MR.AVDI GJATA: UKSHIN HOTI – ITHTAR I DEMOKRACISË AUTENTIKE

(Prishtinë, 15. 05. 2012) – Profesor Hoti është ithtar i tezës për një demokraci autentike, si teza e vetme e një integrimi universal ku nuk do të zhduket dhe nuk do të humbet identiteti i kombit shqiptar, po do të afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët, për të gjitha subjektet etnike të botës që janë të garantuara me normat ndërkombëtare. Demokracia autentike është një pasqyrë e lirisë dhe e dinjitetit e kulturës, e kulturave të veçanta, por edhe i të gjitha kulturave.
     Fundi i shekullit XX, apo më mirë më thënë, koha në mes viteve 1980-2000, është epoka të cilës i përket edhe njëri ndër burrat e mëdhenj të Dardhmadhies (Krusha e Madhe) ish i burgosuri politik e intelektuali i shquar, profesor Ukshin Hoti. Edhe pas trembëdhjetë viteve pas luftës, ende nuk dimë asgjë për jetën e fatin e tij njerëzor. Për jetën e tij nuk dihet jo pse bëri vepër antinjerëzore, po pse ishte e do të mbetet për një kohë të gjatë njëri nga intelektualët dhe politologët më të kompletuar e më të fuqishëm për nga dijet, për nga trimëria e guximi i pafrikshëm, i cili ka shpalosur njërën nga krye temat më të fuqishme të çështjes kombëtare e cila ishte e ndaluar me ligjet drakoniane jugosllave gjatë periudhës më të ndritshme të shqiptarëve të Kosovës (1980-1990).. Koha në mes të viteve 1981-1993, është periudha historike e cila është pasqyruar dhe analizuar me një analizë të veçantë e tërësisht në baza shkencore, si në shkrimet e tij në media e revista shkencore, ashtu edhe në veprën e tij; ‘Filozofia politike e çështjes shqiptare’. Është e vërtetë se veprimtaria atdhetare e Ukshin Hotit ka filluar më parë e shumë më herët se viti 1981 dhe do të mbaroi shumë më vonë, sesa mbaroi kjo periudhë e lavdishme historike e popullit shqiptar të Kosovës. Prof . Ukshin Hoti u dallua dhe u shqua plotësisht si një intelektual, politikan, diplomat e mendimtar i dalluar nga kolegët e tij, pikërisht në këtë periudhë të ndritshme të historisë. Kjo periudhë e rëndësishme historike dhe e lavdishme shqiptare ia krijoi kushtet dhe ia lindi të gjitha tiparet e veçanta e karakteristikat dalluese të ideve e mendimeve të veprave të Hotit dhe filozofisë së tij, apo siç mund ta quajmë ndryshe si filozofia ‘hotizëm’.

_______________________________

     Nga viti 2000, apo, nga luftërat e popullit shqiptar në ish Jugosllavinë Titiste, tek ne shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare ka ndryshuar shumëçka dhe është përmbysur gati çdo gjë nga e kaluara, dhe tani është koha që sapo ka filluar të rregullohet ngadalë, problemi shqiptar në përgjithësi. Për, këtë arsye, sot është mjaft vështirë të gjendet një mendim apo një karakterizim më i saktë i kësaj periudhe historike në mes të viteve 1980-2000 sesa mendimi dhe ideja e tij, rreth karakterit dhe përmbajtjes revolucionare të demonstratave të viteve 1981 e deri te ato të viteve 1990.
     Të gjithë ne, që e përjetuam apo ishim pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve të vështira historike e dimë se çka ‘është përmbysur’, e dimë mirë po edhe jemi të vetëdijshëm se e vetmja gjë që kemi humbur është robëria shekullore dhe i tërë ‘rendi i vjetër’ komunist. Ajo që ka filluar të rregullohet dhe vazhdon edhe më tej të përmirësohet, është edhe më tutje e panjohur dhe e pakuptueshme për pjesën më të gjerë të popullit. Për masën e gjerë shqiptare, ky rend i ri shoqëror që ‘sapo ka filluar të rregullohet e ndërtohet’, është i paqartë dhe mjaft i turbullt, për shkak të mungesës të ideve dhe mësimeve pragmatike të ideatorit e profesorit tonë, tashmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar – Ukshin Hoti.
     Pesimizmi e moskundërshtimi i së keqes nga strukturat udhëheqëse të asaj kohe, si edhe thirrjet drejtuar masës gjatë atyre viteve (1980-90), nga klasa politike shqiptare e asaj kohe, është një ideologji që shfaqet në mënyrë të pashmangshme në kohë të ndryshimeve të tilla, po kjo, nuk gjeti shprehje e vend në politikanin e diplomatin kryeneç të asaj epoke historike, apo, thënë më qartë në profesorin e shkencave politike të Universitetit të Prishtinës dhe Sekretarin Krahinor për politikë të jashtme të Kosovës. Profesor Ukshin Hoti, bëhet më i madh e më i rëndësishëm edhe për faktin, kur dihet se masa e gjer ishte e edukuar në atë rend të vjetër, e që e kishte thithur nektarin e qumështin e ëmbël të sistemit komunist, po edhe zakonet, traditat e besimet e atij rendi, tashmë të tejkaluari. Ai i pa dhe nuk mundi t’i mos i shihte se ç’karakter ka rendi i ri shoqëror që do të rregullohet në të ardhmen, pastaj cilat do të jenë forcat e ardhshme shoqërore që do ta rregullojnë rendin e ri dhe në ç’mënyrë, duhet të angazhohen ato forca dhe cilat forca shoqërore janë të afta t’i rregullojnë ato çështje, e t’i sjellin shpëtimin masës nga vuajtjet, mjerimet e panumërta dhe veçanërisht problemet e rënda që janë. karakteristike për gjitha epokat e kohët e ndërtimit të shoqërisë e rendit të rij..
     Periudha e viteve 1981-2000 ishte pikërisht epoka e ndërrimeve në Jugosllavi dhe e shteteve tjera komuniste në Evropë, si edhe në vende të tjera të rruzullit tokësor. Derisa, gjatë kësaj periudhe historike, filluan të forcoheshin, forcat shoqërore përparimtare të cilat po e bënin konkretisht rregullimin e rendit të rinj shoqëror në Kosovë për herë të parë e në shkallë kombëtare. Ato u shfaqën haptas, me veprime masive që i përfshinë të gjitha fushat e ndryshme shoqërore, vetëm gjatë periudhës historike të viteve 1981. Pas ngjarjeve progresive të viteve të 80-ta në Kosovë, ngjarjeje të njëllojta u vunë re edhe në një numër të madh shtetesh të tjera, siç ishin ato në shtete komuniste, ashtu edhe në shtetet tjera ku sundonte edhe më tutje dhuna e diktatura.
     Doktrina hotiane, është pa dyshim, doktrinë materialste – dialektike dhe për nga përmbajtja e saj, ishte edhe revolucionare në kuptimin më të saktë të fjalës. Tre çerek shekulli më parë, elementet e doktrinës së Hotit, na sollën ndryshime të rëndësishme në të menduar e veprim praktik, pasi teoria e tij politike, kishte tipare revolucionare, atdhetare e pragmatike.
     Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme e jo konformiste i përgjigjet realitetit politikë në dritën shqiptare, po edhe në ate globale. Për të bota euro-amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet e marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm të sotëm shqiptar shkruan M. Zeqo.
     Profesor Hoti është ithtar i tezës për një demokraci autentike, si teza e vetme e një integrimi universal ku nuk do të zhduket dhe nuk do të humbet identiteti i kombit shqiptar, po do të afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët, për të gjitha subjektet etnike të botës që janë të garantuara me normat ndërkombëtare.
     Demokracia autentike është një pasqyrë e lirisë dhe e dinjitetit e kulturës, e kulturave të veçanta, por edhe i të gjitha kulturave. Sipas teorisë së Hotit, Demokracia e nënkupton atdhetarizmin dhe atdhetarizmi është shprehje e demokracisë, të cilës duhet t’i përmbahen të gjithë qytetarët shqiptar, pavarësisht pozitës, besimit, profesionit, krahinës apo rajonit që i takon. Sipas këtij mendimi del konkludimi se: ‘Të pavdekshëm janë të gjithë ata qytetar që për atdheun, nuk e kursejnë mundin, gjakun e djersën e tyre’.
     Sipas mendimit tim, Ukshin Hoti është njeriu që perëndia ia ka falur zotësinë për të bërë atë çka duhet bëjë çdo shqiptar, (diçka), ate edhe e bëri, për shqiptarët e Shqipërinë, pasi për punën e veprën e tij, ia vlen ta lexojmë e përkujtojmë çdo herë e në çdo kohë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura