fillon angazhimin në gazetën Bashkimi pa ndonjë kusht, në shkurt, prill e maj 1980, në kohën kur Lajmëtari i lirisë nuk ka ekzistua, dhe fillon me botimin e Lajmëtarit e lirisë pa marrëveshje me Ibrahim Kelmendin. “Me I. (Ibrahim Kelmendin-shën i Xh.D.) dhe H. (Hysen Gegën-shën i Xh.D.) kemi pasur një marrëveshje konkrete, që unë të shkruaj për “Bashkimin”, t’i përpunoj (do me thënë jo redaktoj por ndryshoj e rishkruaj për 90 për qind-shën i Xh.D.) materialet e shkruara prej të tjerësh dhe ta shtyp gjithë materialin në makinën time të shkrimit. Unë i jam përmbajtur marrëveshjes, ata jo.”
Burgosja e Hysen Gegës i prishë të gjitha planet në këtë drejtim.
Jusuf Gërvalla: “Po kështu, ka qenë e parashikuar që brenda ditës së sotme të dalë edhe numri i ri i “Lajmëtarit”, kështu që, nëse del, do ta marrim me vete edhe atë.” (Letër Nuhi Sylejmanit, 10 shkurt 1981, Vrasja e trefishtë, faqe 32)
Përveç përpjekjeve për njollosjen e Hysen Gegës, në mënyrë të paturpshme janë bërë përpjekje edhe për degradimin e burgosjes së tij, me arsyetimin se të gjitha vuajtjet çka i ka bërë për Kosovën në burgjet serbe i kanë shkua huq, dhe nuk i bahen kabull, sepse ai në Kosovë paska shkuar pa e pyetur Jusufin. Nëqoftëse na lejohet me bërë dallime në mesin e atyre që kanë vuajtur në burgjet serbe, për çështjen tonë të përbashkët, atëherë janë shumë të pakt ata që munden me qenë më krenar se Hysen Gega në këtë pikë. Është merita e Hysen Gegës dhe askujt tjetër ajo që ka bërë që e gjithë propaganda e UDB-së Serbe rreth Frontit të Kuq, gjatë vitit historik 1981, ka qenë sa e kot aq edhe qesharake. Mullinjtë propagandistik të UDB-së dhe filialës së saj TANJUG-ut, gjatë gjithë këtij viti historik kanë bluar në guri të thatë. Në mos asgjë tjetër vetëm kjo karikaturë e avanturave të UDB-së do të ishte e mjaftueshme me e përcaktue diagnozën e shëndetit të bivshe Jugosllavisë. Le të del dikush nëse mundet me thënë se atij i ka shkua përdore ajo çka i ka shkua Hysen Gegës. Ajo çka vlen të theksohet si përfundim është se Jusufi e fillon dhe e përfundon angazhimin e tij në gazetën Bashkimi, dhe bashkëpunimin e organizuar me Ibrahim Kelmendin brenda vitit 1980, pa asnjë ndërhyrje të Sabri Novosellës, Kadri Zekës e për të mos folur për mua. (01. 11. 2010)
_______________
Lexoni shkkrimet tjera:
XHAFER DURMISHI: FAKTE RRETH LËVIZJES SË JUSUF GËRVALLËS
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10898
***
XHAFER DURMISHI: PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TË KUQ POPULLOR I PËRPILUAR NGA JUSUF GËRVALLA
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10905
***
XHAFER DURMISHI: “PROGRAMI I FRONTIT TË KUQ” I IBRAHIM KELMENDIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10906

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura