RAPORTI JUSUF GËRVALLA – XHAFER DURMISHI ME PSEUDONIMIN `SHPENDI` NË SHKRESAT E JUSUFIT, NË DOKUMENTIN E BASHKIMIT MË 17.02.1982, TË THEMELIMIT “KVG” DHE JO VETËM

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku, 2 mars 2021:

Në vitin 2010, mund të thuhet se letrat që ia ka shkrua dora e Jusuf Gërvallës, si anëtarë i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe për llogari e për luftën e pavdekshme të kësaj Lëvizjeje, janë bërë publike. Jusufi ka shkruar pak letra, por rëndësia dhe vlera e tyre besoj se është klasike.
Nga letrat e publikuara,
– 1 i drejtohet Enver Hoxhës (19 gusht 1980)
– 3 Ibrahim Kelmendit, (e para në pranverë 1980, e dyta në nëntor 1980 dhe e treta më 15 janar 1982)
– 2 letra Kadri Zekës, (e para më 7 dhjetor 1981 e dyta më 15 janar 1982)
– 4 letra Nuhi Sylejmanit (anëtarit të LNÇKVSHJ)
– 3 letra Faridin Tafallarit (anëtarit të LNÇKVSHJ)
– 6 letra Sabri Novosellës (kuadrit udhëheqës të LNÇKVSHJ, para të cilit Jusufi, përveç punëve të furishme me iniciativë të tij, ka raportuar dhe ka marrë udhëzime të cilat ai vetë dhe me përkrahjen e shokëve i ka vu në jetë).
Këto gjashtë letra të dërguara Sabri Maxhunit-Novosellës, janë dokumente të rëndësishme sa i përket punës së Jusufit si luftëtar e ideolog por edhe fakte që hedhin dritë mbi çështjet e brendshme të LNÇKVSHJ dhe raportet e saj të jashtme me organizatat tjera. Letrat janë të shkruara nga 14 prilli 1981 deri më 14 janar 1982.
Datat konkrete të këtyre letrave apo raporteve të LNÇKVSHJ janë këto:
1. Letra e parë, 14 prill 1981
2. Letra e dytë, 13 maj 1981
3. Letra e tretë, 16 qershor 1981
4. Letra e katërt, 20 gusht 1981
5. Letra e pestë, 5 nëntor 1981
6. Letra e gjashtë, 14 janar 1982.

***
Nëpërmes udhëzimeve të Sabri Novosellës, kam shkuar në Shtutgart e Untergruppenbach, më 17 korrik 1981.
Pseudonimi i cili është përdorur për herë të parë nga Sabri Novosella për mua para Jusufit, përmes bisedës telefonike me Bardhoshin, apo ndonjë letre ka qenë “Shpendi”. Pseudonimi Shpendi përdoret nga Jusufi në raportet-letrat dërguar Sabri Novosellës. Prania ime vërehet menjëherë në të gjitha letrat e Jusufit dërguar Sabri Novosellës, pas 17 korrikut 1981.
Sqarim pseudonimesh:
Shpendi = Xhafer Durmishi
Besniku = Bardhosh Gërvalla

Sokoli = Jusuf Gërvalla

Besniku = Bardhosh Gërvalla

Shpendi = Xhafer Durmishi

Jusuf Gërvalla:Materialet e numrit të ardhshëm të “Z.K.” janë pothuaj të gjitha të gatshme. Për pjesën e tyre më të madhe, e unë, Shpendi Besniku jemi të kënaqur. Morëm zemër edhe nga fakti se ju kishin përlqyer edhe juve ato punime që ua dërguam edhe juve për t’i shikuar. Përveç kësaj, unë personalisht tani jam në pozitë shumë më të lehtë, për shkak të mendimeve, porosive e sugjerimeve nga ana juaj dhe për shkak të një ndihme, sado të vogël në fillim, nga ana e Shpendit, e Besnikut dhe e shokut të “Lirisë”, që këta më dhanë me disa artikuj të mirë. Edhe Shpendi edhe Besniku, për sa duket kanë afinitet për shkrim, i cili do të rritet bashkë me punën tonë e me ne. (…)
Mbrëmë ishim me Besnikun te ai personi në Visloh, që na i patë dhënë 3 mijë markat. Sa më shumë që po njihemi me të, aq më i matur, i pjekur dhe i mirë po na duket ai neve dhe me gjasë, edhe ai po fiton gjithnjë simpati më të mëdha për punën tonë. Unë, Shpendi e Besniku, duke analizuar anët e mira dhe virtytet e këtij njeriu, kemi vendosur se do të kish qenë mirë ta bënim menjëherë anëtarë të Komitetit të degës së këtushme.” (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; E botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451-452)
Nga letra e mësipërme shprehen që në fillim fakte se çfarë ndihme mund të pret Jusufi prej meje qysh në fazat pregatitore të gazetës.
Jusuf Gërvalla: “Paska qenë e llogjikshme nga ana juaj që të ndruheni se mos unë ia kam kthyer shpinën ose kam ndër mend t’ia kthejë Lëvizjes, duke kaluar në taborin e ndonjë organizate tjetër. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Përkatësisht, deri në çastin që të bindem plotësisht se Lëvizja e ka lënë rrugën e drejtë dhe, në vend që të luftojë si duhet për popullin, i sjell dëme pikërisht kësaj lufte. Shenjat për këtë, fatbardhësisht, nuk janë dukur gjëkundi deri më këtë çast. Bashkëluftëtarët tanë, në paçin sado pak veçoritë dhe virtytet e tua luftarake e patriotike, Mërgim, mund të mburren se janë duke u shkrirë si qiriu, që populli të shohë dritë.
Eshtë e tepërt të thuhet se do t’i çojmë në vend këshillat, sugjerimet dhe urdhrat që do të na vijnë nga ana juaj. Këtë mendim e kanë plotësisht edhe Shpendi e Besniku.
Më lejo të kalojmë te disa çështje mbi përgatitjen sa më të mirë të “Zërit të Kosovës” në të ardhmen. (…)
Nga temat e ngjashme, që propozova më lart, unë kam ndarë për vete të shkruaj në numrin 2 një artikull mbi mbrojtjen e kishave dhe të manastireve serbe nëpër Kosovë nga shqiptarët në të gjitha furtunat e tashme. Do të shërbehem me disa të dhëna që jep Dr. Mark Krasniqi në librin e tij “Gjurmë e gjurmime”. Qëllimi është të sheshohet respekti i kosovarëve ndaj monumenteve të huaja të kulturës dhe mosprirja e tyre për vandalizëm, në një anë; në anën tjetër,” shpërblimi” i pushteteve serbe për këtë mbrojtje dhe shovinizmi i tyre në gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët si “racë më e ulët” në krahasim me ta.
Pres propozime e sugjerime edhe për tema të tjera, me realizimin e të cilave do të rrekeshim unë, Shpendi e Besniku.
(…) Adresën e B.Krasniqit (Besnik Krasniqit-djalit të Metush Krasniqit-shën i Xh.D) do ta sigurojmë dhe të ta dërgojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme. Me K. (Kolë) Mërturin do të bisedojmë për ato që u morëm vesh, Djelmoshave të tjerë në Romë, Besniku (Bardhosh Gërvalla-shën i Xh.D.) u kishte lënë 200 dollarë, këtu e kemi një shok të njërit prej tyre dhe prandaj shpresojmë se do ta fitojmë besimin e tyre dhe t’i bëjmë shokë edhe ata.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981. Botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 273-276)
Kjo letër më lart është shkruar pas dështimit të bisedimeve për bashkim në mes LNÇKVSHJ dhe OMLK në Stamboll në tetor 1981.
Jusuf Gërvalla: “Por që atëherë kushtet kanë ndryshuar shumë. Tash ka dalë sheshit pezmi i madh i popullit, gatishmëria e madhe për flijime të larta, ideja e luftës për liri është materializuar më shumë se kurrë. Sipas njohurive të mia të pakta teorike, më duket se tash, në vend të reduktimeve e të përkufizimeve, duhet të aplikojmë zgjerimin e furishëm të radhëve, ashtu siç thotë Lenini me një rast, madje në atë mënyrë që rekrutët e rinj të zënë vendin e luftëtarëve të rëndomtë, kurse ushtari i vjetër të zërë vendin e oficerit të ulët. Kështu e pata kuptua më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ (Komitetin Qendror-shën im). Rinia jonë revolucionare po kërkon radhët e revolucionarëve të organizuar. (…)
Edhe një lajm jo fort të mirë kam për ju. Me insistimin e Shpendit, për të mos thënë me presionin e tij, Shpendi shkoi në Kosovë për një qëndrim të shkurtër, disa kohë para vitit të ri. Së andejmi u paraqit disa herë në telefon, e së fundi disa ditë para vitit të ri, kur tha se do të kthehej menjëherë pas vitit të ri. Mirëpo, sot jemi më 14 janar, e ai as na thirri më, as erdhi. Por, jemi të brengosur shumë se mos i ka ndodhur gjë. Ndonjë lajm, a shenjë për të keq nuk kemi, veçse vonesa e tij na brengos. Nëse ka fat dhe kthehet, ao do të na sjellë materiale me vlerë, sepse për atë qëllim edhe pat shkuar.”

(Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982. E botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f.452-454)

***
Kjo letër më lart është përgjigje definitive për të gjithë ata që kanë fabrikuar rrena skandaloze rreth asaj se kanë qenë në Komitet Qendror me Jusufin apo janë pranuar në këtë Komitet në të njejtën ditë apo me të njejtin vendim së bashku me Jusufin.
Në këtë drejtim jam i detyruar me i përmend këto fakte dhe më vjen keq, pasi çdo njeri i arsyeshëm e kupton se kujtimet e gjalla e përjetimet gjatë përpjekjeve për liri dhe në kohë të lira (në rastin tim) për gati 5 muaj rresht janë në mënyrë të pakrahasueshme më interesante dhe ua kalojnë këtyre 833 fjalëve në këto letra. Në këto letra nuk jam thirrë kurrë dhe nuk kam ndier nevojë të thirrem kur janë në pyetje shokët e vërtetë të Lëvizjes së Jusufit të cilët i kanë ruajtur dhe publikuar këto dokumente. Por, për shkakun se këto letra e këto fjalë do ta mbijetojnë jetën e shumë e shumë TRUPAVE është shpresa ime që të jenë edhe varr i mjaftueshëm i shumë TURPEVE, gënjeshtrave, shpifjeve e përpjekjeve të mjera për denigrime që e kan burimin në urrejtjen që disa e kan ndaj “Zotit” apo Natyrës, për shkak se “Ai” apo Ajo nuk ua ka dhënë atyre atë që ma ka dhënë mua.

***

Pseudonimi Shpendi (si anëtarë i Komitetit Qendror të LNÇKVSHJ) për mua Xhafer Durmishin është përdorë në Dokumentin e bashkimit të 17 shkurtit 1982 në Ankara, në mes LNÇKVSHJ dhe Partisë “Komuniste” (P’K’MLSHJ).

“D O K U M E N T
Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – vërejtja ime) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.
Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ (Komitetit Qendror-shën. im) Mërgimi (Sabri Novosella) dhe Shpendi (Xhafer Durmishi).
Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) dhe Halimi (Osman Osmani), anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali (Faton Topalli) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.
Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).
LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ (revistë, gazetë) qendrore.
LRSHJ do të formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë Federative Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi (Xhafer Durmishi) deklaroi:
-Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) deklaroi:
-Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:,
-Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.
Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.
Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.
V E N D I M
I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.
3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.
4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.
6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës, kurse organi i Rinisë të quhet ”Republika”.
Qemajli (Faton Topalli)
Shpendi (Xhafer Durmishi)
Halimi (Osman Osmani)
Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)
Mërgimi (Sabri Novosella)
17 shkurt 1982″

(Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë, 1997, faqe 217-218 dhe www.pashtriku.org, 2008)

***
Pseudonimi Shpendi, për mua është përdorë edhe në mbledhjen e formimit të Komitetit Vëllezërit Gërvalla, në Ludwigsburg në
Studentenwohnheim
Eduard-Spranger-Straße 7
71634 Ludwigsburg

Në këtë Konvikt, në katin 10, dhoma nr.10, më 26 shkurt 1982 u formua “Komiteti Vëllezërit Gërvalla”
“Letër drejtuar Komitetit të degës së LRSHJ ”Hasan Prishtina”
Të dashur shokë!
Udhëtimin e Shpendit e quajtëm si shumë të suksesshëm. Ardhja e Halimit është me vend dhe angazhimi i tij i menjëhershëm me siguri do të jetë i frytshëm. Ditën kur u kthye Shpendi pra të hënën, ditën e parë të javës, kur shokët ia filluan javës së re të punës.
Meq këndej shokët janë të shpërndarë në pika të ndryshme dhe që në atë javë nuk kishin farë automjeti, mbledhja zgjedhore e Komitetit nuk mundi me u thirrë gjer më 26 shkurt 1982. Atë mbrëmje në një qytet larg nga këtu u mblodhën: Shpendi (Xhafer Durmishi), Halimi (Osman Osmani), Drita (Suzana Gërvalla), Agimi (Nuhi Sylejmani), Agroni dhe Guximi (Haxhi Berisha).
Mbledhjen e hapi Shpendi i cili në fillim i njoftoi të pranishmit mbi bashkimin, me organizatën e re dhe me detyrën e qëllimin e ardhjes së Halimit.
Ai për këtë mbledhje propozoi këtë rend dite:
Formimi i degës së LRSHJ për Evropëm Perëndimore.
a) Që kjo degë e LRSHJ ta merr emrin e dëshmorëve Gërvalla, pra të quhet ”Komiteti Vëllezërit Gërvalla”.
b) Që Komiteti të përbëhet nga pesë anëtarë
Të ndryshme
Ky rend dite u aprovua njëzërit nga të pranishmit.
1. Që në fillim u propozua të zgjidhen anëtarët e Komitetit, pra pesë veta. Meq Agimi ishte edhe më parë si arkatar, Agroni si anëtarë së bashku me Dritën dhe Shpendin nuk u diskutua shumë rreth tyre se a duhet të jenë anëtarë të Komitetit të riorganizuar apo jo. Halimi propozoi që Komiteti t’i ketë edhe dy kandidatë. Ky propozim u quajt me vend dhe i arsyeshëm dhe si i till u aprovua. Arsimi që në fillim tha se pyetjen për arkatarë nuk ka nevojë ta përsërisim pasi arkatarin e vyeshëm e kemi që nga fillimi. Propozimi i Arsimit që edhe më tutje të jetë arkatarë Agimi i aprovua.
Shpendi pasi i numëroi disa detyra që i ka pasur Drita si shoqja më e ngushtë e Sokolit (për të cilat disa nga të pranishmit nuk kan qenë në dijeni) e njëherit i njoftoi se ajo pas një kohe do të shkoj në A. Ai atë e propozoi si sekretare deri sa ajo të jetë në mesin tonë. Ky propozim u aprovua unanimisht. Fjalën pastaj e mori Drita e cila u falenderua dhe në vazhdim i njoftoi të pranishmit se Shpendi (Xhafer Durmishi-shën. im) ishte njeriu që ishte udhëzuar ta ndihmonte Sokolin dhe për këto detyra të kryera ai kohët e fundit ishte pranuar edhe anëtarë i KQ (Komitetit Qendror-shën. im) të ish-LNÇKVSHJ. Duke pas parasysh këtë, vazhdoi ajo, unë mendoj se ai duhet të jetë kryetar i komitetit të të degës së LRSHJ për Evropën Perëndimore. Edhe me këtë propozim të pranishmit u pajtuan. Për anëtar mbetën Halimi dhe Agroni.
Me shkuarjen e Dritës (Suzana Gërvallës në Shqipëri-shën i Xh.D.) ne do të mblidhemi prap dhe në vendin e sekretarit do të zgjedhet Halimi. Ndërsa anëtarë i ri i komitetit do të jetë Arsiimi. Kandidati i ri beojmë se në bazë të punës së tij do të zgjidhet Luli.
a) Propozimi që komiteti të quhet ”Vëllezërit Gërvalla” u aprovua njëzërit.
b) Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës duke pasur parasysh faktin se ishte i pranishëm anëtari i ri Halimi edhe ca anëtarë të tjerë të ish-LNÇKVSHJ nuk dinin shumë në lidhje me përbërjen në numër të një komiteti, mbretëroi pak heshtja. Me këtë rast Shpendi shpjegoi se Lëvizja NÇ me këtë praktikë punon qe disa vjet dhe se kjo formë është treguar mjaftë e suksesshme. Halimi vazhdoi se ai me shokët e tij kan vepruar ndryshe dhe se nuk kan shumë ekperiencë lidhur me funksionimin e një komiteti të tillë sidomos në kushtet jashtë atdheut dhe pasi ne ishim të pranishëm tetë ndërsa komiteti do të kishte vetëm pesë anëtarë. Halimi tha se faktikisht për anëtarët e këtij komiteti po dijnë 8 veta. Ai tha se edhe ata aktivist të dalluar të jen si kandidat për komitet. Ky propozim dhe arsyetimi i cekur më lartë u pranua. Pra komiteti i degës së LRSHJ ”Vëllezërit Gërvalla” për Evropën Perëndimore ka me shkuarjen e Dritës ai do të duket kësisoji:
1. Shpendi Kryetar Xhafer Durmishi
2. Drita/Halimi Sekretar Suzana Gervalla/Osman Osmani
3. Agimi arkatar Nuhi Sylejmani
4. Agroni anëtarë Faridin Tafallari
5. Halimi anëtar Osman Osmani
6. Halili kandidat Hafiz Gagica
7. Guximi kandidat Haxhi Berisha
8. Arsimi Përgjegjës i rinisë Naim Haradinaj
2) Në pikën të ndryshme diskutimet u zhvilluan rreth anëtarësisë, çështjet materiale, puna rreth vendosjes në një bazë të re dhe nxjerrjes sa më të shpejtë të numrit të ri të organit.
Për këto dhe të tjerat herën e ardhshme.
Ju përshëndesin shokët e ”Komitetit Vëllezërit Gërvalla”
Kosova – Republikë”

(Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 357-358)

***
Pas 15 majit 1982 pseudonimi “Shpendi” nuk është përdorur më. Nikoqiri i takimit të 14-15 majit 1982, për mua Xhafer Durmishin-Skenderin, sa i përket shkëmbimit të letrave, ka zgjedhur një pseudonim tjetër e modest për mua. Ka qenë bindja e ime e thellë, qysh në atë kohë, se misioni i tij në jetë, misioni i fluturimit të Shpendit është kryer më mirë se sa ai e ka pritur nga krahët e tij.

© Pashtriku.org, Janar 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura